Shkrim nga Sh. B. “VELA” Publishig House
NJË EVENT LETRAR QË DO TË MBETET NË KUJTESËN TONË GJATË KOHË
(…për mbresat ngazëllyese…)
Një kohë të gjatë merremi me botimin e krijimtarisë së z. Kasam Shaqirvela, autorit të një bagazhi fort të vëllimshëm dhe të larmishëm në letërsinë shqiptare në shumë gjini…madje dhe me disa tituj të krijimeve autoriale poetike në gjuhët e huaja si: frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, serbisht, maqedonisht, turqisht… të krijuara nga vetë autori.
Për krijimtarinë e tij kanë folur, shkruar, vështruar e analizuar shumë njerëz të penës, nga gjitha hapësirat shqiptare, madje dhe disa autorë të huaj.. Ne nuk pretendojmë të flasim për vlerat krijuese letrare e shkencore sepse nuk jemi kompetent për atë ne kohë pas kohe veçse japim, për lexuesit, atë çka e botojmë si libër të autorit, qoftë si informacion apo dhe shkëputje nga brendia e librit si pjesë të krijimtarisë së tij ose të vështrimeve kritike nga të tjerët për autorin.
Ne, këtë radhë, vijmë më ndryshe se herat tjera, jo vetëm si botues i kolanës, me sintagmën tashmë të njohur të z. Shaqirvela ,”8 libra e ndjekin autorin”, por edhe si promotor apo organizues i promovimit të mbrëmshëm të mbajtur në Tetovë, në sallën ODA, te Qendra e Kulturës, para mysafirëve të ftuar të cilët i falënderojmë sepse, në radhë të parë, ata nderuan kulturën letrare e shkencore shqiptare që shpërtheu si një “vullkan i pashuar” në “Tetovën e Kuqe, që lind gjithmonë lulëkuqe….”-thënie kjo e autorit.
Në këtë projekt kulturor, Festë e Librit, me slloganin për Kolanën, “8 libra e ndjekin autorin”, i falënderojmë të gjithë të pranishmit që ishin mbrëmë në promovim dhe miqtë që na uruan nga largë përmes fb-së si dhe faktorët e organizimitsiç janë: “Qendra e Kulturës” Tetovë, firma Jeta Group International, portali “Promovime Libri”, “Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum”-Tetovë, Shtypshkronjën Lena Graphic-Prishtinë, z.Muaxher Haruni me grupin, moderatoren-Azra Alija, deklamuesen-Bejza Sadiki, flautisten-Merita Emurllahi
Deklamim nga –Bejza Sadiki
Atdhe po mbetesh djerrinë
në gegnishten e autorit
Eh Atdhe ,ç’po t’thyhen kryqet!
Se mbi shpinë t’ka hyp gamari
Të shumta m’i kie udhkryqet
Sot pa busull ka mbetun shqiptari.
Ah, Atdhe ç’po t’zehet fryma!
Ty prej ngat po t’vjen ngulfatja
Bafçet e tuja t’i ka mblue bryma
E randë agonia, e madhe kohzgjatja.
Atdhe, edhe shpirti m’ka trishtim!
Edhe trupi dhimtën ma s’ma mba’
Përse nuk ka t’ndalun kalvari im?
Udhkryqeve t’ botës, vallë kush m’la?!
Arat e bukës t’mbetën djerrinë
Lavrën kijet ma nuk ta çojnë
U druhem kolonve xhi do t’mbrrijnë
Me pallavrën që tonët do ta sajojnë. ©K. Sh.
prof. Mehmet Hajrizi, për vështrimin e tij të thellë për librin me prozë eseistike “Kohë plagësh”;
Shkëputje nga fjalimi promovues. “Ai zhgënjehet shpesh me dukuri e me dobësi brenda shoqërisë shqiptare, por asnjëherë nuk shfaqet i dëshpëruar dhe pesimist. „Ne do të ekzistojmë, bile do të forcohemi në përparim, madje edhe në garë me kombet e qytetëruara që kanë përparuar para nesh, ne do të mbërrijmë ta fitojmë garën gjithsesi!“- shprehet autori me besim të patundur.
Gjuha e autorit është e rrjedhshme, e pastër dhe e pasur me figura stilistike, si metafora, alegoria, krahasimi, antiteza etj. Në libër, sipas temës, gjejmë gjuhën letrare, ligjërimin, stilin akademik studiues dhe herë-herë filozofik.”
Deklamim nga – Azra Alija
TOKËS ÇAME
Eh, moj plagë sa po më djeg,
Paramithi e Filat kur m’i prek!
Toka Çame e larë në gjak
Ti drejtësinë e ke hak! ©Kasam VELA
*
prof. Xhelal Zejneli, vështrimn e tij të thuktë për librin me mendime filozofike “Filozofema”;
Shkëputje nga fjalimi promovues. “Autori i filozofemave, mendimet i shpreh në pak fjalë. Ato përmbajnë të vërteta jetësore ose morale. Ai zhytet në botën e mendimeve për të na dhënë mendime sintetike të koncentruara, për çfarëdo dukurie për njeriun dhe lidhur me njeriun. Me pak fjalë, në një hapësirë gjuhësore të vogël, na jep mendime të shtrira, të thella dhe të kthjellëta. Shaqirvela na e sjell gjithësinë në një pikë uji, siç do të kishte thënë romancieri gjerman Martin Kessel. Filozofemat e këtij libri, në botën e ideve paraqesin atë që paraqet në letërsi poezia. Me fjalë të tjera, kemi mendime sintetike të thella, të shprehura me pak fjalë, kemi gjithësinë të përqendruar në një pikë uji si dhe kemi poezinë.”
-Filozofema- PLAGA
“…Nji plagë e vjetër qi ka mbetun e hapun,…ajo nuk mund me u mbylllun me nji plagë t’re. Plaga mshelet kur thahet e jo kur rrin e lagun ngaqe rredh gjak…” ©Kasam VELA
*
prof. Daim Ilazi, për referimin e mrekullueshëm të tij për tre librat e autorit: “Autobiografi” (formati B5, rreth 450 faqe), “Monografi krijuese” (formati B5, rreth 700 faqe) dhe “Profil letrar” (formati B5, 800 faqe);
Shkëputje nga fjalimi promovues.”Unë e njoh autorin qysh nga koha e shkollimit tonë të mesëm, me të cilin pastaj kemi themeluar bashkë Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum”, ku ai u zgjodh kryetar i Kuvendit e unë sekretar i klubit, madje unë kam lexuar se Balzaku ka shkruar 94 romane, por nuk e kam ditur se miku im ka kaluar numrin treshifror të librave të tij dhe as që e imagjinpja se do të jem unë ai që do ta promovoj librin më të ri të tij, të 141-in me radhë….pra kjo do të thotë se ne e paskemi mes nesh balzakun tonë dhe nuk paskemi ditur gjë për të sepse, Kasami është njeri fjalë-pakë e punë-shumë, urime…!”
-Filozofema-RRJEDHJA
“Ti lumin dhe mund ta kalojsh gjithmonë në t’njajtin vend por, uji qi t’lag nuk ashtë i njajti”–K. Sh.
*
prof dr. Zeqir Kadriu, vështrimn e tij të sintetizuar mbresëlënës për librin poetik “Korridoreve të kohës”;
Shkëputje nga fjalimi promovues. “Duke e përcjellur në vazhdimësi krijimtarinë poetike të Kasam Shaqirvelës kam pasur rastin të shëtis në motivet e shumta të tij, që si krijues bashkëkohor ka kapur majat e poezisë bashkohore shqipe!
Kjo përmblerdhje poetike e autorit që po e promovojmë sonte është “Poezi e dhembjes dhe krenarisë kombëtare”.
Një pjesë të poezive i dedikohen edhe rajonit të Rekës së Epërme, rajon që të përkujton një pjesë të hidhur të historisë së shqiptarëve me konfesion Ortodoks ; të cilët patën fatin e keq dhe u detyruan të asimilohen pa dashjen e tyre, por me dhunë e nën presionin e politikës sllave; gjë që, rreh fuqishëm në zemrën e poetit. Ai do t’ia kushtojë tre poezi kësaj treve,(vendlindjes së rilindasit Josif Bageri), i cili pati poashtu të njëjtin fat të shqiptarëve të kësaj ane.Të parën ia kushton Josif Bagerit, të dytën me titull “TY O REKA E EPËRME (ky vend i bukur)” siç e thot edhe vetë nëntitulli ia kushton natyrës dhe bukurive të këtij rajoni, pothuajse i mbetur i shkretë, ku një pjesë më e madhe e banorëve të saj, prej kohësh, janë shpërngulur anembanë globit,disa brenda shtetit e disa jashtë, madje tej vendeve oqeanike.”
Ndërkaq në poezinë me titul: “ATJE N’REKËN E EPËRME(bukurisë femërore…)“
Bukuria që pa frymë të lë
Art iderdhur në femëri
Shpirt e zemër n’dehje t’i vë
Edhe Hëna ta ketë lakmi
Hijeshia, bujaria dhe fisnikëria
Veti këto njerëzish hyjnorë
Për ju vasha n’Rekë t‘Epërme
Fjalët e shpirtit thurin kurorë … ©K. Sh.
*
doc. dr.Arta Kadriu, për referimin e shkëlqyeshëm të saj par sa u përket veprave leksikografike të autorit: “Terminological Dictionary of Informatics” dhe “Terminological Dictionary of Tourism”, fjalorë anglisht-shqip;
-Në vetinë e lektores së veprës voluminoze leksikografike(formati B5, 1100 faqe, me mbi 20 mijë terma e shprehje, plus dhe një shtojcë me tabela të ndryshme praktike), Fjalor dygjuhësh anglisht-shqip me titull: “Terminological Dictionary of Informatics”, që paraqet një kontribut tejet të madh të autorit dhënë shkencës kompjuterike shqiptare dhe asaj botërore.
-Poashtu dhe si redaktore e veprës tjetër leksikografike tejet voluminoze(formati B5, rreth 470 faqe, me mbi 10 mijë terma e shprehje, plus dhe një shtojcë me tabela të ndryshme praktike)-Fjalor dygjuhësh anglisht-shqip me titull:“Terminological Dictionary of Tourism”, që vjen si një pasurim i domosdoshëm për fushën e turizmit veçanërisht në terminologjinë shqipe që, tek ne, është deficitare dhe kjo vepër do t’iu shërbejë studentëve e kuadrit mësimdhënës në të gjitha nivelet e arsimit, për një përdorim të drejtë të terminologjisë në sferën e turizmit, si një industri botërore me zhvillim galopant.
-Filozofemë,“Shkenca kërkon hulumtim, studim dhe reflektim mbi parimin e të vërtetës shkencore,
nuk pyet për ndjenja, krushqi dhe pushtet”…… ©K. Sh.
Të gjitha këto vepra që po i promovojmë ne sot këtu, janë botime të Botuesit “VELA” Publishing House.
*
z-nja Rudina Zeqiri, për deklamimin artistik të poezisë së autorit;
Udhës per diasporë
(Gegënisht)
Udhë te mbarë paçi poetë…
T’fala atje per ku jeni nisun
Thuejni mergimtarve nji t’vertetë
Se, Atdheut kmishen ja kanë grisun!
Po mundohem, orvatem ta arnoj …
Por s’kam gjylpanë as pej te zi
Nji ushtri qi sun e komandoj
Dhe “miletin” qi s’asht per Shqyptari.?! ©K. Sh.
*
Shkrimtari e kritiku letrar, z. Zekerija Idrizi, për fjalimin e tij përshëndetës e tepër domethënës për sa u përket vlerave letrare artistike dhe shkencore të autorit Kasam Shaqirvela
LETËR NË SHENJË URATE GJENIUT TETOVAR KASAM SHAQIRVELA
Veçmë ka vite e vite, veçanërisht edhe sot, ju miku im gjigant Kasam Shaqirvela, keni hyrë gjenealisht në majën e Piramidës të panteonit të letërsisë shqipe. Ju këtë instancë sipërore e keni arritur me punën tuaj sistematike e permanente plot zell, pasion e përkushtim të përkorë.
Dhe, keni parasysh një fakt kruacial në itinerarin tuaj jetik e jetësor: ju jeni një NEORILINDAS i kohës sonë me mbarë vepritarinë tuaj kapitale e shumëdimensionale.
Me 141 veprat tuaja të shkruara e përbotësuara në gjitha zhanret e gjinitë letrare, studimore, filozofike e shkencore ju i keni rrokur majat e malnajat e stadeve më të larta të SHKRIMTARISË..
Shqiptarët jo vetëm të Tetovës e të Maqedonisë Veriore, por nga i mbarë Gadishulli arbëror-ilirik dhe nga mërgata jonë në të katër anët e globit, veçanërisht intelektualët, studiuesit, poetët dhe shkrimtarët kanë një admiratë e konsideratë të lartë për Figurën dhe Veprën tuaj kolosale … Këtë konsideratë e respekt e kam edhe unë ndaj Muzës fascinante dhe Penës tuaj të artë.
Keni qenë, jeni dhe do mbeteni në histori si Personaliteti URAGAN dhe si Shkrimtari më prodhimtar, më produktiv e më cilësor në historinë e letërsisë shqipe dhe të studimeve leksikografike, filozofike dhe shkencore…
-Filozofema, ARTI S’KA ÇMIM
“Arti nuk mund të çmohet, me një fjalë arti nuk ka çmim, ai vetëm se mund të vlerësohet. Po të kishte çmim ai nuk do të ishte art por do të kalonte në kategori tjetër, pra në formë të përsëritshme?!
Arti është i papërsëritshëm, ai është unikal.” –K. Sh.
***
Të gjithë kësaj punë, për një realizim të sukseshëm dhe dinjitoz, i parapriu një shkas me arsye të mbështetur në dy pika randimi të vertikales së autorit Kasam Shaqirvela
E para dalja në dritë krahas librave të tjerë me vlera letrare e shkencore, shtypja e librit të tij më të ri, i 141-ti me radhë, që titullohet “Profil letrar” një libër tejet voluminoz
E dyta kjo si dhuratë që autori ia jep letërsisë kombëtare shqiptare dhe jo vetëm… por dhe vetvetes për ditëlindjen jubilare të tij, 70 vjetorin e jetësor e 50 vjetorin krijues.
**
Urime autor u bëfsh shekullor, se numri librave të tu ka kohë që është mbi shifrën e shekullit!
**
BIBLIOGRAFIA
Letërnjoftimi krijues(50 vjeçar) i Kasam Shaqirvelës, njërit ndër prodhuesit më të vëllimshëm në letërsinë shqipe sot, është si vijon:
Poetika * 64 libra poetikë me: poezi, balada e poema…
Proza * 73 libra prozaikë me: tregime, novela, romane artistike, romane historike, monografi, ese, filozofema, studime gjuhësore, etimologji, publicistikë, beletristikë…
Leksikografia * 4 fjalorë shkencorë, angl-shq dhe shq-angl, 2 në terminologjinë e Informatikës dhe 2 në terminologjinë e Turizmit
…..Gjithsej (141 tituj librash)…. Nga këto 40 libra janë shtypje e fortë letre, të tjerat janë kopje e butë digjitale si libra elektronikë.
*
***
Me respekt për Ju!
Departamenti Botimet “VELA”
Tetovë, 1 mars 2025