NJË DHURATË E ÇMUAR NGA MIKU IM IDRIZ DAKAJ
Dje, nëpërmjet postës, mora librin “Vragë jete” të dërguar me përkushtim nga miku im i mirë, Idriz Dakaj, (i lindur në vitin 1932, tash 89 vjeçar) mësues i popullit, veprimtarë i çështjes kombëtare, i dënuar nga armiku për veprimtari atdhetare, veteran i UÇK-së së lavdishme, poet, publicist, burrë i paepur në të gjitha valët e jetës.
Librin, siç thuhet rëndomë, e lexova me një frymë. Rrëfimet autobiografike, evokimet për ngjarje historike dhe për bashkëpunëtorët e tij gjatë dekadave të veprimtarisë së fshehtë dhe të hapur kundër pushtuesit serb, komentet, esetë dhe poezitë për padrejtësinë, shfrytëzimin, për dukuritë prapanike, mashtrimin nëpërmjet fesë, lartësimin e heroizmit të UÇK-së dhe dëshmorëve të kombit, drejtësia, trimëria dhe largpamësia, si tema dhe motive te librit, shpalosin besnikërisht njerëzoren, shpirtin revolucionar dhe idealizmin krijues duke dëshmuar se te autori Idriz Dakaj fjala dhe veprimi janë një dhe nuk mund të ndahen njëra nga tjetra.
I vetëdijshëm për rëndësinë dhe për ndikimin e fjalës së shkruar te lexuesi, autori Idriz Dakaj, me dhimbje shpirti, që në hyrje, librin ia adreson popullit, me porosinë e vetme që atë ta shpëtojë “nga tri rreziqe shumë të rënda që e kërcënojnë.
E para, nga vdekja para kohe, e dyta, nga tjetërsimi i identitetit dhe e treta, shpëtimi i kuletës nga shpenzimet e kota” duke theksuar me plot bindje se “transmetues dhe trumbetues të këtyre rreziqeve janë krerët e partive politike, krerët e qeverive, klerikët fetarë, mediat e informimit, etj”, porosi që duhet të prekin në ndërgjegje të secilit shqiptar.
Me redaktor: Berat Luzha, lektor: Qerim Rexhaj, me recensione të shkrimtarëve Fadil Shyti dhe Muharrem Blakaj, në 296 faqe, libri është botuar në Shtypshkronjen “Lena”, Prishtinë, 2021.
Duke e falënderuar shumë për këtë dhuratë të çmuar, autorit Idriz Dakaj i uroj shëndet, suksese të reja dhe gjithë të mirat!