Prishtinë, 7 mars 2025
Autori i librit “Nën një qiell me pupla: Historia e parrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas”, Ade Clewlow, ishte mysafir i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka shërbyer si oficer në ushtrinë britanike e oficer ndërlidhës i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (KPC) dhe përmes librit të tij, i cili tashmë është përkthyer dhe vjen edhe në gjuhën shqipe nga libraria Artini, tregon për sfidat dhe vështirësitë e periudhës së pasluftës, nga shtetndërtimi tek tranzicioni drejt Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti vlerësoi rolin dhe kontributin e Ade Clewlow, jo vetëm gjatë asaj periudhe, por edhe sot, përmes rrëfimit të përjetimeve të tij dhe tregimit të detajeve e momenteve që karakterizuan etapat shtetndërtuese, gjersa libri ofron edhe paraqitje e pikëpamje të funksionimit e rolit të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.
Biseda mes tyre vijoi edhe në suaza më të gjera të zhvillimeve gjeopolitike në botë e situatën e sigurisë. Ndërsa, në veçanti për rajonin, u trajtua dhe shtypja e vazhdueshme ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.