ARKIVI:
12 Mars 2025

OVL E UÇK-së shantazhon Qeverinë, Shtetin e Kosovës!

Shkrime relevante

Jo- deputetëve militantë, por duhen deputetë meritokratë

Prof. Pirro Prifti, Tiranë Është për të ardhur keq kur sheh se...

Express Wieczorny Ilustrowany (1928) / Historia e një autografi me vlerë nga Aleksandër Moisiu (4)

Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) Shkrimi n°4 i një serie prej 13...

Vjedhja sintetike e votave të mërgatës!

Florim Zeqa Lexues të dashur, më 20 shkurt 2025 ju paralajmërova, se...

Shpërndaj

Idriz Zeqiraj, Gjermani
___
Mbreti i pakurorëzuar, Hashim Thaçi, me partinë-bandë të tij, nuk e duroi qeverisjen e suksesshme të kryeministrit Isa Mustafa. Për ta rrezuar atë, ndërseu OVL të UÇK-së, për të organizuar protesta, me kërkesën e ngutshme për të paguar veteranët e luftës. I frikësuar nga humbja e postit, së bashku me Hashim presidentin, kryeministri Mustafa vendosi të paguajë paushall, pak veteranë të vërtetë, plus pesëfishin e “veteranëve” të rrejshëm! Megjithatë, tandemi namkeq, Hashimi-Kadria, realizuan vetërrëzimin e qeverisë, PDK-LDK, duke e poshtëruar patericën e tyre LDK-e, madje përsëritshëm!
     Pas humbjes të pushtetit, më 14 shkurt 2021, PAN-i i kriminalizuar, vazhdon ta përdorë Shoqatën e OVL të UÇK-së, me simotrat e saj, të ashuquajturat “Shoqata të dala nga lufta”: “Shoqata e invalidëve të luftës”, “Shoqata e Familjesve të Dëshmorëve” dhe emërtesa tjera fiktive, kundër Qeverisë të LVV dhe, rrjedhimisht, shtetit të Kosovës, me qëllim të pengimit të qeverisjes normale, me thirrjet e disa sindikatave, për protesta e trazira, deri në rrëzimin e qeverisë!
     Realisht, të bëmat e këtyre Shoqatave fillojnë që pas luftës, kur policia e UNMIK-ut, së bashku me atë të Kosovës, arrestonin banda e banditër vrastarë e hajnorë. Dhe, në krye të mbrojtjes të krimit dhe të kriminelëve u vu Shoqata e OVL të UÇK-së, shoqatat e tjera të cituara më lart, duke mbushur rrugë e sheshe, me britmat çjerrëse: “Lironi çlirimtarët”, “Lironi gjeneralët”, “Lironi heronjtë tanë”, edhe pse gjykatat e vendore i shpallnin fajtorë faktik, për krime të rënda: vrasje, plagosje, grabitje, plaçkitje, haraç e tjera poshtërsi.
     Forca madhore e NATO-Paktit përzuri policinë dhe ushtrinë pushtuese serbo-sllave, duke çliruar Kosovën tonë. Por, argatë të bollshëm shqipfolës të Serbisë gëlonin, si gjarpërinj, brenda Kosovës. Serbia nuk u pajtua kurrë me humbjen e Kosovës. Andaj, ajo bëri provën e parë të suksesshme detabilizuese, skenarin e protestave vandaliste, kundër minoritetit serb në Kosovë, në mars-prill 2004. Në krye të organizimit ishin drejtuesit partiakë lokal të subjekteve të PAN-it, në koordinim fizik me drejtuesit e OVL të UÇK-së dhe Shoqatat aleate të saj. Kjo u konfirmua nga Prokuroria dhe Gjykata, të parët u arrestuan krerët e OVL të UÇK-së të komunave.
     U vranë 19 vetë, shqiptarë rinorë dhe serbë pleq, por asnjë nga kryetarët nuk pësoi! U dogjën shtëpi dhe kisha serbe. Kosova u fajësua, praktikisht e ligjërisht, u dëmtua materialisht, moralisht dhe politikisht. Këtë dhunë kriminale e rrugaçërore, edhe pse me skenarë të Serbisë, vazhdonë ta vuajë Kosova dhe shqiptarët. Rrjedhojat janë të rënda, skajshëm të rrezikshme: Serbia realizoi decentralizimin, fshat e komunë serbe, Demarkacionin dhe në pritje të bërjes të Asociacionit të komunave serbe, brenda Kosovës!
     Skandali i Dosjeve të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, të sjellura nga Beogradi, enkas në Selinë e OVL të UÇK-së, në Prishtinë, me porosi për t`i publikuar, me qëllim të zbulimit të dëshmitarëve, për të akuzuarit në Hagë, për të shkaktuar vrasje ndërshqiptare, kulmon bashkëpunimin e disa eksponentëve të kësaj Shoqate me Beogradin. Në mënyrën më të poshtër dhe më kriminale u hesht ky bashkëpunim spiunazhi. Po t`i kishte ndodhur kjo dikujt tjetër nga kundrshtarët e PAN-it, ky i fundit do ta bënte namin, duke u vënë vulën e tradhtisë së madhe.
     Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve, kallës i Flamujve të -Dardanisë-, së bashku me Faik Fazliun, Smajl Latifin, me shokë, kryetar i komunës të Rahovecit, shantazhon Qeverinë e Kurtit në emër të OVL të UÇK-së, se “nuk marrim pjesë në ceremoninë përkujtimore, në përvjetorin e 27-të të flijimit të Jasharëve”, sepse “kjo Qeveri dhe kryeministri Kurti, janë  kundër vlerave të luftës  të UÇK-së!” Veç kësaj, Qeveria nuk distancohet nga Donikë Gërvalla se “njollosë “çlirimtarët” e burgosur, në Hagë, me dëshmi të rrejshme”! Qeveria mbronë Mimozë Kusarin, “e cila bashkëpunon me kriminelët serbë për pagën minimale të veteranëve!”
      Ndërkohë, Donikë Gërvalla, Mimozë Kusari, Vjosë Osmani, me veprën e tyre madhore, largimin nga pushteti i qëlbur i kriminelëve dhe i makro hajnave, shkatërruesit të shtetit të Kosovës, bërjen e ndryshimit të shumëpritur, kanë qenë, janë dhe do të mbetën krenaria e Kosovës. Përballja e këtyre femrave heroike, me horrakë e zuzarë, do të zënë vendin meritor në historinë më të re të Kosovës. Anatemuesit shpifës dhe sharës të pacipshëm, as shenjë nuk u kanë bërë. Edhe 10 (dhjetë) jetë po të kenë, ata kurrë nuk do t`i arrijnë as atdhetarisht, as intelektualisht dhe as moralisht: Donikën, Mimozën, Vjosën, me simotrat e tyre intelektuale, të dinjitetshme dhe me integritet, në Kuvend, Qeveri dhe institucione shtetërore e pushtetare. 
 
         Donikë Gërvalla – luftëtare e shquar para, gjatë dhe pas luftës
      Krerë të Shoqatës të OVL të UÇK-së, në vijimësi, vazhdojnë të shpifin dhe denigrojnë vajzën krenare të Jusuf Gërvallës, Hero emblematik të Kosovës, Donikë Gërvalla. Ajo, njësoj si babai i saj, nuk bënë kompromise e pazare me kriminelët dhe hafijje të shumëfishtë, të cilët, mjerisht, në emër të luftës së pabërë, uzurpuan, me dhunë e përgjakje, pushtetin dhe i bënë gjëmën Kosovës. Donika ka guximin qytetar dhe intelektual, për ta thënë të vërtetën, madje në shkallën sipërore. Kështu veproi në vitin 2000, kur herojtë e gjeneralët e vetëshpallur organizonin koncerte e parada vetëlavdëruese, Donikë Gërvalla demantoi këto karnevale turpëruese. Njëherësh, ajo denoncoi këto karnevale zhurmuese e boshe, duke denoncuar krimet e disa komandantëve, të cilët, në bashkëpunim me Sigurimsat e Enver Hoxhës dhe të Rexhep Mejdanit me shokë.
     Disa “komandantë” Rogner-istë, me bandat e tyre të LPK-së dhe PS-së, ekzekutuan, veç të tjerëve, brenda territorit shqiptar, zëdhënësin e parë të UÇK-së, gazetarin Ali Ukaj, Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, shefin e Emergjencës të UÇK-së të LPK-së, Ilir Konushevcin së bashku me burrin atdhetar të Tropojës, Dr. Hazir Mala, veprimtarin e LDK-së, oficerin Sadri Ramqaj, djemtë e rugovasit Sylë Mehmeti, ish-burgaxhi politik i Goli Otokut, Rexhep dhe Ibrahim Nikçi, veprimtarë dhe luftëtarë, furnitori me armë, kuksjani Rushit Elezi, kontraktor i lokacioneve ushtarake në Kolsh dhe Kalimash, oficerit Qazim Jakupi, (babai i këngëtarës së mirënjohur, Leonora Jakupi), të kontraktorit të kampit ushtarak në Papaj, Muharrem Tafa dhe oficerë e ushtarakë të tjerë të FARK-ut!
     Donikë Gërvalla ka denoncuar, madje përsëritshëm, “komandantët” kriminelë, të cilët kanë përgjakur burrat dhe djemtë luftëtarë të devotshëm të kombit. Ajo është e vetëdijshme se kush ka njohuri dhe i heshtë krimet, bëhet pjesë e krimeve. Andaj, ka premtuar se do të kontribuojë, me dokumentacionin përkatës, që krimet të zbulohen, të hetohen dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. Këtë e ka deklaruar publikisht edhe në vitin 2016.
     Pas themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, dhe të denoncimeve, të paktën, nga 300 dëshmitarë, shumica syresh viktima të disa “komandantëve” kriminelë dhe të bandave të tyre, Donikë Gërvalla ka përshëndetur kontribuesit e drejtësisë, duke hequr dorë nga dëshmitë personale, me besimin se e vërteta do të sheshohet, edhe pa dëshminë e saj, e cila, gjithësesi, kishte informacion të bollshëm dhe të dorës së parë.
     Zhvillimet e djeshme dhe të sotme, janë në pajtueshmëri të plotë, me vlerësimet e bëra një çerek-shekulli më parë të luftëtarës për Kosovën, Donikë Gërvalla, në emërtimet dhe cilësimet e sakta për individë, grupe dhe subjekte politike në Kosovë. Krijimi i grupit të struktuar, për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë, duke shantazhuar e kërcënuar dëshmitarët, deri në vrasjen e fëmijëve, provon fajësinë e plotë të kriminelëve, të cilët kanë vrarë dje dhe janë të gatshëm të vrasin edhe nesër. Nuliteti i karakterit të tyre, me keqpërdorimin e demokracisë humanitare, siç janë vizitat numerike në burg, i turpëron, përjetësisht, shefat partiakë të Shoqatës të OVL të UÇK-së të LPK-së. E themi “UÇK e LPK-së”, sepse veteranët e “UÇK-së të FARK-ut”, të cilët luftuan dhe legjitimuan atë Ushtri Çlirimtare, që kishte Kosova. Ndërkohë që OVL e UÇK-së , e cila thirret, falsifikueshëm, sikur përfaqëson Kosovën, ka brenda saj anëtarët e Komisionit, i cili nga 12.700 veteranë luftëtarë të vërtetë, i ka bërë tej 52.250, prej tyre 42.500 “veteranë” të rrejshëm! Dhe, kjo përbënë abuzim dhe krim të madh ekonomik!
    Në debatet televizive prestigjioze evropiane, më kryeministra e gjeneralë ballkanikë dh evropianë, Donikë Gërvalla, doli gjithherë fitimtare në duelet me kundërshtarët. Edhe sot, në cilësinë e zëvendëskryeministres të Republikës të Kosovës dhe Ministres së Jashtme dhe të Diasporës, vazhdon të jetë në përformancën e duhur. “Lehjet në hënë”, pothuaj se, korale, për anatemimin e Donikë Gërvallës, zënë fill kur ajo përgjaksit dhe rrënuesit e shtetit të Kosovës, i emërtoi me epitetin adekuat, krejt të ngjashëm me atë që bëri Kryeprokurori amerikan Special, Xhon Smith, i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë: -Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale-. 
 
       E tmerrshme! Mimozë Kusari bashkëjetesë dy dekada me deputetët kriminelë!
     Parlamenti i Kosovës ka hyrë në analet e politikës, të paktën, evropiane, si parlamenti më i kriminalizuar në Evropë. Deputeti i CDU-së, alarmon Bundestag-ut gjerman, se Parlamenti i Kosovës ka 27 deputetë kriminelë në ulëset e tij. Përgjakja politike e Kosovës, përgjatë dy dekadave të shkuara, vazhdon ta shqetësojë dhe tmerrojë botën demokratike, krejt njësoj siç e përgjakën Shqipërinë partizanët e Enver Hoxhës, së bashku me emisarët politikë dhe ushtarakë të Titos. Dhe, përgjakjen e kundërshtarëve politikë, krimineli filosllav Hoxhë e vazhdoi me byroistët e tij edhe pas luftës, kur në vitin 1946 ekzekutoi 16 deputetë demokratë me varje-pushkatim dhe të tjerët me burg dhe internime të përjetshme.
     Po kaq mizor ishin edhe disa “komandantë” kriminelë të Kosovës, të cilët gjyqet e Hoxhës të Tiranës, i zëvendësuan me ekzekutimet me “kallash”, në pusira e prapa shpine, në oborre, në hyrje të banesave, ose duke u ngjitur shkallëve për në banesë. Disa të tjerë i vranë në errësirën e natës në makinat e tyre, të tjerë i kidnapuan dhe i ekzekutuan në pyll, e ndonjë tjetër e morën në shtëpi, e ekzekutuan afër një lagje në Drenicë dhe e dogjën kufomën, njësoj si Serbia!
     Një dekadë më parë, zgjedhjet lokale në Kosovë. Mimoza Kusari garonte për mandatin e dytë, për kryetare të komunës së Gjakovës. Shtypi i kohës, më 2015,  shkruante, se po përgaditet atentat kundër Mimozës. Tradita shqiptare se femra nuk vritet, ishte thyer me atentatimin e oficeres të luftës, Sabahate Tolaj, shefja ime e Emërgjencës gjatë Luftës së Kosovës, e cila mishëronte guximin, zgjuarësinë dhe bukurinë e pashoqe vajzërore. Dhe, kjo rriste frikën me “përfoljet në Çarshi” dhe kafeneve të Kosovës. Vrasës vendorë lakoheshin me emër e mbiemër. Më vonë u mësua se disa politikanë të Kosovës, në koordinim me zyrtarë maqedonas dhe shqiptarë vendorë në Maqedoni, i përcollën, si ushtarë të armatosur, “si cjapi ke kasapi”, në Kumanovë dhe nga atje nuk u kthyen kurrë më?! Disa të mbijetuar, por të dënuar me burg të përjetshëm, e kanë kuptuar hilën dhe kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar. Askush nuk “çanë kokën” për ata!
     Përflitet se shefat e tyre donin “t`i hiqnin qafe”, sepse dinin më shumë se sa duhet, për disa të “bëma”, krime në Kosovë! Pastaj, u përmendën vrasës me pagesë, nga një shtet fqinjë, ashtu siç e huazoi PAN-i Jeton Lleshin, nga një fshat i Maqedonisë, për ta dërguar një bombë ruse, “dhuratë”, për 12 redaktorët e gazetarët, në Redaksinë e “Bota Sot”, në Zyrih të Zvicrës. Fat i tyre mbijetues, ishte vetëm hapja në anën e kundërt e – paketës-bombë-, e shmangu plojën makabër. Fitorja u grabit përdhunshëm, por mbijetesa e Mimozës ishte ngushëlluese!
     Një bisedë telefonike e kurdisur me përgjim në mënyrë mafioze, u politizua pa nevojshëm dhe skajshëm! Ishte një takim zyrtar pune, krejt normal i shefës të deputetëve të LVV, Mimoza Kusari-Lila me shefin e deputetëve të Listës Serbe, Sllavko Simiç. Ndërhyrja në bisedë e Radojqiç, krejt aksidentale, që nuk përbënë asnjë lajm dhe është, thjeshtë, luftë hibride-fushatore e PAN-it, përmes medieve bashkëpunuese me Shërbimin Informativ “BIA” serbe të sotme, prej nga merren inçizimet. Serbia, përmes presidentit Vuçiq dhe ekipi të tij drejtues, ka deklaruar se “me Kurtin nuk po merrem vesh në bisedime, ndërsa me Thaçin e Ramushin po”. Sepse me ata Vuçiq është dakorduar për ndarjen e Kosovës.
     Hashimi ka thënë e përsëritur se “na presin kompromise të dhimbshme” dhe “veriun e Kosovës edhe ashtu nuk po e administrojmë”, pra, e kemi humbur. Hashimi me “komandantët” e tij, të shantazhuar me dosje faktike penalizuese, ishte dorëzuar. Dhe, për rekrutimin e tij na rrëfen qartazi shefi i Sherbimit Informativ francez të DGSE, Pierre Siramy. Pra, Beogradi zyrtar lufton  për largimin e Qeverisë, përkatësisht, Albin Kurtin me LVV të tij. Për këtë Serbia sot ka aleatë opozitën PAN-iste, me Institucionet vitale të Kosovës, përfshirë edhe mediet, agjentët e saj të hershëm dhe të tashëm.
     Për çudë, askush nuk ia qanë hallin Mimozës, e cila, për një çerekshekulli ka bashkëjetuar me një duzinë kriminelësh e hajnash deputetë, të cilët për dy dekada kanë ngënë e pirë, kanë kontrabanduar e vjedhur miliardat e buxhetit, respektivisht, shtetit të brishtë të Kosovës, si dhe kanë bërë pazare të pista politike, me kriminelët e “Listës Serbe”, duke e liruar nga arresti, me një urdhër të porositur nga pushtetarët, kryekriminelin Radoiçiq, – siç e pranon kryeprokurori i Kosovës, Blerim Isufi!
     OVL e UÇK-së është e ngulfatur nga krerët e saj të kriminalizuar. Ata janë pjesë e shumëzimit të “Dëshmive të Veteranëve”, në përmasen gjeometrike e, mbi të gjitha, për vazhdimin e zhvatjes të buxhetit shtetëror, të llogaritur në miliona euro në vit, të dhënë “veteranëve” të rrejshëm. Ky abuzim hajnor zyrtar, tashmë, nuk përbënë asnjë sekret privat apo shtetëror. Është meritë e Mimozë Kusari-Lila, në cilësinë e shefës të Grupit të deputetëve të LVV, që apelon të ndërpritet kjo gjakderdhje financiare, ta marrë vesh edhe Qeveria Kurti dhe të tregojë pse e heshti këtë abuzim dhe turp kombëtar!
     Krejt nolrmale ishte edhe biseda për pagën minimale të veteranëve, me kolegun deputet, Simiç, qoftë ai edhe serb, sepse përfaqësonte subjektin më të madh politk nga minoriteti serb, në Parlamentin legjitim të Kosovës. Dështuan edhe lehaqenët, sidomos ata të opozitës PAN-iste, të cilët kërkonin hetimin dhe ndëshkimin e Mimozës, edhe pse ishin pjesë e kurdisjes të ndërhyrjes në bisedë të Radoiçiqit, vetëm për pak sekonda, bisedë kjo e ndërprenë, jo natyrshëm, nga vetë Mimoza.
     OVL e UÇK-së nuk e ka përjashtuar, as linçuar dhe as ofenduar Qeveria Kurti dhe askush tjetër. Ata janë vetëpërjashtuar, që nga themelimi i kësaj Shoqate, sepse pranoi të vihet në dispozicion të partive-banda të PAN-it, duke organizuar protesta, për mbrotjen e krimit dhe të kriminelëve, për ta penguar drejtësinë. Këtë e dëshmojnë shembujt që i renditëm më lart. Dhe, në vijimësi, kanë qenë në kundërshti me subjektet tjera politike, të cilat ishin oponencë e PAN-it. Kulmon marrëzia e krerëve të kësaj Shoqate kontraverse, kur riciklojnë në krye të saj, ata që “u zunë me pelë për dore”, duke publikuar dosjet konfidenciale të Gjykatës të Kosovës, me seli në Hagë, me qëllim të zbulimit të dëshmitarëve, rrjedhimisht, të përgjakjes ndërshqiptare, porosi kjo e ardhur nga Beogradi zyrtar.
     Asnjë qeveri serioze, nuk mund të bashkëpunojë me shantazhuesit, kërcënuesit e saj dhe të shtetit, madje duke kërkuar edhe aleatë bastardë, si kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jashari me shokë, argat të kudrove të SHIK-ut, nënkryetari Kushe dhe sekretarit Imeri, të cilët qëndrojnë prapa tij. Rrahman Greva, pas Pendemisë, për grevën një-mujore, premtoi plotësimin e orëve mësimore të humbura, me kusht që ta marrin pagën për muajin e papunë. Paga u dha, por puna nuk u bë! Rrahman kryetari i përjetshëm mashtroi dhe paratë e marra ende i ka borxh!
     Shoqata e OVL të UÇK-së është në hall me vetën e saj. Ajo është kapur nga krimi dhe kriminelët, të cilët duke e mbajtur peng për shëbimet, obligimet që ka marrë nga PAN-i kriminal, nuk lejon reformimin e saj. Ai e përdorë si xhokër shantazhi e kërcënimi, sa herë që ka nevojë. Përndryshe, ajo është diskridituar aq shumë, sa duhet zhbërë, për t`u bërë rishtazi. Kjo do të ishte e shëndetshme, jo vetëm për veteranët e vërtetë, duke u liruar nga mijëra “veteranë” të rrejshëm, por po aq e shëndetshme do të ishte edhe për Kosovën dhe shqiptarët e përbotshëm. Në këtë “derexhe” që keni arritur, nuk mund t`i përfqësoni veteranët e mirëfilltë, andaj, vizitat e juaja në Komplekset Memoriale, nuk u bëjnë nder as dëshmorëve, të rënë për çlirimin e vendit dhe lirinë tonë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu