Prishtinë, 26 mars 2025
Fillimisht dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë ju këtu të pranishëm dhe bashkëqytetarët tanë në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tre ditët e fundit.
Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, edhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen. Vrasja është akti më i rëndë që mund t’ia bëj njeriu njeriut. Ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë, pra, shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet.
Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar. Bashkë me kolegë nga kjo mbledhje, unë do të vazhdoj për Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.
Në emrin tim dhe të Qeverisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira. Teksa, ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe të drejtësisë.
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të rregullt të Qeverisë, që po e mbajmë në një datë të jashtëzakonshme. Sot katër vjet më parë, më 26 mars 2021, qeveria jonë që këtë javë ka mbushur katër vjet, e mbajti mbledhjen e saj të punës asokohe. Prej atëherë jemi takuar të paktën dy herë në muaj në këtë sallë. Në gjithsej 254 mbledhje, përfshirë edhe ato elektronike, kemi marrë 2257 vendime – secili dhe gjithmonë në të mirë të mirëqenies së qytetarëve, të zhvillimit ekonomik, të reformave të nevojshme për progres dhe mbrojtje të interesit shtetëror e publik. Në mes të këtyre mbledhjeve, janë 1464 ditë nga dita e parë e marrjes së detyrës. Punë e përditshme nga secila e secili prej jush me rezultate konkrete për gjithsecilin qytetar, që u vlerësua lart nga po ata në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në ballafaqim me pandeminë, përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa opozitare në Gjykatë Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra përfshirë edhe atë të çmimeve tavan për produktet bazike, pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, e përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Unë po i rendis vetëm disa kryesoret prej tyre në këtë katërvjeçar tonin të përbashkët:
-Liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani dhe njohja e pasaportës së Republikës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse: Spanja dhe Armenia. Me neve edhe lëvizim pa viza në Evropë edhe nuk lëviz kufiri në veri.
-Në komitetet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore apo CEFTA-s, Republika jonë prej tetorit të vitit 2024 për herë të parë përfaqësohet nga institucionet tona, e jo nga UNMIK-u. Ndërkaq, me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, apo EFTA siç njihet me akronim, në janar të këtij viti, në Davos, kemi nënshkruar Marrëveshje të Tregtisë së Lirë për mallra dhe shërbime.
-Shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë dhe më shumë shërbime kemi. Shumicën prej klinikave i kemi transformuar. Shumë prej shërbimeve jetike për qytetarë janë bërë pa pagesë, e shumica tjetër me çmime më të përballueshme. Mandatin që na pret, e ne mezi e presim, do të vazhdojmë me investime spital pas spitali, do të ndërtojmë dy spitale të reja dhe gjashtë poliklinika specialistike, e buxhetin për Listën e Barnave Esenciale, që tashmë është në nivel rekord, do ta ngrisim deri në 100 milionë euro.
-Për herë të parë në katër komunat tona në veri po paguhet rryma, po paguhet energjia elektrike. Ka filluar të faturohet edhe tatimi në pronë për komunat në veri të vendit, gjithashtu për herë të parë. Tabela ilegale dhe patentë shoferë ilegalë nuk ka më, sepse janë konvertuar në ato RKS. Strukturat ilegale janë mbyllur, sepse janë të jashtëligjshme. Atje tani ka institucione të Republikës që i shërbejnë qytetarëve pa dallim, biznese që regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dhe masa të punësimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për banorët e komunave atje. Vetëm me programin “Qeveria për Familje”, pra që nuk lë asnjë familje pa dikë të punësuar, i kemi rreth 530 të punësuar në veri nga nacionaliteti serb.
-Për herë të parë gjithashtu kemi, pas një kohe shumë të gjatë rritje të pensioneve. Pensionet për mbi 300 mijë pensionmarrës janë rritur për 20%. Përveç rritjes së rregullt, të gjithë pensionistët kanë marrë shtesa prej 100 euro pesë herë gjatë mandatit tonë katërvjeçar.
-Rreth 70 mijë nëna lehona sërish për herë të parë kanë marrë shtesa nga shteti, sikurse edhe mbi 400 mijë fëmijë të Kosovës. Për fëmijët i kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat, dhe për dy vjet radhazi ua kemi ndarë nga 100 euro për fundvit. Sepse, mirëqenia e shoqërisë, e posaçërisht e qytetarëve që i kanë nevojat më të mëdha është në fokus tonin.
-Tre herë i kemi rritur pagat në sektorin publik, kurse pagën minimale në sektorin privat dy herë – nga 130 euro/170 euro sa e kemi gjetur, në 265 euro, nga 265 euro në 350 euro. Në mandatin tjetër do ta rrisim përsëri në mbi 500 euro. Varfëria është ulur nga 25.5% në vitin 2021 kur ne e morëm qeverisjen në 19.2% në vitin 2024, sipas Bankës Botërore. Papunësia është ulur nga më shumë se 25% në më pak se 11%. Që të dyja po e ndjekin trendin e rënies. Pra, jemi Republikë demokratike ku po zbutet varfëria, e po bie papunësia.
-Kemi dhënë 300 milionë euro mbështetje për gati 120 mijë fermerë e bujq dhe rritje të tokës bujqësore për 50%. Nga diçka mbi 81.000 hektarë në mbi 121 mijë hektarë të Kosovës punohen dhe janë bërë tokë bujqësore.
-Buxheti për ushtri është trefishuar, trajtimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar përfshirë këtu Dronët Bayraktar luftarak dhe kontratën për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve. Në mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro. Do të kemi fabrikë të municionit dhe dronët ushtarak “Made in Kosova”, pra, që i prodhojmë vetë. Kemi filluar të blejmë për dallim prej më herët dhe për dallim edhe prej tani do të fillojmë edhe të prodhojmë atë që kemi nisur ta blejmë.
-Tregun energjetik e kemi bashkuar me Shqipërinë, e Shqipërinë e kemi bërë partnere kryesore tregtare në rajon. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes. Grantin më të madh ndonjëherë nga ShBA e ka fituar qeveria jonë, në vlerë prej 202 milionë dollarë për sistemin e baterive të energjisë elektrike. Nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me ShBA-të, kemi blerë sistemin raketor anti-tank Javelin dhe do të blejmë edhe helikopterë Black Hawk apo Skifteri i Zi, siç quhen në shqip. Kurse javën e kaluar kemi bërë një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon duke nënshkruar deklaratën trepalëshe në fushën e mbrojtjes me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kroacisë.
-Do të organizojmë ngjarjen më të madhe sportive në histori të vendit, Lojërat Mesdhetare 2030, për të cilën do të bëhen mbi 250 milionë euro investime në infrastrukturë sportive. E veçanërisht, me intensitet të lartë do të punohet në rregullimin e infrastrukturës së futbollit me 200 milionë euro për mbi 20 stadiume anembanë vendit. Vendi ynë do ta ketë infrastrukturën më të mirë të futbollit në rajon, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.
Të nderuar kolegë,
Republika e Kosovës është e fortë dhe po bëhet çdo herë e më vitale. Zgjedhjet dhe referendumet e Serbisë nuk mbahen më në Kosovë siç mbaheshin më përpara. Tetë palë zgjedhje të Serbisë dhe një referendum është mbajtur prej se e kemi shpallë pavarësinë e para se të vinim ne në qeverisje. Prej kur kemi ardhur ne në qeverisje as zgjedhje as referendum. E mbani mend mirë qysh në qershor të vitit 2020, vetëm 17 ditë pasi unë kam dalë nga zyra, janë mbajtur zgjedhjet lokale të Serbisë, jo parlamentare, zgjedhjet lokale të Serbisë, më 21 qershor 2020. Prej se kemi marrë ne detyrën me 23 mars 2021, nuk ka më as zgjedhje të Serbisë, as referendume të Serbisë në Kosovë.
Me vendosmërinë e ligjit, për herë të parë që nga paslufta e kemi vënë në qeverisje veriun e Kosovës. Jemi përmirësuar për 31 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke arritur kështu renditjen më të mirë dhe vlerësimin më të lartë ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, jemi një nga vendet me rritjen më të lartë në Evropë. Dhe si një rast i rrallë dhe i shquar, vendi ynë, Kosova jonë, pra nga shtet përfitues i Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore për më shumë se 15 vjet, tash e tutje do të jetë në mesin e vendeve që kontribuojnë në këtë agjenci. Nuk jemi shtet që vetëm përfiton e konsumon, por edhe i tillë që prodhon e kontribuon, në organizmat ndërkombëtar ku marrin pjesë e ku jemi anëtarë.
Të nderuar anëtarë të kabinetit, kolegë dhe bashkëpunëtorë, të dashur qytetarë,
Ju faleminderit për punën e madhe dhe angazhimin e pandërprerë dhe mbështetjen e vazhdueshme. Këto katër vite të mandatit tonë ja kanë vlejtur fort për Republikën tonë dhe për qytetarët e Republikës.
E të dashur qytetarë,
Në veçanti ju jam dhe ju jemi mirënjohës për besimin e dhënë. Nuk ka nder e privilegj më të madh, se t’ju shërbejmë juve, qytetarë të dashur të Republikës.