ARKIVI:
1 Mars 2025

Robert Doli e Ibrahim Rugova dhe analogjia e takimit të djeshëm Trump – Zelenski

Shkrime relevante

Diaspora Shqiptare dhe fitorja e Vetëvendosjes: Një dritë për të ardhmen e Kosovës

Nga: Luan Dibrani Kosova, një popull me një histori të dhimbshme dhe...

Kur zuzarët e pushtetit tërhiqen pas maskave, populli rindërton shpresën

Shkruan: Rrezart Kalaja Zuzarët e pushtetit, me sy të verbuar, Në errësirë shkelin,...

Zgjedhjet në Kosovë dhe vota e diasporës

Nga: Nexhmije Mehmetaj Vota e diasporës duhet të jetë një mjet për...

Memorandumi i Budapestit apo pse Presidenti Trump e shkeli atë

Memorandumi i Budapestit përfshin tri marrëveshje, të cilat u nënshkruan më...

Robert Doli e Ibrahim Rugova dhe analogjia e takimit të djeshëm Trump – Zelenski

Jusuf Buxhovi, historian e shkrimtar nga Prishtina ROBERT DOLI E IBRAHIM RUGOVA...

Shpërndaj

ROBERT DOLI E IBRAHIM RUGOVA DHE ANALOGJIA E TAKIMIT TRUMF – ZELJENSKY
Ajo që ndodhi dje në Dhomën Orale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington në takimin midis presidentit amerikan Trump dhe atij ukrainas Zelenjskyt, përkundër dialogut të ashpër midis presidentit amerikan dhe atij ukrainas si dhe arrogancës që tregoi Trampi në raport me arritjen e një marrëveshjeje paqësore që niset mbi kompromiset që sjell raporti i forcave, siç janë ato në dobi të Rusisë, pa u përmendur shkaku i luftës (agresori) por interesi që ajo të ndalet, me ç’rast presidenti ukrainas u kundërpërgjigj se nuk do të pranojë paqen përmes kapitulimit, gjë që solli edhe largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, përkujton një rast të ngjashëm, nga prilli i vitit 1990 kur pas dëshmive të delegacionit të shqiptarëve në Këshillin për të drejta të njeriut, në Senatin Amerikan, nënkryetari i paritisë Republikane, Robert Dol, kërkoi të takohej me dr Rugovën, atëherë kryetar i LDK-së dhe Dobrica Qosiqin, autor i Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave, i cili ishte në krye të procesve që po çonin te shkatërrimi i Jugosllavisë.
Këtu po sjell një pjesë të kësaj bisede te Robert Dolit me Qosiqin dhe Rugovën, kur ai pas mospajtimeve me Qosiqin atij iu kërcënue se do të shkatërrohet Jugosllavia, ndërsa gjuhës pajtuese të Rugovës iu përgjegj me premtimin se do të kenë ndihmën amerkane deri te fitoja po qe se luftojnë me mjete paqësore për liri, demokraci, bazazi dhe qytetërim perëndimor…
Pra, takimi përfundoi me largimin (dëbimin) e njëanshëm të Qosiqit nga zyra e Robert Dolit…
PREMTIMET DHE KËRCËNIMET E ROBERT DOLIT DR RUGOVËS DHE QOSIQIT
Dëshmitë para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë. Sepse, na i kishin hapur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej.
Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar edhe nga ne e edhe nga vetë Beogradi, prej nga dilte fare qartë se në njërën anë, nuk do të jenë në gjendje që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët.
Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i admi-nistratës amerikane, edhe gjatë shfaqjes së Rugovës në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete.
Ndonëse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim paradite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kup-tueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime dia-metralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perën-dimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme.
Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë.
Senatori Dol, ia ndërpreu fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për liri, barazi, demokraci dhe Perëndim.
“Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit.
“Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….”
Me teatralitet tha se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…
Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe?
Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me të pavërteta që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej.
“Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?”
“Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtet-formues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…”
“Pra, nuk pranoni demokracinë?”
“Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…”
“Kjo më mjafton, zotëri… Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “
Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli.
“Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…”
Pastaj na u drejtua neve.
“Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?”
Rugova, pa një pa dy tha:
“Kërkojmë liri, barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…”
“Amerika është në anën e atyre që kërkojnë liri, demokraci dhe barazi…”
Robert Doli nuk foli tjetër. U ngrit dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin.
Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzë-qeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.
“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës.
Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’u duk se korri-doreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniqi me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd.
(Shkëputje nga libri “Vitet e Gjermanisë”, botua dhjetor 2024, FAQE 249-246)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu