ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Ambasadori Amerikan John Menzies, mik i madh i Kosovës

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë

-Shuhet Ambasadori Amerikan Xhon Menzis, ishte shef i Zyrës së SHBA në Kosovën e pas luftës/

PRISHTINË, 28 Mars 2022/ Është shuar Ambasadori Amerikan Xhon Menzis (John Menzies), shef i Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovën e pas luftës së përfunduar në pranverën e vitit 1999.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka shkrur:
Ambasadori John Menzies, mik i madh i vendit tonë dhe ish-shefi i misionit të SHBA-së në Kosovë, ka ndërruar jetë.

Ai shërbeu në Kosovë në ditët tona më të errëta dhe i përforcoi thirrjet tona për paqe dhe pavarësi.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij.

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier sot shkruan.
Ne e vajtojmë humbjen e kolegut dhe diplomatit të shquar, ambasadorit John Menzies. John ishte një avokat i palëkundur për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Si diplomat dhe mësues ai preku jetë dhe ndërtoi ura të qëndrueshme midis Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe SHBA.
***
Risjellim shkrimin ekskluziv të para 20 viteve nga Ambasadori Xhon Menzis – Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë,  në numrin-botimin festiv të 12 Shkurtit 2002 të 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës ishte Behlul Jashari:

EKSKLUZIVE

“Sundimi i Ligjit” apo “Sundimi i Bandave”? Kosova Duhet të Vendosë

Nga Ambasadori Xhon Menzis
Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë

Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore “Rilindja”, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë. Kur filloi botimin në vitin 1945, Lufta e Dytë Botërore zhvillohej fuqishëm ende, bombat atomike ende nuk ishin hedhur, dhe Jugosllavia e Dytë ishte në formim e sipër. Shkurt, bota në të cilën u lind “Rilindja” ishte rrënjësisht e ndryshme nga bota në të cilën ajo jeton sot. Në këtë pjesë të botës, ndryshimet ndodhin shpejt dhe shpesh, dhe kurrë nuk dihet se kur do të jenë këto ndryshime për të mirë apo për të keq.

Si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka “Rilindja” në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë. Me këtë rast të veçantë dëshiroj të flas lidhur me këtë rol të cilin duhet ta kenë mediumet në shoqëri.

Kosova e sotme është shumë më ndryshe se Kosova kohës kur u lind “Rilindja”. Kosova e sotme është shumë më e lirë, shumë më demokratike, thellë e futur në rrugën e formimit të institucioneve demokratike të vetëqeverisjes. Por poashtu, Kosova e sotme është një vend i ndarë keqësisht mes dy opcioneve – dhe mbetet të shihet se nëpër cilën rrugë do të shkojë ajo.

Çështja është se a do të gëzojë Kosova sundimin e ligjit apo do të bie nën sundimin e bandave.

Të premten e kaluar, bandat e demonstrantëve të padisiplinuar, me sa duket nën drejtimin e elementeve kriminale të vendosura që të shkatërrojnë sundimin e ligjit, janë turrur me tërbim nëpër rrugët e Prishtinës duke thyer dritaret, duke sulmuar policët ndërkombëtarë dhe ata kosovarë, dhe duke sulmuar kosovarët e tjerë të cilët nuk pajtoheshin me mendimet e tyre arrogante lidhur me kauzën e tyre të “drejtë”. Në vend se të mbronin tre të burgosurit, ish-anëtarët e UÇK-së, me anë të argumenteve, fakteve dhe me anë të mjeteve ligjore, ata do të përdornin vetëm forcën dhe taktikën e rrugës sepse me sa duket e dijnë se drejtësia nuk është në anën e tyre. Këta demonstrues zgjodhën grushtin, gurin dhe shufrën metalike për të argumentuar, e jo arsyen, debatin dhe institucionet e gjyqit.

Sidoqoftë, gjëja më e tmerrshme është se në rrahjen e shkaktuar nga demonstruesit u sulmuan dhe u lënduan dy policë amerikanë dhe pesë policë të tjerë ndërkombëtarë. Si mundi të ndodhë kjo? A harruan përnjëherë këta kosovarë gjithë atë që bashkësia ndërkombëtare – e veçanërisht amerikanët – ka bërë për ta që nga marsi i vitit 1999? A kanë harruar këta vagabondë të paktë, këta kriminelë, se amerikanët ishin të PARËT që erdhën në Kosovë në vitin 1996, dhe se përkushtimi i ynë ndaj paqës, drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë është i thellë dhe afatgjatë? Ky numër i vogël i kosovarëve – të cilët është e qartë se nuk i shprehin pikëpamjet e shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës – a i kanë harruar ata pamjet dhe zhurmat e forcave ushtarake amerikane dhe të NATO-s duke e çliruar Kosovën nga shtypja? A kanë harruar ata se çfarë domethënie kishte këtu pamja e flamurit amerikan në vitet 1996, 1999, dhe përsëri tani gjersa ai valon mbi kulmet e shtëpive, në dritaret e dyqaneve të panumërta, madje edhe në veturat dhe veshjet e kosovarëve paqedashës dhe zbatues të ligjit? Kur këta banditë ngritën dorë të godasin një bashkëqytetar timin me gur, a nuk e panë ata flamurin në mëngën e tij dhe a nuk menduan ata se nuk po e sulmojnë vetëm një polic por vetë Shtetet e Bashkuara dhe gjithë njerëzit liridashës ? A kanë harruar ata se sa siguruese është për shumë kosovarë fakti se e shohin atë flamur në mëngët e qindra policëve dhe policeve që punojnë në Kosovë? Mua me duket se po, ata kanë harruar.

Tre të arrestuarit do të ballafaqohen në gjyq me akuzat, me ç’rast procesi gjyqësor do të përcaktojë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Çdo kosovar duhet të jetë i lumtur që njerëzit e akuzuar në këtë mënyrë nuk do të merren më në “biseda informative” dhe se ata nuk do të torturohen, por do të kenë mbrojtje juridike, proces të rregullt, dhe përfaqësim të drejtë dhe kompetent në gjykata. Nëse kanë faj, ata duhet të dënohen, ashtu si do të dëshironte çdo njeri i denjë. Prap, nëse janë të pafajshëm, atëherë gjyqi do ta vendosë këtë dhe ata duhet të lirohen – ashtu siç dëshiroj unë dhe çdo njeri tjetër që beson në sundimin e ligjit.

Çka ka të bëjë e gjithë kjo me ditëlindjen e 57-të të “Rilindjes”? Shumë. Në një shoqëri që zhvillohet dhe transformohet në një shoqëri demokratike dhe shoqëri civile me sundim të ligjit dhe me institucione të vërteta të vetëqeverisjes, mediumet janë një ndër shtyllat mbështetëse të asaj shoqërie. Mediumet duhet të qëndrojnë gjithnjë si “roje” mbi institucionet e qeverisë, të veprojnë për interesa të popullit dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për të ditur se çka ndodh në qeveri, se si punojnë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, se çfarë vendimesh marrin ata në emër të popullit, dhe që të parashtrojnë vizionin lidhur me atë se ku shoqëria dëshiron të shkojë, dhe ta mbajnë atë vizion ashtu që të gjithë të mund ta shohin dhe ta diskutojnë.

Gazeta Rilindja -12 Shkurt 2002 -foto – Behlul Jashari

Kur bandat dëshirojnë të kontrollojnë debatin, kur ato dëshirojnë të përdorin rrugaçërinë dhe dhunën për të shprehur vullnetin e tyre, kur ato dëshirojnë të mbysin zërin e kundërshtarëve dhe të frikësojnë të tjerët kur argumentet e tyre nuk qëndrojnë, atëherë mediumet duhet të jenë të parat që do t’i dënojnë dhe kritikojnë këto banda dhe kështu të mbrojnë sundimin e ligjit dhe ata të cilët e mbështesin sundimin e ligjit. Javën e kaluar e pamë sulmin e huliganëve kosovarë mbi forcën e re dhe trime policore të Kosovës. Ne kemi parë arrestimin e anëtarëve të TMK-së lidhur me veprat për të cilat është e qartë se nuk e kanë përkrahjen e TMK-së dhe të organizatës si tërësi, vepra këto të cilat shkojnë kundër po atyre vlerave mbi të cilat është ndërtuar TMK-ja. Në kohëra të tilla mediumet – TË GJITHA mediumet – duhet të marrin qëndrim dhe të apelojnë në të gjithë kosovarët që të dënojnë dhunën dhe të mbështesin sundimin e ligjit dhe të punojnë nga e para për të arritur krijimin e shoqërisë civile, gjë të cilën edhe ne edhe ju e dëshirojmë për Kosovën. Kjo vlen qoftë kur është fjala për trazira dhe sulme mbi policinë dhe njerëzit e pafajshëm, për frikësimin dhe madje vrasjen e figurave politike (madje edhe vrasjen e disa ish-komandantëve të UÇK-së) ose pjesëtarëve të grupeve tjera etnike, apo kur kjo ka të bëjë me çfarëdo forme tjetër të dhunës së përdorur si mjet i të shprehurit politik.

Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës “Rilindja”, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu