Autor: Lirim Gashi
Për momentin më së shumti më pengon mendësia sipas motos : “shtetin që e kapen dje njerëzit e Hashimit të keq, duhet ta ç’kapin dhe kapin sot njerëzit e Albinit të mirë”.
Thua se njerëzit që e përkrahin Albinin të gjithë pa dallim janë njësoj të aftë dhe të pa korruptuar si Albini.
Njerëzit që mendojnë në këto kategori primitive, janë vrasës të meritokracisë, demokracisë dhe kulturës politike sot, njësoj siç kanë qenë edhe dje.
Në Listen zgjedhore të VV-së kanë garuar dhe janë zgjedhur njerëz analfabetë që deri dje e kanë penguar ardhjen e Albinit në pushtet.
Kanë hyrë kameleonet e kameleonëve në garë, vetëm pse janë farefis me servilet e Vjosës dhe Albinit.
Ndërsa kanë mbetur jashtë njerëzit që nuk ia lëshojnë aspak rrugën Albinit për nga potenciali i përgjithshëm.
Dhe jo vetëm kaq, por që janë po aq të përgatitur, mendjehapur, produktiv dhe të avancuar në aspektin teorik, praktik, organizativ, kadrovik dhe metodik sa vetë Albini.
Nëse nuk ndryshon kjo qasje që ka çuar deri te kjo çorodi, ajo do të prodhojë rrënim dhe masakrim të mendësisë meritokratike, e cila është e vetmja garanci e suksesit në politikbërien moderne.
Prandaj poezitë romantike si formë e re e propagandës politike gebellsiane, që qindra tifozë ua kushtojnë liderëve të tyre, qoftë nga emocionet e verbëra, apo nga interesi i kalkuluar dhe tinëzar personal, e masakrojnë në mua çdo shpresë për ndryshim.
Nuk pres kurrë nga servilet e verbër që ta kuptojnë se unë për dallim prej tyre, kurrë nuk e kam përkrahur Vjosën dhe Albinin, por ndryshimin.
Që këta dy individë në ato momente historike, kanë qenë bartësit e vetëm të shpresës për ndryshim pozitiv rrënjësor, nuk është faji im.
Kapaciteti i këtij populli është i tillë që nuk prodhon shumë bartës të shpresës.
Prandaj ky popull pret si i mahnitur në tru mrekulli prej këtyre dy individëve, thua se janë dy magjistarë me dy shkopa magjik.
Thua se politika është sport individual dhe luftarak si boksi profesional, ku në ring boksojne dy individë kundër njëri tjetrit, e jo sport ekipor ku dy individë cilësor nuk mjaftojnë për ta fituar lojën.
Çfarë lidhje kanë me mendësinë dhe konceptin politik të Albinit rriçnat e Malishevës, që janë futur si parazitë në Listën Zgjedhore të Vetëvendosjes,
vetëm pse e kanë sebep servilin më të madh të njërit prej dy liderëve ?
Nëse shpresa ime për ndryshim varet prej tyre, atëherë selavi Kosovë ?
Sikur njerëzit që perceptojnë në kategori të tilla primitive, ta dinin saktësisht se sa naivë, të pa ditur dhe të pafytyrë janë, me siguri do të bënin harakiri, nga turpi prej vetvetes.
Nëse sistemi politik kosovar, nuk freskohet dhe aktualizohet me përmbajtje, respektivisht me njohuri profesionale dhe moderne teorike, praktike, organizative, taktike, strategjike dhe metodologjike të punës, si dhe me njerëz apo kuadro që dinë t’i jetësojnë idetë dhe njohuritë e tilla në praktikë, atëherë jo vetëm që s’do të jetë efikas, por do të vendnumërojë njësoj si në të kaluarën.
Ose edhe më saktësisht nëse Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, i themeluar në ndërkohë nga Dr. Sadri Ramabaja, por edhe institutet e ngjashme të kësaj natyre, nuk mbështeten institucionalisht nga shteti do të ishte një mëkat i madh.
Sepse Institutet e tilla do ta frymëzonin, furnizonin, freskon in dhe fuqizonin politikën zyrtare kosovare, me ide kreative dhe autentike profesionale, përndryshe niveli i politikbëries do të vazhdonte të qëndronte edhe në të ardhmen pezull ndërmjet hamedësisë dhe improvizimit.
Sepse vetëm puna e më të mirëve në të gjitha lëmitë, fushat dhe sferat mund të rezulton me korniza dhe koordinata të qarta të veprimit teorik dhe praktik, perndryshe nuk ka përparim të popullit dhe shtetit tonë.
Sepse idetë kretative në kombinim me njohuritë moderne dhe avantgarde mund të jetësohen dhe ta trasojnë rrugën e sigurt në ardhmëri, vetëm nëse më të mirëve u jepet shansi për ta dhënë kontributin më cilësor të mundur për këtë popull dhe shtet.
Ndërkaq ata mund të jenë efikas dhe produktiv vetëm nëse përkrahën nga shteti dhe pavarësohen nga politikat ditore partiake.
Nëse Kosova nuk përfiton nga puna e përhershme dhe sistematike e ekspertëve më cilësor të të gjitha fushave lëmive dhe sferave, që do të përkrahëshin nga shteti, pavarësisht se cili konfiguracion politik është në pushtet, gjithçka tjetër do të ishte improvizuar dhe hamendësi dhe improvizim i mediokritetit gjysmë analfabet, njësoj sikur që ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Prandaj pikërisht për këtë arsye kërkoj nga pushteti aktual, që t’i mbështes mekanizmat kredibil që synojnë të pavarësohen nga politikat partiake dhe ditore, perndryshe Kosova kurrë s’do t’i plotësojë normat për të qenë një shtet modern, serioz, stabil dhe produktiv.