Afera e spiunazhit në regji të SHBA dhe Danimarkës
Franca dhe Gjermania e cilësuan si akt “të papranueshëm” mes aleatëve. Merkel dhe Macron kërkojnë shpegime sqaruese nga Danimarka dhe SHBA-të. Impakti i kësaj përplasjeje duket se ka prekur edhe sferat e interesit gjeostrategjik.
Prishtinë, 2 qershor –Çështja shtrohet tashmë se çfarë ndihme kishin ofruar shërbimet skandinave shërbimit sekret amerikan NSA, përderisa kjo e fundit ka përgjuar politikanët evropianë?
Qeveria franceze përmes një deklarate të bërë publike të hënën (31 maj) pohon se, raportet e medias që pretendojnë se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar politikanët kryesorë evropianë përmes shërbimit të inteligjencës ushtarake daneze ishin “jashtëzakonisht serioze”, raportuan mediat franceze FP dhe France 24.
“Kjo është shumë serioze. Ne duhet të shohim nëse partnerët tanë në Bashkimin Evropian, danezët, kanë bërë gabime ose ka të meta e mangësi në bashkëpunim me shërbimet sekrete të SHBA-ve”, tha Ministri francez për Çështjet Evropiane Clement Bon për France Info.
Spiunazhi midis aleatëve ishte “i papranueshëm”, tha Macron pas takimit të Këshillit të Ministrave Franko-Gjerman në një konferencë për shtyp me video. Prandaj Gjermania dhe Franca presin që “çështja të jetë krejtësisht publike dhe të ketë sqarime të fakteve nga partnerët danezë dhe amerikanë”.
Duke u shprehur shkurt për këtë çështje të ndjeshme, kancelarja gjermane A.Merkel, pohoi se “i bashkangjitem” shqetësimit të Makrosë. Qëndrimi ynë lidhur me çështjen e NSA-së nuk ka ndryshuar. Ajo po i referohej deklaratës së saj të mëparshme: “Spiunimi i miqve, kjo nuk shkon”.
Për çka në fakt është fjala?
Në këtë fundjavë që lamë pas u bë e ditur se shërbimi sekret danez dyshohet se i ndihmoi Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Sh.B.A (NSA) që t’i përgjonte kabllot daneze të internetit për të spiunuar politikanë dhe zyrtarë të lartë në Gjermani, Suedi, Norvegji dhe Francë. Konkretisht Shërbimi i inteligjencës së ushtrisë për të huajt i Danimarkës FE, i ka mundësuar NSA-së që të përdorë një stacion të fshehtë dëgjimi pranë Kopenhagës, raportoi Korporata Transmetuese Daneze (DR), por edhe mediat të tjera evropiane.
Përgjimi është kryer në periudhën nga 2012-ta deri në vitin 2016.
DR deklaron se ky informacion u konfirmua nga nëntë burime të pavarura.
Në një intervistë me SVT, Ministri Suedez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist, e quajti sjelljen e Danimarkës “të papranueshme”, duke i bërë thirrje qeverisë daneze që të “zbulojë detaje”. Ministri Norvegjez i Mbrojtjes, Frank Bakke-Jensen, i quajti akuzat e medias kundër shërbimeve daneze “shumë serioze”.
Lajmi është transmetuar fundjavën që lamë pas nga agjenci të shumta evropiane. Ajo që e bën lajmin kaq shumë të përfolur, pavarësisht se rreth tij ishte shkruar edhe në vitin 2013, është fakti se mediat tek tashti kishin qasje më të plotë në raportin në fjalë.
Të shtunën, Ministri danez i Mbrojtjes, Trine Bramsen, përsëriti se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë” ishte i papranueshëm. Sidoqoftë, ende nuk ka pasur një deklaratë të detajuar publike nga qeveria daneze. Danimarka është një aleate e ngushtë e SHBA-ve.
Nën emrin e koduar “Operacioni Dunhammer” procesi iu prezantua udhëheqjes së FE. Ende mbetet e paqartë se çfarë ndodhi pas kësaj dhe kur qeveria daneze ishte informuar për këtë veprim. Ministri danez i Mbrojtjes, Bramsen, i cili ka qenë në detyrë që nga qershori 2019, bëhet e ditur nga DR se, u informua për këtë në gusht të vitit 2020.
Impakti i kësaj përplasjeje duket se ka prekur edhe sferat e interesit gjeostrategjik. Nga njohësit e këtyre raporteve, gjykohet se ishte pikërisht kjo aferë që e bëri administratën e Joe Biden-it t’i braktisë sanksionet (kundër tubacionit Nord Stream 2).
A mund të ketë impakt shtesë kjo “përplasje mes aleatëve” edhe në tavolinën e dialogut në takimin e pritshëm mes presidentit amerikan Joe Biden-it dhe atij rus Vladimir Putin?
Po në dialogun e pritshëm mes Kosovës dhe Serbisë a ka gjasa të reflektojë kjo aferë dhe këto raporte?
Të kujtojmë se gjatë kësaj fundjave ishin në vizitë dy të dërguarit special për Ballkanin Perendimor dhe Kosovën – ai i Bashkimit Evropian dhe SHBA për Kosovën, Miroslav Lajčák dhe Matthew Palmer. Ata patën një numër takimesh të ndara me autoritetet dhe opozitën në Prishtinë, duke përfshirë Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Në Kosovë kjo vizitë cilësohet si shprehje e vullnetit të mirë për koordinim të përbashkët mes BE dhe SHBA për rinovimin e dialogut politik, duke pretenduar se një “bashkëpunim dhe koordinim i tillë ishte i mirëpritur dhe i nevojshëm”.