ARKIVI:
23 Shkurt 2025

Rreth librit të Vilson Culajt “Në dritën e njohjes”

Shkrime relevante

Fatmir Limaj thyen akullin: Një hap i guximshëm që sfidon opozitën dhe i hap rrugë bashkëpunimit për Kosovën 

  Nga: Luan Dibrani   Në një periudhë të tensionuar dhe të pasigurt...

Gëzim Marku, Zemra Shqiptare: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Komunizmi në Shqipëri

E shtune, 22.02.2025, 01:00 PM INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN SHQIPTARO-AMERIKAN FRANK...

Më e bukura hakmarrje është të ndërtosh jetën tënde pa ta, të tregosh se tradhtia e tyre nuk të ka thyer…!

Halil Geci, Skenderaj ___ TRADHTIA: PLAGË QË S’SHËROHET KURRË ___ Kur të tradhëtojnë është sikur...

Afrim Caka për “fshatarizmat” dhe poshtërsitë anti-Kosovë të Lutfi Hazirit

Afrim Caka, Gjakovë “LYTFI HAZIRI E RESPEKTOVE KRRIҪIN E XHELATIT DHE KISHE...

Kështu përshkruhet Trump: – mediat ruse brohorasin

Vizatimi: Marvin Halleraker / Aftenposten Eksperti thekson se mediat ruse nuk kanë...

Shpërndaj

Nga: Don Lush Gjergji, Prishtinë
___
Vilson Culaj, Në Dritën e Njohjes I,
Jakup Ceraja, 2024, f. 364
Vilson Culaj vjen me një vepër mjaft burimore, siç thuhet në nëntitull, analiza, reflektime, recensione letrare, mbi të gjitha lexim dhe shqyrtim i kujdesshëm i shumë autorëve dhe botimeve gjatë viteve apo edhe dekadave të fundit.
Unë do të përqendrohem të autorët dhe veprat e klerikëve tanë, pasi është e pamundshme paraqitja e këtij vëllimi dhe botimi si tërësi shumë organike dhe mozaike.
                               l. Don Nosh GJOLAJ  (1948 – )
Autori dhe kleriku i parë në këtë vëllim është ish – famullitari i dikurshëm i Prishtinës, tash vepron në Podgoricë, Don Nosh GJOLAj. Me  një titull mjaft domethënës dhe të qëlluar: Vepra e një fundamenti të thellë shkencor, ku zbërthehet mbi të gjitha vepra unike e këtij autori: “Kush është Freudi i vërtetë”, Faik Konica – Shpresa – Prishtinë, 2008, f. 325.
Tematika e Frojdit, në përgjithësi, si dhe e  psikoanalizës në veçanti, ndër ne është pak e njohur dhe e studiuar. Vilson Culaj ndër të tjera shkruan kështu: “Kjo vepër do t’i shërbente njeriut tonë për ta njohur vetveten dhe tjetrin përreth  duke u nisur nga maksima se “njohja e vetvetes është fillimi i diturisë – urtisë”[1].
Elementi fetar te Frojdi ishte diçka e tepërt dhe ngarkesë psikike i kushtëzuar nga fëmijëria dhe rinia, më vonë edhe jeta e tij tejet e vështirë dhe sfiduese. “Për Frojdin Zoti nuk ishte asgjë tjetër veçse zëvendësim i mungesës së dashurisë së prindërve...” [2]
Duke e mohuar religjionin, Frojdi themeloi një disiplinë të re të metapsikologjisë, apo shkencën që e mohon ekzistencën e Zotit… Vdekja e nënës si çlirim ose frikë nga vdekja” lidhet përfytyrimi i Frojdit Zoti – nëna – fati – vdekja.” [3]
“Edhe pse çështja e psikanalizës  dhe nëndijes është një “skaf” i nënujshëm”, lexuesve tanë kjo vepër  shkencore do t’iu ndihmojë që sadopak ta njohin psikanalizën, Frojdin, njeriun e afërm, por më shumë do të na ndihmojë   të gjithëve që ta njohim dhe hulumtojmë vetveten dhe  brendinë tonë.” [4]
Pjesa e fundit e këtij zbërthimi i kushtohet autorit, Don Nosh Gjoja, jetës dhe veprave të tij shkencore dhe botuese. [5]
                                  2. Imzot Nikë PRELA (1818 – 1996)
Kleriku i dytë që paraqitet në këtë botim është Imzot Nikë Prela ipeshkvi ynë shqiptar, (1969 –1996) pas tre ipeshkvinjve jo shqiptar, Imzot dr. Ivan Gnidovec (1924 – 1939); Imzot dr. Smiljan Franjo Čekada (1940 – 1067) dhe Imzot  dr. Joakim Herbut (1969-2001). [6]
 Vilson Culaj    e paraqet këtë vepër me titull emblematik dhe profetik: Ipeshkvi Nikë Prela – Mëkëmbësi i gjithë Shqiptarëve
Pasi këtu paraqitet vepra ime kushuar Imzot Nikë Prelës me titull: „Imzot Nikë Prela Njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit“, DRITA – VELAR, 2010, f. 48, në gjuhën shqipe dhe italishte, së bashku me shkrimtarin dhe teologun e famshëm italian Don Valentino Salvoldi, nuk do të shkruaj apo flas shumë për Ipeshkvn tonë, edhe më pak për botimin tim kushtuar atij.
Por me plot bindje, nderim e falenderim  dhe dashuri pohoj këtë: trinomi Imzot Nikë Prela, Shën Nëna Tereze dhe dr. Ibrahim Rugova, ishin për ne hallkat e informimit, formimit, bile edhe të shpëtimit, sepse nëpërmjet tyre bota e qytetëruar ka mësuar kush ishim ne, kush jemi dhe kush duam dhe mund të jemi. Pa këtë tri figura profetike dhe karizmatike, historia e jonë e afërt, para, gjatë dhe pas Luftës 1998 – 1999,  ndoshta do të ishte krejt ndryshe.
                                     3. Atë Zef PLLUMBI (1924 – 2007)
Kleriku i tretë në këtë botim është Atë Zef Pllumbi, „Sagë e fëminisë sime“, botoi Kuvendi françeskan, Shkodër, 2009.
Pas dy veprave tashmë shumë të njohura, të lexuara dhe komentuara, Rrno për me tregue dhe Histori kurrë të padëgjume, është mjaft i dalluar nga dy titujt e parë. Pika e parë është ana gjuhësore: „SAGA…si shkrim i mbramë përfaqëson në një formë edhe stadin përmbyllës letrar ng  ana e tij. Pas një kontributi 6 – vjeçar në letërsi, Atë Pllumbi i rrri besnik rrafshit të koinonisë gege, por pa iu larguar kurrë  rrafshit  gjuhësor si në aspektin fonetik, sintaksor, vepra e Zef Pllumbit „Sagë e fëmijnisë sime“, në një mënyrë paraqet,psikën kolektive të shqiptarëve të trashëguar përmes shumëkuptimësisë së saj…“ [7]
Përfundimi është shumë domethënës dhe kuptimplotë: „Ky libër hyn në radhën e librave më të vlefshëm autobiografikl të shkrimtarëve tanë të cilët për një jetë të terë  barten mbi vete  vulën e dhembjes  shekullore.  Nga gjithë kjo që u tha gjer me tani për librin e Atë Zef Pllumbit, lirisht mund të konkludojmë: edhe pse ende qëndron i freskët mendimi se  Atë Zef Pllumbi është i mbrami shkrimtar gegë, edhe më i fortë dhe më i saktë qëndron fakti se ai është shkrimtari që jashtëzakonisht bukur i paraqiti në letër gjurmët e tij të dhembjes.“ [8]
                                        4. Imzot Mark SOPI (1938 – 2006)
Me Titull: Bari i mirë i grigjës së tij dhe vizionar i madh i Kombit dhe Fesë, Lekë Mrijaj (Klinë), paraqet jetën dhe veprën e të ndjerit Imzot Mark SOPI-t (1938 – 2006), i cili afro dhjetë vite ishte në krye të Ipeshkvisë së Kosovës, para, gjatë dhe pas Luftës (1999).
„Atributi i tij kryesor ka qenë „vizionar dhe diplomat i shquar“, sepse fliste pak, por vepronte shumë…“ [9]
„Imzot Mark Sopi dhe kontribut të jashtëzakonshëm si në ndërtimin e shtëpive, shkollave,  ( p.sh. në fshatin Açareve),  spitaleve, çerdheve, botimin e librave dhe dërgimin e të sëmurëve në shtetet e tjera për shërim etj. …
Kulmi i veprimtarisë së tij baritore dhe shërbimi ndaj Kishës ka qenë akti i bekimit të gurit të themelit të Katedrales „Nënë Tereza“ në Prishtinë, gjurmë e cila do t’u rezistojë shekujve.“[10]
„Imzot Mark Sopi për shumë vjet është marrë edhe me publicistik. Ka bashkëpunuar me revista të huaja nekënd Kroacisë dhe  Evropës, dhe është njëri nga iniciatorët dhe themeluesit e revistës dioqezane „Drita“ në Prizren, më 1970 dhe bashkëpunëtor i vyeshëm i saj…
Ka botuar edhe veprat „Martirët e Karadakut, Drita, Prizren, me 1996 dhe „Koncilët Ekumenike“, Drita, Prizren, në vitin 2000…“ [11]
                                  5. Imzot Dodë GJERGJI (1963 – )
Prelati tjetër i lartë është Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi aktual Prizren – Prishtinë, të cilin Vilson Cualj e paraqet me këtë titull: „Roman i plagëve të historisë dhe lirisë shpirtërore e identitare“, ku ndër të tjera shkruan kështu: „Falë mjeshtrisë narrative dhe imagjinatës së brumosur me njohje historike, të situatave dhe mentaliteteteve, autori Gjergji, jo rastësisht, në qendër të diskursit dhe narraconit vendos subjektin femër (Shpresën), e cila jep mesazhin e  gjallimit, kureshtjes  e frymimit shpirtëror, si një paralele historike mes bjerrjes dhe gjakimit, për t’iu rikthyer rrënjëve të të parëve…
Është kjo metafora dhe sinonimi i ripërtrirjes nacionale të subjekteve letrarë (Shpresës dhe Gjonit), të cilët përmes dashurisë pa kusht, pastrisë shpirtërore, shtegtimit kulturor, vizionit të jetës së panjollë, bëhen idioma letrare e shtegtimit kulturor e identitetit përbrenda fatit të tyre poersonal…“ [12]
Vilson Culaj e vlerëson lartë këtë trilogji si një lloj odisejade specifike: „1. Odisejadë e kohës dhe hapësisrës; 2. Odisejadë e shoqërisë që përjeton zgrip ekzistencial; 3. Odisejadë e persont / idividit në kërkim të lirisë shpirtërore dhe dinjitetit të tij fetar e kombëtar; 4. Odisejadë e Kishës Katolike shqiptare ndër shekuj e trazuar…
Kthimi është roman që vret harresën, begaton të tanishmen dhe të mëson për të ardhmen… A nuk është vallë ky një mision i lartësuar?“ [13]
                                     6. Tonin ÇOBANI – Don Ndue BALLABANI
Një trajtim dhe shkrim mjaft burimor dhe kreativ për Kanunin, apo siç quhet në titull „Dimensioni kulturor i Kanuninit në optikën e studiuesit Tonin Çobani,, botimi i vitit 2023, me zbërthime dhe pikëpamje të sakta dhe mjaft të reja, për publikun e gjerë ndoshta edhe të panjohura.
Vilson Culaj e përfundon studimin dhe zbërthimin e këtij botimi kështu: „Këtë sinjal dhe nal vlerash shkencore, si duket, e ka nuhatur edhe Don Ndue Ballabani, i cili në dekada ka përcjellur dhe ka bashkëpunuar me këtë personalitet të shquar të Albanologjisë shqiptare për të na servuar më vonë një libër kaq domethënëse dhe me vlera të pa kontestueshme.“[14]
                             7. Don Jeton THAÇI
Kleriku tjetër që paraqitet në këtë botim  të Vilson Culajt është Don Jeton Thaçi, me veprën „Thirrja e Zotit“, Fishta, 2021,  në faqet 330 – 331,  me këtë titull: Libri i lutjes, meditimit dhe katarzës shpirtërore.
Vison Culaj ndër të tjera shkruan kështu: „Ky Breviar në formë të studimit që ka burim si duket nga përvoja empirike e autorit Thaçi, është një vlerë e shtuar në kuadër të pasurimit të njerëzve me libra spiritualistë, zeje që kisha uruar  të aplikonin edhe shumë kolegë të tij, sespe „pritjet janë të mërzitshme“ pati thenë dikur Shekspiri. Shëndet e respekt të veçantë, Dom Jeton, për këtë dhuratë të çmuar të fondit tonë letrar e shpirtëror“ [15]
                                              8. Fra Ivon ČUK (1923 – 1983)
Kleriku tjetër i radhës është Yves Ivanides, „Pali i Tarsit, vigan i krishterimit“, Gjergj Fishta, 196 faqe, që e ka shkruar françeskani kroat Ivon Çuk, me këtë pseudonim.
„Është ky libër që na mundëson ta kuptojmë përvojën intime të këtij shenjtu, me qëllim që t’i pranojmë fjalët e Ungjillit ashtu siç ka bërë shën Pali. Librin e ka përkthyer dr. Don Prekë Lazraj – drejtori i Radio Marisë në Shkodër.“ [16]
 Këtë vepër dhe studim tashmë të njohur dhe të popullarizuar në Kroaci, Vilson Cula e vlerëson kështu: „ na vjen si margaritar i çmuar apo të themi kushtimisht, si një roman historiko-teologjik i rrëfimtarit… Libri i IVON ÇUK është i ndarë apo konceptuar në 17 pjesë, të cilat hollësisht shkoqisin detaje nga jeta e Shën Palit, duke e përfshirë që nga lindja e tij në Tars e deri tek martirizimi i tij tek Moçali i SALVIT.“ [17]
„Në nëngjesin e 29 qershorit të vitit 67, i prangosur në trup, por jo në shpirt, vigani i krishterimit po udhëtonte drejt VIA OSTIENSIT ku sot ndodhet bazilika e shenjtit. Këmbët e apostullit i ecën për herë të fundit, mu ku sot gjendet VIA LAURENTINA, kuse koka i ra mu tek vendi i Tri fontanave. Këtu e dha jetën dashuria e zjarrtë, e zhytur në dashurinë e Zotit.“ [18]
                                           9. Don Pal TUNAJ dhe Don Jeton THAÇI
Paraqitja e fundit e punës dhe krijimtarisë të klerit katolik në këtë botim është vepra  e Roberto Brunellit,  Shën Filip Neri, Shenjti i haresë, shqipëruar nga Don Pal Tunaj dhe Don Jeton Thaçi, botoi DRITA, Prishtinë, 2010.
„Shën Filipi kishte etje  për shërbesë ndaj qiellit e jo etje për pushtet të tokës. Këtë e dëshmoi jeta e tij deri sa kaloi në amshim në agun e 26 majiu 1595 mu në ditën e festës se „Corpus Domini“.  Dhe krejt në fund iu takon përthyesve të këtij libri Don Pal Tunaj dhe Don Jeton Thaçit, të cilët na mundësuan që Shën Fili Nerin ta kemi në gjuhën shqipe jo vetëm për ta lexuar biografinë e tij, por për të kuptuar më thellësisht shenjtërinë e këtij shemjt.“ [19]
Si përfundim
Me veprën „Në dritën e njohjes I“, analiza, reflektime, recenzione letrare, Vilson Cujaj na paraqitet si lexuas i pasionuar, analist tejet i  vëmendshëm dhe shumë i kujdesshëm, shumë i shquar dhe dalluar, mendimtar i stërholluar, krijues dhe kritik letrar i shumë veprave në dekadat e fundit, duke shijuar dhe gjetur si bleta nektarin e „luleve“ apo krijimtarisë botuese, gjithnjë në kërktim të së mirës, të drejtes, të vërtetës, mbi të gjitha të jetës dhe dashurisë, dhe si „nënë“ e mirë na ushqen me qumshin e të bukures dhe të vërtetes, për t’u vendosur kundër kafshim të  natës dhe të territ, të harreses dhe mospërfilljes, të jetës së robëruar nga veset dhe mëkatet, sidomos të egoizmit, egocentrizmit, materializmit, konsumizmit, hedonizmit, relativizmit dhe ateizmit praktik, që po rrënojnë çdo vlerë dhe virtyt ndër ne dhe në botë.
Letnicë, 21 shkurt 2025

[1] Don Nosh Gjolaj, “Kush është Frojdi i vërtetë”, botoi “Faik Konica” – “Shpresa” – Prishtinë, 2008,  në Vilson Culaj, Në Dritën e Njohjes I, Jakup Ceraja,  2024, f. 69 – 70.
[2] Vilson Culaj, ve. e cit. f. 69 – 70.
[3] Po aty, f. 74
[4] Po aty, f. 75
[5] Po at, f. 76
[6] Po aty, Lexo:  Ipeshkvi Nikë Prela – mëkëmbësi i gjithë Shqiptarëve, f. 77 – 82
[7] Po aty, f. 92
[8] Po aty, f. 95
[9] Po aty, f. 103
[10] Po aty, f. 104 – 105
[11] Po aty, f. 105
[12] Po aty, f.167 – 168
[13] Po aty, f. 178 – 179
[14]Po aty, f. 208
[15] Po aty, f. 331
[16] Po aty, f. 332
[17] Po aty, f. 332
[18] Po aty, f. 337
[19] Po aty, f. 140 – 141

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu