ARKIVI:
27 Shkurt 2025

Po, 9 prilli i 2011-it i ndau përgjithmonë rrugët e mia me VIP-at politikë dhe se si “vetëm rrugët…, më njihnin dje!”!

Shkrime relevante

ISIS bën thirrje për sulme terroriste në festivalet evropiane

NTB / Document.no 27.02.2025 06:16 Në një faqe propagandistike në gjuhën gjermane,...

Turr e vrap drejt grazhdit politik!

Florim Zeqa Tani kur janë duke u numëruar ‘kokrrat’ e fundit të...

Republika e Kosovës nderon (Postmortem) me “Medaljen Presidenciale të Meritave” Simon Filipajn, përkthyesin e Biblës shqip

Nga Frank Shkreli Për Imzot Simon Filipaj – Medalja   Presidenciale e Meritave...

Shpërndaj

— Fale artist, se kaq din ky! — tha Pajazit Nushi dhe më përqafoi!
Po, 9 prilli i 2011-it i ndau përgjithmonë rrugët e mia me VIP-at politikë!
Ajo pranverë me fluska bore, mes varrezave të 114 dëshmorëve në Kosharën legjendare, m’i çeli sytë! Po, e pashë: partiakëve duhet t’u thurësh vargje, shokët e heronjve duhet t’i madhërosh, atyre duhet t’ua varësh lëvdatat mbi barkalecat e fryrë, nëse do të jesh artist jetëgjatë, nëse do të recitosh në përvjetorët e shokëve të tyre dëshmorë, por pa harruar VIP-at partiakë, komandantët, heronjtë e gjallë!
Aty e kuptova se duhet të jesh me të fortët e partive nëse do të ecësh më tutje, të jetosh më mirë e të lavdërohesh nga “lavdraçët pa merita”!
E kuptova se këta duan ti përvetësojnë edhe artistët, edhe klngëtarët, edhe poetët, si heronjtë, për të jetuar fuqishëm në lirinë e larë me gjak dëshmorësh!
Sot, teksa po e shikoja një njeri që mblidhte kanaçe në lagjen time, e qentë që shkyenin qeset e bërllokut të hedhura kuturu, mu kujtua performanca ime në Kaçanik, në përvjetorin e Kushtetutës:
— Mos e harroni njeriun, ju që e sollët lirinë, se liria nuk hahet! Njeriut i duhet buka, edhe në Kosovën e lirë!
Kështu ua thashë, e prapë dikush u vra nga fjala ime!
— Kush je ti t’na tregosh për lirinë e njeriun? Mos luftove ti?! — tha njëri, duke më kapur për jakën e këmishës.
— Artist, fale t’shkretin, se kaq din ky! — tha Pajazit Nushi dhe më përqafoi.
— Sa i drejtpërdrejtë je! Të lumtë për interpretimin e guximin! Por unë frikësohem për ty e për fjalën e vërtetë!
Kjo më erdhi ndërmend sot, kur pashë njeriun që mblidhte kanaçe në Kosovën e lirë për t’fituar bukën e fëmijëve, sepse fabrikat i privatizuan disa biznesmenë pa shpirt, që firmat i regjistruan në Serbi e Maqedoni e nga ndihmat sociale s’jetohet!
Kur hyra në kafene, kamarieri më pyeti me shaka:
— Kur do të dalësh në çarshi me shitë libra, se paret e pensionit t’i mora unë për kafe?
— Kur të vijë vera e të kthehen mërgimtarët si dallandyshet, — i thashë dhe i laga buzët me kafen që avullohej!
26.02.2025
____
Vetëm rrugët dhe pema ku shisja libra, më njihnin dje!
Dje, kamarieri më nguci kur e porosita kafenë:
– E harxhove pensionin, – tha, – e librat dimrit nuk shiten!
Fjalët e tij më nxitën t’i lidh duart prapa kurrizit dhe të shkel rëndë Bulevardin “Bill Klinton”. Si kali i therur nga thumbi i nallbanit, eca duke u shalakuar në shëtitoren “Gjorgj Bush”, që s’është më as rrugë, as shesh me lule e stola për pleq.
Gjithë atë rrugë e bëra, tanë ata njerëz i pashë, e s’pata kujt t’i thosha: – Mirëdita!
Dhe s’pati kush të më thoshte: – A po të mbajnë këmbët, artist?
I huaj në qytetin e gjurmëve t’mia! Apo, më mirë të them: një Ali Binak, që flet me degët e lisave për burrat që flejnë ndër varre!
Dy punëtorë të “Agro Kulturës” po krasitnin pemët. Sheshi ishte mbushur me degë të prera. Ndalova për t’i mbushur mushkëritë me oksigjen, por mendja vrik më shkoi te ajo pema ku verën e kaluar e varja xhupin në degën e thyer dhe ulesha në hijen e brishtë për të shitur libra.
– Ore, mos e kanë krasitë pemën e fatit tim e s’kam ku ta var xhupin kur ti ve librat mbi rrënjët e saja? – ofshava dhe i hoqa duart nga kurrizi, duke nxituar drejt teatrit të mbyllur.
Desha ta shihja pemën, ta prekja me duar, t’i numëroja degët para se të gjethonin. Mbërrita te shkallët e teatrit, që hesht tash e tre vjet.
E gjeta! Po, e gjeta pemën time!
E mbështeta shtatin mbi trungun e saj dhe udhëtova larg, në kujtime…
– Farukun e pashë në filmin “Dashuria e parë”. (Prva ljubav)
– Bekimin në (Pod istim nebom), “Nën të njejtin qiell”.
– Çunin duke i fryrë fyellit në shfaqjen “Gjon Nikollë Kazazi”.
Por gjithçka u prish kur erdhi Kryeministri te monumenti i Gjergj Kastriotit dhe qindra fëmijë e rrethuan, duke brohoritur:
– Albin baba! Albin baba!
– Fëmijët s’dinë të gënjejnë, – thashë me vete. – Vetëm ata dhe kafshët kanë dashuri të sinqertë.
Nga ky udhëtim më ktheu zilja e telefonit, që cingëronte në xhepin e xhupit. Ishte regjisorja gjakovare, Zana Hoxha. Ajo po më shkruante:
– Më ka marrë malli ta punojmë bashkë monodramën e Markezit, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”, dhe të të jap pak magji teatri!
– S’jam këndej pari, – i thashë. – Shëndeti më ka lënë rrugëve, kam mbetur Kolonel pa grada që s’ka kush t’i shkruaj …
Ajo më kuptoi zhdrejt, sepse ofshani dhe tha:
– Kur të kthehesh, lajmërohu! Të pimë një kafe dhe të flasim për Kolonelin e Markezin.
Po!
Unë paskam mbetur i huaj për njeriun, teatrin e filmin.
Vetëm rrugët dhe pema ku shisja libra, më njihnin dje!
27.02.2025
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe mjekër

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu