Liri Loshi, mjekt dhe gazetar i UÇK-së
Mos e merrni fyese, apo personale kur flas për komandantët e therrave. Njeri prej komandantëve që ka kaluar nëpër therra jam edhe vetë. Sinqerisht. Nese doni me ju genjy gjejeni dike tjetër. Unë jam i betuar të mos genjej pa pasur një zor të madh.
Lufta jonë me Serbinë ka qenë e pabarabartë dhe mbijetesa jonë si ushtarë dhe komandantë të UÇK-së gjatë ofenzivave të armikut, për bazë e ka pasur malin dhe therrat. Ne nuk kemi pasur mjete të sofistikuara mbrojtëse që t’i dilnim përballë makinerisë së rëndë serbe, por është dashur të futeshim në male dhe në therra derisa serbët pastronin me granatime terrenin e hapur për të lëvizur tutje dhe për ta arrirë objektivin e tyre kryesisht pa asnjë humbje.
Një arsye tjeter pse ne kemi ngurruar të përballemi me armikun ka qenë kujdesi ynë ndaj popullit tone, pra që tē mos i jepnim një shkas armikut për t’i masakruar njerëzit tanë. Dua t’u japë një shembull. Në prill të vitit 1999 me mikun tim Sh. D. na zuri ofenziva serbe në rrethin e Qirezit. U rrethuam nga të gjitha anët.
– Kah t’ia mbajmë doktor, më pyeti miku im, me të cilin ato ditë ishim bërë si hije për njëri tjetrin.
– Do të shkojmë në mal thellë, i thashē, atje deri ku nuk shkohet përtej.
Ai nuk ma prishi. Nuk kishim ne gjasa me një pushkë automatike t’i dilnim karshi kurrkujt, kështuqë devijimi nga përballja me armikun ishte zgjidha më e mirë, apo thënë ndryshe, ishte zgjidhje e vetme. Prandaj iu drejtuam malit më të afërt në Çiçavicë. Kur hymë në mal pamë shumë njerëz tjerë, civilë dhe ushtarë. Ai u ndal dhe kërkoi aprovimin tim që të zinim vend aty ku ishin të tjerët. Por, unë kërkova që të futeshim edhe më thellë në mal, meqë nuk ishim nga ajo rrethinë dhe na mungonte njohuria për terrenin. Qëllimi i vetëm ishte të mbeteshim gjallë edhe atë ditë. Këto ishin ditët më të rënda që perjetonim në luftë kur brenda ditës ekzekutoheshin dhe masakroheshin dhjetra e qindra shqiptarë nga forcat serbe, të cilat nuk zgjedhnin shumë kush është civil e kush ushtar. Kjo ishte periudha e ofenzivës më famkeqe serbe, të cilën asnjeri nga ju që e lexonj këtë tekst, nuk e kuptoni dot nëse nuk e keni perjetuar atë ofenzivë që është quajtur ofenziva PATKOI. Ështe quajtur kështu për shkak se rrethimi që bënin forcat serbe kishte formën e patkoit, ku ne ishim rrethuar nga çdo anë tjetër pos një gryke që ata e lenin për ta lejuar lëviizjen tonë të survejuar nga ta. Nëpër atë grykë mund të kaloje vetëm kur terrohej, kështuqë aty ku të zinte dita nuk kishe zgjidhje tjetër pos të strukeshe në mal dhe të prisje tërë kohën derisa terrohej duke shpresuar se nuk do të të ngulej në trup njëra nga ato qindra predha që hidheshin pandalë në drejtim tonin. Kështu, duke u futur thellë e më thellë ne përfunduam në një tufë therrash ku edhe rrezet e diellit depërtonin me vështirësi. Dhe, kur po mendonim se ne ishim të vetmit aty, syri na zuri edhe nja katër ushtarë, nga të cilët unë njoha vetëm komandantin e tyre, i cili qëlloi të ishte edhe komandant i njërës nga katër brigadat e zonës së Drenicës. Së bashku me ta u bëmë një gjashtëshe që për dy ditë e një natë do të funksionim si një njesi e shkëputur nga berthama jonë ushtarake dhe ku vendimin për lëvizjet e mëtejmë do t’i merrte kryesisht komandanti dhe unë e ndonjëherë të gjithë së bashku.
Në fakt, rrëfimi i mësipërm nuk përshkruan epitetin komandant i therrave. Këto ishin situata të tilla ku nuk kishe kah t’ia mbaje dhe ku mendja e gjymtyrët bëheshin bashkë për ta shpëtuar kokën. Thiesht, ky nuk është një rrëfim ku unë dhe komandanti tjetër mund ta marrim epitetin komandantë therrash, sepse duke shpëtuar jetën tonë ne bënim të mundur që substanca ushtarake të mos asgjesohej e tëra, meqë duke u strukur në grupe të vogla ne shpëtonim dhe pastaj rigrupoheshim e rirenditeshim në njesitë ushtarake kur vinin ditë më të qeta.
Epiteti komandant i therrave duhet t’u takojë vetëm atyre komandantëve që pas luftës i kanē harruar ushtarët e tyre, i kanē harruar deshmorët dhe popullin e vuajtur, kanë harruar idealet për liri dhe kanë manipuluar me autoritatin dhe fuqinë që ju ka dhënë roli i luftës për të përfituar pasuri, tituj profesionalë e akademikë dhe poste të pameritiuara duke u bërë kështu pengesë e zhvillimit normal të vendit. Ai që ka zënë vend në Universitet pa pasur as dijet mesatare në profesionin e vet, nuk mund të quhet ndryshe pos komandant i therrave. Ai që ka uzurpuar hapësirën publike, objektet, buzneset… nuk mund të quhet ndryshe pos komandant i therrave. Edhe ai që ka shfrytëzuar privatizimin e egër për të blerë toka ka 5 euro arin dhe i ka shitur nga 5000 e më shumë euro, apo që nuk i ka shitur fare, emrin komandant i therrave e ka. Edhe ai që kërcënon nëpunësit e shtetit të vet pse kanë zbatuar rendin dhe ligjin e ky ka qene subjekt i asaj mase, emrin komandant therrash e ka. Edhe ai që gjuan me revole në oda dhe kur përballet me ligjin, nuk e pranon fajin, por genjen se revolja e tij nuk kishte municion të vërtetë, nuk është komandant i vërtetë. Emrin komandant i therrash e ka. Hiç s’ka rëndësi çfarë roli qëndror ka pasur në luftë.
Dhe në fund, ata që më fyejnë mua në emer të luftës së UÇK-së për shkak se unë kam ironizuar me komandatët e therrave, duhet ta dinë se nuk jam unë, por janë pikërisht komandantët e tillë që i japin imazh të keq UÇK-së. Ju mund të shkruani çfarë të doni, por kurrë nuk mund të gjeni një fakt, apo një deshmi se unë kam kepërdorur një metelik gjatë luftës, as pas lufte, apo që kam kepërdorë rolin tim në luftë në çfarëdo mënyre, Nuk gjeni as fakte që kam dezertuar. Unë kam qenë me popullin dhe ushtrinë deri në maj 1999 kur kam shkuar në Tiranë, jo si dezertor, por si njeriu i vetem që nga vendi i tij ka mundur t’i japë botës deshminë më autentike për masakrat e civilëve shqiptarë. Përrallat për shitje kasete dhe pasurim prej saj, janë krejt shpifje. Unë e di dhe më vjen keq për juve që jeni bërë pjesë, apo keni renë pre e konspiracioneve të tilla, por ato mbesin shpifje dhe nuk e kanë asnjë ndikim në sjelljet dhe veprimet e mia.
Ata që mendojnë sa ma ndaln zerin me shantazhin e shpifjes gabojnē, sepse shantazhet, fyerjet dhe kercenimet vec më kanë forcuar dhe edhe më tutje do të më forcojnë. Është e vërtetë se nuk kam arritur të bëhem deputet dhe këtu një rol të veçantë e kanë pasur shpifjet rreth meje, por zëri im ka qenë dhe mbetet i fuqishēm në publik sa të jem gjallë. Kurrkush nuk ka fuqi me ma ulē zërin dhe madje kurrkush deri sot nuk ka pasur as para përt ta blerë atë. Kurrë nuk i jam vardisur as nuk i vardisem askujt për një post në politikë, apo diplomaci. Sepse, unë jetoj në mbretërinë e së vërtetës dhe vetëm aty e ndjej veten mirë.