Nga Bajram Sefaj
Rilexime nostalgjike
Skicë për ese
Pa u sjellë vërdallë e rrotull pas bregut, i bie shkurt e trup, in medias res: fjala, pra, këtu e me këtë rast, është për devalvimin e disa gradave, mjeshtërive, thirrjeve, profesioneve e zejeve e tjera kësisoj, që, nga ana e të rinjve, përdorën si kollaj e pa përgjegjësi. Për shembull: nuk ka ditë, mbase, as orë e dekik, që në shtypin tonë ditor të mos lexojmë, të mos shikojmë në programet televizive, a të mos dëgjojmë përmes valëve të radiostacioneve të shumta që sot, këtu e atje, u bë përurimi i këtij apo atij libri, që u shfaq premiera e këtij apo atij filmi, kësaj shfaqje apo atij spektakli teatror, e kështu më radhë. Krejt kjo është një gjë e mirë dhe, besojmë, askush nuk ka asgjë kundër kësaj. Përkundrazi, të gjithëve, si një, na gëzon e mbush entuziazëm e krenari një gjë e tillë. Mirëpo, kur është fjala për autorët, këtu ka keqpërdorim, abuzim dhe devalvim të pamëshirshëm. Le të quhet kështu. Derisa tek muzika, artet pamore, por edhe te spektaklet teatrore (e të ndonjë tjetër), kjo vërehet, më pak, ndërsa kur është fjala për shkrimtarë, poetë e regjisorë, regjisorë, sidomos të filmit, dukuria merr përmasa skandaloze!
Nëse jo përditë, atëherë lirisht mund të thuhet se, për çdo javë, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në ambientet e tjera, gjithandej, dhe nëpër qendra të tjera komunale, bëhet përurimi ndonjë libri të ri. Shumë më rrallë, medet, përurohen vepra të njëmendta letrare të shkrimtarëve të njëmendet e, shumë shpesh, në anën tjetër, përurohen “veprat” e “shkrimtarëve” të ri, sidomos të “poetëve” dhe “poeteshave” të reja. Pasi që marrin vlerësime pozitive nga ana e disa redaktorëve mercenarë, (që të mbysin me ëmbëlsira!), që në promovim i lexojnë po ato shkrime që i kanë vu, ose në para ose në pasthënie të librave që gëzojnë përurimin, bëhet kiameti në keqpërdorimin e pamëshirshëm i fjalës shkrimtar, poet, autor. Përdorimi i epiteteve, plot lavde e salltanete, gjithmonë është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e të lekëve të paguar për këtë biznes. Në të shumtën e rasteve, më shumë fjalë të mira (e të mëdha) thuhen, për këta libra të parë, se sa për vepër të spikatur të ndonjë autori serioz e me renome, kur përuron librin e tij të njëzet e më shumë. E, në anën tjetër, në përurimet e veprave të para letrare, në të shumtën e herës, të vëllimeve me poezi (e rrallë herë të ndonjë proze), fjala është për vargje të djersitura, të shkollarëve e gjimnazistëve, të cilat vargje, një dreq e di se nëpër duart e kujt (s’)kanë kaluar. Me rëndësi është që nga mjedisi i përurimit, i riu apo e reja, del me arealin e poetit, shkrimtarit, autorit. Që nuk ka dreq që ua heq mendje dhe e (keq) përdorin orë e çast, deri në devalvim, dhe pa kurrfarë modestie!
Jo, more, bacë, as me dhjetë e as me njëqind e dhjetë vepra të botuara, një autor nuk e merr epitetin shkrimtar, po që se në atë kallaballëk veprash nuk ka paksa vlera të njëmendta artistike.
Po aq keqpërdorim ka edhe kur është fjala për përurimin e dramaturgëve dhe të regjisorëve. Në mjedisin tonë (herë-herë primitiv dhe provincial, pa dyshim), ai që ka ngatërrua disi (dosido) një tekst të një drame mezi njëaktëshe, përnjëherë, zë vend në mesin e dramaturgëve! Por, por…, duhet pranuar se në këtë drejtim, më së largu, deri në neveri larg, shkohet me (keq)përdorimin e fjalës (zejes) regjisor!
Pa i parë (shikuar) mirë as dy filma të kujt do qoftë, që veprat e realizuara, më mund e djersë kreativitet, ia kanë dhenë atributin regjisor, ky regjisori ynë, mjafton të arnojë, keq, për gazep e faqe të zezë, diçka në yrnek filmi e vetën e vetë, ta quaj regjisor!
Haj bela, hajt!
Jo, bre bacë, për t’u bërë regjisor, jo vetëm për vete por edhe për të tjerët, duhet prirë, pikësëpari, me një hop talenti, pastaj me një grimë shkollë (shkollim), akademik, ( në ndonjë akademi botërisht të njohur, pse jo?) duhesh bërë një stazh madje prej disa vjetësh si asistent, t’u shkosh pas thembrave jo, një e dy, por shumë regjisorëve të njohur vendës dhe të huaj, e tek, pasi që të kesh bërë një eksperiencë si regjisor i dytë, po, edhe i tretë, tek pastaj, me ndrojtje e modesti, të marrësh përsipër të realizosh ndonjë film artistik të lirë, që nuk kupton (harxhim) buxhet të trashë.
Kur është fjala për regjisoret e vetëquajtur regjisorë, më së largu, deri në abuzim, shkojnë “regjisorët” e filmave dokumentarë. Edhe reportazhet më të rëndomta, çfarë kemi realizuar na të shkretit, ishe reporterë të TVVP-së, këta çunat dhe gocat e sotëm, pa fije turpi e ngurrimi, i quajnë filma, filma dokumentarë. E vrapojnë të (na) hedhin kripë sysh me disa terme, postprodukcion e të tjera që, zoti me vraftë ne ditshin as vetë, se ç’janë ato. Pastaj, festivalet e ndryshme, në të katër anët e botës, bëhet skrop, pas këtyre (krye)veprave të tyre e kështu më radhë.
Edhe një dukuri tjetër që, ngutej të hynte në kornizën e ngushtë të kësaj skice për ese, ishte ajo, për shkrimin dhe promovimin e monografive. Por, lidhur më këtë, një herë tjetër. Premtim!
(dikur, – kur?/, diku, – ku?)
Një pasqyrim shumë real! Mjerisht disa libra janë botuar edhe me përmbajtje të proceverbaleve.
Ku të ankohem kur në shoqërinë tonë flet tregtia dhe jo vlera.
Nje shkrim shume real dhe i mire i z. Sefaj.