Nga: Bajram Sefaj, Prishtinë
Rilexime nostalgjike
Angjelin Prelocaj: “… alfabeti im janë balerinët. Me ata, unë duhet të vizatoj elipset, figurat, të shpreh idetë e mia, ekzaltimet, frikën time, gjithçka…!”.
Koreografi me origjinë shqiptare. Angjelin Prelocaj është faqebardhë. Me punën e tij shumëvjeçare, më së pari si balerin, gjithandej nëpër Francë e kryesisht, në Paris, e pastaj, më vonë, si koreograf, ia zbardhi fytyrën edhe kombit shqiptar, bir i të cilit është. E, që është bir shqipeje, këtë jo vetëm që (e thotë dhe e pohon kudo e në çdo rast), por edhe dendur e fuqizon dhe e nënvizon. Kur para dy-tre vjetësh, për herë të parë kishte vizituar Shqipërinë, atdheun e tij, ai kishte gjetur Vermoshin, fshatin e babait të tij. Të gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tij. Kishte gjetur aty shtëpinë e tyre të vjetër. Dhe, nga ajo vizitë kishte “lindur” ky rrëfim që, fill pas kthimit nga atje e kishin shënuar gazetat!
“Në atë shtëpi gjeta njerëzit e familjes sime, motra e gjyshe të nënës sime. Ish plaka të vjetra me portrete të jashtëzakonshme. Kur më quan tek njëra nga ato, që rrinte në një cep dhome, ajo më pyeti: – A je ti Angjelin?
– Po i thash!
– Tani muj me dekë, – i kishte thënë plaka…
E, pikërisht në atë shtëpi, kur kishte ngritur kokën, kishte vënë re në mur se ishte ngjitur fotografia e vajzës time të sapolindur. “U habita. Si vallë kishte ardhur kaq shpejt fotografia e gocës sime deri në këto shkrepa?”. (Ilyria, 25-26 gusht, 1995).
(Ad literam riprodhoj këtë kallëzim të shkurtër të Angjelin Prelocajt, nga se e gjeta efikas dhe tejet emocional. Sigurisht se pajtohemi!
Ndryshe, shkas i drejtpërdrejtë për të vënë në radhë këtë shënim (të shtatin, kushtuar Angjelin Prelocajt, është suksesi i tij i jashtëzakonshëm, madje, në dy festivale paralele, gjatë verës së kaluar, në Francë. Që të dy ato festivale janë të mëdha dhe kanë traditë të gjatë. I pari është festival veror në Avinion; i dyti, në Aix-en Provenoc. Festivali i parë është i lashtë, ka madje 51 vjet (verë që zhvillohet në qytetin e Avignionit; i dyti, festivali në Aix-en Provence, kur është më i ri dhe ka vetëm 20 vjet (verë), por në rrugën më të sigurtë të ndërtimit të traditës më të mirë. Dhe, këtë, sikurse konstaton gazeta e ditës “Le Monde” e Parisit, pikërisht në saje të angazhimit të koreografit me origjinë shqiptare, Angjelin Prelocajt!
(…)
Koreografi Prelocaj jo vetëm që ishte pjesëmarrës aktiv në këto dy festivale me renome, por edhe më shumë: ai ishte ngadhënjyes në to! Spektaklin e baletit tij me titull: “Peizazhi pas betejës” (Paysage aprres la batalle”), një kritik i ri (fort i njohur rus), me emrin Galeb Sitkovski, në vështrimin e tij përmbyllës botuar në faqen e 28-të të gazetës ditore pariziane “Liberation”, ndër të tjera thotë se baleti i Angjelin Prelocajt ishte njëra nga katër shfaqjet, përgjithësisht më të suksesshme në Avignionin e kësaj vere.
Këto dy, pos shumë sukseseve të tjera, për të cilat gjerë e gjatë shkroi edhe gazeta “Tribune de Geneve” e Gjenevës (shkrim ky të cilin, të përkthyer shqip, e publikoi Rilindja), ishin edhe një dëshmi e re për rrugën plot suksese, lavdërime dhe afirmime të koreografit me origjinë shqiptare, të cilin e shquajnë morali, fjala e dhënë, serioziteti, pjekuria, maturia e, para se gjithash, talenti i jashtëzakonshëm, që u manifestua njëlloj edhe kur ishte balerin edhe tash kur është koreograf, “lexues i denjë i alfabetit të tyre”.
Me punën e tij të palodhur, Angjelin Prelocaj verën e freskon, kurse acerin e dimrit e zbut, e zvogëlon! Prandaj, të gjitha festivalet veriore, por edhe platformat e sallave me të njohura, skaj më skaj të botës, janë përherë, gjithmonë, të hapura për Angjelin Prelocaj. Ato hapën para talentit tij të për kostestueshëm. Urojmë andaj që kjo dhe shumë e shumë vera të tjera të jenë edhe shusmë më të suksesshme për koreografin tonë Angjelin.
(Bota sot, 1 gusht 1998)
Legjenda: Shkrimtari ynë me famë botërore, Ismail Kadare, në një libër(th) të tij, në mënyrë origjinale dhe, po aq gjeniale dhe me të drejtë, Angjelin Prelocajn e pagëzoi si kushëri të engjëjve!