ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Albin Kurti thotë se kushtëzimi i Serbisë është bërë qëndrim i Lajçakut

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se nuk mund të pranojë diçka si kompromis nëse Asociacioni vendoset si konsensus nga ana e BE-së.

Kurti: Nuk mund të ketë kompromis me Asociacionin si kushtëzim

Ai ka thënë se në takimin e sotëm ka qenë i vetmi që ka hedhur një propozim konkret në tavolinë. “Propozova një plan sekuencimi se si të bëhet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. As nga BE e as nga Serbia nuk ka pasur propozim. Ky është takimi i parë në nivel të lartë ku ne bisedojmë mbi implementimin e marrëveshjes dhe sekuencimin e tij. Unë sot e kuptova se Serbia asnjëherë nuk ka propozuar një dokument të sekuencimit, por ka dorëzuar  një dokument që kushtëzon zbatimin e marrëveshjes me formimin e Asociacionit. Kjo na kthen në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. Tani jemi 10 vjet pas. Të gjitha marrëveshjet janë brenda nenit 10 të Marrëveshjes Bazike në Bruksel”, ka theksuar Kurti para medieve.

Ai ka thënë se qartazi neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, që janë të obligueshme dhe valide.

“E janë 39 sosh gjithsej. Por nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe përakt. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar. Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ai e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues e ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Ne kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, ka shtuar Kurti.

Ai shprehu gatishmërinë e plotë që secilin nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh nga Aneksi i Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit është i gatshëm dhe i interesuar ta zbatojë një kohë e më parë e në plotni e pa asnjë kusht.

Kryeministri ka thënë se sot e ka marrë vesh se kushtëzimi i Serbisë është bërë qëndrim i të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Unë sot e mora vesh pse që 6 muaj nuk ec puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse Serbia ka  vënë si kushtëzim formimin e Asociacionit. E ky kushtëzim i Serbisë është shndërruar në qëndrim të Lajçakut. E për të ecur përpara kjo duhet të tejkalohet”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri ka thënë se cilido student i fakultetit juridik kudo në botë kur ta lexon Marrëveshjen Bazike thotë se kjo është njoihje reciproke ‘de-facto’. “E keni preambulën, i keni nenet e para dhe askund nuk e gjen Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.

“Nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë. Qartë, Neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsej. Por nuk mundet nga Neni 10, nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar. Sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellë vetëm Kosova përmes meje. BE ka lehtësuar dhe ka ndërmjetësuar. BE është aty për t’u siguruar që propozimet e palëve të jenë përbrenda frymës dhe formës BE-së. Ata nuk bëjnë propozime. Ata kujdesen që propozimet e palëve të jenë të tilla që nuk i kalojnë kornizat evropiane. Pala serbe nuk ka sjellë propozim por kushtëzim”, ka insistuar Kurti.

I pyetur nga gazetarët serbë nëse do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve aktual në katër komunat veriore, Kurti është përgjigjur: “Dorëheqja është akt moral. Më besoni se ka shumë më shumë njerëz që kërkojnë dorëheqjen e presidentit tuaj nbë Serbi, se sa ata që kërkojnë dorëheqjen e kryetarëve tanë në veri. Nuk mund ta shtysh dikë të japë dorëheqjen. Ky është mentalitet diktatorial. Kjo nuk mund të bëhet në Kosovë, jemi shtet demokratik, në Serbi ndoshta”.

Borrell: Kurti nuk pranoi propozimin tonë, kërkoi njohjen `de facto`

(E plotësuar, ora 15:55) Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar propozimin e tyre të kompromisit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim. Ai ka thënë se ka ofruar që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave, por se sipas tij Kurti ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, derisa Vuçiqi ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

Përfundon takimi trepalësh në Bruksel

(E plotësuar, ora 14:00) Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësuesve të BE-së, përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar propozimin e tyre të kompromisit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim. Ai ka thënë se ka ofruar që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave, por se sipas tij Kurti ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, derisa Vuçiqi ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit ka thënë se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses, siç ka thënë ai në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, u ka deklaruar Vuçiq gazetarëve. Megjithatë detajet e planit ende nuk janë të njohura.

Presidenti i Serbisë ka theksuar se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Sipas tij, nëse kryetarët shqiptarë të komunave japin dorëheqje, ai ka deklaruar se “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kurti e Vuçiq u takuan sot në Bruksel, pas më shumë se katër muajsh.

Nis takimi trepalësh në Bruksel

(E plotësuar, 12:21) Ka nisur takimi trepalësh i nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Më herët Borrell është takuar ndarasi me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, teksa ky i fundit pas takimit ka shkruar në Instagram se “bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar”.

Borrell: Koha për fillim të zbatimit serioz të marrëveshjes

(E plotësuar, 10:41) Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të takimit të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel, përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se është koha për fillim të zbatimit serioz të marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet dy vendeve.

“Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, ka shkruar Borrell.

Sot takimi Kurti – Vuçiq në Bruksel

N.Mekolli /RTKlive

Sot mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimet e ndara që do të nisin në orën 09:00, do të vazhdojnë pastaj me takim trepalësh.

Para takimit trepalësh, Bashkimi Evropian ka njoftuar për takimin e të enjtes, më 14 shtator, ndërmjet kryeministrit të Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, në Bruksel. Sipas njoftimit të BE-së, dy liderët do t’i pres në takim përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Borell së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00 e mëngjesit, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale, njofton BE.

“Do të ketë një deklaratë për mediet nga përfaqësuesi i lartë në përfundim të takimeve në godinën e EEAS. Deklarata për shtyp e Josep Borrell do të transmetohet drejtpërdrejte”, thuhet në njoftim që e ka bërë më herët BE.

Kryeministri Albin Kurti, të hënën, ia ka konfirmuar emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gatishmërinë për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të së enjtes.

Kryeministri Kurti dje ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar dhe për takimin e sotëm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë realizuar shtatë takime brenda dy vjetësh, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Takimi i tetë pritet sot më 14 shtator.

Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.

Dokumenti i përdorur sot nga Borelli është i vjetër gjashtë muaj

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu