Zarije Zenuni
Lufta më e fundit (1998-1999) për çlirim në Kosovë, kurorëzoi përpjekjet 87 vjeçare të bashkëatdhetarëve tanë atje për ta hequr qafe zgjedhën serbe. Ajo u kushtoi jetën mijëra djemve dhe vajzave sypatrëmbura, që jetonin jo vetëm në vendlindje, por edhe në mërgatë. Vetëm nga Zvicra mike, me sa di unë, janë mbi 60 dëshmorë. Këtu në Tiranë i kam përcjellë përmes ekranit të televizionit ato skena prekëse të ardhjes së qindra vullnetarëve të lirisë nga mërgata, në Europë dhe Amerikë. Ndër to ishin edhe vajza 16 vjeçare, që u shkëputën nga shkolla, nga studimet apo nga jeta e sigurtë në vendet mikpritëse, duke vënë kryet në rrezik për Kosovën martire. Edhe djali im i vogël, Indriti, pasi kish dhënë 150 mijë lireta për fondin “Vendlindja thërret”, ishte i gatshëm ta bënte këtë nga Perugia e Italisë, ku studionte atë kohë. Ishte një kohë heroike, kur “kazani i luftës’ po ziente.
Më kujtohet edhe im atë, gjatë vizitës së tij të dytë në Tiranë, në 1994, u thoshte djelmoshave kosovarë, që vinin ta takonin tek unë, që lufta guerilje është, hë për hë, zgjidhja më e drejtë, në mënyrë që pushtuesi serb mos të ndihet i pashqetësuar kurrë në truallin, e huaj për të. Por bashkëatdhetarët tanë zhvilluan jo vetëm luftë guerilje, ata u organizuan në formacione të mirëfillta ushtarake, ndonëse jo të papenguar edhe në shtetin amë, ku politika e brendëshme dhe ajo ndërkombëtare ndërhynte mjaft.
Sapo përfundova se lexuari një liber, paksa të veçantë: një grua nga fshatrat e Kaçanikut legjendar tregon për të shoqin dëshmor. Është fjala për zonjën Zarije Zenuni-Bajrami dhe dëshmorin Agim Bajrami. Në një liber, në veten e pare, në mbi 250 faqe, pasqyrohet dashuria e sinqertë, që në shkollën e mesme, midis dy të rinjëve, pengesat që hasi kjo dashuri për arsye politike, vështirësitë që ajo kapërceu. Zarija u dashurua me Agimin, jo vetëm për bukurinë e tij, por së pari për karakterin, shpirtin e sakrificës që ai mishëronte, që në të ri, ndjenjat e tij kryengritëse për liri. Pasi u martuan, Agimi shkoi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, që në atë kohë ishte bërë i rrezikshëm për jetën e qindra djelmoshave shqiptarë. U dënua me burgim të gjatë që, falë dy amnistive, u shkurtua dukshëm. Vendosi të mërgojë ekonomikisht për ta mbajtë familjen e re, iu bashkua pas një viti edhe Zarija, me të cilën lindi tre fëmijë. Por kushtrimi i luftës çlirimtare nuk e linte të qetë Agimin në Zvicrën e begatë. U kthye në Kosovë si luftëtar. Edhe Zarija shprehu gatishmërinë t’i bashkohej atij, por u bind se kujdesi për mirërritjen e tre fëmijëve ishte më i rëndësishëm për Kosovën. Agimi u dallua në organizim, në sigurimin e armatimit fshehurazi, në beteja të herëpasherëshme, duke fituar adhurimin e shokëve. Mjerisht, më 10 gusht 1998, në kulmin e ofensivës së ushtrisë serbe, ai ra heroikisht, së bashku me dy ushtarë të tij.
Ishte kjo një tragjedi për të dhe familjen. Por Zarija qendroi si burrneshë. Ajo u kthye paslufte në vendlindje, takoi shokët e luftës së bashkëshortit, mblodhi kujtimet e tyre dhe tani i pasqyroi ato në këtë liber, që bujarisht ma dhuroi, më pak se tri javë më parë në Lipjan, zoti Izet Krivanjeva, kujdestar vullnetar, ndër të tjera, i varrezave të dëshmorëve të Kaçanikut. Më bëhet qejfi që, ndër ata që ndihmuan me kujtime janë edhe të njohurit e mij përmes internetit:Adem Zaplluzha, Fadil Curri, Lumturi Plaku, Mehmet Bislimi.
Është mirë kur lexon libra të tilla me dëshmi të mirëfillta nga ata që e kanë përjetuar luftën, pasi kështu njihesh më mirë me të vërtetën e kësaj lufte dhe të protagonistëve të saj.
Po sjell në vëmëdje të lexuesve vetëm një faqe nga ky libër mbresëlënës.
f.114-115
“Nuk po shkoj në Kosovë në pushime, por po shkoj të luftoj (bashkë) me UҪK-në”
Kam përshtypjen se të gjithë heronjtë kanë një veçori të përbashkët e të pazakonshme nga të tjerët. Një të veçantë në mënyrën se si kanë vepruar, si kanë vendosur, si kanë rënë dhe çfarë amaneti kanë lënë.
Është një psikologji e përbashkët e tyre dhe jam e bindur se shpirti i tyre i madh u jep një aftësi të veçantë, që nuk e kemi ne të tjerët. Ne mund ta duam shumë Atdheun dhe lirinë, Kosovën dhe Shqiptarinë, por nuk jemi heronj. Herojt janë kolosë të mendimit dhe veprimit për ideal. Ata nuk kanë gjë më të shenjtë se ideali. Kjo i bën ata heronj.
I tillë ishte dhe Agim Bajrami. Ai kishte ideal të fortë dhe, me vetëdije, u kthye në Atdhe, për t’i dhënë emrin e tij Atdheut, për të paguar lirinë me gjakun e tij, për t’i dhënë gjithçka kishte, edhe frymën e fundit. Nuk u mjafua vetëm me fjalët e nxjerra nga shpirti për një Kosovë të lirë, nuk u mjaftua me dënimet në burgjet më famëkëqinj të Serbisë, nuk u mjaftua me torturat dhe dënimet që përjetoi në trupin e tij të ri; ai vazhdimisht jepte nga vetja, nuk ndalej së dhëni gjithçka kishte, e së fundi edhe jetën.
Zvicra është një vend shumë komod për të jetuar i qetë, me familjen dhe miqtë, me punën e ndershme dhe paratë që fiton prej saj. Ky vend me bukuri magjike rrëzë Alpeve zvicerane, të bën për vete dhe ata që vendosen një herë këtu, e kanë të pamundur të shkëputen prej andej. Agimi i dinte të gjitha këto. Ai e vlerësoi këtë shtet edhe për pritjen e barabartë dhe pa paragjykime që u kish afruar shqiptarëve, por shpirti i tij nuk gjente qetësi kur vendi ishte nën pushtim. Sidomos me fillimin e luftës frontale, ai e kuptoi se nuk e kishte vendin këtu, por në Kosovë, atje ku luftohej, atje ku mbrohej Atdheu.
Ishte idealist por edhe realist. Idealizmin e dashurisë për malet kreshnike shqiptare ai e shndërroi në realizëm, kur iu përgjigj thirrjes për ta mbrojtur këtë tokë. Atdheu në rrezik! Vendlindja thërret!
Kjo është psikologjia e heroit. Për ta dashur lirinë dhe vendin tënd, duhet të vihesh pakursim në shërbim të tij, pse jo, edhe të vdesësh për të!
Konspektoi Bardhyl Selimi, 12 shtator 2021