Prishtinë, 17 mars 2025
Me rastin e shënimit të 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori pjesë në hapjen e aktivitetit “Java e Arkivit të Hapur”, të mbajtur në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, i quajti arkivat gardianë të trashëgimisë dokumentare, që janë një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike, që duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme.
“Sistemin shtetëror arkivor, që në krye ka Agjencinë Shtetërore të Arkivave, ndonëse zyrtarisht pjesë e Ministrisë së Kulturës, si qeveri, e kemi trajtuar me vëmendjen që e meriton, pra si sektor të rëndësisë kombëtare. Dhe sot, jam shumë i kënaqur, që bashkë mund të flasim për rezultatet e prekshme të këtij trajtimi e të kësaj vëmendje shtetërore”, tha kryeministri.
Duke diskutuar arritjet e deritanishme gjatë mandatit të plotë 4 vjeçar, ai përmendi gjashtë fushat në të cilat është ndërhyrë dhe investuar, përfshirë reformën ligjore, sikurse miratimin e ligjit të ri për arkivat dhe hartimin e miratimin e tetë akteve nën-ligjorë; strategjinë afatgjatë shtetërore për zhvillimin e arkivave 2025-2031; përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe kushteve të ruajtjes së materialit arkivor; digjitalizimin masiv të materialit arkivor; lansimin e sistemit elektronik të menaxhimit të materialit arkivor; si dhe, strukturën e re organizative dhe kapacitete të rritura profesionale.
Po ashtu, kryeministri theksoi edhe dy momente tjera të rëndësishme; sjellja e materialit arkivor nga komunat në veriun e vendit në Prishtinë, duke e vendosur në kontroll të ligjshëm; dhe marrëveshja me Postën e Kosovës, që lehtëson qasjen e qytetarëve në materialin arkivor për nevoja sociale e juridike.
Në këtë edicion të radhës të “Javës së Arkivit të Hapur”, në emër të Qeverisë, kryeministri theksoi faktin se, sikurse rrjetin e institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore, edhe arkivave u është kthyer vëmendja edhe dinjiteti që meritojnë, përmes investimeve të gjithanshme.
“Mbështetja e qeverisë sonë jo vetëm do të vazhdojë, por edhe do të rritet, sepse kultura, trashëgimia jonë dhe arkivat në këtë drejtim, janë themelet mbi të cilat ne e mirëmbajmë identitetin dhe qëndrueshmërinë tonë si komb e si shtet, si shoqëri e organizuar, demokratike, evropiane dhe e qëndrueshme”, përmbylli kryeministri Kurti.
Ai falënderoi dhe përgëzoi të gjithë për punën dhe rezultatet e shënuara deri më tani.
Pas fjalimeve, u prezantua edhe Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Materialit Arkivor, që u lansua sot dhe i cili në hap me trendët teknologjike do të krijojë qasje të lehtë në materialin e digjitalizuar arkivor nga jashtë, si dhe do të lehtësojë sistemimin e brendshëm të këtij materiali.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
“Java e Arkivit të Hapur” na bëri bashkë sot; mirë se po e gjejmë njëri tjetrin në këtë hapësirë diskutimi e reflektimi mbi punët e mira në fushën e arkivave shtetërore dhe sfidat përpara në konsolidimin e mëtejmë të sistemit arkivor për ruajtjen e trashëgimisë sonë dokumentare.
I nderuar z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuar z. Bislim Bislimi, ushtrues detyre i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave,
E nderuara znj. Blerina Rogova Gaxha, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,
E nderuara znj. Vjollca Aliu, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Kosovës,
I nderuar z. Atdhe Hetemi, Drejtor i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë,
Të nderuar punonjës profesionalë, profesorë e studentë, studiues e përfaqësues të institucioneve shtetërore, punonjës të medias, qytetarë të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Arkivat janë gardianë të trashëgimisë dokumentare. Kjo lloj trashëgimie është një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike që duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme. Arkivat janë qendrat që bartin përgjegjësinë për trajtimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare të një shteti e populli.
Sistemin shtetëror arkivor, që në krye ka Agjencinë Shtetërore të Arkivave, ndonëse zyrtarisht si pjesë e Ministrisë së Kulturës, si qeveri e kemi trajtuar me vëmendjen që e meriton, pra si sektor të rëndësisë kombëtare. Dhe sot, jam shumë i kënaqur që bashkë mund të flasim për rezultatet e prekshme të këtij trajtimi e të kësaj vëmendje të përbashkët shtetërore. Jam tejet i vetëdijshëm që këto arritje janë rezultat i punës, kontributit dhe përkushtimit të njerëzve që punojnë në sistemin shtetëror të arkivave, një armatë profesionistësh bashkë me ata që kanë detyra menaxheriale dhe të gjitha ata të cilët në kohë të ndryshme por me vullnet, gatishmëri e interesim, kontribuan për këtë të arritur që po e shënojmë bashkë. Andaj, duke ju përgëzuar e falënderuar për punët e mira gjatë viteve të fundit, ju ftoj që bashkë të rrisim edhe më shumë dinamikën e punës.
Në mandatin tonë qeverisës, që për pak ditë i mbushë katër vjet fiks, angazhimi e shërbimi për vendin dhe qytetarët, janë të paktën në gjashtë fusha të ndërhyrjeve dhe investimeve tona në sistemin shtetëror arkivor.
Së pari, kemi miratuar ligjin e ri për arkivat që vendos standardin botëror të organizimit të sistemit shtetëror arkivor në Kosovë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, janë hartuar dhe miratuar tetë akte nën-ligjore të cilët e bëjnë plotësisht të zbatueshëm këtë ligj tejet të rëndësishëm, duke e përmbyllur kësisoj edhe reformën ligjore në fushën e arkivave.
Së dyti, Kosova është bërë me strategjinë afatgjatë shtetërore për zhvillimin e arkivave, duke e definuar qartë vizionin tonë shtetëror për sistemin arkivor për periudhën 2025-2031, por edhe përtej kësaj.
Së treti, kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të punës për stafin dhe kushteve të ruajtjes së materialit arkivor gjithandej. Vetëm në vitet e fundit janë përmirësuar kushtet dhe në disa raste punimet vazhdojnë, sikurse në ndërtesat e sistemit arkivor në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren. Për Arkivin ndër-komunal të Ferizajt kemi siguruar hapësirë të përshtatshme në një aset të trashëgimisë që sivjet i nënshtrohet restaurimit, ndërkaq në Gjilan kemi përparime në procedurën për ndërtesën e re dhe moderne.
Së katërti, digjitalizimi masiv i materialit arkivor ka prekur numra që para pak vitesh ishin të paimagjinueshëm. Me projektin e digjitalizimit masiv, në vitin 2024 janë digjitalizuar 2.5 milionë dokumente arkivore, ndërkaq sa për krahasim, në 15 vitet paraprake ishin digjitalizuar pak mbi 1 milion dokumente arkivore. Së shpejti, do të arrijmë totalin prej pesë milionë dokumentesh të digjitalizuara, që paraqet një dëshmi të qartë të seriozitetit e përkushtimit tonë të përbashkët.
Së pesti, jemi të lumtur që sot bëhet lansimi i sistemit elektronik të menaxhimit të materialit arkivor. Në hap me trendet teknologjike, ky sistem do të krijojë qasje të lehtë në materialin e digjitalizuar arkivor nga jashtë, si dhe do të lehtësojë sistemimin e brendshëm të këtij materiali.
Së gjashti, Agjencia Shtetërore e Arkivave ka strukturë të re organizative dhe kapacitete të rritura profesionale. Ndërkaq meritokracia profesionale dhe patriotike do të duhej përherë të ishin kritere themelore për të gjithë ata e ato që duan të bëhen pjesë e sistemit shtetëror arkivor të Republikës së Kosovës.
Meqenëse ishin gjashtë ndërhyrje, le t’i përmbledhim ato edhe një herë natyrisht fare shkurt: 1) Ligji, 2) Strategjia, 3) Kushtet e punës, 4) Digjitalizimi masiv, 5) Qasja dhe menaxhimi elektronik në materialin arkivor, dhe 6) Struktura e re me më shumë profesionistë.
Janë edhe dy momente që na bëjnë posaçërisht krenarë. E para, sjellja e materialit arkivor nga komunat në veriun e vendit në Prishtinë, pra në kryeqytetin e Republikës, duke e vendosur në kontroll të ligjshëm; dhe, e dyta, marrëveshja me Postën e Kosovës që lehtëson qasjen e qytetarëve në materialin arkivor për nevoja sociale e juridike.
Pra, në këtë edicion të radhës të “Javës së Arkivit të Hapur”, në emër të qeverisë sonë, gjejmë rastin të theksojmë faktin se, sikurse rrjetin e institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore, bibliotekave, muzeve, teatrove, kinemave, instituteve profesionale e shkencore, edhe arkivave ua kemi kthyer edhe vëmendjen edhe dinjitetin që meritojnë, sepse u kemi kthyer investimet e gjithanshme, jo vetëm infrastrukturore të cilat do të transformojnë këto institucione, duke i vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë, të shtetit e të kombit në përgjithësi.
Mbështetja e qeverisë sonë jo vetëm do të vazhdojë, por edhe do të rritet sepse kultura, trashëgimia jonë dhe arkivat në këtë drejtim, janë themelet mbi të cilat ne e mirëmbajmë identitetin dhe qëndrueshmërinë tonë si komb e si shtet, si shoqëri e organizuar, demokratike, evropiane dhe e qëndrueshme.
Ju dëshiroj javë të mbarë. Ju përgëzoj për punën dhe si për veten e për qeverinë, ashtu edhe nga ju, pres edhe më shumë punë.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen, kontributin dhe vëmendjen.