Donald Trumpi pat shprehur dëshirën për të blerë Grenlandën, ka bërë deklarata për aneksimin e Kanadasë, dëshiron të rimarrë Kanalin e Panamasë dhe e dëshiron shpopullimin e Gazës.
Nëse pushtimet e Rusisë pranohen si përligjje e forcës, atëherë, sipas kësaj logjike, edhe pushtimet e ardhshme të Trumpit do të arsyetohen. Putini do të pajtohej. Kinës nuk do t’i interesonte shumë. Të tjerët janë të parëndësishëm.
Pra, po jetojmë në një epokë ku vendos fuqia ushtarake, jo më drejtësia. Ky është realiteti i kohës sonë. Humbësit do të jenë të dobëtit, sepse radikalët i besojnë vetëm fuqisë.
Zakonisht në histori ata që kanë dashur vendin e vet në mënyrë irracionale, e kanë shkatërruar në fund. Uroj dhe lutem të mos i ndodh kjo Amerikës.
Putini synon shpërbërjen e BE-së dhe e gjakon një kaos në SHBA
Nga ana tjetër, po përjetojmë një tendencë të rrezikshme në Europë, ku partitë demokratike po dobësohen, ndërsa partitë neo-fashiste po fuqizohen.
Ky ndryshim mund të ketë pasoja edhe për Kosovën, pasi shumë parti radikale janë kundër pavarësisë dhe, nëse pranohet shkëputja e territoreve me forcë, mund të krijohet një precedent i rrezikshëm që mund të ndikojë edhe në Ballkan. Pyetja që shtrohet është kjo: a do të ndahet Veriu i Kosovës?
Në këtë situatë të ndërlikuar gjeopolitike dhe me ndryshimet e rendit botëror, ndikimi ynë është i kufizuar, për të mos thënë i papërfillshëm. Megjithatë, demokracitë perëndimore janë pozicionuar qartë kundër autokracisë që promovon Trumpi, i cili po vepron në favor të Putinit.
Rusia është pushtuese, jo Ukraina. Putini është diktator, jo Zelenski. Europa është mike e Amerikës, jo Rusia.
Për të ndërtuar një autokraci, është thelbësore të kontrollohen edhe mediat kryesore. Musk kishte blerë CNN-in, dhe mund të supozohet se ky trend do të vazhdojë, duke i lënë oligarkët në kontroll të mediave, ashtu siç veprohet sot në Serbi apo Rusi. Nesër armik do të jetë amerikani që mendon ndryshe.
Unë mendoj kështu duke u bazuar në rrethana dhe faktet e reja:
Bota po ndryshon me shpejtësi dhe një nga skenarët e mundshëm është që, brenda këtij viti, Trump të përballet me një rezistencë të madhe brenda Shteteve të Bashkuara. Një faktor kyç janë tarifat ndaj mallrave të shumë vendeve, të cilat do të ndikojnë në ngritjen e çmimeve në SHBA.
Po ashtu, emërimi nga ana e tij i një personi si Elon Musk – pa përvojë në administratën shtetërore – për të zvogëluar numrin e punonjësve federalë mund të shkaktojë pakënaqësi dhe destabilitet të brendshëm. Këtë nuk do ta kishte bërë as Ramushi.
Musk është gjenial, por në administratë kupton aq sa kupton Trumpi nga teoria e relativitetit. Ai nuk ka studiuar shkencat administrative, nuk ka punuar kurrë në administratë shtetërore, por po merret me administratën.
Trumpi nuk është politikan, por po merr vendime politike, që po shqetësojnë botën. Po i gëzohen Putini, Orbani dhe partitë radikale. Herën e fundit në OKB votoi si Rusia dhe si Korea e Veriut!
Putini synon pikërisht një situatë të tillë: trazira të brendshme në SHBA dhe shpërbërjen e Bashkimit Europian. Fatkeqësisht, veprimet e Trumpit dhe të administratës së tij po shkojnë në atë drejtim.
Ai nuk merr shumë vesh nga politika dhe diplomacia, prandaj po prish aleancën me Europën dhe po e zëvendëson atë me Rusinë. Rusia nuk do të shkëputet kurrë nga tregu kinez. Europa nuk do t’ia hapë tregun, sepse për mbrojtjen e Ukrainës ka shpenzuar më shumë se SHBA. Me dëshirën e SHBA-së.
Pse nuk është anti-amerikan shqiptari që nuk pajtohet me rrënimin e rendit demokratik? Sepse 70,6% e amerikanëve nuk e kanë votuar Trumpin dhe gati gjysma e votuesve me votë e kanë dëshmuar se janë kundër tij.
Ata e kanë votuar Harrisin. A janë edhe ata anti-amerikanë? Sipas rezonimit të disave, po. Për Qeverinë amerikane nuk është me rëndësi si shprehet populli, por Qeveria. Edhe në Amerikë njerëzit shkruajnë kundër tij.
Diku 60% e 240 milionëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në votime. Trump ka fituar 50,7% prej tyre, ose 77.3 milionë. Harris 49,3% ose 75 milionë. Për Trumpin kanë votuar 29.4% nga numri total i votuesve me të drejtë vote. 70,6%, jo.
Kritikat kundër shkatërrimit të demokracisë nuk e bëjnë shqiptarin anti-amerikan, ashtu siç nuk i bëjnë anti-amerikanë as mbi 30 shtete demokratike që janë kundër autokracisë.
Lexova shumë mendime ku kundërshtimi ndaj politikave të Trumpit cilësohet si anti-amerikanizëm. Ky është radikalizëm. Pse? Ende jetojmë në demokraci, jo në autokracinë e Putinit, dhe njerëzit ende mund të refuzojnë pa pasoja grazhdin kolektiv, të cilin e urdhëron autokrati.
Megjithatë, disa mezi presin të rreshtohen aty, duke u përpjekur ta satanizojnë dhe ta konsiderojnë tradhti mendimin ndryshe. Mendimet, u kuptuam, jo veprat.
Sipas numrave të përmendur më lart, anti-amerikan është ai që përpiqet të anulojë lirinë e mendimit, sepse pjesa dërmuese e amerikanëve nuk e ka votuar Trumpin. Amerika, ka Senat, Kongres, Gjykata dhe popull!
Të kesh frikë nga Trumpi dhe të kuptosh pasojat e politikave të tij nuk të bën anti-amerikan. Përkundrazi, kjo të mundëson të shohësh qartë çfarë po ndodh në botë. Po a mund të ndryshojmë ne diçka? Jo! ne kemi vetëm të drejtën për të menduar, për t’u brengosur, çfarë na e lejon dhe garanton ende Kushtetuta në fuqi.
Dhe fatkeqësisht, nuk ka ndonjë shenjë që gjërat do të shkojnë mirë. Rendi i vlerave po shkatërrohet, dhe në shumë vende, autokratët dhe neo-fashistët do të vijnë në pushtet.
Po ndërtohet një politikë mbi emocione dhe urrejtje, dhe janë zgjedhur dy fajtorë: demokracia dhe frika nga refugjatët. Edhe atë nga vendi, i cili është krijuar gati vetëm nga refugjatë.
Pas katër viteve, partitë demokratike, të qendrës pak djathtas ose pak majtas, do të dëmtohen shumë, ndoshta margjinalizohen krejtësisht, dhe mund të kemi kudo sistemin e Putinit. Në këtë drejtim po shkohet, natyrisht nëse Trumpi nuk është duke u shtirur për të nënshtruar kundërshtarët më lehtë me kërcënime dhe shantazhe.
Nëse ai nuk bëhet kundër Kosovës – çfarë nuk është lehtë të imagjinohet kur dihen investimet e parapara në Beograd – dëmtimi i Europës do të përfshijë edhe Ballkanin. Jemi në të njëjtën anije.
Trumpi blihet. E ka dëshmuar tashmë. E ka blerë Rama, duket se e ka blerë edhe Vuçiqi. Kosova jo. Trumpi nuk njeh drejtësi, nuk njeh empati, nuk njeh aleatë, por ai kupton vetëm vlerën e dollarit ose fuqinë ushtarake. Këtu përfundon rendi botëror dhe demokracia që SHBA-të ia kanë imponuar shumë vendeve në botë.
Pse jam kundër kësaj politike të Trumpit? Sepse përjashtohet drejtësia. Sepse nuk mund të jem në anën e Putinit, i cili është aleat i Serbisë, jo i joni. Sepse, me këtë politikë, përpjekjet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan mund të dëmtohen.
E dëshiron Putini, e dëshiron Vuçiqi, ndoshta do ta dëshirojë edhe Trumpi. Lufta në Ukrainë është urdhër të ndalet, por jo duke fituar vetëm Putini!
Simbas mendimit tem kjo gjendja e sotme siç e pershkruen Lis Bukuroca asht e sakt.
POR po simbas mendimit tem kjo gjendja e sotme asht kriju nga abuzimet qe ka ba e majta.