DON LUSH GJERGJI: MARJAN CUBI – NJERI I BISEDIMIT, DIALOGUT DHE KOMUNIKIMIT
-“Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku shfaqet në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza. Është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…/
-Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, përkujtoi se bashkë me Marjan Cubin, tani anëtar i Kryesisë e arkatar i VATRËS, ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë…/
Gazeta DIELLI dhe portali DRINI : nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
Fotografitë: Demë JASHARI
PRISHTINË, 14 Gusht 2021/ Dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës” është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…
Këto janë mendimet e përshtypjet derisa shikojmë shfaqjen premierë në Prishtinë të premtën e 13 Gushtit 2021 në sallën e Katedralës “Shën Nënë Tereza”, me fillim në orën 19:00, të filmit dokumentarpër Marjan Cubin që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme.
Shqiptarë nga trojet etnike e nga mërgata, miqë të shumtë, të ardhur në promovimin e dokumentarit ka pritur e përshëndeturMarjan Cubi veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, anëtar i Kryesisë dhe arkatar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i shoqëruar si gjithmonë nga shoqja e jetës – bashkëshortja Dila.
Poashtu, Marjani dhe Dila Cubi janë pritur e përshëndetur ngrohtësisht nga të gjithë në festën e promovimit e shfaqjes së dokumentarit, pasuar edhe me koktej, që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjës së ditës së lume në kryeqytetin e Kosovës, e ku ishte edhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. Nga Dioqeza Prizren-Prishtinë Don Lush Gjergjiduke folur në promovimin e dokumentarit ka theksuar që në fillim se, Marjan Cubi është një mërgimtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si njeri familjar, i krishterë, atdhetar, gjithnjë i frymëzuar dhe motivuar që të jetë vetvetja dhe jetën dhe veprimtarinë t’ia kushtonte Popullit tonë, nëpërmjet bisedimit, dialogut dhe komunikimit. “Marjan Cubit ia shprehim nderimet, falënderimet dhe urimet tona, që i përcjellim me uratë dhe dashuri, duke i dëshiruar atij, si dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve, shëndet të mirë, vullnet të fortë, frymëzim, mbi të gjitha shumë lumturi dhe Dashuri”, ka thënë Don Lush Gjergji. Në tribunën e ceremonisë festive të promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin ka folur edhe miku i tij i shumë viteve Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha e të gjithë vatranëve, si dhe të gazetës së VATRËS – DIELLIT – editorit të saj mëse 12 vjet Dalip Greca dhe editorit të ri Sokol Paja. Agim Rexhaj ështëi dekoruar nga Presidenti i historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prill 2004 dhe Nderi i Kombit – i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Nishani në 24 Nëntor 2014 gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit. “Është ajo dekorata e dytë Presidenciale, e para ishte nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, më thoshte Agim Rexhaj të dielën e 7 Gushtit 2016 në Pejë – qytetin e tij në Kosovë, ku kishte ardhur për pushimet e verës nga qyteti i Nju Jorkut -Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Zotit Agim Rexhaj me nderim të madh për punën që ka bërë në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ibrahim Rugova 8.11.2005 Prishtinë Kosovë”. Këtë dedikim e ka shkruar me dorën e vet Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në një komplet veprash në tetë vëllime. “Për Z. Agim Rexhaj nga Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Prill 2004, USA”, shkruan në flakërim ari dedikimi te Vula e Presientit të Kosovës, me shqiponjën dykrenare – të Flamurit të Dardanisë, me yllin gjashtëcepësh nga Flamuri i Skënderbeut.
Marjan Cubi – Agim Rexhaj
Agim Rexhaj,pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran, edhe në fjalën e tij në promovim, si edhe në dokumentar, kujton edhe takimet me Presidentin Rugova bashkë me Marjan Cubin. “Marjan Cubi, besnik dhe përkrahës i madh i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, mik dhe zbatues i filozofisë Rugoviane… Marjani ka kontribuar dhe për UshtrinëÇlirimtare tëKosovës… Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar”, shprehet Rexhaj, Presidenti i Nderit i Vatrës Shqiptare në Amerikë.Agim Rexhaj përkujton se bashkë me Marjan Cubin ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik. “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova. “Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova. Në vitin 2003, më 19 Tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”. Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt. Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë. Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë. Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve. Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri. Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës. Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova Medalje Papnore të punuara me rastin e 25 vjetorit të shërbimit të tij si Papë…E, Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë u bë në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…Në 31 Gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vatranët nga Amerika i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales. Mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Edhe në ditën e 16 Gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji. Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza. Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të gjithë vatranëve. “E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës. Në vitin 2017, që në nisje të “Ditëve të Nënë Terezës” në 26 Gusht, në Katadrale, si dhe në ekspozitën “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, të hapur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ishin të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, mes të cilëve i ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës” vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit.
Marjan Cubi me Deme Jashari e Behlul Jashari
“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 Shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.
“Do të vazhdojmë me kontributet”, shprehej vatrani Zef Balaj, biznesmen e donator, si edhe veprimtar i çështjes kombëtare, derisa shihte se ende punohej në Katedralen Nënë Tereza.
Nën një nga dritaret e Katedrales, në kornizë, shihte të shënuar emrin e tij, i vinte mirë për këtë që është edhe si shenjë mirënjohje, ndërsa thoshte se nuk është vetëm ai kontribues, se do donte të jenë edhe emrat e vëllezërve: Gjelosh, Pjetër e Zef Balaj.
Te dritaret e Katedrales ka edhe emra të tjerë kontribuesish, vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes të cilëve: Ilir Marjan Cubi… Ilir Cubi, djali i Marjan Cubit edhe në dokumentarin e shfaqur në Prishtinë flet me mburrje për babain e tij dhe historinë e famijes së madhe e atdhetare Cubi.
Ilir Cubin me zonjën e tij dhe fëmijtë e tyre në 29 Korrikun e verës së viit 2019 i takova në Aeroportin e Prishtinës, të sapoardhur nga Nju Jorku, prej nga për mua – korrespondentin në Kosovë kishin sjellë shpërblimin e përvitshëm nga Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe organi i saj Gazeta DIELLI në vitin e jubileut të 110 vjetorit të më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën.
Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, ka vite që priten e i takojmë edhe në Katedralen Shën Nëna Terezë në Prishtinë. Në Katedrale në 1 Gusht 2018 Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës, ku erdhën edhe vatranë nga Nju Jorku – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, si githnjë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë…
E, në këtë verë të vitit 2021 dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës” me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar, erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Ceremoninë e promovimit në Kryeqytetin e Kosovës, ku ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Strugë Agim Krasniqi,e moderoi gazetari i njohur Lekë Musolli. I ardhur në vendlindje në Kosovë nga Zvicëra Demë Jashari, i cili në vitet e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës ishte edhe bashkëpunëtor me shkrime gazetareske për media të Kosovës, në festën e promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin bëri fotografitë për Gazetën Dielli – për këtë shkrim të vëllait të tij korrespondent në Prishtinë.
DON LUSH GJERGJI: MARJAN CUBI – NJERI I BISEDIMIT, DIALOGUT DHE KOMUNIKIMIT
Marjan Cubi është një mërgimtar shqiptar në SHBA-në, si njeri familjar, i krishterë, atdhetar, gjithnjë i frymëzuar dhe motivuar që të jetë vetvetja dhe jetën dhe veprimtarinë t’ia kushtonte Popullit tonë, nëpërmjet bisedimit, dialogut dhe komunikimit. Nga jeta e bujshme dhe me shumë sfida, batica dhe zbatica, unë do të theksoj këto veçori dhe virtyte:
- Njeri familjar, që kurrë nuk e harroi familjen, vendlindjen, Popullit tonë ilir, arbëror dhe shqiptar, duke tejkaluar shumë vështirësi në një botë të madhe dhe mozaikë nga vendet dhe popujt e ndryshëm. Ai krijoi familje duke pasur në mend dhe zemër vlerat dhe virtytet tona: Shtëpia është e Zoti dhe mysafirit; Bukë, kripë dhe zemër, dhe S’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë. Për Marjanin familja ishte dhe mbeti gjëra më e shenjt dhe e çmuar, ku jetohet, veprohet, bartet tradita, kujtohet e kaluara, jetohet e tashmja dhe projektohet e ardhmja e lirë dhe më e mirë, njerëzore, demokratike.
- Njeri i krishterë, që në Zotin, në Kishën Katolike, në bashkësinë e krishterë, gjente energji dhe frymëzim për t’i mbetur besnik historisë, traditës, kulturës, qytetërimit të krishterë, qysh prej Shën Palit deri me sot. Në Kishën Katolike ai gjete “Mësuesen dhe Nënën” e kujdesshme, e cila i përkrahte nevojat, kërkesat, dëshirat, synimet e Popullit tonë. Këtu duhet përmendur Papën Shën Gjon Palin e II, mikun e madh të Popullit tonë, Shën Nënën Tereze, imzot Nikë Prelën dhe shumë të tjerët, që për Marjanin ishin dhe mbesin shtylla, frymëzim, mbi të gjitha siguri për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.
- Njeri atdhetar, familja, Kisha, feja e krishterë, ishin për Marjan Cubin rrënjë të forta dhe të pathyeshme të atdhedashurisë, sipas shembullit të historisë tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, që sintetizohet në këtë binom të shenjt: Për Fe dhe Atdhe. Edhe Marjani kurrë nuk i ndau fenë prej atdheut dhe anasjelltas, por në harmoni dhe përkushtim, shërbeu Zotin, Kishën, me angazhime të ndryshme, si besimtar i mirë, si Kryetar i Këshillit të Kishës katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në Neë York. Në Dr. Ibrahim Rugovën ai ka njohur dhe takuar vizionarit dhe vegimtarin tonë, presidentin tonë historik, me të cilin pati bashkëpunim të ngushtë dhe shumë frytdhënës. Ai denjësisht dhe urtisht na mbrojti dhe paraqiti para Amerikës dhe botës mbarë, si popull i lashtë, me traditë, kulturë dhe qytetërim të krishterë dhe evropian. Me një mënyrë mund të themi se Marjani ynë ishte nxënës dhe ndjekës besnik i Dr. Ibrahim Rugovës në SHBA-në dhe kudo gjetiu. Dhe nuk ishte mashtruar.
- Njeri i frymëzimit dhe motivimit, që Marjanin e përcolli gjithnjë dhe në vazhdimësi, duke jetuar dhe vepruar jo vetëm sido, por gjithmonë me fyrmzim dhe motivim, që e mbante dhe i jepte hov, krah, fuqi dhe energji të pashoqe. Sot, ndoshta si kurrë më parë, çdo shqiptar, në trojet tona, apo në diasporën evro-ameriane, kemi nevojë për frymëzim, që na bënë të afërt dhe të bashkuar, të vëllazëruar, për të pasur shije dhe kuptim jeta dhe veprimtaria jonë. Ky frymëzim dhe motivim e ka bërë atë veprimtar të shquar dhe të dalluar në grumbullimin e mjeteve për ndërtimin e Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, por edhe gjetiu, ku shqiptarët pa kurrfarë dallimi shteti, feje, përkatësie, dhanë “pjesën më të mirë të vetvetes”, zemrën, dashurisë, mundin dhe jetën e tyre, duke dëshmuar që rreth dhe me Nënën tonë Tereze, jemi më tepër së kurrë bijë dhe bija shpirtërore të saj.
- Njeri i bisedimit, dialogut dhe komunikimit, që ishte strategjia e tij jetësore. Në bisedime i hapur, i palodhshëm, urëlidhës, njeri me mendje të ngritur dhe me zemër të hapur dhe të ngrohtë. Në dialog, besnik, në kërkim te të mirës, të drejtës, të vërtetës, të jetës dhe të dashurisë. Bisedimi dhe dialogu ia mundësojnë atij që në komunikim ndërpersonal, ndërfamiljar, ndërfetar, ndëretnik, të jetë i palodhshëm, shembull dhe dëshmi, që me ndihmën e Zotit dhe me përkrahjen vëllazërore, asgjë nuk është e pamundshme.
Marjan Cubit ia shprehim nderimet, falënderimet dhe urimet tona, që i përcjellim me uratë dhe dashuri, duke i dëshiruar atij, si dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve, shëndet të mirë, vullnet të fortë, frymëzim, mbi të gjitha shumë lumturi dhe Dashuri.
Zoti të shpërbleftë për çdo flijim dhe shërbim, me shumë hire dhe bekime!
Ad multos anos – për shumë vjet.
Don Lush GJERGJI
Prishtinë, 13. 08. 2021