Eshref Ymeri
Në emisionin “Breaking” të kanalit televiziv “Top Channel” të datës 28 shkurt, moderatorja, zonja Fiori Dardha, kishte ftuar për intervistë avokatin e njohur Spartak Ngjela. Intervistën moderatorja e hapi me konfliktin Rusi-Ukrainë, duke shtruar pyetjen se si mund të zgjidhej. Për habinë e atyre teleshikuesve që e njohin historinë e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, avokati deklaroi:
“Duhet të kemi parasysh një gjë që Rusia nuk shkëputet nga pushtimi i Ukrainës. E ka ëndrrën e vet shekullore. Kanë një lidhje të veçantë me njëra-tjetrën, historike. Janë pothuajse një popull. Mund të ndryshojnë pak dialektet…”.
Pra, sipas avokatit Ngjela, rusët dhe ukrainasit na qenkan pothuajse një popull! Por për ta vërtetuar një gjë të tillë me fakte historike, ai nuk vazhdoi më tej. Edhe moderatorja duhej ta kishte pyetur se si e argumentonte ai një pohim të tillë. Në dialekte ndryshojnë me rusishten edhe serbishtja, edhe bullgarishtja, si gjuhë të familjes sllaviane, por as serbët, as bullgarët nuk janë pothuajse një popull me rusët.
Në respekt të teleshikuesve, duhet bërë një “shtegtim” drejt historisë së marrëdhënieve ruso-ukrainase, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta dhe që avokati Spartak Ngjela të ketë kujdes herë tjetër për të mos folur qesim, se nuk është hera e parë që ka folur kësisoj.
[Rastet, kur avokati Spartak Ngjela ka folur qesim nëpër studiot televizive, janë të shumta, por këtu do të mjaftohemi vetëm me tre prej tyre:
“Kur, pas pesëdhjetë vjetësh, mësuesi do të pyesë nxënësit në klasë se kush ka qenë Donald Lu, nxënësit do t’i përgjigjen se ai ka qenë ambasadori amerikan i vitit 2016 që na ka shpëtuar nga abuzimi i gjatë çnjerëzor i pushtetarëve të korruptuar” (Citohet sipas: “Ngjela: Ja si do të përgjigjen nxënësit se kush është Donald Lu”. Gazeta “Mapo”. 04 maj 2016).
“Ngjela zbërthen mesazhin e Kim: Berisha do ekstradohet në SHBA, vendimin e ka marrë FBI”. Intervistë në News 24. 02 gusht 2021.
I ftuar në TV “Të pashoq” më 10 prill 2024, Spartak Ngjela ka thënë: Blinkeni ka deklaruar: “Ne do t’jua heqim korrupsionin shqiptarëve”.
Do të ishte mirë që moderatoret dhe moderatorët e kanaleve televizive, që e ftojnë në studio këtë avokat të lajthitur nga trutë, të mos e lejojnë të flasë mbroçkulla, të cilat ksehasin edhe fëmijët e kopshteve, ose të mos e ftojnë më për intervista se është bërë si gjellë e thartuar].
Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës janë shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Ne kemi një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshirojmë të shfletojmë informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lëmë shteg vetes të bëjmë vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive, aq më tepër që ushqejmë shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londrës (1913), Traktati i fshehtë i Londrës (1915), ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj Republikës së Dardanisë në veçanti, deri edhe në ditët tona.
Prandaj e quajtëm me vend t’i drejtohemi një materiali mjaft interesant të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët. Analisti i nderuar quhet Vadim Gontarenko, i cili u është drejtuar rusëve me një letër të hapur që në vitin 2014. Ja përmbajtja e letrës:
“Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pijnë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pasë ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pasë ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).
Kur mbaruam së lexuari këtë letër të analistit Vadim Gontarenko, menjëherë na erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Janë duke ju tallë.
Pra, zanafilla e konflikteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Shovinizmin rusomadh, gjatë shekujveб e ka pasë brejtur gjithmonë një smirë dhe një xhelozi e tmerrshme ndaj Ukrainës, e cila ka qenë dhe mbetet kryevtra e kulturës sllavianolindore. Kjo për arye se Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska është themeluar 665 vjetë më vonë, në vitin 1147. Madje edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas, Juri Dollgoruki (1090-1157). Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste, që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet. Kriminelët bolshevikë u hakmorën egërisht kundër popullit ukrainas nëpërmjet kolektivizimit të detyrueshëm dhe grumbullimit të dridhit po në mënyrë të detyrueshme gjatë viteve 1929-1932, çka solli si pasojë vdekjen nga uria të 3,2 milionë njerëzve.
Kaliforni, 03 mars 2025
—————————–
*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.
I nderuar z.Eshref , ju përgëzoj për durimin që mirreni me Avokatin e lajthitur Ngjela . Kanali T.Chanel paguhet nga banda hajdute qeveritare .Ky dhe i korruptuari Idajet Beqiri pasqyrojnë denigrimin që ka klasa intelektuale ( me demek ) në Shqipëri . Jo pak herë mendoj se ai djalli , enferri gjirokastrit ja ka bo mirë tipave si ky Ngjelë i lajthitur me shokë . Cfarë s^ka deklaruar ky idiot e vazhdon të dalë në ekrane dhe pse nuk i kanë dalë parashikimet . Kohë e humbur të merresh me Ngjelat .Por dikush duhet t^ja përplasë të vërtetat në sy .Ju lumtë ! Me respekt !