ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Një libër interesant për historinë e Kosovës nga Ibrahim Osmani Kelmendi

Shkrime relevante

Raketat e SHBA mund të ndryshojnë tablonë e luftës në Ukrainë: “Mundësi më të mëdha”

Emma Fondenes Øvrebø Marius Medby Ane Mørk Holsen Oliver Bellinder VG Humbje...

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Shpërndaj

Profesor Ibrahim Osmani Kelmendi (1916-1979)

(Mbajtës i Urdhërit të Skënderbeut)

Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë

Ibrahim Osmani (Kelmendi) ka qenë koleg, bashkëluftëtar dhe bashkëmërgimtar me tim atë. Në kampet e mërgimtarëve politikë në Greqi ai dhe im atë qendruan më gjatë se të tjerët, pasi nuk pranonin të bëheshin agjentë të shërbimeve të huaja. Ideali i tyre ka qenë gjithnjë “Bashkimi i Kosovës dhe i trojeve të tjera në ish Jugosllavi me shtetin amë- Shqipërinë”. E vetmja mënyrë që të liroheshin nga kampi, ishte, sikurse tregon im atë, të pranonin të shkonin në Gjermaninë Perëndimore dhe t’u bënin thirrje kosovarëve të grumbulluar në një kazermë ushtarake atje që të hidheshin diversantë në Shqipëri. Këtë ide ua sugjeroi atyre i arratisuri politik nga familja e Toptanasve, Ihsani. Kështu vepruan. Por, sapo mbërritën në kazermë, ata bënë të kundërtën: u bënë thirrje kosovarëve që ata kurrësesi të mos pranonin  të hidheshin diversantë në Shqipëri. Jo se ata e pëlqenin regjimin enverist, por se kjo binte ndesh me idealin e tyre. Ky veprim i armiqësoi me oficerët drejtues të kampit në Muenchen, prandaj vendosën të mërgojnë në Australi. Im atë thosh se “e kish humbë rrugën në oborrin e vet” pikërisht prej kësaj. Ndërsa ai vetë, duke ditur se unë isha në duart e regjimit komunist në Shqipëri, nuk e vijoi veprimtarinë politike por u muar me shkencë, Ibrahimi, i cili mbeti beqar, vijoi studimet e tij historike dhe shkroi shumë artikuj politikë, sidomos në fletoren BESA. Ibrahimi ndërroi jetë në Melburn, më 1978.

Ky libër është një përmbledhje e këtyre shkrimeve, që nipi i tij, zoti Feti Shaipi nga Presheva  e botoi para disa vitesh, krahas disa veprave të mirëfillta shkencore në fushën e arkeologjisë.

Është e çuditshme, pse në vitin 1994 kur presidentit të Shqipërisë iu sugjeruan për dekorim disa qindra ish mësues dhe punonjës të tjerë që kanë dhënë ndihmesë në Kosovë, ka munguar emri i historianit dhe luftëtarit të shquar, Ibrahim Kelmendi. Vetëm në korrik 2021 presidenti Ilir Meta e dekoroi atë me Urdhërin e Skënderbeut. Mjerisht, Akademia e Shkencave të cilës i dorëzova disa monografi shkencore të Ibrahimit, i trajtoi ato me mospërfillje. Ibrahim Kelmendi është dekoruar edhe nga presidenca e Kosovës. Një shkollë në vendlindje mban emrin e tij. Piktori Burhan Kaceli na ka dhënë një portret shumë përfaqësues.

Unë po përcjell vetëm disa fragmente nga libri.

Fragmente

  1. 41

Ndjenja e kombësisë në shtetet mesjetare nuk ka ekzisuar. Në Europën Lindore ajo fillon të zgjohet në shekullin 18 dhe ndër shqiptarët më parë se te të tjerët. Përmendim përpjekjet e Bushatllinjëve, të Ali Pashë Tepelenës, qëndresën e malësorëve, të cilët qysh prej mesit të shekullit 16, ishin praktikisht të pavarur dhe osmanëve u paguanin tribute, vetëm kur ishin të shtrënguar. “Në të gjitha shtetet mesjetare-shkruan H.W.Temperly- problem i kombësisë dhe i bashkësisë kuptohej fare pak. Në shtetet ballkanike dihet me siguri se ky problem kuptohej më pak se në çdo vend tjetër”.

f.42

Në fillim të shekullit 19, popullsia e Maqedonisë përbëhej prej shqiptarëve, bullgarëve, grekëve, turqëve, vllehve, pomakëve, hebrejve dhe çerkezëve. Luigi Villari shkruan se :shumica e maqedonasve janë dygjuhësh kur nuk flasin tri, katër, pesë osë dhjetë gjuhë”. “Që në shekullin 9, në Maqedoni popullata përbëhej prej grekëve në bregdet dhe në qytetet e mëdha, sllavëve në pjesët qendrore, ilirëve ose shqiptarëve në perëndim dhe kolonive thrake të latinizuem nëpër malësi. Sllavët ndahen në serbë e bullgarë”.

  1. 43

Deri në shekullin 19, popullata e Maqedonisë ndahej në të krishterë dhe myslimanë. Të krishterët përveç se shqiptarë, e njejtësonin veten me grekë dhe myslimanët, prap përveç shqiptarëve quheshin turq. Ky fakt i pat rënë në sy edhe Lord Byronit dhe diplomatit shkrimtar Pouqueville.

Në pjesën e dytë të shekullit 19, Ekskarkati bullgar, me anë të mësuesve dhe të klerit, serbët me kler dhe para dhe andartët grekë me klerin e Fanarit, filluan me bullgarizue, me serbizue dhe me helenizue të krishterët e Maqedonisë. Në këtë process muarën pjesë edhe komitat bullgarë dhe çetnikët serbë që preknin edhe në krahina shqiptare.. Në vitin 1878 dhe 1879 vullnetarët shqiptarë luftuan kundër këtyre bandave në rrethet e Serezit, të Kosturit, të Prilepit, të Qypërlisë dhe të Manastirit. Në të njëjtën kohë ata luftuan kundër andartëve grekë në Prevezë, në anën e Janinës dhe deri në Sarandë dhe mbrojtën Plavën, Gusinë, Hotin dhe Grudën prej malazezëve.

Serbët janë teokratë, domethënë kombësinë, fenë dhe shtetin i shtien në një thes. Të këtillë janë sot, të këtillë kanë qenë në kohën e Dushanit (1331-1355). Më 1219, Sveti Sava fitoi pavarësinë e kishës së tyre. Prej kësaj kohe, kulti i tij, që quhet Svetosavle, është tregue më i fortë se ai i Krishtit dhe gjithnjë ka ecë barabar me shtetin dhe kombësinë. Dushani pat ba një kod, që është veçse një modifikim barbar i atij të Justinianit. Ky kod fenë katolike e nxjerr në ilegalitet.

M.Rene Ristelhueber thptë “Nën ndikimin e klerit, Dushani dha prova të një ashpërsie të rreptë kundër fesë katolike. Ata që kishin pranue besimin katolik, u dënuan me punë të detyruar në miniera dhe ata që përpiqeshin me e përhapë qenë të kërcënuar me vdekje. Selia e Shenjtë u shqetësua prej këtyre kufizimeve të preme të Dushanit”. Këto kufizime më shumë qëlluan shqiptarët në bregdet, në Zeta dhe në Shqipëri.

Ibrahim Kelmendi portret nga Burhan Kaceli 

Perandoria shumëkombëshe e Dushanit u krijue më 1346 dhe u shkatërrue me vdekjen e tij më 1355.

f.45

Beteja e Maricës më 1371 i shqetësoi të gjithë shtetet dhe pricipatat ballkanike. Spontaneisht për herë të parë në histori, u bashkuan serbët, shqiptarët, bullgarët madje edhe kroatët dhe rumunët për t’i përballë osmanët. Lufta u bë më 15 qershor 1389 dhe në anën e osmanëve luftuan edhe vasalët e krishterë të tyre, në mes të cilëve edhe Krajleviç Marko. Me shtetet ballkanike u bashkuan edhe tatarët, armiq të betuar të osmanëve. Koalicioni u tradhëtua prej ca serbëve në mes të cilëve shquhej Vuk Brankoviçi. Lufta zgjati vetëm një ditë. Aleatët heterogjenë të mundur u shpërndanë kah mundën. Në luftë u vra Knez Llazari i serbëve dhe Sulltan Murati.

Baladat serbe vrasjen ia veshin Millosh Obiliqit, për të cilin nuk dihet nëse ka jetue ndonjëherë dhe këtë kafshatë të përtypur prej të verbëve dhe ulokëve, historianët serbë nuk munguan me e shti në histori dhe artistët e vunë fytyrën e tij donkishoteske në mes të afreskave të kishave dhe të manastireve.

f.46

Për serbët kisha nuk është vetëm faltore por edhe klub kombëtar dhe politik. Ky trashëgim u ka mbetë prej Bizantit dhe është shfaqur në të gjitha fazat e historisë së tyre. Në kohën e Jugosllavisë së Parë, të gjitha komplotet kundër shqiptarëve baheshin nën hijen e saj dhe me pjesëmarrjen e priftërinjëve, të anëtarëve të organizatës së çetnikëve dhe të organizatës s ë ish ushtarëve të Selanikut që quheshin “sullunei”. Të gjithë këta faktorë ishin bërthamë e reaksionit dhe shpirti i luftës kundër shqiptarëve dhe kroatëve.

f.47

Serbët janë adhurues heronjsh. Kur këta mungojnë, serbët i shpikin.

Gjatë shekujve të robërisë, gjeniu i tyre poetik dhe dramatik krijoi një varg këngësh shumë të bukura të cilat i bënë jehonë luftës së Kosovës dhe një vargu heronjsh që kurrë nuk kanë ekzistuar. Këto balada kanë vlerë artistike dhe thuhet se J. Goethe e mësoi serbishten vetëm me i lexue ato në origjinal. Këngët i kushtoheshin Llazarit, të cilin e graduan “Car”, gruas së tij, Milicës, babës dhe nëntë vëllezërve të saj Jugoviç, Milosh Obiliçit dhe Krajleviç Markos, që krejt jetën e tij ka qenë vasal i osmanëve.

Ibrahim Kelmendi 10 tetor 1948

Kur një i huaj i lexon këto këngë dhe pastaj historinë sikur paraqitet në to, pa dyshim kujton se serbët janë vetë histori dhe se popujt e tjerë të Ballkanit historinë e kanë vetëm një thes eshtnash të kalbura e të harruem.

f.48

Historia serbe e Mesjetës është veçse  një baladë e kthyer në prozë. Atë duhet me e lexue me të njëjtin interes sikurse përrallat e Ezopit ose ato të La Fontaine. L. Beer thotë se “për të justifikue lakmitë nacionale të sotme, në shumë raste e kaluemja e vërtetë është shtrëmbëruar. Dhe nganjëherë është krijue një mitikë e artë”. E këtillë ka qenë edhe krijesa serbe e Mesjetës.

f.49

Migrimet shqiptare dhe serbe

Në kohët e vjetra, ilirët kishin prirje të përhapeshin drejt jugut, dmth në Maqedoni dhe në Greqinë e Vjetër. Në kohën e Herodotit ata mbërrinë deri në Delfi dhe në kohën e luftrave të Peloponezit u dukën në Peloponez.

Ata përsëri e mësyen Greqinë në shekullin e parë pas Krishtit, drejt qendrës së saj. L. Villari thotë që në shekullin 9 Maqedonia banohej vetëm prej shqiptarëve, vllehëve dhe grekëve. Prej shekullit 11 deri 14 shqiptarët zbritën sërish në Maqedoni e Greqi, duke zënë fushat e Atikës dhe të Peloponezit, të Thesalisë, të Beotisë.                                              f.51

G.Stadtmueller thotë se në shekullin 4 gjysma e tokës helene ishte shqiptare. Sipas Hahnit , në Argos  dhe në Atikë shqiptarët u bënë bashkëvendas. Atika, Megara, Eubea jugore, Argolis dhe Korinthia , banoheshin vetëm nga shhiptarë. Në ishujt Hydra, Specja, Poros dhe Salamis ata janë aq të përziem me grekë, sa që para kryengritjes greke nuk gjindej grua që të fliste greqisht. Pouqueville thotë se Athina kishte 3000 muhamedanë, po aq grekë dhe 4000 shqiptarë ortodoksë. Atika kishte 15 000 të krishterë, prej të cilëve shumica shqiptarë.

f.53

Serbët nuk I përfillin migrimet e tyre në shekullin 14, duke nënkuptuar se në atë kohë Kosova banohej prej tyre. Ata flasin vetëm për migrimet e shekujve 17 dhe 18. Këtë e bëjnë për të treguar se në këtë kohë Kosova banohej prej tyre. Kjo gënjeshtër përforcohet nga fakti që shqiptarët në këtë kohë myslimanizohen masivisht. Njëkohësisht u bënë dy luftime me osmanët ku morën pjesë serbët, të cilët nga frika u larguan për në Beograd dhe përtej Savës dhe Danubit.

  1. 54

Shkupi në 1689 kishte  60 000 banorë, aq sa Praga.

Ibrahim Kelmendi Australi 1971

Numri i serbëve të shpërngulur, sipas Qoroviçit, ishte 30 000 frymë dhe jo familje.

f.58

Sipas osmanëve, tokat shqiptare në shekullin 15 përfshinin Zetën deri në Kotor. Në kohën e Austrisë rrethi i Kotorit ende quhej Shqipni. (deri në Kongresin e Berlinit). Osmanët quanin Shqipni të gjitha krahinat në jug të Bosnjes dhe një pjesë të Maqedonisë Lindore.

  1. 60

Është interesante  se kur shqiptarët luftonin kundër osmanëve, “serbët iknin me mija”. Më 1689, shqiptarët luftuan në Kosovë dhe serbët, jo më pak se 30000, mbërritën përtej Danubit. Kësaj radhe luftuan Kuçët, Piperët, Kelmendasit dhe ca fise të tjera shhiptare dhe prapë serbët e shkretë I kthehen mërgimit! Derisa sa serbët e Kosovës e të Malit të Zi nuk luftonin, atëherë del se “migrimi i madh” përbëhej prej dhjetra shërbëtorësh që punonin groshët dhe kujdeseshin për derrat në kopshtin e madh të kishës së Deçanit.

f.62

Prej pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftrat e 1689 dhe 1736-1739, del se në këtë kohë Kosova dhe Dukagjini jo vetëm që kishte shqiptarë por ata ishin shumicë.

f.63

Me Kongresin e Berlinit Serbia okupoi Leskovcin, Kurshumlinë, Prokupljen dhe Vranjen. Përzuri 100 000 shqiptarë që u dyndën në Kosovë. Në këtë det shqiptar serbët mbetën pakicë e vogël. Gjakova, Ferizaj, Podujeva, Skënderaj dhe Istoku nuk kishin serbë, as për afrë. Shumë përpara Kongresit të Berlinit, fusha de Moravës, ndërmjet Preshevës dhe Bujanovcit, kishte vetëm disa familje bullgare. Në Kaçanik as nuk ka fare sllavë.

Malsitë e Kosovës kanë qenë gjithnjë veç me shqiptarë.

Ibrahim Kelmendi Maj 1951

Fisit të Kelmensdit i përket edhe shtëpia princërore Albani, që mërgoi në Romë në shekullin 16. Kjo shtëpi i dha botës katër kardinalë dhe Papën  Klement 11. Artit i dha vilën e famshme Albani, që u përjetësua nga Winchmann, vepra antike të saj zbukurojnë sot muzetë e Europës.

f.65

H.Hecquard gjen në Tivar 2700 myslimanë shqiptarë, 850 katolikë shqiptarë dhe 150 ordodoksë (shqiptarë, malzazezë ose grekë). Në Plavë 3500 banorë nga të cilët dy të tretat myslimanë dhe një e treta ordodoksë  serbë. Në Guci 4000 banorë, nga të cilët vetëm 50 familje serbe ortodokse.

f.65

Popullsia myslimane e Sanxhakut me origjinë, zakone, traditë dhe pjesërisht me gjuhë është shqiptare. Sllavizimi i gjuhës shqipe në këto anë ka ndodhë pas vitit 1878, kur ranë nën Austri. Atëhere ata nisën të orientohen drejt Bosnjes si për arsim e tregti, ashtu edhe me martesa.

  1. 69

Fantazia e pakufi e serbëve

  1. S. Milojeviç shkruan:

Migrimi i parë I serbëve është shkaktuar prej kinezëve mr te cilët ata luftuan 3000- 4000 vjet, më në fund kinezët i shtynë në Siberi. Prej Siberisë ata u shtrinë rreth Detit Kaspik, Detit Azov dhe Detit të Zi dhe pjesërisht në Armeni, Rusi, Gjermani, Francë, Belgjikë dhe Suedi. Një tjetër grup shkoi në Anadoll, në Austri, në Ballkan dhe Itali.

(Odlonci Istorije Serba, Beograd, 1872, f.4)

Siam Lukiç shkruante:

Ne ishim populli më i madh në Tokë dhe kombi më i fortë në botë. Ne plehruam të gjitha shtetet e Europës, Azinë dhe Afrikën..Ne ndërtuam kullat e Babilonit, ne qemë kombi nga i cili doli Krishti..

(Srbi u Davnini, Zagreb, 1894, f. 232)

f.73

Në verën 1912, Perandoria Osmane u shtrëngua të bënte një Traktat me shqiptarët duke u siguruar atyre një autonomi të gjerë nën perandorinë. Ajo që i shqetësoi shtetet ballkanike ishte përkufizimi I Shqipërisë: ajo do përmblidhte katër vilajetet, të Shkodrës, të Janinës, të Manastirit dhe të Kosovës.

  1. 75

Në Kosovë, në Metohi dhe në Maqedoninë Perëndimore ushtarët dhe çetnikët serbë kryen krime që Europa nuk i kishte parë që nga koha e Hunëve, Avarëve dhe Xhingiz- Khanit.

Beogradi, deri në Kongresin e Berlinit, ka pasë 217 xhami, tani ka mbetë vetëm një. Osmanët për 500 vjet nuk prishën asnjë kishë.

f.113

Beteja e 19 shtatorit ditën e Bajramit

Ende pa fillue lufta e përgjakshme, një kolonë e gjatë partizane, hajnisht, rrëshqiti përmbi hekurudhë në mes Bukurocës dhe Caralicës dhe, duke I lënë prapa livadhet u fsheh nëpër ca kallamishta. Detyra e saj ishte me i zënë kodrat e Preshevës dhe duke hapë një front të dytë prapa vijave tona, t’ua lehtësonte barrën brigadave të tjera për të vënë dorë mbu udhën e hekurit dhe mbi ndërtesat e Monopolit të Duhanit. Po t’ia arrinte këtij qëllimi, jo vetëm që Presheva  dhe Karadaku do binin brenda javës  por edhe do shndërroheshin në një kryeurë të fuqishme për të sulmuar Fushën e Moravës dhe Kosovën.

Nata ishte e errët, me shi dhe të ftohtë. Partizanët, nga frika se do binin në sy të grupeve shqiptare që vijimisht patrullonin përgjatë hekurudhës, për tri orë qendruan barkas nëpër kallamishtat e smollnicës së zezë. Kështu dështuan me dalë përmbi qytet dhe, ndonëse fronti ishte më pak se dy kilometra, nuk morën pjesë në luftë, duke menduar se plumbat e tyre do t’u sillnin më shumë dëm se dobi brigadave partizane që sulmonin në hekurushë.

Kur tanët sulmuan në Zhunicë, në Stacion, në Ҫukarkë e gjetkë dhe kur brigadat në panik nisën të tërhiqen në tërë vijën e frontit, këta të smollnicës, vendosën me u tërheqë drejt kodrave. Ide e mirë por e vonshme. Drita i zuri përmbi Rahovicë dhe plakat e katundit i shikonin se si përplaseshin si të pakrye në Përroin e Kishës. Pas pak lufta u bart te kodrat e Ҫavardarëve, te Golemi Dollit, te Gjerajvet, te Lerani, te Bratosella, deri afër Bilaçit, ku ndodhej shtabi I tyre. Duke parë këtë tragjikomedi të brigadave të tjera disa kokënxehtë të Përroit të Kishës i zbrazën dy-tri mortaja në kopshtet e Rahovicës dhe kjo qe thirrja e parë e vdekjes.

Në Përroin e Kishës vetëm dy mendime ua torturonin mendjen:

Me e sulmue fushën apo me u ra kodrave për të dalë në malësi. Në rastin e parë do ndesheshin me vullnetarët tanë që ktheheshin prej xhadesë dhe në të dytin do hynin në detin e vogël shqiptar, që quhet Karadak. E dinin fort mirë se në të dy rastet asgjësimi i tyre ishte I pashmangëshëm. Nga kjo agoni mendimesh i nxorën pushkët e Rakip Kurbalisë dhe ato të grupeve të tjera që vinin prej vreshtave të Preshevës.

Kundërshtimi i tyre qe I rreptë por, duke mos u shoqëruar me ndonjë lëvizje, i ngjante “marshit në vend numëro”. Mallkonin me gjithë shpirt rastin që i kishte shpënë drejt varrit.

Për mijëra shqiptarë, pushkët e Përroit të Kishës ishin vetëm një kushtrim, se armiku ndodhej mbi Rahovicë dhe vetëm 2.5 km larg Preshevës.

Partizanët u thyen në frontin e mëngjesit dhe, të bërë “pikë e pesë” nuk meritonin kujdes të madh, prandaj shumica e vullnetarëve tanë e kapërcyen hekurudhën dhe iu veshën kodrave të Rahovicës, të Shoshajës, të Caralicës dhe të Raincës dhe prej bjeshkës arritën fuqi të reja të Karadakut. Partizanët e kuptuan se Përroi i Kishës do bëhej varri i tyre. Të rrahur nga tri anët, ata vendosën me ecë drejt Përroit të Raincës, gryka e të cilit del në hekurudhë dhe pasi ta kalonin xhadenë, do dilnin në kodrat e tyre, në afërsi të Bilaçit. Duke shkuar anëve dhe kurrizit të kodrave, prapa çdo ferre, çube dhe guri ata ndeshnin në shiptarë, pushkët e të cilëve as gënjeheshin, as shtinin bosh. Para se të mbërrinin në hyrjen e përroit, u asgjësua më shumë se dy të tretat e tyre. Tepricën e mblodhi Përroi i Raincës, i cili, diku përmbi katund, qe zënë prej Ajet Raincës me shokë. Pas një përleshjeje të re në mes të dy brigjeve, e kuptuan se edhe kjo shpresë ishte e kotë, prandaj i flakën pushkët për toke dhe ngritën duart për dorëzim.

Kështu përfundoi Beteja e Bajramit që nisi në orën një të mesnatës në një front prej 35 kilometrash. Thuhet se ajo brigadë ka pasë 500 partizanë.

Robërit, gjithsej 117 vetë, i shpunë në Preshevë. Në mes tyre shumë femra dhe të plagosur të dy sekseve. Pas tri ditësh femrat u lanë të lira. Ushqimi për robërit ishte njësoj si për vullnetarët. U lejuan serbët vendas të sillnin ushqime dhe veshje, shtroja dhe mbuloja. Presheva nuk kishte doktor por për dy ditë ndihmoi doktori veterinar Spiro nga  Korça. Në fillim i mjekonin të plagosurit partizanë pastaj vullnetarët! Kjo la përshtypje të mirë ndër shqiptarët dhe serbë. Me materialin sanitar që la Spiro, një infermiere, Sofia, myslimane nga Bosnia, i mjekoi për 11 javë rresht të plagosurit. Mjerisht, kur hynë partizanët në Preshevë, të parën e pushkatuan Sofien!

  1. 139

Tradhëtia e partizanëve të Shqipërisë

Partizanët e Shqipërisë zbritën në dy krahë: prej Peshkopisë dhe prej Malësisë së Gjakovës.

Të parët, që komandoheshin prej Aqif Lleshit, pushtuan Dibrën e Madhe, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën. Me rrena, fatkeqësisht në gjuhën shqipe, në të gjitha këto krahina ata i çarmatosën shqiptarët dhe pastaj ua dorëzuan shokëve të tyre maqedonas. Këta mandej i grumbulluan nëpër burgje dhe u lëshuan në gjenocide. Hysen Ajet Bresti, i cili qe burgosë në Tetovë, më ka thënë se vetëm në këtë qendër mund të jenë pushkatuar rreth 4000 veta.

Vetëm një javë para se të kryhej ky krim, Aqif Lleshi me krejt kopenë e tij qe tërheqë në Shkup. Thuhej se shtabin e qelbët të tij  e pat kurdisë në hotelin Maqedonia, që është ekuivalent i hotelit Dajti në Tiranë.

Këshilltari i Aqiftit, një farë Nexhat Agolli, nuk vonoi me u bë ministër i punëve sociale dhe nënkryeministër në qeverinë e Llazar Kolishevskit. Salltanati i tij në Shkup mbaroi menjëherë pasi u shua rezistenca e armatosur e kosovarëve. Një ditë, shokun Llazar e akuzuan për shqiptaromadhi, sigurisht padrejtësisht, pasi Nexhati i shkretë nuk ishte as shqiptar i vogël. Dhe sot, i shkarkuem nga brengat e Maqedonisë, me qetësi ai pushon në burg. Spiunët nuk meritojnë pushim më të mirë!

Grupi i dytë, I komanduar prej një cezari tjetër që quhej Shefqet Peçi, me një thes kërcënimesh e gënjeshtrash, madhnisht hyri në Gjakovë, në Prizren dhe në Pejë.. Bisht pas rrjepacakëve të tij erdhën serbët e Fadil Hoxhës dhe shkiet e Malit të Zi.

Partizanët e Shqipërisë qendruan në Kosovë gati dy vjet e gjysëm. Gjatë kësaj kohe ata u morën me këto punë: shumë kosovarëve u mbushën mendjen se lufta kundër Jugosllavisë është në dëmin e Kosovës. Me plot mendje ata gërvalleshin se Tirana është Beograd dhe Beogradi –Tiranë. Në rastin e parë nuk mund të them se ata genjenin, pasi Tirana sundohej prej përfaqësusve të Titos. Digjshin shtëpi, vritnin njerëz “të këqij” dhe, si langoj, ngjiteshin maleve për t’i ndjekë çetat kosovare të cilat luftonin  për një qëllim: Kosovën me bashkue me Shqipërinë.

Megjithatë edhe sot ka kosovarë të cilët në “buona fide” besojnë se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të cilët brenda 15 vjetëve të fundit tri herë kanë ndërrue kombësi, me të vërtetë janë duke u inatosë me Jugosllavinë për shkak të Kosovës. Unë ndjej keqardhje të madhe për të rinjtë kosovarë që lejohen të gënjehen prej komunistave të Tiranës, të cilët duhen quajtur vetëm aventurierë dhe njerëz të këqij në kuptim e plotë të fjalës.

Edhe pasi ranë qytetet dhe fushat në duart e armiqve të ndryshëm, kosovarët nuk e humbën shpresën. Kush e di sa mijëra të rinj e pleq dolën në mal për ta vazhduar qëndresën. Mirëpo për arsye kuadrosh dhe organizatorësh, pas pak ditëve shumica e kësaj morie u kthye në shtëpi. Kësaj shkapërderdhjeje i shërbyen edhe shumë kaporeanë: Mulla Jusuf Kaçaniku, Hamdi Pozhorani, Ramiz Cernica, Adem Stançiqi, Abdyl Durra, Hoxhë Niseci e të tjerë, të cilët dhanë ndihmesë për formimin e brigadës së shtatë me ma shumë se 17000 kosovarë, nën komandën e Shaban Haxhisë, të Qamil Brovinës etj. Prapa kaporeonave gjendeshin zabitllarët e Tiranës dhe Fadil Hoxha me shokë.

f.142

Shtabi i partizanëve të Shqipërisë në Shkup e Prizren

Pa luftës në Muçibabë, partizanët (jugosllavë) pushkatojnë qindra njerëz në katundet: Kurbali, Ilincë, Maxherë, Depce, Lipovicë, Sefer, Lezhali, Gruhali, Muçibabë, Qorraj, Kokaj, Zhegër, Sllubicë, etj. Në Gruhali asnjë mashkull i rritur nuk i shpëtoi plumbit përveç xha Xhymës, i cili edhe më 1912 pat qenë i vetmi që pat shpëtuar pa u vra. Për të ndihmuar lexuesit për me kuptue politikën antishqiptare të serbëve në një kohë kur Tirana e kuqe vëllazërohej me ta,, do përshkruaj vetëm një masakrim, ushtimën e të cilit e kam dëgjuar vetë.

Me 4 shkurt (1945), në mbrëmje, unë me tre shokë ishim në mes llugash fieri, në një qoshe të një zabeli të vogël brenda katundit Isauk. Nata ishte mjaft e ftohtë dhe me hënë, por e qetë prej shiut dhe borës. Zjarret e partizanëve shiheshin majë kodrave dhe pushkët e tyre vlonin në çdo anë. Por në Isauk ato ishin të komanduara dhe krisnin me interval. Në mëngjes pushuan dhe, pasi lindi dielli, u zevëndësuan me këngë e vallë serbo-maqedonase. “Festa” mbaroi me himnin pansllav “Hej slloveni”.

Mësova se historia e plotoneve me interval dhe e këngëve kishte qenë kjo:

Në dy shtëpi të veçanta të katundit Isaukë partizanët kishin grumbulluar një numër të madh shqiptarësh të Karadakut. Para shtëpive kishin gërmuar dy gropa të mëdha, sigurisht me duart e të burgosurve. Pas mbrëmjes, nxorën grupe të burgosurish prej atyre shtëpive, që i masakronin në mënyrën që vetëm serbët e dinë, pastaj i përmbysnin me batare nëpër gropa. Kjo “gosti” mbaroi  në mëngjes me këngë e valle dhe me himnin “Hej slloveni”. (himn i Jugosllavisë revolucionare). Mendohet të kenë qenë rreth 100 të pushkatuar.

Mijëra shqiptarë të tjerë i çuan në Preshevë dhe në Gjilan. Madje lëvdoheshin se kishin sjellë 800 “romë” qeleshebardhë. Këta I bashkuan me qindra të tjerë të katundeve të Moravicës dhe të qytetit në godinat pa tavan të Monopolit të Duhanit. Në Preshëvë organizuan një valle tjetër masakrimesh dhe pushkatimesh dhe,  kur u mërzitën, i nisën grupe- grupe këmbëzbathë për në Kumanovë dhe Vranjë. Udhës kanë pushkatuar 100 vetë. Në burgjet e Vranjës dhe të Kumanovës, shumicën e këtyre të mjerëve i mbytëm me dru.

Në Gjilan pushkatuan më shumë. Nga burgu i Gjilanit nxirrnin çdo mbrëmje 40-50 vetë dhe i vrisnin jashtë qytetit. Një mbrëmje, madje, nxorën 140 vetë.

Të gjitha këto krime serbët i kanë bërë kur npartizanët e Shqipërisë i kishin shtabet e tyre në Shkup dhe Prizren.

210

Komunistët grekë vrasin shqiptarët në Jera Petra

Në mbarim t 1945 dhe gjatë vitit 1947 më shumë se 300 luftëtarë kosovarë qenë tërheqë në Greqi. Në kampet e Pireut dhe të Syros këta qenë takue me emigrantë shqiptarë, bullgarë, serbë dhe kroatë. Numri i emigrantëve politikë në Greqi atë kohë I kalonte 1000. Shumica ishin shqiptarë.

Në mesin e 1946 shumica e tyre qe dërgue në ishullin e Kretës me punue ndër katundarë. Por komunistët grekë nuk rrinin urtë. Policia greke nuk merakosej.

Në katundin Jera Petra ndodheshin 28 kosovarë në katin e dytë të një shtëpie të braktisur, ku në katin e parë kishte plehra kimike. Shtëpia kishte konstruksion të fortë, dyer dhe dritare të mbyllura mirë. Me 9 maj 1947 në katër të mëngjesit, në Jera Petra zbriti një kolonë e gjatë komunistësh, ku shumica rrethoi shtëpinë në fjalë. Nisën ta qëllojnë atë me gurë. Shqiptarët iu përgjigjen me gaveta, tulla dhe gurë. Komunistët i futën zjarrin nitrateve. Dueli ndërmjet mitralozave, gurëve dhe tullave vazhdoi deri sa kati i dytë u mbush me tym dhe flaka i mbëhtolli të katër anët e shtëpisë. Shumica e shqiptarëve kërceu në  në taracat e komshijve dhe në oborret e tyre.

Zejnel Mehmeti ia rrëmbeu pushkën një komunisti dhe shkëmbeu  një plumb me një tjetër. Që të dy ranë  përdhe. Përfundimi i përleshjes qe ky:

Rexhep Gashi, Xhem Matoshi dhe Ymer Sokoli u dogjën në shtëpi

Zejnel Mehmeti, Halil Idrizi, Jonuz Bajraktari, Osman Sinani, Latif Kuqi, Qerim Hajdari, Idriz Sollovo dhe Riza Matoshi ( I vëllai i Xhemë Matoshit) u vranë në vend.

Nazif Vata, Istref Selmani, Hajriz Murati dhe Nazif Varoshi morën plagë por më vonë u shëruan në spital

Shpëtuan vetëm dhjetë vetë pa ndonjë dëm të madh: Fek Sejda, Mustaf Bajraktari, Ramush Berisha, Bajram Zenuni,Kadri Zenuni, Haki Halili (I biri I Halil Idrizit). Isqak Ahmeti, Bajram Sinani, Hidajet Arifi dhe Ahmet Uka.

Një Shaban prej Prishtine qe masakrue në një vend tjetër dhe dy kroatë të fesë myslimane prej Sarajeve.

Kështu u shpreh lufta ideologjike e komunistëve të Kretës

  1. 213

Klika Hoxha- Shehu nuk është për Kosovën shqiptare

Qeveritë e Shqipërisë para vitit 1924 kishin me përballue halle si vobegtsia pakufi, grindje të brendëshme dhe luftime me serbët, grekët e italianët, të cilët synonin zhdukjen e tokave të saja. Megjithatë ato kurrë nuk munguan në Konferencat e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve me ngitë zërin për Kosovën e persekutuar dhe për kthimin e Kosovës Shqipërisë.

Qeveritarët e sotëm në Shqipëri kanë ardhë vetëm në sajë të antikosovarizmës që kishin. Përndryshe nuk do të përkraheshin prej serbëve dhe prandaj edhe vëllavrasja ndoshta nuk do ndodhte.

Në vitin 1939 Mustafa Gjinishi më thosh në Shkup se Shqipëria mund të lirohet vetëm me ndihmën e sllavëve. Më vonë ai u bë ndër prijsit e nacional-çlirimtares në Shqipëri e cila frymëzohej dhe organizohej nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Djallëzia e këtyre dy serbëve dinakë e ngacmoi ndërgjegjen e Mustafa Gjinishit. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu u frikësuan nga ky personalitete çam, prandaj i dhanë dy plumba shokut pas një ferre.

Hoxha dërgoi brigada në Kosovë për t’i luftue kosovarët që kundërshtonin serbët që të bashkoheshin me Shqipërinë.

Pasi u pushtue Kosova, 120 e më shumë kosovarë dualën në Shqipëri për t’i shpëtue rrezikut. Hoxha pa mëdyshje ua dorëzoi ata serbëve për pushkatim. Megjithëse ai e dinte se mijëra shqiptarë pushkatoheshin në Gjilan, në Karadak, në Preshevë, në Shkup, në Kumanovë, në Tetovë, në Prishtinë, në Pejë, në Vuçiternë, e gjetkë.

Kosovarët qenë strehue në Shqipni edhe pas Luftës së Parë Botërore dhe Beogradi kërkonte riatdhesimin e tyre. Por Tirana e atëhershme jo vetëm që nuk I dorëzoi por u dha dhe ndihma dhe ngrohtësi vëllazërore, me aq sa mundi. Mbajti në këmbë një Komitet Kosovar dhe shtypin e tij që ngjallte shpresë.

Në pranverë 1945  serbomalazeztë shoqëruan 1500 kosovarë (janë disa kolona me shumë mijëra shqiptarë-shënimi im) për në Mal të Zi duke kaluar nëpër Shqipëri, në Kukës e Shkodër. Rrugës vranë qindra prej tyre. Në shenjë solidariteti me sllavët, qeveria e Tiranës  organizoi një demonstratë në Shkodër kundër këtyre kosovarëve të shkretë ku u dëgjuan parrullat “reaksionarë, të shitur, fashistë, në litar, në plumb”. Një ose dy ditë më vonë, kolona e lodhur dhe e përbuzur, e përgjakur mbërriti në Ulqin (në Tivar- shënimi im) ku u provokua një incident dhe mitralozët malazezë grinë mijëra djelmosha shqiptarë.

Në asnjë libër të botuar në Shqipëri nuk shkruhet për Kosovën, etnografinë, gjeografine, historinë e saj.

Hoxha dhe Shehu kanë organizuar demonstrata për paqen sovjetike, për Korenë, Kongon e Patris Lumumbës dhe asnjë në favor të Kosovës dhe kosovarëve që vuajnë nën regjimin jugosllav.

Në OKB ata gjithmonë  kanë votuar për popujt e Azisë, Afrikës dhe ishujve të Pacifikut, të cilët dhe mund të mos e dinë se ku ndodhen, por asnjë zë për Kosovën.

Fund

Konspektoi Bardhyl Selimi,Tiranë, më 7 shtator 2021

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu