Fjala “agjent” ka pasë një kuptim negativ gjatë kohës së socializmit. Por nuk mund të quhen të tillë ata dhjetëra e dhjetara oficerë britanikë të shërbimeve të fshehta që punuan dhe luftuan edhe në Shqipëri për të siguruar fitoren e aleatëve ndaj boshtit fashisto-nazist.
Britaniku Arthur Nicholls
Sot ata nderohen jo vetëm si heronj të atdheut të tyre por edhe si miq të shqiptarëve. Nga ata që mbetën gjallë, disa kanë shkruar kujtimet e tyre të cilat janë një material burimor i vlefshëm për historianët.
Britaniku Marcus Lyon
Kohët e fundit, më ra në dorë një libër i tillë që tregon përmbledhurazi atë veprimtari të madhe të këtyre misionarëve ushtarakë gjatë periudhës 1940-1945. Është shkruar nga Roderick Bailey dhe sjellur në shqip nga Alvin Saraçi dhe Edval Zoto.
Aty flitet edhe për figura të njohura tashmë nga lexuesit shqiptarë, si David Smiley, Billy McLean, Arthur Nicholls, Julian Amery, Reginald Elibert etj.
Britaniku Ian Merrett
Roderick Bailey mbështetet në intervista me të mbijetuarit, ditare të mbetura të fshehura për shumë kohë, si dhe në dokumenta të deklasifikuara rishtazi për të dhënë historinë e plotë të kësaj pjese të veprimtarisë se Drejtorisë së Operacioneve Speciale. Nëpërmjet përjetimeve personale të oficerëve të SOE-s, duke përfshirë këtu atë të Anthony Quayle, aktorit si edhe të Julian Amery, deputetit dhe ministrit të ardhëshëm, ai zbulon realitetin e zymtë të jetës në terrenin e luftimeve. Gjithashtu shqyrton dilemat me të cilat britanikët u përballën, ndërkohë që u duhej të vendosnin për palën që duhej të mbeshtesnin. Njëkohësisht, duke hedhur dritë mbi ngjarjet dhe zhvillimet në shtabin madhor të SOE-s, Bailey i jep përgjigje pyetjes së tejzgjatur, nëse kishte apo jo komunistë brenda SOE-s.
Ja disa fragmente:
f.180
Kit Stil (nga Kajro) me 29 dhjetor 1943, njoftoi Londrën dy ditë më pas, se komiteti (për operacionet speciale) pranoi se do të ishte pamaturi që të shkëputeshin nga Balli (Kombëtar) dhe Zogu dhe të mbështeteshin vetëm tek partizanët, të cilët paçka “kanë bërë atë që duhet kundër gjermanëve”, ata ishin “në të vërtetë më të interesuar” që të luftonin Ballin Kombëtar dhe kohët e fundit përpjekjet e tyre kundër gjermanëve kanë qenë “të pakta”.
f. 215
Ajo që mësoi Kempi (1943) përpara se të vinte këmbë në Kosovë, ishte se sa emocionuese ishte çështja e të ardhmes së saj për shqiptarët. Dhe në shtator, i shqetësuar që misioni i tij të kishte sukses, ai e pyeti Kajron për “një deklaratë nga ana e qeverisë jugosllave që popullit kosovar pas lufte do t’i lejohej që ta zgjidhte lirisht që të qeveriseshin nga Jugosllavia apo nga Shqipëria, në përputhje me Kartën e Atllantikut”. E nxjerrë nga Churchill dhe Ruzvelt më 1941, Karta e Atllantikut, të cilës i ishte bërë shumë publicitet, kishte shpallur “disa parime të përbashkëta” me anë të të cilave vendet e tyre “do t’i bazonin shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë në botë”. Kjo përfshinte “të drejtën e gjithë popujve” për të zgjedhur formën e tyre të qeverisjes dhe një paqe “që do të garantonte siguri të gjithë njerëzit dhe të gjitha vendet të mund të jetonin të lirë nga frika”.
Britaniku Tony Simcox, Fadil Hoxha, Gani Kryeziu dhe Llazar Fundo
f.218
Kempit me Haiberdinit u kishin bërë përshtypje ndjenjat proaleate të njerëzve që takuan (në Kosovë) Ata u bindën gjithashtu menjëherë se sa të dëndura ishin kontrastet etnike..
“Skena e një mizorie tjetër serbe” kujtonte Haiberdin për një shtëpi që pa në rrethinat e Gjakovës: Më 1941, gjatë tërheqjes drejt veriut, një bandë ushtarësh të rregullt serbë hyri në shtëpi dhe e detyroi të zotin e shtëpisë (vëllain më të madh të të zotit aktual të shtëpisë) që t’i jepte ushqim dhe veshje. Pasi kishin ngrënë, në shenjë mirënjohje për mikpritjen e tij, ata e nxorën jashtë dhe e qëlluan me armë përpara syve të gruas dhe fëmijëve”.
Kemp i tha Kajros se në Gjakovë atij i treguan një “dokument origjinal serb, të vitit 1938, ku flitej për dëbime masive të shqiptarëve nga Kosova dhe zëvëndësimin e tyre me serbë”.
Urrejtjet ndëretnike (në Kosovë) krijuan gjithashtu mosbesim ndaj çdo ndikimi komunist. Sipas Haiberdinit, “komunizmi nuk gëzonte popullaritet, sepse komunizëm do të thoshte ‘Tito’ dhe ‘Tito’ do të thoshte ndërhyrje jugosllave”.
Por oficerët vunë re qartazi se sa e efektshme kishte qenë ulja në minimum e rezistencës, nga ana e gjermanëve, kur ata bashkuan shumicën e Kosovës me Shqipërinë dhe njohën pavarësinë e Shqipërisë së Madhe. “Shumica e kosovarëve preferuan një pushtim gjerman se sa atë serb”.
Kemp vërente: “Fuqitë e Boshtit, së paku, i kishin bashkuar shqiptarët në Kosovë me kushërinjtë e tyre në Shqipëri, dhe ata i druheshin fitores Aleate, se mos i kthente nën sundimin jugosllav”.
Britaniku Bill Tilman
f.313
Për deri sa një grup njerëzish të Abaz Kupiti mbështeti Smajlin dhe Xheksinin duke qendruar në roje gjatë minimit, edhe Kupi tashmë, sipas Meklinit, ishte kualifikuar për të marrë furnizime nga anglezët. Këto armë nuk u dërguan kurrë.. Brenda dhjetë ditëve, partizanët e divizionit të parë, të cilët i shpëtuan sulmit gjerman të qershorit (1944), u shtynë në veri, dhe në fortesën malore të Kupit dhe e sulmuan atë. Kupi u kundërpërgjigj dhe në Bari u muar vendimi që të pezulloheshin të gjitha ngarkesat drejt Shqipërisë. Por Meklini dhe njerëzit e tij, në fillim të gushtit, mësuan të alarmuar se divizioni i parë po furnizohej nga Bari me armë dhe municione.
David Smiley dhe Nexhip Vincani
f.387
Gjatë fazës përfundimtare të luftës, qeveria e re komuniste ishte duke e shtrënguar kontrollin e saj në vend dhe po bëhej gradualisht më intolerante me britanikët dhe amerikanët e mbetur mes saj. Në fjalime, Hoxha dhe gjeneralët e tij nuk i kursyen falenderimet pasionante për Bashkimin Sovjetik dhe, sa vinte gjithnjë e më pak, përmendnin Britaninë ose Shtetet e Bashkuara, me përjashtim të rasteve kur dëshironin t’i ulnin ato. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Greqi, ku trupat britanike ishin dërguar për t’i ndalur komunistët grekë që të merrnin pushtetin, Britania u përmend veçanërisht si sulmuese. Mehmet Shehu e shpalli veten “anti-Churchill” dhe shprehu që “britanikët kishin hedhur poshte Kartën e Atllantikut”.
Britaniket Alan Hare, Peter Kemp, Richard Riddell
Mospërputhja më e ashpër e regjimit u vu re në veri, ku vazhdonte rezistenca sporadike lokale ndaj partizanëve. Toni Endrju dhe Xhejms Dërkan, duke shkuar drejt Shkodrës, pavarësisht nga partizanët të cilët ushtronin “çdo presion të mundëshëm’ për t’i bërë ata të largohen, raportuan se burgu i qyteteit ishte i “mbushur përplot me të burgosur politikë” dhe se kufomat e të ekzekutuarve dergjeshin nëpër rrugë.
Britaniku John Hibberdine
“Biseduam me një piktor, me një dyqanxhi,. Me një murgeshë, me një punëtor, me një tregtar manifakturash, me një mësues, me një pronar hoteli, me një librashitës, me një rrobaqepës”, transmetuan ata në Bari me 11 janar (1945), të gjithë u kishin thënë atyre: “Nuk mund të vazhdojmë kështu, përse nuk vijnë britanikët..?”
Bardhyl Selimi, 13 dhjetor 2022