ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Në Velika Reka, vendlindjen e Milladin Popovićit 

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Sinan Kastrati, Suedi 

Vazhdon nga numri i djeshëm ”Kujtime në vite e decenie për 1, 3 e 7 shtatorin”, Drini.us, 5 Shtator 2021 

Nga Ditari im (2) 

Për ata që mendojnë se Milladin Popovići, na donte të mirën shqiptarëve, po tregoj një anekdotë të Mujë Loshit:

Unë jam doktor Fusha 

-Ti te koke fushë 1*) 

Mujë Loshi i katundit Padalishtë a kân plak i meqëm. Kur kish pas shkua niherë në spital në Prishtinë, shkonin dhe e shihnin njerëz të ndryshëm, të njohur e të panjohur e një mjek e kish pas pyet Mujjën: 

-Kush je ti që po të vijnë shumë vizitorë?

-Jam Mujë Loshi, pleqnar, po ti, kush je?

-Unë jam doktor … Fusha.

-Faleminderit, nuk ka nevojë mâ shumë me më tregue. E mora vesh që te koke fushë. 

Tre ish nxënës, tre kryetarë komune 

Tre nga ish nxënësit e gjeneratës së parë të gjimnazit të Malishevës, dhe shokë klase, pas vitit 1999, 2021, u zgjodhën kryetarë komune në Malishevë.

Jakup Kastrati, Gani Krasniqi dhe Ragip Begaj, janë tre nga ish nxënësit e gjeneratës së parë të gjimnazit ”Ramiz Sadiku” që u zgjodhën edhe kryetarë komune në Malishevë.

Jakupi nga Turjaka e Zatriqit ishte kryetari i parë i zgjedhur, i dalë nga zgjedhjet e e para të lira, kandidat i LDK-së.

I dyti, në dy mandate, si kryetar komune ishte Gani Krasniqi nga Carralluka, nga PDK-ja, tash në Vetvendosje.

Ragip Begaj, nga Banja e ”Fatmirit”, i ”Nismës” që ende është kryetar, deri në tetor, edhe ky u zgjodh kryetar komune në Malishevë, në dy mandate.

Nuk di, të tre kryetarët, ish gjenerata ime e parë e gjimnazit a i kanë shërbye më shumë partisë dhe shefave të tyre apo popullsisë por pasi që i kisha ”shokë” gjenerate, iu mora lakmi

Të tre kryetarët kishin qenë në përvjetorin e 50-të të gjeneratës së parë. Nuk di a kanë folur a jo edhe kryetarët. Me Jakupin fola dhe ai më tregoi, pasi unë nuk mora pjesë edhe pse qëllova në Kosovë.

Tre ish kryetarët, Jakupi, Ganiu e Ragipi më parë kishin qenë antarë të ”devotshëm” në 5 parti.

Ganiu, pasi ”u pensionua”, u k`thye me e ndihmua “Vetvendosjen” në qendër e Albani, djali i kusheririt më të afërt të Ganiut, Skënder Smajlit, në Malishevë.

Ragipin po e pensionon Fatmiri e Jakupi është largua moti.

Lijeva Reka 

Lijeva Reka ishte një katund i vogël me disa shtëpi afër një lumi e i rrethuar me bjeshkë të larta por çuditërisht të pasura me kullosa e me pemë e me lejthia të buta.

Punoja si puntor krahu, shtroja rrugët me zallë e me asfalt në vendlindjen e M. Popovićit i cili kishte vdekur ”heroikisht” mua afër ”Sheshit Vëllazërim Bashkim”, aty ku dikur punonte Milladini, në katin e dytë. Ajo ndërtesë deri vonë ishte bibliotekë.

Mëngjeseve kur dilnim në punë në Velika Reka, në xhadetë e ngushta sepse malet ishin aq të rrepishme sa nuk kishte mundësi që rruga të zgjerohej më shumë se sa të kalonin dy makina të vogla, ”Zastava 75”, Fiqa. Nga rrugicat që ishin si rruigë dhish, zbrisnin vajzat malazeze me gomarë plot me bylmet, mazë e kos, vezë e pula me i shitur dhe me ato para, blenin krypë e sheqer e ndonjë sheqerkë. Ishin vajza të shëndetshme, baresha të cilat i ndihmonin prindërit në punët e përditshme e jetën e mërzitshme. Në që ishim djem beqarë, unë Behram Syla, Ahmeti, Mehmeti, Vefaja, Naim Avdija, Alushi e Manushi, Rrustemi, Jahiri, Shefiku … iu thonim nga një fjalë në gjuhën shqipe, i ”gjuanim” me fjalë ”dashurije” e ato ndaleshin e na buzëqeshnin. Pritnin më shumë nga ne, por ne ishim të marrshënm por edhe neve ”na shkonte lâng për goje”.  

Ato pushonin një copë herë e pastaj vazhdonin rrugën. E shihnin që s`ka hajr prej neve. Me siguri ato kanë mendua se ne do t`ju shkojmë për mas duke i lutur e qajtur, që të pijm nga ”pije freskuese” apo edhe më shumë? Në Velika Reka nuk kishte kinema as teatër, nuk kishte as pushimore me parqe përveç maleve sa t`sheh syni. Po ne ishim çobanë, shumica dhe nuk dinim çka janë pijet e ”djevojkat” malazeze.Por edhe ne denim çka duam por nuk kishim kohë për dashuriqka. Sa të mira e të sjellshme që ishin ato vajza malsore.  

Edhe ato tash janë plakur e ndoshta, edhe ato nuk i kanë harrua ato takime të shpeshta e ato fjalë të pakta tonat. Ndoshta ato edhe nuk janë martua e kanë mbetur si murge. Po kut ë martoheshin kur s`kishte djem. Edhe ata pakë djem që kishte, iknin në Titograd apo qytete tjera e të ngratat vasha, i kqyrnin pleqt e plakat. 

Velika Reka kishte një shitore me mallra të përzier, një kiosk ku shiteshin gazetat  dhe shkolla fillore që vështirë se klasët kishin më shumë se 6 nxënës. 

Jetën e gjallëronim ne puntorët e krahut nga lokaliteti i Turjakës.

Edhe ata gëzoheshin që Velika Rekës iu kishin shtua disa banorë stinorë.

Pasdrekeve e të dielave dilnim e luanim futboll në oborrin e shkollës që kishte një fushë të vogël. Menxi tuboheshim e 10 ”lojtarë” bashkë  me malazezë, sepse nuk kishte më shumë se 4, djem katundi.

Mbi një kodër të vogël, afër rrugës ishin vendosur dy shatorre të mëdhenj ku flenim.Brenda shatorrit kishte 12 kreveta të hekurt. Ishte një jetë shumë e lezetshme, jetë mali, me ajr të pastër, ujë të ftohtë e ushqim të shishëm që na e pregatiste Pajaziti i Damanekut, një kuzhinier i përkryer.

Poshtë shatorrit jetonte një plakë e vetme në një kasolle hiç më të mirë se të ”Lokës” së Mjedës. Thonin se plaka është e afërt e Milladin Popovićit.

Për Milladinin kisha dëgjua shumë pakë. Dija vetëm se ishte ”hero i popullit” dhe emrin e Milladinit mbanin shkollat e bibliotekat vetëm në Kosovë?

Dhe unë shkoja shpesh te plaka. E përshëndesja e ikja por ajo nuk më ”lshonte dur thatë”. Sa më shpesh që shkoja, aq më shumë më dhimsej plaka e shkretë.

Ishte një plakë e dashur, e urtë. Nuk dallonte nga plakat tona në Kosovë. Edhe ajo mbante një shami të lidhur rreth e rreth fytit. Ndodhte që kur kisha nevojë me ”e kep” këmishën ose më këputej ndonjë pullë, ajo ma kepte këmishën dhe ma ngjitëte pullën.

Edhe plaka, nuk ka mundur të ket fat më mirë se ”Lokja”.

Puna nuk ishte e vështirë dhe më dukej si lojë e fëmijëve. Punonim në grupe të vogla. Shtronin zallë në rrugë, hapnin nga një vijë në skaj të rrugës e pastaj vinin komionat e dajcat me afalt të nxehtë dhe e gjuanin asfaltin grumbuj-grumbuj. Asfaltit me naftë i vinte një erë e këndshme. Ne puntorët duheshim të nguteshim e ta shkepnim asfaltin sa më shpejt se përndryshe ai forcohej prandaj unë Behram Syla, Ahmeti, Mehmeti e Zeqë Brahimi që punonim bashkë e kryenim punën për merak. Zeqa, atherë afro 50 vjet, kishte djalin dhe nipin, Ahmetin e Mehmetin. Ai nuk punonte fare vetëm rrinte ulur në hije e pinte duhan por kur hetonte se po vinte ndonjë shef, ai qohej e punonte sa dy puntorë. Ishte hilegji.

Nuk do të më kujtohej plaka, e afërm e Milladin Popovićit po mos të ishte aktualizua ”vrasja e Milladinit” nga disa nostalgjikë se kush e vrau ”M. Popovićin, Haki Taha, mësues gjakovar apo UDB-a jugosllave?

Disa madje e krahasojnë vrasjen e Milladinit me rastin ”Panda” në Pejë, ku shërbimi i sigurimit serb, vret disa të rinj serbë e i akuzon shqiptarët.

Serbët edhe si popull kanë prirje për këso punë, e gjuajnë gurin dhe e mëshefin dorën. Rasti më i njohur para se të prishej Jugosllavia, ishte montimi i vrasjes së disa ushtarëve në Kazermën e Paraçinit, në Serbi më 3 shtator të vitit 1987, pasi dyshohej se Aziz Kelmendi kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë. Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta dhe u thurën pastaj edhe edhe thash e thëme.

”Versioni zyrtar i eprorëve të Armatës së Jugosllave, i politikës zyrtare dhe i komunistëve të Kosovës, deklaronte se i riu Aziz Kelmendi ishte i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar dhe kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën. Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi Sekret Serb brenda Ushtrisë së Jugosllavisë kishte vrarë vetë katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për të t’ia adresuar ushtarit shqiptar, Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur si qengj të flijimit, si kurban”.

Ajo që mëse shumti më habit, edhe sot pas disa dhjetëra vjetëve është se disa ish ”pena” të ideologjisë komuniste, edhe tash mendojnë se Milladini ishte njeri i drejtë që kishte luftua për barazinë e të gjithëve veçanërisht të shqiptarëve, krahas popujve të ish Jugosllavisë, për barazi sociale e të drejta kombëtare.

Po Milladini, Mugosha, Svetozar Vukmanović Tempo, donin ”barazi” që edhe Shqipërinë ta bëni Republikë të shtatë jugosllave.

Vetëm kjo iu ka mbetut nostalgjikëve të Milladinit që të kemi një shtet ballkanik ”Ballkaniadën” apo tash, ”Ballkanin e hapur” për Serbinë deri në Durrës.

Ata që mendojnë se Milladini na donte, janë mjerana. Është si të thuash ”shtine gjarërin në gji” se nuk të han, kështu është të jetosh në një shtet me serbët.

Familja e Milladinit kishte ardhur në Kosovë si kolonizator, pushtues dhe ishte vendosur në tokat e trojet tona, sikurse shumë malazezë që krali i Serbisë (Mbretëria Serbo- Kroate- Sllovene) kishte kolonizua Kosovën. Vetëm në Katundet Turjakë, Damanek, Qypevë, Bubël e Panorc, kishte vendosur afro 120 shtëpi kolonësh serbo-malazezë, të rrethit të Shkodrës, Pukës e Vrrakës, nxënës të Ndre Mjedës e të Millosh Gjergj Nikollës- Migjenit. Shumë nga ato familje, i njoha edhe unë.Kanë punua deri vonë në vendet më të rëndësishme në qendrat lokale dhe në komunën e Rahovecit, në SPB-në e në Mbrojtjen Popullore, Bogdani, Živa etj. Me disa malazezët kemi qenë, çobanë e jemi ulur në një bankë në shkollë. Me mua ulej Milloradi nga Damaneku. Mësonte shqip se s`kishte mësues serb derisa edhe ata u shpërngulën në Pejë.

Tokat tona, arat, livadhet, malet dhe ato ”komunale” krali iu ka fai kolonizatorëve. Ata, si kolonë përveç shtëpive falas që iu kishte ndërtua shteti, shteti iu ka dhënë nga një penë kie, nga 1 lopë tamli dhe nga 20 copa dele.

Kanë jetua në … Turjakë e Panorc deri në fund të viteve 1960.

Kolonët dhe Milladini, kanë qenë pushtues dhe si të tillë duhet të trajrohen, të thuhet e shkruhet për ta, vetëm si pushtues e jo ndryshe, si internacionalistë e izma tjerë.

1*) Është fushë nga mendtë (nga koka) është i metë nga mendja, ka shumë të meta mendore, është fare budalla.

Vazhdon 

Malmö, 6 shtator 2021 

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Postim në “facebook” nga Ibrahim Kelmendi

    Jevrem JOVOVIĆ:

    KUSH E KA VRA HEROIN MILLADIN POPOVIQI?

    Profesori Martin (Berishaj), … ka informuar: “Shoqata Kulturore Migjeni në Lubjanë, në bashkëpunim me NUK (Narodna in Univerzitetna Knjižnica) në Slloveni, në kuadër të projektit evropian EODOPEN, bëri digjitalizimin e revistës ALTERNATIVA. (…)”

    Në ALTERNATIVA, nr. 3-4, gusht/shtator 1989, Lubjanë, f. 63/65, gjeta shtjellimin historik, biografik, i cili përmban edhe të dhëna për vrasjen e Heroit Milladin Popoviqi (ekziston legjenda se Popoviqët e Malit të Zi janë pinjollë të djalit që e ka lind Nora e Kelmendit, e strehuar në një kishë në Mal të zi, kur është arratis, sepse kishte vra Vuqo Pashën…).
    Studimi qenka nga historiani Jevrem JOVOVIĆ.
    ALTERNATIVA e paska publikuar vetëm variantin origjinal, serbisht, pa e shoqëruar me shqipërim, siç vepronte rëndom.
    Autori Jovoviq jep një detaj interesant:
    Ekipi mjekësor, i cili ka bërë obdukcionet për Milladin Popoviqin dhe mësusesin Haki Taha, ka konstatuar se Haki Taha është vra para Milladin Popoviqit. Kjo e dhënë demanton dezinfomimin që përhapin ca kareca “nacionalist” shqiptar, se gjoja Milladinin e ka vra Haki Haha.
    Ja shqipërimi i këtij studimi historik, i historianit Jevrem Jovoviq (pjesa përmbyllëse):
    (…) Milladin Popoviqi kthehet nga Shqipëria në Kosovë në shtator 1944 dhe e merr udhëheqjen e KK të LKJ. Nga ky moment e deri në vdekje angazhohet për vendosjen e pushtetit popullor, barazisë nacionale, forcimit të autonomisë, si e kishte mësuar J.B.Tito, të cilin e çmonte mbi të gjitha, e Tito të Milladini shihte revolucionarin e vendosur, luftëtarin e patrembur për barazinë e të gjithë popujve e të kombësive të Jugosllavisë. Për këtë shkak Milladini dha propozime vendimtare.
    Milladini shkëlqyeshëm iu kudërvu Aleksandër Rankoviçit e Millovan Gjillasit për ndarjen e Kosovës në tri pjesë. (…)
    Me rastin e ardhjes në Prishtinë në krye të PK të PKJ për Kosovë, Milladinit i është ofruar Elaborati i Vasa Çubrilloviqit: “Çështja e pakicave kombëtare në Jugosllavi”. Ky Elaborat është përpiluar më 3 nëntor 1944 dhe fare pak ndryshon nga ai i vitit 1938, të cilin njëzëri e lejon dhe e tumir qeveria serbe. Milladini, me urdhrin e Titos, këtë elaborat e hedh poshtë, hidhërueshëm e gris dhe ua gjuan përpara Rankoviçit, Gjillasit, Tempos dhe Spasoje Gjakoviqit. Kthehet në Kosovë ku vazhdon punën sipas udhëzimeve të Titos dhe vendimeve të AVOJ-it. Në Kosovë poashtu vie edhe Spasoje Gjakoviqi me detyrë të Sekretarit krahinor për punë të bredshme, atëherë e quajtur OZNA. Në mënyrën se si zhvilloheshin situatat, Milladini gjithënjë e më tepër po bëhej pengesë e kundërshtar ideor i Rankoviçit, S. Vukmiroviqit, S. Gjakoviqit të cilëve iu bashkohet edhe D. Mugosha. Svetozar Vukmanoviq Tempo këtë e vërteton më 1981, në intervistën që i jep gazetarit bullgar në lidhje me librin “Lufta për Ballkanin”. Në pyetjen se çka mendon për Milladin Popoviqin, S. Vukmanoviq Tempo përgjigjet: “Populli krijon mite dhe mirë është nganjëherë ta lëmë që të jetojë me ato mite”?! A i duhet komet i veçatë kësaj?
    Milladin Popoviqi më 13 mars 1945, në orën 10 e 30 minuta është vra në zyrën e vet në KKK. Të njëjtën ditë S. Gjakoviqi e D. Mugosha i dërgojnë telelegram A. Rankoviçit dhe nuk përmendin kurrfarë emri të vrasësit – pëmendet një kamerier por jo edhe emri i tij. Të njëjtën ditë me telegram njoftohet edhe Tirana për vrasjen e M. Popoviqit.
    Rankoviçi, më 14 mars, i dërgon telegram KKK, në të cilin, pos tjerash, njofton që në varrim në emër të KQ të PKJ do të marrin pjesë Milenko Gjuroviq, S. Gjakoviq dhe Dushan Mugosha.
    Më 15 mars sërish i dërgohet telegram A. Rankoviçit. As ditën e tretë nuk përmendet asnjë emër vrasësi. Theksohet që “janë arrestuar disa persona të dyshimtë, në mes tyre edhe një zëvendëskomandant i regjionit”. As me këtë rast nuk përmendet emri i Haki Tahës, për të cilin S. Gjakoviqi, pas 40 vjetësh, thotë se është vrasës i M. Popoviqit. Mësuesi Haki Taha ëhtë vrarë në të njëjtën ditë(?) Obdukcioni vërteton se është vrarë përpara M. Popoviqit. Përse nuk përmendej emri i Haki Tahës në telegram? Përse S. Gjakoviqi e D. Mugosha komunikojnë vetëm me Rankoviçin? Përse babai e nëna e Milladinit nuk lejuan që S. Gjakoviqi e D. Mugosha të merrnin pjesë në varrim?
    Përcjellja e kufomës së Milladin Popoviqit ka qenë madhesshtore! Dukej se krejt populli i Kosovës ka ardhur ta përcjellë birin e vet më të madh e më të dashur. Kishte shumë folës, por fjalimi më i prekshëm ishte fjalmi lamtumirës i një pioneri të nacionalitetit shqiptar, i cili tha, si thekson “Jedinstvo”: “Armiku nuk e qëlloi atë që dëshiroi, e vrau trupin e ri të Milladin Popoviqit, por mbeti vepra e tij madhështore të cilën populli me besnikëri do ta kultivojë.”
    Në pika të shkurta u dha veprimtaria revoluconare dhe qëndrimi e Milladin Popoviqit mbi çështjen nacionale dhe pozitën e Kosovës, që më lehtë të vihet të konkluzioni se kush kishte motiv për likuidimin fizik të tij. Të vërtetën për vrasjen e Milladin Popoviqit më së miri e di Spasoje Gjakoviqi, sikur që e di se nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar deri më tani për këtë krim.
    ***
    Po e përsëris: për të huajt që janë martirizuar për çështjen e shqiptarëve, kam respekt ekstra!

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu