ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Arkitektura dhe rezistenca për liri

Shkrime relevante

A po u mbesim borxh nismave për kthim në origjinën fetare të kombit

Nga: Ragim Kçiku ___ NISMAT PËR KTHIM NË ORIGJINË ___ A u kemi mbetur borxh...

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit Shqiptar përmes Heroit të Kombit, Profetit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu

Nga: Luan  Dibrani Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të...

Kryetari Konjufca priti në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar...

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Të votohet për një legjislaturë të re politike!

Ilustrim ... Florim Zeqa  Elektorati kosovar kërkon ndryshime në të gjitha partitë pa...

Shpërndaj

Arianit Bytyçi, arkitekt, Prishtinë

Komuna e Prishtinës gjatë largimit të antenave satelitore nga ndërtesat duhet të ketë parasysh mbi të gjitha mesazhin që kanë pëçuar ato gjatë viteve nëntëdhjeta, e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komuna duhet t’i konservojë dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së okupimit, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol arkitektonik i rezistencës për liri dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira. 

Pavarësisht bindjeve politike, besoj se për komunitetin e arkitektëve në Kosovë është lajm i mirë që në krye të kryeqyetetit tonë, Prishtinës, tashmë është zgjedhur kryetar njëri nga ne arkitektët, arkitekti me përvojë ndërkombëtare, Përparim Rama. Për më tepër është po ashtu lajm i mirë që në krye të njërës prej drejtorive me të rëndësishme të komunës, asaj të Urbanizmit, Përparimi ka përzgjedhur poashtu kolegun tonë, arkitektin e ngritur intelektualisht, Arbër Sadikin. Duke pasur për bazë se kryeqyteti ynë, ashtu si çdo kryeqytet botëror, mbi të gjitha ka të bëjë me planifikimin hapësinor, me urbanizmin, me arkitekturën, të cilat kanë reflektimet dhe ndikimet e veta gjithandej qytetit, jam i prirur të besoj se arkitektët që do të udhëheqin Prishtinën për 4 vitet e ardhshme, kanë dijen, besoj edhe guximin e vullnetin për t’ia kthyer të mbarën Prishtinës që të funksionojë si kryeqytet i mirëfilltë me identitet urban e arkitektonik.

Jam i vetëdijshëm që në gjithë këtë proces reformash Përparimi dhe stafi që ai ka përzgjedhur bashkë me partnerët tjerë, do të përballen edhe me kufizime që paraqiten në legjislacionin e ndërtimit që është në fuqi në Kosovë, për të cilat personalisht kam alarmuar shumë vite më parë institucionet e Kosovës përmes shkrimeve të mia. Ashtu siç është e njohur nga profesionistët e fushës të cilët për çdo ditë përballen me këtë legjislacion, Ligji i Ndërtimit dhe aktet tjera nënligjore të ndërtimit në fuqi, nuk e shohin ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike, por më shumë si proces teknik e teknologjik. Prandaj, është e domosdoshme reforma ligjore, e cila do të krijonte hapësirë të duhur që institucionet e nivelit lokal dhe ato qëndror të kontribojnë në krijimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike në Kosovë.

Në të njejtën kohë, besoj se është lajm i mirë që në krye të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është po ashtu njëri nga kolegët tanë, arkitekti Liburn Aliu, i cili e ka përvojën profesionale, por edhe politike, duke pasur parasysh faktin se për disa mandate ka qene deputet dhe ka udhëhequr një komision të rëndësishëm parlamentar, dhe tani i ka të gjitha mundësitë që të inicojë reformën ligjore, e cila do ta fuqizonte rolin e arkitekturës në procesin e ndërtimit. Lidhur me këtë çështje, pas shkrimeve të mia publike lidhur me domosdonë e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të Politikës së Arkitekturës së Kosovës, si njëri nga mjetete që do t’i jepte kahje edhe reformës ligjore, dhe pas adresimeve të mia drejtuar disa kryeministrave me radhë, unë vite më parë pata takuar kolegun arkitekt, Liburn Aliu, në kohën kur ai udhëhiqte Komisionin për Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës. Duke e njohur Liburnin nga koha e studimeve në Fakultetin e Arkitekturës, pas diskutimeve tona, u patëm pajtuar që është e domosdoshme reforma e duhur ligjore në legjislacionin parësor dhe dytësor të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, si dhe ndërmarrja e hapave tjerë që do të mundësonin afirmimin dhe jetësimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike dhe urbanistike në qytetete e fshatrat tona. Asokohe bashkë me Liburnin dhe mikun tonë të përbashkët, veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Bajrush Xhemajli, patëm arritur të parandalonim degradimin dhe komprometimin që me apo pa vetëdije synohej të bëhej në mënyrë diletante e pa asnjë procedurë konkursi nga disa njerëz përmes një “monumenti” kiç dhe pa asnjë vlerë të mirëfilltë skulpturale dhe arkitektonike, që ndërlidhej me një temë aq të ndjeshme: flijimin për lirinë e Kosovës. Asokohe, u pajtuam që për këtë monument dhe për të gjitha monumentet tjera të lirisë, duhet përgatitur konkurse të mirëfillta arkitektonike, me detyra projektuese te përgatitura mirë, të cilat do të inkurajonin pjesëmarrjen e arkitektëve, skulptorëve e krijuesve tjerë vendorë e ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë të arrihej që të realizohen monumente të mirëfillta me vlera origjinale arkitektonike, që do të dërgonin mesazhin e duhur në botë. Tani besoj se është koha që të bëhet më shumë se aq. Tani është koha që ministria që udhëheqë Liburni, bashkë me ministritë tjera, siç është Ministria e Kulturës dhe ministritë dhe insitucionet tjera qendrore e lokale të cilat në një formë apo tjetër merren me ndërtim, të ndërmarrin nismën e hartimit të Politikës së Arkitekturës, e cila do të mundësontë koordinimin ndërinstitucional në fushën e Arkitekturës dhe rrjedhimisht edhe të reformave në legjislacionin e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Antena satelitore – si simbol i rezistencës gjithëpopullore

Për të dëshmuar se sa i rëndësishëm është koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërmarrja e reformave të domosdoshme, po e sjell në vëmendje nismën e Komunës së Prishtinës për largimin e antenave satelitore nga ndërtesat, të cilat antena ashtu siç thotë njoftimi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike “rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve….dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit”.

Duke e përkrahur në parim çdo nismë që ka për qëllim mes shumë çështjeve të rëndësishme, edhe estetikën e qytetit, unë mendoj se krahas kësaj nisme, Komuna e Prishtinës duhet të shikojë mundësinë e hartimit të një rregulloreje të analizuar mirë, e cila në mënyrë të detajuar do të trajtonte aspektin e dukjes dhe vëllimit të objekteve arkitektonike në Prishtinë, objekteve ekzistuese dhe atyre që planifikohen të ndërtohen, si dhe mundësinë e hartimit të një rregulloreje komunale që do të trajtonte krijimin e hapësirave të përbashkëta publike, hapësirave rekreative dhe atyre gjelbëruese, që do trajtoheshin përmes zgjidhjeve urbane të blloqeve të ndërtimit të cilat do t’i paraprinin dhënies së lejeve të ndërtimit. Unë jam i vetëdijshëm që ky proces kërkon edhe implementimin e reformës ligjore, që e potencova më lartë, por kjo gjë besoj se nuk mund ta ndalojë komunën e Prishtinës që në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës të fillojë të trajtojë më me seriozitet aspektin arkitektonik dhe urbanistik të kryeqytetit, dke mos pritur kohën derisa të fillojë zbatimi i reformës ligjore.

Duke u kthyer, tek tema e largimit të antenave satelitore nga ndërtesat në Prishtinë, e cila është motivi i këtij shkrimi për arkitekturën, dua të rikthej në kujtesë edhe një gjë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me antenat satelitore: Komuna e Prishtinës gjatë këtij procesi duhet të ketë parasysh mbi të gjitha aspektin e mesazhit që kanë pëçuar antenat satelitore gjate viteve nëntëdhjeta e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, pas nje analize gjithpërfshirëse, Komuna e Prishtinës në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të shikojnë mundësinë e konservimit të dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës, në Ulpianë, Dardani dhe Bregun e Dellit, duke mos i hequr antenat satelitore nga ato lagje. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së rezistencës gjithëpopullore për liri, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol i rezistencës dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira.

Përveç tjerash, komuna e Prishtinës bashkë me institucionet qendore, siç është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës do të mund të përgatisnin edhe një konkurs ndërkombëtar arkitektonik, që do të sensibilizonte artistët, skulptorët, arkitektët, piktorët dhe krijuesit tjerë vendorë e ndërkombëtarë, që bashkërisht përmes pjatave satelitore të viteve nëntëdhjeta të krijonin një vepër arti, skulpture e arkitekture, e cila si një vepër unike do të ishte poashtu dëshmi bashkëkohore e rezistencës për çlirim përmes medias.

Përderisa në vitet shtatëdhjeta dhe tëtëdhjeta, antenat analoge përmes të cilave në mënyrë ilegale prindërit dhe gjyshërit tanë shikonin programin e Televizionit Shqiptar dhe dëgjonin programin e Radio Tiranës, si mundësi e vetëdijësimit dhe emancipimit kombëtar për çlirim, në vitet nëntëdhjeta antenat satelitore ishin mundësia e vetme e thyerjes së territ informativ, përmes të cilave të gjithë ne shikonim Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar, por edhe mediat botërore, si CNN, BBC, Sky News, EuroNews, MTV, etj.

Unë dhe gjenerata ime kemi jetuar dhe jemi edukuar me Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar. Jemi edukuar në frymën e rezistencës për çlirim, që ka përçuar programi i TVSH-së përmes emisioneve për funksionimin e institucioneve të rezistencës për çlirim, përmes emisionit që i parapriu demonstratës madhështore studentore të 1 Tetorit 1997 e përmes paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së në qershor ’98 në Kleçkë, që u transmetua në TVSH. E kemi mbajtur shpresën për liri përmes emisioneve për UÇĶ-në, përmes Betimit të UÇK-së, përmes marshit urban të ushtarëve te UÇK-së, ku ishte sinkronizuar zëri i artistëve kosovare, Poqit, Xuxit e të tjerëve, në mënyrë që marshi ushtarak të prezentohej sa më i artikuluar, përmes  emisioneve për terriroret e çliruara nga UÇK dhe emisioneve për mbijetesën e popullatës civile. Si sot më kujtohet emisioni i transmetuar në tetor të vitit 1998 pas ofensivës së shtatorit, emisioni me titullin kuptimplotë “…këtu jemi!”, që dërgonte mesazhin që ÙÇK nuk është shpartalluar, por do të jetë këtu, në Kosovë deri në çlirimin definitiv të Kosovës. Ne dhe familjet tona kemi bashkëjetuar me këto emisione, që i kemi shikuar përmes antenave satelitore, për të cilat kemi nostalgji, e të cilat sot po synohet të largohen të gjitha, pa asnjë përjashtim.

Për këtë arsye, i bëj thirrje kolegëve arkitektë: kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtorit të Urbanizmit, Arbër Sadiki, e po ashtu edhe ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu, që me një koordinim ndërinsitucional edhe me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të saj të kenë kujdes që në rastin e antenave satelitore të trajtojnë me kujdes aspektin e ruajtjes se trashëgimisë kulturore dhe rrjedhimisht të ruajtjes së kujtesës kolektive, për aryse se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që përmes veprimeve arbitrare të harrohet historia e rezistencës gjithëpopullore për liri, që është përçuar edhe përmes antenave satelitore.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme: gjatë viteve të nëntedhjeta ne si popull përmes antenave satelitore jemi emancipuar e vetëdijësuar edhe në aspektin kulturor përmes këngëve të prezentuara në Festivalin e Kënges në Radiotelevizionin Shqiptar, përmes këngës së Ilir Shaqirit “Jam Evropë”, si dhe përmes këngëve të Luan Zhegut, Sherif Merdanit, Aurela Gaçes, Ledina Çelos, Redon Makashit, Aleksandër Gjokës e Elton Dedës, Mira Konçit, Françesk Radit e Manjola Nallbanit, e deri te kënga historike e Luan Zhegut kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit. Antenat satelitore gjatë viteve nëntëdhjeta në Prishtinë e në lokalitete tjera të Kosovës na kanë mundësuar që për herë të parë përveç në audiokaseta, të dëgjojmë muzikë botërore edhe në kanalin satelitor të MTV-së. Këngët e Guns N’Roses, Metallica, Aerosmith, Iron Maiden, Bon Jovi, Pink Floyd, Sepultura, e deri te “Zombie” i The Cranberries, për gjeneratën tonë mbajnë vulën e antenave satelitore të viteve nëntëdhjëta.

Prandaj, mos na e fshini kujtesën kolektive të rezistencës për çlirim. Na i ruani së paku tri objekte me antena satelitore në Prishtinë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu