(Persiatje filozofike)
___
Një njeri vërtet i qëndrueshëm është ai që mbetet i patundur edhe në kohët më të stuhishme, si dallgët e detit që thyhen pareshtur, por nuk zhduken kurrë. Pulsi i tij mbetet i qetë, edhe kur erërat dhe stuhitë e rrokullisin si një fletë letre nga një cep në tjetrin. Qëndrueshmëria e tij nuk është rezultat i kokëfortësisë së verbër, por i një bindjeje të thellë se ai është i ndërthurur pazgjidhshmërisht me Universin.
Sigurinë, qetësinë dhe qëndrueshmërinë e një lisi të lashtë dardan e kanë vetëm ata individë që nuk shqetësohen as atëherë kur pragu drejt një bote tjetër u afrohet si një hije që i ndjek hap pas hapi. Ata nuk i frikësohen kalimit në botën e përtejme, sepse tashmë janë pjesë e një rendi më të lartë.
Pse?
Sepse ata kanë përvetësuar shkathtësinë dhe mençurinë e samurajve dhe astronautëve – një vetëdije të thellë dhe të palëkundur se ekzistenca e tyre nuk është e kufizuar në një formë të vetme të jetës. Ata e shohin veten si një pikë në oqeanin e gjithësisë, njëkohësisht pjesë dhe tërësi. Ata nuk shqetësohen për qëllimet e Krijuesit, sepse besimi i tyre në të është absolut, më i pastër se çdo llogaritje racionale. Ata besojnë, siç beson një fëmijë te dora e prindërve të tij, pa kërkuar të deshifrojë çdo mister.
Një njeri i qëndrueshëm në kohëra të trazuara është një forcë e pandalshme, e paprekur nga stuhitë e botës.
Ai është si sipërfaqja e detit, që ndonëse ndikohet nga frymërat e befta të erës, nuk zhduket kurrë.
Imagjinoje këtë njeri si një lis të lashtë dardan, të rritur në tokën e betejave shekullore, të patrembur dhe të rrënjosur thellë në dheun e Atit Hyjnor !
Ai qëndron i fortë, edhe kur realiteti përreth tij zhytet në kaos. Qetësia e tij e brendshme është aq e thellë, saqë jo vetëm që nuk i trembet kalimit në një formë tjetër të ekzistencës, por e mirëpret atë, si një përvojë të re, më pak monotone.
Samuraji, ashtu si lisi i lashtë dardan, ka zhvilluar një instinkt të ndriçuar që e mbron atë si një amebë në dimër. Prandaj ai jo vetëm që nuk ka frikë nga vdekja, por e mirëpret atë me qetësinë e dikujt që e di se nuk mund të shuhet kurrë vërtet.
Pse astronautët nuk i frikësohen vdekjes?
Sepse ata e ndiejnë veten si pjesë të pandashme të Universit, në harmoni me pafundësinë e tij.
Sepse ata e dinë se çdo formë e ekzistencës ka një kuptim, se jeta dhe vdekja janë vetëm dy anë të së njëjtit realitet.
Ata janë pjesë e një tërësie që nuk ka kufij dhe shtrihet përtej çdo kontrolli njerëzor.
Prandaj ata nuk shqetësohen për qëllimet e Krijuesit – ata besojnë në të pa kushte. Ata e pranojnë të pakapshmen, si një fëmijë në krahët e prindërve të tij, pa kërkuar përgjigje.
Në këtë mënyrë, ata mbeten të pacenuar nga kaosi dhe gjejnë paqe në pasiguri, aty ku të tjerët shohin vetëm frikë.
E vërteta e tyre është përtej realitetit të zakonshëm, ku ligjet e shpirtit dhe natyrës bashkohen në një ekuilibër të përsosur. Ky ekuilibër është aq i thellë, saqë as vetë kundërshtimi i forcave themelore të Universit nuk mund ta lëkundë.
Ndoshta në një formë tjetër të ekzistencës, ata që arrijnë këtë vetëdije do të bëhen ligjvënësit e Universit vetë.