Shkrimi n°2 i një serie prej 13 të tillëve me rastin e 90 vjetorit të ndarjes nga jeta (mars 1935) të Aleksandër Moisiut, gjigandit të skenës ndërkombëtare
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2025
“Dagens Press” ka botuar, të mërkurën e 13 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Johanna Terwin, gruan e Aleksandër Moisiut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Moisiu nëpërmjet syve të gruas së tij
Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4
Aleksandër Moisiu shoqërohet në udhëtimin e tij në Skandinavi nga bashkëshortja e tij, aktorja Johanna Terwin. Një gazetë daneze i ka bërë zonjës Moisi pyetjen e mëposhtme intime :
— A bën gabime të shumta e të mëdha Moisiu ?
— Jo, seriozisht, jo, ishte përgjigja. Ai është një fëmijë i sjellshëm — por në të vërtetë një fëmijë i madh — plotësisht i pafuqishëm në gjithçka që ka të bëjë me jetën praktike — një ëndërrimtar në tokë. Prandaj, unë duhet të kujdesem për të dhe të organizoj gjithçka për të. Ai do të harronte të ndërronte rrobat e tij nëse nuk do të kujdesesha për të — ai nuk do të kishte fare rroba përndryshe. Moisiu është bohem i lindur, gjithmonë në lëvizje, i pa qetë. Aktualisht, ne kemi një apartament në Berlin, përndryshe ai ka jetuar gjithë jetën në hotele.
Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4
— A punon shumë ?
— Po, çmendurisht. Ka muaj që punon 28 netë me radhë. Në dhjetor, nata e Krishtlindjeve ishte dita e tij e parë e pushimit. Dhe pastaj ai zgjohet shumë vonë — dhe duhet të flejë në mes të ditës…
— Pse kështu ?
— Për shkak se i janë prekur mushkëritë — ai e mori këtë si kujtim nga lufta. Ai tani do të përfitojë nga vera e tij për të kaluar tre muaj në një sanatorium malor.
— Si i punon Moisiu rolet e tij ?
— Ai i lexon ato pa pushim dhe vetëm në një fazë të vonë fillon t’i mësojë përmendësh. Gjatë provës ai është si një libër i mbyllur. Askush nuk e ka idenë ende nga provat se si e ka perceptuar rolin. Ai nuk është në gjendje të flasë deri në provën e veshjes, ku është edhe i veshur me kostum dhe i maskuar dhe kështu “riformohet” nga jashtë në formën e tij të re.
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/dagens-press-1921-moisiu-nepermjet-syve-te-gruas-se-tij-johanna-terwin-duhet-te-kujdesem-dhe-te-organizoj-gjithcka-per-te/.