Nga Msc. Mark Lucgjonaj, Tuz
Në politikë e as në veprimtaritë e tjera shoqërore, vendimet afatgjata e serioze nuk duhen marrë bazuar në emocione. Këto lloj vendimesh janë mjaft të njohura në shtetet para politike e para demokratike, ose thënë më mire, te shtetet të cilat korrupsionin e kanë në palcë si në pozitë ashtu edhe në opozitë. Por, vedimet që janë marrë kohëve të fundit, janë vetëm një farsë, një lloj loje mediatike e liderëve me pushtet absolut të Ballkanit. Ballkani, pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe destabilitetit politik e ndryshimit të regjimit komunist në Shqipëri, me ndërhyrjen e Nato-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një formë të brishtë, gjeti paqen. Prej ater e deri sot, kanë kaluar të plota njëzet e një vjetë.
Gjatë kësaj faze, rimëkëmbja shtetformuaese dhe ekonomike e shteteve të Ballkanit filloi ngadalë dhe në krye të herës dukej mjaft premtuese. Sllovenia dhe Kroacia ia dolën që të përballen me pasojat, e duke dashur që të krijojnë shtete demokratike, u integruan në Bashkimin Evropian. Pas tyre, ajo që do të duhej të integrohej shpejt në familjen e madhe evropiane, ishte Shqipëria. Rrugëtimi politik i sajë është ndër rrugëtimet më interesante e më sorollatëse që një shtet fizikisht në Evropë, ka bërë e po vazhdon të bëjë në drejtim të integrimeve. Fajtori kryesor se pse Shqipëria nuk ia doli e as nuk po ia del që të integrohet në BE, është vetë politika e saj e cila si nga ana e pozitës së atëhershme, si nga pozita e sotme, nuk po bën asgjë serioze në plotësimin e kushteve për inkuadrim në këtë strukturë e cila Shqipërisë do t’i sillte një frymëmarrje tjetër. Këto kushte, thënë me fjalë të tjera e më të thjeshta, janë baza e një shteti demokratik. Kërkohet që shteti anëtarë të ketë polici dhe gjyqësor të pavarur.
Çështja e pronave të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, ku biznesi të mund të zhvillohet pa probleme. Kufijtë shtetërorë të jenë të definuar, të drejtat e njeriut të respektohen, të rritet mirëqenia dhe kushtet bazë të jetesës të ofrohen në secilin cep të vendit, arsimi të jetë në nivel që shteti të ketë burime njerëzore të kuadrove vendase, spitalet të ofrojnë kushtet e nevojshme për qytetarët e tyre. Kaq do të duhej të bëhej që Shqipëria tashmë, prej vitit 2015, e shumta, të ishte në Bashkimin Evropian. Por, kjo nuk ngjau. Në fakt, të njëjtën sorollatje bëri edhe Mali i Zi, i cili me gjithë premtimet se është lider në rrugëtimin drejt inkuadrimit në BE, dëshmoi se e gjithë kjo ishte një farsë dhe qëllimi kryesor i shteteve të Ballkanit ishte mbajtja e pushtetit nga ana e klasave politike. Probleme më të thella në këtë drejtim kanë Serbia e Maqedonia e Veriut. Serbia ka problem orientimin e saj perëndimorë, të cilin hapur e thotë se nuk e do, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka problem se nuk pranon barazinë në shtetësi me shqiptarët, e kështu edhe njëri edhe tjetri shtet, përdorin letrat e veta për të arsyetuar pamundësinë e ecjes përpara.
Por, ajo që po ngjanë kohëve të fundit, është një befasi e re, sa e papritur, aq edhe deshpëruase. Pas refuzimit të fundit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liderët politik të këtyre dy shteteve, pa zgjidhur problemet e tyre të shumta etnike e diplomatike, ndjekur edhe nga Serbia, pa një pa dy, dolën me një projekt alternativë, gjoja integrues e lehtësues në rrugën e integrimit, që më pare e kishin quajtur “Mini shengen”, e tani ia ndryshuan emrin në “Open Ballkan”. Epo mire, hajde të besojmë se ky projekt është i mirë dhe i duhur. Në rregull, po e pranojë këtë. Por, a nuk duhej më pare që të zgjidheshin ca çështje të tjera në Ballkan?
Fillimisht, Serbia duhet të ulej në tavolinë me shtetin e Bosnjës e të zgjidhte problemet me këtë shtet, që të njiheshin mes vete e të pranoheshin. Pastaj, të njëjtën gjë ta bënte me Kosovën, që edhe kjo të zgjidhej. E, si për çudi, Serbia ka probleme të hapura edhe me Malin e Zi, të cilat duhet ti zgjidh një orë e më parë. Pas këtyre veprimeve, Shqipëria dhe shtetet e tjera në fjalë, të zgjidhnin çështjet e kufijve shtetërorë, e kështu, me një qasje serioze, me një plan afatgjatë e gjithëpërfshirës, paqja, stabiliteti në rajon të merrte dimension real. Pas këtyre veprimeve, në tryezë të projekt idesë “Open Ballkan”, do të uleshin përfaqësuesit e 6 shteteve të Ballkanit, do të ngrinin një komision që do të hartonte një projekt afatgjatë, të cilin do të fillonin ta zbatonin pas një kohë të caktuar, jo të gjatë. (Unë nuk besoj në ëndrra politike, pra, nuk besoj se këta njerëz që sot për sot qeverisin Ballkanin, mund (duan) të çojnë përpara procese serioze, të cilat kanë për qellim përmirësimin e jetës së qytetarëve).
Ajo që ndodhi pas refuzimit, ishte një “dëshpërim” i madh nga perëndimi, një “zhgënjim” i shoqëruar me “hatër mbetje” e me ofendime kundër BE-së, dhe tre “burrat” e dheut, na u ulën rreth zjarrit, e pa zgjidhur asnjë problem shtetërorë, pa falur asnjë “gjak”, pa kërkuar askush falje për asgjë, e pa asnjë plan serioz, na lidhen aleancë, duke krijuar një idiotësi mediatike e politike të paparë, që gjoja: tani keni për të parë kurë të bëhemi ne bashkë sepse nuk mund të presim më, se ne i kemi plotësuar kushtet për të hapur negociatat. Le të hapemi, le të qarkullojmë lirshëm, le të tregtojmë njëri me tjetrin, le të çirremi brenda territoreve tona, sepse të gjithë luftërat dhe krizën, ngatërresat e smirën në Ballkan na e sollën “ata”, “Evropianet”, është mesazhi që na vjen nga këta tre liderë. As Bosnja e as Kosova, “dy fajtoret” për luftërat e tmerret e shkaktuara në Serbi, madje as Mali i Zi, nuk duan të jenë pjesë e kësaj maskarade. E tani, vetë mund ta merrni me mend e ta kuptoni se ku do të na shpie kjo nismë, a është serioze apo nuk është. A munden këto tri qeveri qesharake të shpien një proces si “Open Ballkan” përpara me sukses, apo duan që mjerimin e qytetarëve të tyre ta përziejnë në një mishmash akoma më të madh? Se sa funksional i kemi shtetet tona, e dimë të gjithë e nuk kemi nevojë ta cekim. Se a meritojmë hapjen e negociatave, e sa mire i kemi punët duhet vetëm të pyesim vetën. Sa të sigurt jemi në arsim, shëndetësi, polici, gjyqësor, institucione të tjera shtetërore, këtë e jetojmë çdo ditë të jetëve tona që për politikën vlejnë vetëm një ditë, në katër vite.
Në gjithë këtë mes kam vetëm një frikë, se njerëzit që vlejnë diçka e dinë diçka, janë përjashtuar deri në atë masë nga administratat shtetërore sa që në masë janë duke u larguar. Pjesa tjetër e popullsisë janë në heshtje e nuk dëgjohen. Mjekët e kanë një shprehje, se i sëmuri pasi merr diagnozën e kurën, duhet ta gjejë vetë vullnetin për tu shëruar dhe për ta marrë vetën.
Andaj, frika ime është se këta popuj, nuk duan të shërohen, e janë pajtuar që të vdesin në shtrat, pa bërë asnjë përpjekje.