ARKIVI:
19 Mars 2025

Babës tem…, atij që e ka përditë vendin e parë n’zemrën teme

Shkrime relevante

“Lule për Moisiun” – 90 Vjet Homazh për Kolosin e Teatrit Botëror

Nga: Sak Muji, Zvicër Kujtime për Aleksandër Moisiun, kolosin shqiptar të teatrit...

Babës tem…, atij që e ka përditë vendin e parë n’zemrën teme

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë Babës tem ...jo pse asht dita e Babës po...

Mallku qofshin gojët e liga…!

Afrim Caka, Gjakovë Orët e lavireve të liga, diçka e huaj na...

Ne jemi popull europian, Shqiptarët nuk mund të jenë tjetër përpos vetvetja

Driton Statovci Ne SHQIPTARËT jemi popull EUROPIAN! Faktet nuk mund të zhduken edhe...

Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë për jetë e vdekje!

Nga Aurel Dasareti Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës...

Shpërndaj

❤
…jo pse asht dita e Babës po se Baba jem e ka përditë vendin e parë n’zemrën teme.
N’andërr m’u shfaq shpija e vjetër. Oborri i mbramë i shpisë, avllia ly n’t’bardhë e lulet që harbonin si fmi t’gëzuem rreth e përqark. Pashë vedin me babën tuj u kalamendë n’karriget e vjetra n’mes t’oborrit e tuj bisedu për jetën, t’ardhmen, dëshirat e mia e vështirësitë e kalueme. Ishte andërr por u zgjova me at’ shijen e amël që len kafja me babën. I hypa avionit po at’ ditë e u shfaqa n’pragun e derës për me i puth durët babës tem.
… E putha, e përqafa, ia mora durët e lodhuna e ia vuna pranë fytyrës teme. E kqyra thellë, hyna mbrendë irisit t’synit t’nji burri prej brinjës s’cilit m’u dhurue jeta. Jetën që atij i nisi bash n’dedikun kur dora jeme e bardhë njomsie si e ajkës t’amlit n’t’ftohun, i rroku gishtin për herë t’parë. Aty, ai burrë i gjatë, me shpatlla t’gjana e krahnor t’çeliktë, provoi emocionin që ia shterri krejt burrninë e t’fortit, e u kthye vetë n’masë t’langshme prej loti t’amël. E kqyri nanën teme si kur t’ish hera e parë që e shihte n’jetë. E kqyri si me i pas dalë përpara Perëndesha Afroditë, e e kish bekue me krejt dashninë e botës, dhurue n’mirënjohje t’nji mijë sakrificave t’nji jete t’krasitun keq, prè sythash e majash gjithkah. Unë u bana lulja që i çili jetën mes ferrash.
Baba kish mbetë kapërthye n’mue, n’shtrëngimin e parë t’jetës, kur dora jeme milimetroshe ndjeu, si me pas pasë zemrën t’strukun n’at pllambë qumshtore, madhshtinë e dashnisë ma t’pastër n’botë, ate t’babës tem.
E qysh prej atij dediku jeta erdh t’u ju ba ma e valzueme, ma e kthjelltë, hera hers dhe e randë, do herë tjera e mprehtë si teh thike.
Ajo karrigë, n’at oborr, m’ka pà me mija herë t’u ju hedh n’krahë babs, tuj vallzue mbi kambë t’tij, tuj kalrue mbi shpatlla t’tij, tuj kja me lot t’hidhun e t’randë plumb n’krahnor t’tij sa plumbi i derdhun prej tyne i hyni babs n’shpirt tuj dalë prej shpirtit tem. Kot nuk thonë se plumi vret tana herët ma shumë se nji.
Ajo karrigë, n’at oborr t’praruem kujtimesh na ka pà t’dyve përqafë n’gzime, n’festa, n’datlindje e n’ndrrime motesh me urime që flutronin si kunorë ogurmirë mbi kryet tem, gjithherën veç mbi kryet tem.
Kurrë n’jetë mik ma t’mirë s’mundem me pasë se babën, mikun ma t’mirë dhe t’nanës teme. Burrin që m’lazdroi si kurrkush tjetër me kuptue unë sa e randsishme ish me pà vedin t’buzqeshun, me krahë me pushtue hapsina që baba kish çlirue ma parë për mue. Rendja n’qiellin që tim Atë e kish lodh mjaft tuj përzanë retë e zeza e shtrëngatat, breshnin e rrufetë e verbta që mund t’m’binin mbi krye. E unë s’pata kuptue kurrgja derisa u rrita vetë.
N’at karrigë t’vjetrueme t’kohnave përzhitse, baba s’pat mujtë me nejt kur unë zbrita shkallve t’shpisë stolis me vello t’bardhë, n’nisje t’rrugtimit tem t’ri, jo ma përkrah tij si dikur. Ai s’mujti me bajtë gjatë at’ ditë. Iu msheh lotit tem, iu msheh synit t’kristaltë që s’pat kurajo me e puth si dikur kur njatij syni ia mshinte lotin sa herë jeta m’jepte goditje e “m’burrnonte” kadalë pa ia kërkue.
Baba s’mujti me m’përcjellë, nuk ja bajti zemra at’ lloj loti. Ai nuk m’përcolli kurrë prej dere, asht gjithë jetën dera jeme e hapun, pa kushte.
Sot e shoh t’lodhun, t’brishtë, jo ma t’madh sa nji vigan. Por ata sy, ata sy t’shkëlqyem e t’fleksun dashnie nuk ndryshuen kurrë.
Ia shtrëngoj dorën n’ledhatim e ai kapet mas gishtërinjve t’mi … si dikur unë n’kapërthim shpirtnash me tè, n’dedikun e parë që njoha dashninë përmes dorës s’tij që pulsonte ndjenjë si me pas qenë shpirt, jo dorë.
Ja përkdhel kryet, e puth kadalë n’faqen e rrudhun, e mbshtes kryet mbi krahnor tij. Asht i butë krahnori i tij sot, ka përmasën e përmallimit e t’mirës që ka nxjerrë pa ndalë prej aty. Ka aromën e qahive që m’përgatitte kur isha unjun, akulloreve, lodrave, librave, kshillave, bisedave, përqafimeve, uratave, merakut e mallit t’pafund qysh prej se u largova prej votrës teme, prej Shqipnie. Ka aromën e jetës që ju shkëput prej shpirti nji mbramje pranvere, me m’dhanë jetën mue.
Si me t’falenderu Bab, s’di me e thanë me fjalë. Je bekim, je bekimi im ma i madh ❤

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu