Nëse dikur shteti kërkonte luftëtarë për çlirim, sot ai kërkon heronj të ndërtimit dhe ruajtjes së tij. Por në vend të këtyre, skena politike e Kosovës po dominohet nga individë dhe grupe me oreks të pashuar për pushtet, që më shumë i ngjajnë një bande grabitqarësh sesa ndërtuesve të shtetit. Bllokimi sistematik i Kuvendit nuk është më thjesht shprehje e një krize politike apo grindjeje mes partive; ai po merr dimensionet e një skenari të mirëorkestruar për të rrënuar themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Nuk mund të mos lindë pyetja: A ka gisht BIA e Beogradit në këtë paralizë politike? Heshtja e gjatë e institucioneve si AKI, që supozohet të jenë gardianë të sigurisë kombëtare, është alarmante. Nëse ky institucion është realisht neutral dhe funksional, është koha të dalë me fakte e të tregojë publikisht se sa thellë kanë depërtuar ndikimet e shërbimeve serbe në politikën kosovare!
Nëse kjo është një luftë hibride për shkatërrimin e shtetit, atëherë shkatërrimi nuk po ndodh nga jashtë, por nga brenda — nga “partitë politike” që me veprimet e tyre po i shërbejnë pikërisht axhendës së Beogradit. Ato po përdorin demokracinë për ta vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit që pretenduan se donin ta ndërtonin.
E më tragjikja është heshtja: hesht populli, hesht shoqëria civile (nëse ende ekziston si e tillë), heshtin votuesit që, për ironi, janë vetë ata që me votën e tyre sollën në skenë këta shkatërrues. Në fund, shteti mund të mos rrëzohet nga ndonjë armik i jashtëm, por nga një apati e thellë kolektive që nuk reagon as kur vetë sovraniteti bie nën tehun e një skenari të huaj.
Në një situatë të tillë, heshtja është bashkëfajësi. Dhe nëse ky është një atentat ndaj shtetit, ai po ndodh në emër të demokracisë. Ironike, por tragjikisht e vërtetë.