Në foto: Shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi me Sali Berishën në Tiranë, udhëheqësin historik të demokracisë në Shqipëri.
Nga: Jusuf Buxhovi
Me Sali Berishën, ish kryeministrin dhe presidentin e Shqipërisë, na lidhin ngjarjet e fundviteve të tetëdhjeta dhe ato të fillimviteve të nëntëdhjeta, ngjarje këto që kanë të bëjnë me rrënimin e monizmit si dhe fillimet e pluralizmit politik nëpër të cilat po kalonte shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë me të cilën u vunë në binarët e pakthyeshëm historik procesi i rrënimit të komunizmit si dhe lëvizja e shtetndërtimit, që çoi te shteti i pavarur si dhe themelimi i Partisë Demokratike në Tiranë , ndonëse në të dy anët i përcjellë me vështirësi të shumta, shoqërinë shqiptare, në njërën anë e nxori nga diktatura komuniste dhe në tjetrën anë, atë të Kosovës, nga pushtimi serb.
Në këtë zhvillim historik, intelektualët e Kosovës dhe të Shqipërisë, kishin një kauzë të përbashkët. Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe dr Sali Berisha në Tiranë patën fatin që të jenë në krye të dy partive demokratike shqiptare që morën përgjegjësinë e kësaj kthese historike. Asokohe, te dy liderët shqiptarë udhëhiqeshin nga e njëjta kauzë, ajo që shoqërinë shqiptare do ta kthente kah perëndimi.
Në ato rrethana njoha Sali Berishën fillimisht si lider të pluralizmit dhe më vonë si kryeministër të Shqipërisë. Që të dy këto njohje ndodhën në Gjermani. I pari në maj të vitit 1991 në Berlin, në mbledhjen e OSBS-së kur Shqipëria u pranua anëtare e saj. Dhe herën e dytë, e takova në Bon, në vitin 1996, kur si kryeministër i Shqipërisë zyrtarisht vizitoi Gjermaninë. Si korrespodent i “Rilindjes” i akredituar në Bon mora pjesë në konferencën e përbashkët të kancelarit Kol me Berishën, ndërsa në mbrëmje edhe në pritjen që shtroi kancelari Kol për nder të kryeministrit të Shqipërisë në Bad Godesberg.
Gjatë takimit të djeshëm në Tiranë, pasi që ia dhurova disa nga librat e mia (“Kosovën – histori e shkurtër”, “Shënimet e Gjon NIkollë Kazazit”, “Dosjen B” dhe “Monën), duke u ndërlidhur edhe me veprat e mia që trajtojnë këtë problematikë, evokuam kujtimet e “kohës së madhe” siç e quajti ai dhe, po ashtu, me pietet kujtuam miqtë tanë që nuk janë më, të cilët ishin pjesë e atij rrugëtimit madhështor.
Berisha tha se përkundër sfidave me të cilat po përballohet kohëve të fundit, ndjehet i nderuar që ishte pjesë atij “rrugëtimi historik”, që shoqërinë shqiptare, në të dy anët, e liroi nga kthetrat e diktaturës komuniste dhe krijoi mundësitë që ajo tashmë të ec drejt bashkimit të pandalshëm…