Autor: Lirim Gashi, Prizren
___
Nuk është rastësi që popujt e Ballkanit kanë nxjerrë kaq shumë njerëz të paditur, të paedukuar, të pandershëm, të babëzitur, të shëmtuar, të dhunshëm, primitivë, arrogantë, ziliqarë, hipokritë, vrasës, hajna, tradhtarë, mashtrues, frikacakë dhe hakmarrës — njerëz që pandërprerë flasin për nderin, besnikërinë, moralin, burrërinë dhe guximin.
Sepse edhe kurvat mburren pandalë me virtytet që nuk i posedojnë, si nderi, morali, sinqeriteti dhe besnikëria.
Nuk është rastësi që në errësirën e kohëve, Ballkani nuk ka lindur burra, por hije njerëzore që gjithë jetën mbajnë në duar flamurin e nderit, ndërsa zemrat e tyre shpërndajnë helm dhe tradhti. Një vend ku fjalët më të shenjta — besnikëria, morali, guximi — nuk janë gjë tjetër veçse maska që fshehin një zbrazëti të egër dhe një etje të panginjshme për të sunduar mbi të tjerët. Këta njerëz, me fytyra të zymta dhe sy të skuqur nga zilia, flasin për burrëri, ndërsa shpinat u janë përkulur nën peshën e ndershmërisë së predikuar dhe gishtat u kullojnë gjak tradhtie .
Si mund të ishte ndryshe, kur ata që duhej t’i ndriçonin popujt u shndërruan në farkues të zinxhirëve që i mbajnë të robëruar?
Kjo ndodhi sepse elitat, që mund të kishin ndërtuar shoqëri fisnike, e keqpërdorën pushtetin për të krijuar një humnerë të pakapërcyeshme mes të fuqishmëve dhe të dobëtve. Në vend që të mbillnin shpresë, mbollën frikë; në vend që të formonin mendjen, ushqyen instinktin e nënshtrimit dhe hakmarrjes.
Dhe ç’vlerë ka nderi në një vend ku morali është bërë mall tregu dhe fjala “Besa” është mbështjellë me po aq gënjeshtra sa një kumarxhi i vjetër që betohet se do të ndalet pas lojës së fundit? Mjafton t’u shikosh në sytë bosh, të mbushur me një lloj urrejtjeje të heshtur, për të kuptuar se këtu nderi është shndërruar në monedhë të pavlerë, që përdoret sa herë duhet fshehur dobësia vetjake.
Ndoshta më tragjikja nga të gjitha është se asnjëri prej këtyre njerëzve nuk e ndien peshën e mëkatit që mbart mbi supe. Hipokrizia është shndërruar në një gjendje natyrore të shpirtit ballkanik, një mekanizëm mbijetese që përcillet brez pas brezi si një mallkim i pashmangshëm. Për ta, morali është një veshje festive që vishet vetëm kur duan ta bindin veten se janë ende njerëz. E megjithatë, ata dridhen natën, kur errësira bie mbi shpirtrat e tyre të trazuar, nga frika se agimi mund t’i zbulojë lakuriq në gjithë poshtërsinë e tyre.
Arsimimi? Një farsë.
A mund të edukohet një shpirt që është mësuar të ushqehet me urrejtje dhe frikë?
Jo, sepse shkollat nuk prodhojnë mendje të ndriçuara, por ndjekës së verbër të një rregulle të pashkruar: I forti sundon, dinaku mbijeton.
Në vend të kësaj, arsimi është zëvendësuar me një zgjuarsi të ftohtë për t’u ngritur mbi të tjerët duke i shtypur ata. Librat, nëse lexohen fare, shërbejnë vetëm si stoli në raftet e pluhurosura, ndërsa zemrat mbesin shkretëtira.
Por më e rënda, më e dhimbshmja, është se këta njerëz nuk e kuptojnë se janë skllevër të vetvetes. Ecin rrugëve të jetës si somnambulë, mburren me virtyte që nuk i kanë, adhurojnë një nder që e kanë shitur për një çmim tradhtie. A nuk janë më të mjerë se kriminelët që vrasin me thikë — këta që me ftohtësi, heshtje dhe pasivitet vrasin shpirtin e një kombi?
Ndoshta shpresa nuk është shuar krejt, por për ta gjetur duhet zbritur në thellësitë më të errëta të shpirtit ballkanik. Aty ku nata është më e zezë se bufi, dhe ku ndoshta një ditë, dikush do të gjejë guximin të ndezë një qiri. Deri atëherë, le të shohim hijet që vallëzojnë nën dritën e zbehtë të gënjeshtrave të tyre.