ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Bisedë me meshtarin Dom Gasper Gurakuqin për Sapën dhe thrakasit

Shkrime relevante

Shpërndaj

Fahri Xharra

Shkruan Fahri Xharra

Shum kush nder né ká mendue deri më sot se fjala Sapë këtu nuk âsht tjetër veç fjala Shat e nderlikueme prej të huejve me fjalën Shàt, e e perkthyeme në italishten Zappa. Por ky perkthim nuk ka giasë, per kundra, se Sapa âsht emen i moçëm fort, qi mund i apin ndoshta dritë historisë s’onë.
Nuk mund të thohet se Shat âsht perkthye në Zappa, perse, posë giasës s’emnit s’emnit Shat me Shàt e Sapa me Zappa, kurrnji provë tjetër nuk mundet me u qitë, as nuk mund i epet farë arsyeje këtì perkthim. Na shofim, per kundra, se emnat e vendeve, gadi kurr nuk janë kenë perkthye prej të huejve, por, no janë kenë njitë emna të rì, no janë kenë prishë të vjetrit në shqyptim e në shkrim. Shkodres, bie fjala, t’i kèn thânë Shkoder, Skadar, a Skutar, shifet gjith-herë, se fjala âsht nji sado qi e prishun, por jo e perkthyeme. Ashtu Lissus, Lesh, Alessio, etj.

Mandej, Sapa nuk kje thirrë veç Sapë, por edhe Sapatë. Kështu Koya Zaccaris qi sundoj nder këto vende në fillim të shekullit XV e mbrapa, nenshkruhej “dominus Sabatensis et Dagnensis” sikursè edhe Ipeshkëvit e kësaj selì n’ato kohna: “episcopus sappatensis”. N’u perkthye, prà, Shati në Zappa, Sapata pse u tha?
Njimend sot populli e thrret dioçezin: Dioçezi i Zadrimës e jo i Sapës, por me pvetë banorët e Nenshatit: shka âsht Sapa, të gjith mbas gojdhanet na diftojn se në Shkrep të Nenshatit âsht kenë dikuer kalà, e i kanë thanë Kalaja e Capës. Në maje të këtì shkrepit gjindet ç’me kohë Kisha Kathedrale, e para sot 50 a 60 vjetëve, këtu gjindej edhe Ipeshkëvija, e cilla, mbas nji termeku qi e rrenoj, kje ngrehë ku âsht tesh brî malit të Shë Mhillit, e kisha kje pertrî ku â sot.
A shenjuene Shat e Sapë dy sende dàmas a po nji send të vetun, na s’po dona këtu m’e rëmue, si edhe nuk po i a hîm me kerkue vendin e caktuem ku kje. Në paten shenjue nji send të vetun, duhet me thanë se Shat âsht kenë dikur emen i pergjithtë kà mujtë me diftue nji herit edhe qytetin rreth këshqelit, sikuer thona sot f’shat a p’shat; Sapë mandej, âsht kenë emen i veçantë i atì shatit e qytetit. Në paçin shenjue dy sende damas, bje fjala, Shati këshqelin e Sapa qytetin, atëherë merret vesht edhè mâ udob se Sapa nuk âsht nji perkthim i Shatit në Zappa: “Mandej, shkruen Thalloczy,[1] n’e shmajten e lumit (Drin) ndjek ana e Zadrimës mbas Drin. Këjo u emnote atëherë edhe fusha e Shatit, Pian del Sati (1459 Ljubič 10, -138) me këshqel Sati (Castrum Satti, Sattum, Sat, castello di Satti) nën Monte di Satti. Këshqelat: i Dèjës, i Satit, i Sapatës, e krahinat e Rogamanies e të Zadrimës, i perkitëshin aso kohet gjinís së Zaccarìs, mâ vonë Dukagjinit. Edh sot gjindet këtu nji katund Nden Sat a se Nenshat (Hahn, Reise usw.328). vendi kryeparë veç kje Sapa a Sapata, selì qi i perkitte argjipeshkëvís së Tivarit: “episcopus Sappatensis”.
Kundra gojdhanës mund të qesin kush, si vertè ka qitë, se emnin Sapë e kan ndie të parët e Nenshatit, prej ndonji Ipeshkëvit të huej, e se prandej gojdhana nuk ka vlerë. Por kjo fjalë âsht e kotë; persè mâ parë do të mendohet qi i hueji kà xânë prej vendasit emnin e vendit, se i vendasi prej të huejit emnin e vendit të vet.
Don dijt mandej se Sapa âsht kenë qytet i hershëm me ket emen, edhe perpara se t’u themelote këtu Ipeshkëvija. Nuk u bâ Sapa qytet pse u themelue Ipeshkëvija, por pse Sapa kje qytet u themelue në tê Ipeshkëvija. “Në vjetë 1291 e pertrine vendasit të rrenuemin qytetin e Savës e lypëne nji ipeshkëv, qi Papa i ua dha mbas lutjet t’argjipeshkëvit të Tivarit e të regjineshës Elenë”, (Theiner, Mon. Slav, 1, 111)
Së mbrami don vûe oroe se Sapë e Sapatë nuk gjindet veç këtu, por edhe njeti. Nji herë kena nji lumë në Berishë qi i thonë Sapaç; në Bosnie ndeshena në lumin Sapna qi derdhet n’Drî t’atyshem; në Bullgarie nji vend quhet Saparevo, nji tjetër në Serbi Sabats, e kush di kû njeti. Deri nder bjeshka të Karnies emnohet nji vend Sapata, andej kah Regolato.

Dioçeza e Sapes e djegur nga regjimi komunist

Shum mâ lerg, prà, se në nji perkthim të Shatit n’italishten Zappa, do t’i kerkohet fillja Sapës s’onë. E mbassi ky emën u gjetka në shumë vende, duhet thanë se nji popull a fis i herëshm fort e kà njitë gjithkund ku ka banue.
Cilli ka muejt me kenë ky popull?

Mbas këtì të pvetun n’a dalin para dy popjt mâ jetikët e këtyne anave, due me thanë Illyrt e Thrakët.
“Populli i Illyrve, shkruen Mommsen,[2] shtrihej n’e parë nder brigje të detit Adriatik, ç’prej grykës së lumit Po per të giatë t’Istries, Dalmatjes e Epirit deri kah Akarnania e Etolia, mandej, per mrenda, në Makedonie të syper, si edhe në Serbì të sotme në Bosnie e në tokë hungare bregut të djathtë të Danubit; kështu qi kah të lèmit kufizote me popuj të Thrakëve, kah prendimi me të Keltëve, prej të cillve të mramëve Taçiti çiltas e dàn.”
Thrakët, prep Mommsen[3], e kishin ndejen dikuer kah të lemit e tyne (Illyrve), ç’prej dedit Aegeus deri në grykë të Danubit, e, jo mâ pak, në njenen anë, bregut të shmâjt të këtì lumit, në Transilvanie të soçme, në tjetrën anë, andej Bosphorin, nemose në Bitinie deri kah Frigia; këtej me arsye Herodoti i thrret Thrakët mâ i perhapuni nder popuj qi aj njifte mbas Hinve”.
Prandej në Bieshka të Karnies (Alpi Carniche) kû gjindet Sapata[4] kjene illyrt, si edhe në Serbije, ku gjindet Sabats, në Bosnie ku âsht Sapna, e në Shqypnì ku gjindet Sapa e jonë. Në Bullgarie, per kundra, kû gjindet Saparevo, banuene Thrakët.
( Fundi i pjesës së parë)

(nga “Hylli i Dritës, Ndanduer 1922, Num. XI, ff. 519-527.” dhe e shkruar nga Gasper Gurakuqi)

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Historikisht dihet qe pas qyteterimit te lashte grek, gjurmet e te cilit jane ende sot gjithandej, u zhvillua mbi ato themele qyteterimi romak, ku shume gjurme jane dhe sot te njejta ne mjekesi, filosofi, arkitekture, gjeometri, matematike, fizike, bujqesi, gjeologji, aeronautike, hidrologji, etj….Ne bujqesi ne njohim disa vegla pune si lopata, kazma, shati( dy lloje: njeri qe ngulet ne toke duke i meshuar me kembe mbi pllaken metalike, por edhe mbi nje cope derrase, qe i vendoset mbi pllaken metalike, i ngulur ne shkopin e vete shatit; por ka dhe nje tjeter lloj shati, qe ka forme si sqepari, qe sherben per te germuar, por edhe per te terhequr dheun e germuar dhe kjo vegel ne greqisht quhet capa( italisht zappa). sepata, apo sopata nuk ka lidhje me shatin.Nuk e kam idene cfare formacione ka toka ne ato ane, por mundesia eshte qe te jene zona me toka te buta, ku punohej me capa ose zappa.Ne shqip perkthehet shat-i ose shate-shata dhe emri Nenshat duhet te kete nje lidhje me keto vegla pune. Iliret kane jetuar perhere ne zona bregdetare, por edhe anes lumenjve, ku toka punohej me shate.Sulmet e vazhdueshme i detyruan te ngjiten maleve, ku tokae punueshme eshte pe e paket dhe kerkon kazem, per shkak te terrenit me gure e shkembenj.Do isha kurjoze ta shikoja vete Dioqezen e Sapes, per te cilen kam degjuar shpesh ne Kishen Katolike. Te kemi parasysh se iliret(shqiptaret e greket bashke) ishin lundertare dhe ku ka det, gjenden dhe vendbanimet e themeluara prej tyre.Ne nje liber turistik per Kotorin, kam lexuar se e themeluan greket e lashte me emrin “i pa pushtueshem), per shkak te rerrenit shkembor e rrethuar me uje, ku u ndertua dhe keshtjella mbrojtese mbi ata themele shkembore. Nuk arrij te kuptoj se perse i ka mbetur emri Thirra, njeres prej hyrjeve te tunelit te Rruga e Kombit, qe eshte emertim grek e do te thote dera, porta, qe lejon hyrjen ne ato zona malore, qe mbeten nje jete te ndara e te pakalueshme.Kjo me bind se atje qe pare mundesia me e mire per te kaluar nga njera ane ne tjetren.Edhe Kalimash vjem nga gr.”kalima”, qe do te thote mbulese.Ka shume emertime greke, qe me vone u bene romake, pastaj nga dyndjet sllave ne shek 5-6 u bene sllave, si Novosele(Novoje sjello=fshat i ri), Corovode( Çornoje voda= uje i zi).Vete vendlindja e tim eti quhet Libohove( Ljepo hovo serbisht= lugine e bukur) dhe ndodhet ne malin Bureto, ne kufi me Greqine.Ne shqip jane deformuar shume emra njerezish, vendesh, ovjektesh, mjetesh pune, dukurish natyrore etj… Kjo fushe eshte shume e pasur dhe pa mbarim, por shqipja ka mundur te mbijetoje jo vetem si rezultat i kushteve te veshtira te jeteses, por edhe lenies ne harrese nga kujdesi shteteror i plot gjerave, mes tyre dhe gjuha.Flm per temat interesante dhe materjalet e gjalla te postuara, qe na mesojne plot te verteta te historise se rrenjeve tona.Faktet e mbledhura permes intervistave te gjalla, jane shume bindese e pasuruese.Respekte e flm, z.Xharra.

  2. Te lumte Zogni Fahri Xharra per publikimin e ketij shkrimi historik shume interesant.
    Po ashtu interesant me asht duke edhe komenti i Zojes Margarita Lafe.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu