Prishtinë, fundi i dhjetorit 2024
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Së pari ju kërkoj falje për ndryshimin e orarit të kësaj konference për media.
Konferenca e sotme e ka për temë Terrorizmin e Sponsorizuar nga Serbia dhe Përgjegjësinë për Sulmet në Kosovë.
Sulmi me eksploziv në Kanalin Ibër-Lepenc, i datës 29 nëntor 2024, përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit, ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës, si dhe shkaktimin e trazirave të cilat do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon.
Refuzimi i Beogradit zyrtar për ta dorëzuar Millan Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, i cili ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetit tonë, ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prin Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera subversive e diversive ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës sonë.
Strehimi i Millan Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron atij Beogradi zyrtar me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që ia ka falur kreu i shtetit serb atij edhe për kontrollin faktik e politik të serbëve të Kosovës, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse koordinim i shtetit të Serbisë me Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij terrorist për ta zhvilluar më tej luftën hibride kundër Republikës së Kosovës.
Republika jonë ka shtrirë sovranitetin e sigurinë në veri të vendit nëpërmjet kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë. Tashmë situata atje nuk mund të sfidohet përmes grupeve të modelit rus “Little Green Man” apo “Njerëzit e vegjël të gjelbër”. Megjithëkëtë, politikat agresive të Serbisë ndaj vendit tonë nuk po ndalen me sulme të tjera terroriste, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta.
Që nga Qershori i vitit 2024, kur edhe kanë filluar të shpërndahen posterë me fytyrën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me mbishkrime si “Komandant suprem, ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri, përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Millan Radojçiqin.
Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë së Kosovë, Millan Radojçiq, ka caktuar dy persona, të afërt të tij për të realizuar sulme në veri (përmes grupeve të tyre), të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe strehohen në Serbi. E këta dy persona janë:
– Nemanja Radivojeviq me nofkën “GANDI”;
– Vladimir Radivojeviq me nofkën “MAMI”.
Më pas, janë evidentuar raste të ndryshme të sulmeve me mjete shpërthyese dhe veprime të tjera deri në sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, si në vijim:
– Me datë 30 qershor sivjet, në ora 01:23 pas mesnate, persona të maskuar kanë vendosur posterë në Mitrovicë të Veriut me fytyrë të Aleksandar Vuçiq dhe mbishkrimin “Komandant Suprem, ju presim”;
– Me 09.07.2024 në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën “Kralj Petri” në Mitrovicën e veriut, afër Raiffeisen bank, janë djegur dy kamionë transportues dhe një veturë. Këto automjete kanë qenë të parkuara para depos ushqimore “Market Grand”, që është në pronësi të një shqiptari;
– Pastaj, me datë 14.07.2024, në ora 03:30 pas mesnate, dy persona të maskuar, me koktej molotovi kanë sulmuar pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicë të veriut, të cilën e kishte vizituar ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla;
– Me 21.07.2024 është hedhur një mjet shpërthyes afër Liqenit të Ujmanit. Sipas informacioneve, personi që ka urdhëruar kryerjen e këtij veprimi është Millan Radoijçiq dhe sipas të cilit, qëllimi ka qenë frikësimi i pushuesve shqiptar që frekuentojnë këtë zonë;
– Më tej, me 26.07.2024 rreth orës 01:40 pas mesnate, dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur qëllimisht nga persona deri më tani të pa identifikuar;
– Me datë 02.08.2024, në orët e hershme të mëngjesit, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut, Gordana Mihajlovic ka raportuar se në oborrin e babait të saj, persona të pa identifikuar kanë hedhur një granatë dore e cila ka shpërthyer;
– Me 29.09.2024, persona të maskuar kanë hedhur një mjet shpërthyes në pompën e derivateve “Lab Oil” në Zveçan;
– Me datë 02.10.2024, rreth orës 23:30, një mjet shpërthyes është hedhur në një objekt të ndërtuar në Zubin Potok nga Stevan Vulovic;
– Me datë 21.10.2024, në oborrin e shtëpisë së Aleksandar Perovic në Zubin Potok, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, i cili ka dëmtuar automjetin e Snezana Perovic;
– Me datë 19.11.2024, rreth orës 00:30 pas mesnate, në disa komuna të veriut të Kosovës, janë vendosur posterë me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Bozhiq”;
– Me datë 21.11.2024, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, përmes një deklarate zyrtare, ka dënuar kinse kalimin e paautorizuar të vijës kufitare nga Policia e Kosovës. Pas këtij reagimi kishte ardhur edhe një reagim tjetër në platformën e tyre Telegram “KORIDOR”, të cilët kishin kërcënuar se do ta sulmojnë Policinë e Kosovës;
– Me datë 26.11.2024, rreth orës 22:55, dy granata dore të modelit serb M75, janë hedhur në drejtim të stacionit policor në Zveçan. Në bazë të informacioneve, sulmi dyshohet se është urdhëruar nga Nemanja Radivojeviq “Gandi”, pjesë e grupit terrorist dhe person i afërt i Millan Radoiçiq, i cili është në kërkim nga organet e ndjekjes. Të nesërmen, datë 27.11.2024, Nemanja Radivojeviq publikisht ka përshëndetur sulmin në drejtim të stacionit policor;
– Me datë 28.11.2024, po ashtu pak para mesnate (23:40), një granatë dore është hedhur afër objektit të Komunës së Zveçanit. Lidhur me këtë, pak pas mesnate (29.11.2024), në Telegram, është shpërndarë një shkrim ku mes tjerash thuhej “A është thënë se ne do të festojmë sonte ditën e flamurit? Do të thotë u përmbush urimi i zveçanasve për fqinjët e tyre, shihemi nesër në mbrëmje, hajt mirë!! Deri në Bozhiq edhe një muaj”. Ky është komunikimi i tyre. Postimi që është bërë në Telegram, në kanalin “KORIDOR”, ku mes tjerash shkruan “…shihemi nesër në mbrëmje…” ka qenë mesazh i drejtpërdrejtë për sulmin e planifikuar në kanalin Ibër-Lepenc;
– Pastaj, me datë 29.11.2024, në ora 00:58, përsëri është postuar (në Telegram) një shkrim tjetër me përmbajtje kërcënuese, e cila me shumë gjasë ndërlidhet me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ku thuhet “Do të jetë sërish ferr dhe Ibër i përgjakur, kur ujqërit të zbresin nga malet serbe…”. Të nesërmen, datë 30.11.2024, e njëjta fotografi ishte publikuar nga Nemanja Radivojeviq “Gandi”; dhe,
– Me datë 29.11.2024, rreth orës 19:00, është kryer sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale strategjike në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Pra kjo është kronologjia e 15 sulmeve të cilat kanë qenë të përgatitur për ta dëmtuar Kosovën në mënyrë terroriste, duke ngjallur frikë gjithandej, që nga 30 qershori deri me 29 nëntor sivjet. I bie për pesë muaj 15 sulme gjithsej, kur këto 14 realisht kanë qenë përgatitje për këtë të fundit. Sepse vazhdon duke u përshkallëzuar situata deri te sulmi mbi infrastrukturën tonë kritike kryesore, e cila është jetike edhe për furnizimin me ujë edhe për atë me energji elektrike.
Të nderuar gazetarë,
Sulmi terrorist u krye në kohën kur kemi rrethana të ndërlikuara politike, të sigurisë, rajonale dhe ndërkombëtare, si:
– Protesta të vazhdueshme në Serbi;
– Tranzicioni i pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
– Presioni në rritje nga perëndimi ndaj Serbisë për arrestimin e Millan Radoiçiqit;
– Përpjekjet e Serbisë për destabilizim të situatës në veri, përmes veprimeve hibride, terroriste dhe inskenimeve të ndryshme;
– Fushatat agresive serbe për t’i paraqitur serbët lokal në Kosovë si të diskriminuar dhe kërcënuar;
– Planet e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë;
– Zhvillimet e fundit ndërlidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë, prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit, qëndron Millan Radoiçiq dhe grupi i tij terrorist që po strehohet dhe mbështetet nga Serbia. Për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë.
Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Millan Radoiçiq. Për realizmin e tij, bazuar në të dhënat e deri tanishme, janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje.
Grupi i parë, ka ofruar mbështetjeje logjistike në terren. Ndërkaq, grupi i dytë – disa persona profesionist, ku besohet se ka pasur edhe persona nga strukturat e caktuara të sigurisë së Serbisë, të afërta me Millan Radoiçiq, janë përfshirë në realizmin e sulmit. Këto dy grupe, në vazhdimësi janë trajnuar dhe instruktuar nga strukturat e sigurisë së Serbisë, para dhe pas sulmit të 24 shtatorit 2023, kur e vranë rreshterin e Policisë, Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Deri me tani, janë evidentuar komunikime të koduara në mes të disa pjesëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojta Civile”, që ndërlidhen me rastin. Të dhënat janë duke u trajtuar nga institucionet relevante të sigurisë në kuadër të hetimeve të cilat po zhvillohen.
Për dallim nga sulmi terrorist në Banjskë ku Millan Radoiçiq ka marr pjesë personalisht duke drejtuar grupin terrorist, kësaj radhe ai ka ndërmarrë veprime të caktuara duke tentuar shfajësimin e vetës.
Paraprakisht ka ndërtuar alibinë, duke paracaktuar një takim me anëtarë të Listës Serbe ditën e sulmit, konkretisht nga ora 17:00-19:00. Pra dy orë para sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, Millan Radoiçiq cakton takim me Listën Serbe. Kjo është mënyra se si me këtë takim të përcaktuar, në fakt të paracaktuar, ai orvatet të sajojë alibinë për veten e tij. Pas sulmit, ka realizuar telefonata, takime dhe në bashkëpunim me strukturat të larta të shtetit në Serbi, ka ndërmarrë veprime të ndryshme fabrikuese me synim fshehjen e përgjegjësisë së tij, përkatësisht Serbisë. Në të njëjtën kohë, Serbia, përmes presidentit të saj, Vuçiqit, është aktivizuar me të gjithë mekanizmat për ta orientuar përgjegjësinë në adresa të tjera, përmes ngritjes së konspiracioneve të ndryshme. Strukturat e sigurisë së Serbisë, kanë filluar aktivitete në terren për ta sabotuar zbardhjen e rastit nga institucionet e Kosovës, duke kontaktuar dhe intervistuar në Serbi persona të ndryshëm për t’iu bërë presion.
Pas sulmit, Millan Radoiçiq tek rrethi i afërt i tij, ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm.
Sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe.
Duke marrë parasysh se aktet e tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion si dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi i kanalit të Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë.
Sulmi pothuajse ka qenë i pa mundur që të kryhet nga grupi terrorist i Millan Radoiçiqit, pa qenë në dijeni e në mbështetje vet shteti i Serbisë.
Të dhënat që i posedojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, çojnë në një përfundim për përgjegjësinë si në vijim:
– “Mbrojtja Civile” – Millan Radoiçiq;
– Elemente të caktuara të shteti të Serbisë;
– Serbia.
Përmes kombinimit të sulmit terrorist me dezinformata dhe propagandë, Serbia po synon që publiku me këtë rast të humbasë besimin në institucionet e Republikës së Kosovës, të ngritën hipoteza që synojnë përçarjen brenda vendit dhe krijimin e “paqartësive për sulmuesit”, në opinionin ndërkombëtar.
Sulme të tjera terroriste dhe sabotazhi ndaj infrastrukturës kritike dhe objektivave tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri, janë paralajmëruar nga organizatat terroriste që po strehohen në Serbi, duke përmendur festat e fund vitit dhe krishtlindjet ortodokse. Sulmet mund të synohet të realizohen, varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi – protestat e vazhdueshme opozitare atje.
Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike, të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve tanë, e krejt në fund edhe krijimin e një imazhi të një vendi jo stabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri.
Mirëpo, ne jemi të përkushtuar që, edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtetet e fuqishme. Veçmas nëse këto sulme kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër. Në këtë rast si Serbia.
Serbia ka mohuar 15 vjet radhazi, siç e dimë të gjithë, se në vitin 1998 i kishte vrarë 6 serbë të rinj në Pejë, rast i njohur si “Panda”, me 14 nëntor 1998. Kurse qe 11 vjet të tjera, ani pse e ka pranuar se masakrën “Panda” nuk e kanë bërë shqiptarët, ende nuk e ka bërë përgjegjës askë! Dhe nuk presim që ta bëjë përgjegjës, sepse mendojmë që përgjegjësit janë diku në mesin e njerëzve të rëndësishëm të shtetit serb.
Serbia me Millan Radoiçiqin ka planifikuar dhe realizuar sulmin e dështuar terrorist në Banjska me 24 shtator të vitit 2023. Edhe pse janë siguruara dëshmi të pa kontestueshme dhe është ngritur aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, i njëjti vazhdon të jetë i lirë në Serbi, i mbrojtur atje, ku planifikon dhe ekzekuton sulme të tjera në Kosovë. Vuçiq paradoksalisht synon që të tregohet konstruktiv për sulmin e fundit kundër infrastrukturës vitale dhe ka zëra që kërkojnë dëshmi të pakontestueshme për të vepruar. Por tash shtrohet pyetja, pse nuk po ekstradohet Radoiçiq kur ka dëshmi të mjaftueshme për sulmin në Banjskë?
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Këto ishin disa prej të dhënave të organeve tona të inteligjencës dhe sigurisë të cilat tregojnë e dëshmojnë, konfirmojnë që prapa sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut qëndron Serbia me elementet e saj e para se gjithash e mbi të gjitha grupi terrorist i Millan Radoiçiq, i cili edhe më tej fuqinë e humbur në Kosovë orvatet që ta kompensoj me sulme të këtilla kriminale e terroriste, të cilat na bëjnë dëm por kurrë nuk do të munden që ta cenojnë sigurinë apo ta destabilizojnë vendin tonë.
Unë ju faleminderit për vëmendjen dhe durimin.