Kur janë bërë 15 ditë qëkur rruga për në veri të Kosovës është e pakalueshme shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur që për këtë çështje do ta ketë një takim me KFOR-in, pas Krishtlindjes. Takimi është paralajmëruar në kohën kur nga misioni i NATO-s në Kosovë është bërë e ditur se zgjidhja e tensioneve në veri duhet të kërkohet nëpërmjet dialogut.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet ta kemi shumë shpejt, pas Krishtlindjeve, një takim me komandantin e KFOR-it e në të cilin besoj se do të sqarojmë gjithçka. Por kjo s’mund të tolerohet pafundësisht. U bënë dy javë e s’mund të lejojmë që edhe javë e javë të kalojnë e të mos kemi lirinë e lëvizjes. Nga ai takim që e presim menjëherë pas Krishtlindjes besoj se do të sqarohet gjithçka e do të japim përgjigje”, ka thënë Kurti.
Ky paralajmërim i Kurtit ka pasuar deklaratën e lëshuar një ditë më parë nga KFOR-i, në të cilën shprehet kërkesa që zgjidhja rreth situatës në veri të gjendet nëpërmjet dialogut.
“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin, sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999, për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen nëpërmjet dialogut. Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, ka deklaruar KFOR të premten.
Në Bashkimin Evropian nuk kanë bërë të ditur nëse lidhur me çështjen do të zhvillohet një rund i ri i negociatave në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për “Kosovapressin” ka shprehur angazhimin e vendeve të bllokut evropian për lehtësimin e situatës në veri.
“BE-ja, së bashku me partnerët e saj, vazhdon të angazhohet plotësisht në lehtësimin e deeskalimit të situatës në veri të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt, i qetë, dhe liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Përfaqësuesi i lartë, Borrell, ishte shumë i qartë javën e kaluar se barrikadat duhet të hiqen. Borrell dhe Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë akterët dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, pikërisht siç e ka përshkruar tashmë përfaqësuesi i lartë. Kur është fjala për takimet e radhës të dialogut, si gjithmonë, ne do të njoftojmë nëse ka dhe kur të jetë e përshtatshme”, ka thënë Stano.
Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët duke thënë se veprimin e kanë bërë si protestë ndaj arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisionit Qendror Zgjedhor.
Por shqetësimin rreth tensioneve në veri e ka shprehur edhe politikani gjerman e ish-emisari evropian për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger.
“Thellësisht i shqetësuar për tensionet e vazhdueshme. Veprimi/roli vendimtar i BE-së urgjent. A është vënë në dijeni Serbia se nxitja e dhunës në shtetin fqinj, Kosovë, do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE”, ka thënë Ischinger, të shtunën.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati paralajmëruar se në rast se kjo forcë ndërkombëtare nuk vepron drejt heqjes së barrikadave, atëherë veprimi do të ndërmerret nga institucionet e Kosovës.
“Mënyra më e mirë është largimi i atyre që i kanë vendosur. I kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largim të barrikadave. Presim sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo mund të themi që është renduar. Po presim që sa më shpejt të largohen dhe nëse kjo nuk ndodh, ne kemi kapacitete për ta bërë vetë”, ishte shprehur Sveçla.
Të shtunën rreth largimit të barrikadave në veri ka folur edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Ajo ka thënë se nuk beson në një skenar në të cilin Policia e Kosovës do të largonte me forcë barrikadat në veri të Kosovës.
“Unë nuk besoj në një skenar të tillë. Ka kuptim të mjaftueshëm nga ana e aktorëve ndërkombëtarë, mbi të gjitha KFOR-it”, ka thënë Brnabiq.
Ajo vuri në dukje bashkëpunimin e mirë me KFOR-in, si dhe seriozitetin e treguar sepse siç ka thënë, ata janë ende duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë për kthimin e një pjese të forcave në Kosovë sipas Rezolutës 1244.
Prej 10 dhjetorit, rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak kanë mbetur të bllokuara, për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët e veriut.