Gjergj – Bajram Kabashi
- Revista Drini më 26 janar 2020, por meqenëse Drini u riemërtua në www.Drini.us , po e ribotojmë sërish për hirë të aktualitetit që lidhet me temën e trajtuar.
Në Revista Drini dje ia botova një intervistë Esad Dujakës, redaktorit tim shumëvjeçar nga “Kronika e Prishtinës” së gazetës Rilindja, që e kishte dhënë për RTV21. Intervista më pëlqeu, sidomos disa pjesë të saj, por ajo që ishte më me rëndësi për mua ishte që “ta shihja” Esadin pas 20 vitesh, qëkur nuk e kisha parë, ndërsa dikur e kemi kaluar një kohë bukur të madhe të jetës në punën e përbashkët e të bashkëpunimit të ngusht profesional. Une u gëzova për gjallërinë dhe etjen e pashueme të Esad Dujakës për të tregue e rrëfye për të kaluemen. Për të folë për përvojat e veta në profesinin e gazetarit.
Mendoj që në gazetën Rilindja nuk ka pasë tjetër gazetar (redaktor), që e ka njohur e zotnue lajmin më mirë se ai, që të ketë pasë kurreshtje për kërkimin dhe sajimin-shkrimin e tij.
Si dhe për të dhënë detyra, që është shumë me rëndësi në profesion.
Prandaj, personalisht jam mirënjohës për vitet dhe kohën që e kam kaluar së bashku me të në gazetari, duke punuar në “Kronikën e Prishtinës”, ku disa herë më patën “gjujtë” si “të papërshtatshëm”.
Ishte kënaqësi të punoje me një njeri energjik dhe me besim e orientim drejt së ardhmes, si Esad Dujaka.
Titulli që ia vuna intervistës së tij, është:”
“Veterani i gazetarisë e redaktori shumëvjeçar i gazetës “Rilindja”, Esad Dujaka, për gazetarinë dikur e sot.”
Në të vërtetë, u pajtova me shumëçka që e tha Esadi, fundja, edhe me lavdërimet që ua bëri Veton Surrojt dhe Blerim Rekës, pavarësisht se nuk kanë qenë vetëm ata gazetarë të shquar aty, por kishte edhe të tjerë po aq meritor e të sinqertë, të zhdërvjellët e të aftë profesionalisht, megjithëse duhet ta themi e ta pranojmë hapur se gazetarin nuk e bëjnë as lavdërimet e as mohimet e askujt, por vetëm puna dhe vepra e tij profesionale!
Pra, ajo që e shohim përditë e që mbetët, mendimet që i rezistojnë kohës.
Duke pasur respekt për Veton Surrojn dhe Blerim Rekën, sidomos për Blerimin me të cilin kam bashkëpunuar më shumë në atë kohë, më duhet të them se nuk pajtohem me vlerësimin superlativ që ia bëri “gazetarisë” inekzistente të Ramush Tahirit, të cilin e mori si një nga tre shembujt e gazetarit shembullor, megjithëse ai nuk arriti të bëhej gazetar fare. Prandaj, nuk e kuptova se ku e paska pas pa Esadi “gazetarinë e tij” në atë kohë e më pas; në “Kronikën e Prishtinës” apo në gazetën Rilindja përgjithësisht, pasi gazetaria mbështetet vetëm në produktin profesional, si dëshmi për autorin e publikun, ndërsa ai jo që nuk la ndonjë produkt të tillë, ndonjë gjurmë profesionale, por kurrë, absolutisht kurrë, nuk arrinte as që ta plotësonte normën mujore për ta merituar “rrogën”.
Kjo që e rithem pas kaq vitesh është fshehtësi publike, që në gazetën Rilindja e dinin të gjithë, por që si oportunist të njohur heshtnin, sidomos e dinte mjaft mirë Zenel Demiri, që asaj kohe i plotësonte dhe regjistronte “normat” – fletët e punës, për ta arsyetuar e mbështetë marrjen e pagës mujore të secilit aty.
Madje, Zenel Demiri më ka treguar disa herë se si redaktorët e tij, madje edhe vet kryeredaktori aktual që ishte, gjatë gjithë kohës “sa punoj” në gazetë, ia arsyetonin dhe “vërtetonin” listën e tillë për ta marrë “rrogën”, sikur gjoja ai e kishte plotësuar “normën”! Kjo jo vetëm nuk ka qenë e vërtetë, por përkthyer me gjuhën e sotshme kjo flet për një korruptim, shfrytëzim, diskriminim të tjerëve, si dhe për një shkelje të madhe e skandaloze ligjore. Pra, për punën në gazetari ne mund të flasim çka të duam për të e tjetrin tash, por nëse duhet mbështetje në fakte e dëshmi, s’ka rrugë tjetër përveç tyre, kjo pra është e vërteta për të!
Ai ka mund të quhej vetëm bashkëpunëtor i mirë i gazetës (pasi nuk ka plotësuar ndonjë kriter tjetër) , madje shumë prej shkrimeve të tij të kohës, po t’i lexojmë sot janë joaktuale dhe anakronike. Puna dhe angazhimi i tij ka mundur të krahasohet vetëm me atë të shumë bashkëpunëtorëve të tjerë të jashtëm që i kishte gazeta, që kanë mundur t’i sillnin dy a tre-tema në muaj. Por, ai gazetar nuk ka qenë kurrë, as dje e as sot. Vetëm nëse do të ketë qenë “gazetar” i Esad Dujakës e redaktorëve të tjerë aty! Ai natyrisht që nuk meriton fajësim për paaftësinë e tillë, pasi gazetar nuk mund të bëhet gjithkush. Gazetar “lindesh” apo bëhesh me punë e angazhim të madh profesional, por duhet të shprehim mospajtim, zhgënjim e brengosje të ligjshme, nëse dikujt i jipen merita që nuk i ka. Eshte për keqardhje që redaktori i dikurshëm i “Kronikës së Prishtinës” së Rilindjes, ende nuk e shihka punën e gazetarëve, por atë të një jogazetari dhe të dy gazetarëve të tjerë, që megjithëse të shquar e me vepër në profesion, në realitet ata në Rilindje i kanë ndërtuar karrierat dhe synimet e tyre të tjera përmes pranisë në gazetarinë e kohës.
Në këtë mënyrë krijohen opinione të gabueshme në publik. E edukojmë e “formojmë” atë me të pavërteta. Përkohësisht, në këtë mënyrë edhe mund t’i mashtrojmë gazetarët e rinj, që nuk e njohin të kalurën profesionale a “profesionale” të tjerëve. Kjo është e padrejtë. Eshtë mëkat që ta quash gazetar personin kur nuk e kemi asnjë mundësi reale që ta vërtetojmë gazetarinë e tij me asgjë, siç mundemi ta vërtetojmë gazetarinë e të tjerëve aty, fatkeqësisht gazetarë të harruar, të braktisur e shpërfillur!
Ramush Tahiri ka qenë dhe mbetët më shumë se të tjerët i pranishëm në publik, (Si të ishte njeri i përzgjedhur prej dikujt dje e sot, për të qenë gjithsesi “fytyrë publike”!), por prania në publik nuk e bënë askend gazetar, e as që mundet me të dhënë kurrfar legjitimiteti për intelektualizmin tënd!
Edhe mos me e thanë kurrë ndonjë fjalë të mirë për mua e punën e angazhimin tim në atë kohë, personalisht Esad Dujaka për mua vazhdon të mbetët një ndër redaktorët që ka pasur ndikim të pakontestueshëm në formimin e shumë gazetarëve, pra edhe timin, për çka i jam mirënjohës.
Në fund, mund ta them edhe këtë se në profesionin e gazetarisë askujt nuk mund t’i mohohet puna, angazhimi e vepra, ashtu siç askush nuk mund të bëhet gazetar, qoftë edhe nëse e mbulojmë me lavde të pafundme dhe “mirënjohje publike”, me “dekorata” a me “çmimet” e kësaj bote. Apo që t’i merren meritat profesionale tjetrit, që mund “të mos e pranoj askush”!
Duhet ritheksuar që në gazetën Rilindja vazhdimisht janë dënuar gazetarët e vërtetë me format dhe metodat e shërbimeve sekrete antishqiptare. Andaj, Esad Dujaka me përvojën e tij të madhe në profesion, është dashur t’i kishte kuptuar këto “vrasje të padukshme” me kohë, por që për fat të keq del që nuk i paska kuptuar as tash, në kohën e pensionimit të tij, kur ka mundësi e nge të reflektoj më shumë e më thellë për jetën e profesionin, për të kaluarën në profesion dhe për “gazetarët e tij”!
Gazetaria është punë që shihet atë ditë që e bënë si dhe më vonë, pra ajo mbetët kronikë e gjurmë e gjithnjëshme, nëse vërtetë ka qenë e tillë.
Duke e dëgjuar me vëmendje intervistën që ma dërgoj Esad Dujaka, miku, kolegu e redaktori im i çmuar, mu kujtuan kontributet e jashtëzakonshme të gazetarëve të vërtetë të “Kronikës së Prishtinës” e të Rilindjes në përgjithësi; angazhimet e atyre njerëzve modest, të heshtur e “të pa zë”, si ai i redaktorit po aq të shquar Sulejman Aliut, që shquhej me sjelljet suptile dhe afrinë me gazetarët, Ibrahim Rexhepit, tashmë të ndjerë, (një gazetar e radaktor me sjellje gjithnjë të mira), ato të gazetarëve si Evliana Berani, Drita Ruhani, Hamide Latifi, Behar Zogiani, Ymer Avdiu, Zekë Geci, Veton Suroj, Blerim Reka, Emine Berisha, Feim Tahirsylaj, Besim Kajtazi, Rexhep Demiri i ndjerë, Afrim Maliqi i vrarë në Prishtinë kah fundi i vitit 1998 , e të disa tjerëve, secili më i mirë se tjetri.
Këta ishin gazetar, e jo Ramush Tahiri, i nderumi Esad Dujaka !
Kontributi i tyre për gazetarinë ka qenë i madh dhe i prekshëm, i zhvilluar nëpër vështirësi e vuajtje, ndërsa une që kam qenë aq prezent dhe i afërt për shkak të natyrës së punës me Esad Dujakën në atë kohë, pasi që isha i angazhuar me pasion, sinqeritet e dëshirë të madhe profesionale, Ramush Tahirin nuk e kam takue askund në profesionin e quajtun gazetari në atë kohë, përpos që e takoja në lokalet e gazetës apo restauranteve, ku ai ishte më i pranishëm se të tjerët.
Po të kishte Kosova gazetari të mirëfillt hulumutuese, gazetari që për fat të keq ende nuk e ka, ashtu siç e kanë të tjerët rreth e rrotur në Gadishullin Ilirik e botë, që moti do ta kishte hulumtuar rrënjësisht edhe punën dhe angazhimin “misterioz” të “gazetarit të padukshëm” Ramush Tahiri, që e paska pas pa vetëm miku e kolegu ynë Esad Dujaka, duke e hulumtuar e vërtetuar javë pas jave e vit pas viti, i cili merrte “rrogë” në Rilindje si të tjerët, por gazetari nuk arriti të bënte si të tjerët aty!
Prandaj, kurdo që flasim për gazetarinë dhe kontributet profesionale a joprofesioanle të tjerëve, duhet ta dijmë se gjurmët e punës së gjithkujt mbesin të pashlyera në profesion dhe nuk kanë kah të tresin. Ato as nuk mund të mohohen, e as të shlyhen prej askujt. Mjafton vetëm që të ulemi e të shfletojmë në arkivin e gazetës Rilindja, i cili në fund të fundit askë nuk e len me e fsheh të vërtetën, apo që të shpikë të vërteta që s’ekzistojnë për tjetrin.
Si në çdo arkiv tjetër.
Në këtë vështrim, prandaj, gjithmonë duhet të mendojmë për Etikën në Gazetari kur flasim për çështje që lehtë mund të vërtetohen.
Fundja, në gazetari edhe po të duash nuk mund të thuhen gjera që nuk janë të vërteta, pasi nëse nuk i vërteton dikush, del tjetri që i vërteton e sqaron.
Autori i shkrimit …, pas kthimit nga terreni duke shkruar për gazetën Rilindja në vendin e punës (kati i 3 në Pallatin e Shtypit), në fillim të viteve të ’80-ta …
Ky profesion nuk përbëhet prej “kapuçmëdhenjve”, qoftë ai edhe Maksut Shehu apo pasuesi i tij, anëtari i KQ të LK të Serbisë, kryeredaktori tjetër Beqir Hoti, apo prej “gazetarëve elitistë” (!), por vetëm prej gazetarëve dhe është Mëkat i Madh të mos ia njohësh meritën e angazhimit secilit gazetar, e në anën tjetër ti thuash që je gazetar “i madh”, atij që nuk ishte gazetar kurrë!
Gazetaria i mbronë të drejtat e liritë njerëzore të kujtdo që duhet mbrojtë, të atij që është i lig dhe i pafuqishem si dhe të fortit, natyrisht kur kanë të drejtë.
Esadi si redaktor i dikurshëm shumëvjeçar duhet të jep mendime të drejta e të peshuara, dhe t’ia mat (peshoj) e çmat’ secilit meritat e çmeritat, duke i peshuar gjërat me ndërgjegje të lartë njerëzore e profesionale, si në “peshoren e farmacistit».
Në fund, e kam një shqetësim e brengë njerëzore dhe profesionale jo vetëm për Esad Dujakën, këtë mik të gazetarisë e mësimdhënës të palodhur të shumë gazetarëve, tashmë i pensionuar. Nga biseda që e kam zhvilluar me të privatisht, erdha në përfundim që ky veteran i gazetarisë nga gazeta Rilindja, me kontribute aq të sinqerta dhe idealist i madh në profesion, nuk po jetonte mirë, pra jo ashtu siç e meriton për punën të thuash misionare në profesion.
Mostrajtimi i duhur i personave të kësaj kategoria të gazetarëve të dikurshëm, e tregon edhe një tjetër të vërtetë të hidhur për Kosovën e pasluftës.