Lis Bukuroca, Gjermani
Jo, Perëndimi nuk është shoqëri dekadente, sepse aty studiohen teket e qelizave dhe tekat e galaktikave. Ai merret me mikro dhe makrouniversin. Nuk mund të jenë dekadente ato shoqëri, që i kanë 100 universitetet më të mira në botë. Pse? Sepse përparimi është e kundërta e dekadencës: është ngjitja përpjetë, jo rënia teposhtë. Është lëvizja para, jo ngecja, sepse ngecja është ecje prapa.
Gati çdo gjë me vlerë prodhohet sot në Perëndim, apo në shoqëritë perëndimore. Dekadente janë shoqëritë ku shkollat nuk kanë vlerë; ku fakultetet janë më të dobëta se shkollat e mesme; ku qytetari në administratë konsiderohet si lopë për mjelje; ku rinia nuk e ka lirinë për të vendosur vetë, por dominohet nga prindërit, pra ku e kaluara dominon dhe drejton të ardhmen; ku moralistët e rrejshëm merren me moralin e huaj për të penguar përparimin.
Shkurt dekadente është ajo shoqëri ku koha humbet për të përfolur sukseset e huaja, edhe atë duke u bazuar vetëm në injorancën e madhe vetjake.
Nuk është dekadente ajo shoqëri ku prodhohen gati të gjitha medikamentet.
Nuk është dekadente ajo shoqëri që prodhon çdo aparat mjekësor.
Nuk mund të jetë dekadente ajo shoqëri që prodhon makina dhe avionë.
Nuk mund të jetë dekadente ajo shoqëri që prodhon kompjuterë, celularë, teleskopë e raketa për të fluturuar drejt planetëve tjerë.
Nuk mund të jetë dekadente ajo shoqëri që prodhon robotë, makina pa shoferë, qindra e mijëra pajisje tjera të teknologjisë moderne.
Dekadente është ajo shoqëri, që „sheh“ „dekadencën“ e huaj, të cilën e përfytyron aty ku i pëlqen për ta parë. Sepse ajo shoqëri e prapambetur dhe e zhytur në dekadencën e vet primitive, meqenëse nuk mund të bëhet si ajo të cilën e shan, apo ku nuk mund të shpërngulet gati kolektivisht, pikërisht atë shoqëri e konsideron të prishur ose në prishje e sipër. Edhe atë, tash e disa shekuj.
„Dekadencë“ quante kleri çdo lëvizje të re, çdo epokë të re, sepse kishte frikë se po humbte pushtetin mbi njeriun. Domethënë kishte frikë se po humbte vendin e punës, ku fitonte pa punuar fare. Ku predikohej ndihma e tjetrit, pa ndihmuar kurrë vetë. Ku predikohej morali, duke qenë vetë moralisht të korruptuar apo duke mbështetur të gjitha luftërat që janë bërë në Tokë; ku i varfëri paguan pse beson dhe ku kleri fiton vetëm pse beson!
Nëse ti dëshiron një makinë të prodhuar në Perëndim, një orë të prodhuar në Perëndim, një kompjuter të prodhuar në Perëndim, një televizor të prodhuar gjithashtu aty, ndoshta edhe një medikament të zbuluar aty, ndoshta edhe rrobat e qepura aty, apo edhe një pagë si në Perëndim dhe nëse ti e dëshiron shtetin ligjor si në Perëndim, atëherë ti urren Perëndimin për motive tjera.
Ndoshta pse e konsideron veten dhelpër, kurse Pendimin, që gjendet lart mbi kokën tënde, rrushi i tharbët? Ndoshta jo, ndoshta po, por sidoqoftë kjo botë nuk bëhet më e mirë duke u marrë me „defektet“ e huaja, por vetëm, duke i korrigjuar tonët!
Pse pra Perëndimi nuk është dekadent? Sepse dekadente nuk mund të jetë kurrë një shoqëri, e cila përparon vazhdimisht.
____
LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON
- Letër burrave I
- Letër burrave II
- Kuptimi i jetës
- Hijedritat e jetës
- Ngjyrat e dashurisë
- Shtatë parimet e dashurisë
- Die Asylbewerber
LIBRA NGA LIS BUKUROCA TE LULU