Bardhyl (Adem Selimi), Tiranë
Që kur jam njohur, për herë të pare, me Rexhepin në fund të verës 2016, ai më tregoi për hulumtimet e tij në ngulimet arbëreshë në Itali dhe Greqi. Dhe, sa herë takoheshim, më tregonte për “arqipelagun arbëresh”, sikurse e cilëson atë At Antonio Belushi.
Rexhepi e ka vizituar Kalabrinë 60 vjet më parë me një grup studentash të Kosovës. Kur e pyetën shqiptarët e atjeshëm se nga vinte, ai u tha “Vij nga Kosova”. Ku ndodhet Kosova, vazhduan ta pyesnin ata. Kosova është një krahinë e madhe e banuar nga shqiptarë në Jugosllavi. Ah, dmth ju jeni gjak I shprishur! Rexhepi, fillimisht, e keqkuptoi këtë fjalë që e dëgjonte për herë të parë, por mandej nisi edhe ai ta përdorë lirisht për të shprehur faktin që shqiptarët janë shpërndarë “pikë e pesë”, gjithandej. Më vonë, Rexhepi si gazetar i Rilindjes, shkoi shpesh te arbëreshët, ndërsa pas vitit 1995, kur u vendos familjarisht në Zvicër, nisi studimet për arbëreshët, seriozisht. Nuk la fshat dhe vendbanim të tyre pa e shkelur, pa e fotografuar, pa qëmtuar aspekte të veçanta të jetës atje. Hoteli dhe vendqendrimi i tij ishin vetë shtëpitë e vëllezërve arbëreshë. I solli ata edhe në Shqipëri e Kosovë. Shoqëroi atje grupe studentësh universitarë shqiptarë të Zvicrës.
Kishte vite që Rexhepi po hartonte një Libër me titullin “Arbëreshët – një fotosintezë e shpirtit tim”. Dhe ja, libri doli dhe mrekullisht shumë cilësor nga forma dhe përmbajtja. Në 500 faqe shpalosen të 53 fshatrat arbëreshe, ku nuk mungon busti i heroit tonë kombëtar, tabelat e rrugëve dygjuhëshe, përshëndetja “Mirë se ardhët” në shqip, bibliotekat, kostumet popullore, grupet muzikore, shkollat.
Bardhyl Selimi me Rexhep Rifatin, autorin e librit për arbëreshës
Qendra e Studimeve dhe e Botimeve Arbëreshe (QSBA), e kryesuar nga zonja Diana Kastrati, organizoi sot në sallën “Europa” të Fakultetit të Filologjisë, një konferencë për arbëreshët, ku morën pjesë dhe ligjëruan studiues edhe nga arbëreshët. Sigurisht edhe Rexhepi, i cili kishte sjellë edhe dy dokumentarë të bukur që ilustronin librin e tij dhe vizitat në trojet arbërore (Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Ҫamëri).
Pas konferencës, një gazetare e RTSH e intervistoi Rexhepin në mjediset e Biblioteëks së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku ishin ekspozuar mbi 350 botime për arbëreshët.
Shkroi Bardhyl Selimi, Tiranë, më 22 nentor 2022