ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Arsimi – mësuesit, greva, mafia arsimore dhe rreziku i ristartimit të sistemit arsimor nga pika zero

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Shkruan : Prof.dr. Murteza Osdautaj, PHD 
***
(Apo se si greva e mësuesve e këtyre ditëve e detyroi kryeministrin ta thotë haptas një konstatim që, për 20 vjet, përmendet në bisedat private, në emisione televizive dhe në portale mediale e që ka të bëjë me analfabetët funksionalë që prodhon sistemi ynë arsimor. Shkrimi do të flasë për mësuesit si instrumente dhe për kontributin e dhjetë njerëzve që i dizajnuan apo i udhëhoqën, thuaja, të gjitha ‘reformat arsimore’ që sistemi e sollën në gjendjen aktuale)
Greva e këtyre ditëve, deshëm ne e nuk deshëm, i vuri edhe njëherë në sipërfaqe disa probleme për të cilat kemi diskutuar me vite dhe të cilat i dimë thuaja të gjithë. Janë probleme të cilat ndërlidhen, në rend të parë, me cilësinë në arsim dhe me statusin social të mësuesve por edhe me sistemin, si tërësi. Gjithashtu greva ishte një moment që na bëri të mendojmë për, ta quajmë, arkitekturën e përgjithshme të sistemit arsimor dhe për kontributin e shumë faktorëve në ‘ndërtimin’ e tij dhe në krijimin e gjendjes në të cilën jemi dhe për të cilën nuk bëjmë asgjë për ta ndërruar apo përmirësuar.
Arsimi, në këto njëzet e tre vjet, ishte një nga hallkat e zingjirit të sistemit tonë shtetëror që ka funksionuar, në masë të madhe, keq. Nuk kanë mjaftuar as investimet e mëdha në ndërtimin e shkollave, as investimet e mëdha në pajisjen e shkollave me mjete mësimore, as trajnimet e pafundme të mësuesve dhe as involvimi i paparë i shoqërisë civile dhe i organizatave të huaja nga shtete të veçanta dhe të tjera ndërkombëtare që sistemi jonë arsimor të mëkëmbet.
Këtë shkrim po e bëj për një arsye të thjeshtë. Në tërë këtë rrugëtim janë jo më shumë se dhjetë persona dhe organizata (përjashto ministrat që, secili në kohën e vet, kanë dhënë ‘kontribut’) nga shoqëria civile, OJQ-të, institucionet private e publike etj. të cilët, shpesh, kanë mbajtur edhe pozita të larta politike dhe, të cilët, në cilësinë e ‘ekspertëve’ janë angazhuar dhe kanë dhënë ‘kontribut’ në zhvillimin dhe reformimin e arsimit gjatë tërë këtyre viteve të pasluftës. Angazhimi i tyre ishte aq i gjatë dhe aq i gjithanshëm në ngjarjet në arsimin tonë saqë, çdo ‘reformë’, çdo aktivitet, secila ndodhi dhe çdo dokument, ligjor dhe nënligjor, strategjik apo programor i shkruar për arsimin, i të gjitha niveleve, e ka dorën dhe vulën e këtyre dhjetë personave.
Duke qenë ‘ekspertë’ të përjetshëm, duke u futur në çdo ingranazh të funksionimit të sistemit dhe duke uzurpuar çdo mundësi të angazhimit të të tjerëve, ata, në njëfarë dore, e uzurpuan, thuaja në tërësi, këtë fushë veprimi ngase ishte një burim i mirë i pasurimit të tyre apo të grupeve të tyre të interesit.
Këta, thuaja, dhjetë persona, dhjetë organizata, dhjetë ‘ekspertë’ që i ka Kosova, që vijnë nga shoqëria civile, që kishin fatin që, në kohën e pasluftës të flisnin anglisht, arritën të futeshin në institucionet e UNMIK-ut duke përfituar pozita, nga më të lartat, edhe në hierarkinë politike ekzekutive, duke u bërë këshilltarë politikë, ministra dhe zëvendësministra, duke u angazhuar në projektet më të mëdha në fushën e arsimit të financuara nga Kosova apo nga donatorët e jashtëm, duke i udhëhequr OJQ-të vendore që ‘thithen’ pafund fonde vendore dhe ndërkombëtare dhe duke iu kryer shërbime ‘të asistencës teknike’ thuaja çdo organizate të jashtme, u pasuruan, krijuan institucione private ndërsa që, në asnjë rast, nuk dhanë përgjegjësi për punën e tyre të pasuksesshme e cila u shpërfaq në mënyrë aq transparente në dy testet e PISA-s. Po e quaj të pasuksesshme ngase, përveç në PISA, në të gjitha raportet ndërkombëtare, sidomos të Bashkimit Evropian, zhvillimet arsimore në Kosovë nuk vlerësohen për ndonjë ngritje cilësore edhe pse ‘angazhimet’ e kësaj dhjetësheje kosovare ishin permanente, të vazhdueshme dhe ndikimbërëse.
Këta dhjetë persona, me organizatat e tyre, janë organizatorët dhe ofruesit më të mëdhenj të trajnimeve. Këta dhjetë persona, si përfaqësues të organizatave vendore dhe të jashtme, janë, thuaja, hartuesit e vetëm të kurrikulave, strategjive dhe programeve kombëtare arsimore. Ata, duke i përdorur këto instrumente dhe monopolet e krijuara, arritën që tërë sistemin arsimor ta bëjnë të varur nga ‘dijet’ e tyre dhe kontributet e tyre të ‘gjithanshme’, gjithsesi me anë të angazhimit të ekipeve të tyre ‘profesionale’ të cilët, në rastet më të shpeshta, me përjashtime, ishin persona të zakonshëm, pa shkollim, aftësi dhe ekspertizë të nevojshme por, për shkaqe pasurore, u bënë dhe ende janë pjesë e strukturave për të cilat po flas dhe të cilat udhëhiqen nga dhjetëshja e personave të cilëve në këtë shkrim nuk po ua them emrin por, të cilët, çdo lexues, pasi ta lexojë këtë shkrim, do t’i identifikojë.
Do të ishte krejt në rregull që njerëzit të angazhoheshin në punë në të cilat kanë ekspertizë, do të ishte normale që, ndonjëherë, njerëzit të mos arrijnë ta materializojnë punën dhe idetë e tyre, por është fare jonormale që, derisa sistemi arsimor nuk shënon asnjë ngritje cilësore, të njëjtit persona që janë përgjegjës, direkt apo indirekt, për gjendjen në të cilën është arsimi të jenë edhe tash dhe edhe në çdo situatë ata të cilët ftohen për ta ndrequr atë që e kanë rrënuar vetë.
Thuaja, në tërësi, në të gjitha ngjarjet arsimore dhe pedagogjike, në të gjitha nivelet arsimore, duke filluar nga niveli parashkollor deri te shkollimi i kuadrove arsimore, zhvillimi profesional, dokumentet ligjore e nënligjore, trajnimet, kurrikulat, licencimet, riaftësimet profesionale etj. etj. kanë kaluar nëpër duart e tyre apo janë dizajnuar prej tyre. Fatkeqësisht, thuaja të tëra angazhimet profesionale të tyre, kanë dalë të pasuksesshme, të pabazuara në nevojat arsimore të Kosovës, shpesh të kopjuara nga dokumentet dhe aktivitetet e ngjashme të vendeve skandinave duke bërë që, fatkeqësisht, arsimi kosovar dhe zhvillimi i tij të stagnojë në mënyrë sinjifikante dhe duke e bërë sistemin tonë më të pazhvilluarin dhe më të prapambeturin në Evropë.
Ne të gjithë e dimë se kemi problem jashtëzakonisht të madh me arsimin dhe cilësinë e tij në të gjitha nivelet. Këtë gjë e kanë ditur të gjithë ministrat, të gjithë kryeministrat dhe këtë gjë e dinë edhe ministrja dhe kryeministri aktual. Por këtë gjë e dimë të gjithë ne që jemi marrë apo merremi me çështjet e arsimit. E kemi ditur edhe më herët dhe e kemi ditur edhe që nga fillimi por, gjithmonë, për ta ‘shëruar’ gjendjen ftoheshin dhe po ftohen njerëzit e njëjtë, ata që kontribuuan më së shumti në stagnimin dhe mos zhvillimin aktual të sistemit tonë arsimor.
E tërë kjo gjendje është krijuar me kontributin ‘profesional’ dhe udhëheqjen e grupit që unë do ta quaja ‘dhjetëshja e madhe’.
***
Janë disa gjëra që dihen botërisht në lidhje me gjendjen arsimit tonë disa prej të cilave dua t’i përmendi dhe për krijimin e të cilave po ky grup ‘burrash të arsimit’ kanë pasur rol kyç apo, ndonjëherë udhëheqës.
Ne e dimë se sa dobët kemi dalë në PISA 2015 dhe se sa dobët, gjithashtu, kemi dalë në PISA 2018. Ne e dimë se ne, gjithashtu, kemi proporcionin më të lartë në Evropë me mësues të ‘shkolluar’ që kanë gradën master. Ne e dimë se, thuaja çdo vjet, në raportet ndërkombëtare që bëhen për arsimin në Kosovë, gjendja e sistemit tonë arsimor konsiderohet e ulët dhe përshkruhet me terma si: ‘në fazën infantile’, ‘në nivele fillestare’, ‘pa zhvillime të vërejtshme pozitive’ etj. Çdo Ministër e dinte dhe çdo politikbërës e di se ku është problemi, si dhe ku duhet intervenuar dhe si e ku funksionon keq zingjiri i sistemit por, asnjëri, ngase prekja në sektorin e arsimit kushton me vota, nuk e ka guximin dhe dëshirën për të intervenuar. Mosndërhyrja me kohë dhe ‘trashja’ e problemit do të shkaktojë situata dhe gjendje të pakthyeshme të cilat do ta detyrojnë, në një kohë të ardhme, një qeveri fatkeqe që tërë procesin ta fillojë nga zeroja dhe nëse, në një situatë të caktuar, do të jemi të detyruar që tërë sistemin ta fillojmë nga zeroja, humbjet do të jenë të pakompensueshme.
Në shumë diskutime kërkohet që mësuesit të testohen për të parë nëse ata janë të aftë për të qenë mësues, Në shumë raste, në shumë diskutime publike dhe shkrime analitike, mësuesit quhen ‘analfabetë funksionalë’. Duhet të ndalemi në këtë pikë ngase po t’i quajmë mësuesit ‘analfabetë funksionalë’ ne, në të vërtetë, nuk po i sulmojmë mësuesit. Nëse ata janë të tillë, ata nuk kanë asnjë faj ngase ata kanë ‘diplomuar’ duke i plotësuar standardet e diplomimit të secilit prej universiteteve të Kosovës. Secili prej tyre ka regjistruar studimet për t’u bërë mësues dhe secili universitet i ka pajisur ata me diploma të ‘vlefshme’ për mësues. Në këtë situatë, ne dalim në një anë tjetër të problemit të përgjithshëm që e ka sistemi ynë. Pra dalim në fushën e përgatitjes së mësuesve për të qenë të aftë për t’u inkuadruar në tregun arsimor të punës. Janë pra universitetet dhe profesorët universitarë që, në këtë situatë, shpërfaqen me punën e tyre në përgatitjen e mësuesve. Nëse, pra, universitetet prodhojnë mësues ‘analfabetë funksionalë’, ne nuk kemi të drejtë t’i sulmojmë mësuesit. Janë universitetet që mbushin shkollat tona me mësues të papërgatitur dhe ne duhet të merremi me universitetet dhe ‘standardet’ e tyre për dhënien e diplomave por edhe cilësinë arsimore që ata ua ofrojnë mësuesve të ardhshëm. Testi PISA e ka konfirmuar këtë fenomen duke konstatuar se në Kosovë nuk funksionon mirë sistemi i përgatitjes së mësuesve për sistemin parashkollor (Është parë se fëmijët që kanë ndjekur sistemin parashkollor, në krahasim me ata që nuk kanë qenë fare në këtë sistem, kanë treguar rezultate më të dobëta në të tria fushat e testimit. Po kështu është treguar se kualifikimi i mësuesve, që është nga më të lartët në Evropë, nuk është faktor që ndikon pozitivisht në arritjet e nxënësve kosovarë.), nuk funksionon mirë sistemi i përgatitjes së mësuesve të nivelit fillor por, eshtë parë se, nuk funksionojnë mirë edhe dy nivelet tjera arsimore. Të kërkosh një provim shtetëror apo një përtëritje të licencës për mësues, nuk është fundi i botës por një akt normal që e bëjnë të gjitha shtetet. Por të kërkosh një test (shpesh për hakmarrje për shkak të grevës) për mësues dhe universitetet t’i lejosh të vazhdojnë me avazin e tyre të prodhimit të mësuesve të paaftë, nuk ke bërë asgjë më shumë sesa një lloj sulmi mujshor ndaj tyre.
Edhe në krijimin e kësaj situate, të angazhuar ‘profesionalisht’ dhe me resurset e tyre kanë qenë personat për të cilat po flas dhe organizatat e tyre ‘arsimore’.
Por ne e kemi ditur dhe e dimë edhe tash se ku është dashur të ndërhyjmë, çka është dashur të bëjmë, cilat punë është dashur t’i bëjmë ndryshe dhe si duhej t’i bënim në një mënyrë tjetër. Po ne nuk kemi bërë më shumë apo, më mirë, nuk kemi bërë asgjë ngase, shumë prej nesh, duke bërë gjëra apo duke mosvepruar, në momentet kur është dashur dhe duhej të bënim më shumë për vendin dhe arsimin tonë, e kemi shikuar dhe e shikojmë ende prioritare interesin tonë dhe mirëqenien tonë, përfitimin tonë, profitin tonë që mund ta kemi nga gjendja e aktuale dhe nga situatat tragjike nëpër të cilat mund të kalojë populli ynë dhe sektorët funksionalë të shtetit. Në këtë kontekst mund të flasim për një varg institutesh dhe institucionesh tjera që, për shkaqe profiti, vihen dhe janë vënë në shërbim të asaj që, më së paku, do ta quanim vazhdim i gjendjes së keqe të arsimit.
Prandaj sot, pa mëdyshje, mund të flasim për mafinë arsimore në Kosovë e përbërë nga politikanë, OJQ vendore e ndërkombëtare, institute, institucione arsimore të të gjitha niveleve dhe të të gjitha përkatësive pronësore, ekspertë, administratorë të niveleve lokale e qendrore të cilët përdorin miliona euro, marrin miliona euro dhe, të organizuar apo ‘të paorganizuar’, e ndalojnë, e pengojnë dhe e ‘mbysin’ çdo ide, çdo iniciative, çdo tendencë dhe çdo ndërmarrje që mund ta ‘shëndoshte’ sistemin tonë arsimor me anë të ndërhyrjeve të mirëfillta reformuese.
Edhe në këtë ‘sferë’ janë dhjetëshja magjike e cila ka dorë dhe ndikimin më të madh.
Në këtë kontekst, mjafton ta përmendim faktin se po ndërrohen katër Ministra në MASHTI të cilët punën e tyre kryesore e kanë, ende, ‘riorganizimin’ e këtij institucioni (të nisur, me qëllime politike dhe kundërligjshëm nga ish ministri i NISMA, Shyqri Bytyqi) me anë të një organogrami të cilin do t’ua propozojë dhe hartojë një OJQ vendore a ndërkombëtare derisa, po ky institucion, ka më shumë se 300 të punësuar të cilët punojnë për më shumë se 20 vite e të cilët, shumica, janë ekspertë të fushave të caktuara. Angazhimi i një OJQ-je, siç është GTZ gjermane, e cila nuk njihet për ekspertizë në fushën e arsimit (në bërjen e politikave) askund në botë dhe angazhimi prej saj i disa ‘ekspertëve’ rumunë dhe të ndonjë përkthyeseje a zyrtareje juniore vendore nuk është asgjë tjetër përveçse një krim, ta quaj, arsimor. Krim dhe mafiozllëk është edhe angazhimi i individëve pa ekspertizë të veçantë dhe OJQ-ve pa asnjë veprimtari të pranuar për të hartuar strategji dhe për të vlerësuar punën e MASHTI-it sa herë që kjo gjë bëhet e nevojshme. Të kesh ekspertë në mesin tënd, të kesh në krah institucione akademike dhe universitare, të kesh ekspertë të aftë që janë shkolluar brenda dhe jashtë, të kesh njerëz me përvojë tërëjetësore në arsim e të angazhosh vetëm një grup njerëzish vendorë e ndërkombëtarë që kanë krijuar monopol dhe nuk kanë krijuar asnjë gjendje pozitive përveçse janë pasuruar vetë dhe grupet e tyre paramafioze është më shumë se një krim dhe fatkeqësi. Është, thjeshtë, shkarje dhe denigrim i çdo pune të bërë për vite nga gjenerata e gjenerata. Në këtë mes nuk dua ta mohoj edhe mospunën e bërë nga individë dhe grupe të caktuara dhe, sigurisht që, një gjë e tillë do të duhej te sanksionohej porse, gjithashtu, duhet ditur se pjesa e personave të tillë që e kanë dëmtuar sistemin, në pjesën më të madhe, janë partizanë të PDK-së dhe të LDK-së dhe të partive si motra të tyre por edhe shërbyes të gjithsecilës klikë, të deklaruar si ‘të paparti’, të cilët janë përdorur nga oligarkitë politike për realizimin e qëllimeve politike që fokus kishin uzurpimin e të gjitha funksioneve ekzekutive në shtet dhe, përmes tyre, ta mbanin gjithmonë nën kontroll sistemin arsimor i cili, meqë e prekë thuaja tërë popullsinë, duke ka një shtrirje kaq të gjerë, duke u konsideruar si një shportë e madhe votash, do të përdorej si bankomat votash në njërën anë dhe për pasurimin e parapolitikës së partive të caktuara politike, në anën tjetër.
Një qasje e tillë është zhvilluar në të gjitha nivelet e shkollimit dhe, pa dyshim, është shtrirë edhe në sektorin terciar, pra në universitete, ku janë punësuar dhe instaluar militantët partiakë të partive të cilat e mbizotëronin, në momentin e caktuar, institucionin e veçantë. Qoftë në universitete por qofte edhe në njësitë universitare brenda universiteteve mund ta vëresh shume lehtë se nga cila parti politike është menagjmenti i këtij apo atij universiteti, apo cilin profesor e kishin mentor stafi i këtij apo atij fakulteti. Me një vështrim të thjeshtë, mund ta vëresh se të tëra institucionet janë të ndara në klane dhe në grupe, në të gjitha institucionet janë krijuar getot apo territoret nëpër të cilat nuk lejohet ‘hyrja’ e personave të tjerë. Mund të vëresh komunitete ‘shkencëtarësh’ apo komunitete (lexo klane) tjera ‘poetësh’, ‘artistësh’, apo grupe tjera joparimore të cilat, në mënyrën e tyre, e pengojnë çdo zhvillim progresiv në arsim dhe në fusha të tjera të shkencës dhe të kulturës duke i uzurpuar hapësirat dhe mundësitë që personat me dije dhe pa përkatësi klanore të kenë mundësi të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre.
Dhjetëshja e përmendur vepron në territorin apo ‘kibucin’ e fushës së arsimit dhe të gjithë ata janë akomoduar shumë bukur në pozita të ndryshme fitimprurëse duke e shfrytëzuar mundësinë e ‘mirëmbajtjes’ së ndasive klanore, duke shfrytëzuar mungesën e kapaciteteve dhe padijen e kabineteve te ministrave por edhe duke mbyllur çdo hapësirë mendimi ndryshe në lidhje me ngjarjet dhe zhvillimet arsimore në vend. Fatkeqësisht, me lidhjen e politikanëve të paaftë, profiterë dhe të pavizion me strukturat e mafioze arsimore që punë e kanë gjahun në projekte dhe në buxhetin shtetëror, është arritur që sistemi arsimor kosovar të degradojë deri në masën që të fillohet rikrijimi i tij duke filluar nga pika
zero.
Shihet pra se ne e dimë se ku jemi dhe sa keq janë punët tona dhe ku janë të metat dhe problemet por nuk duam të ndërrojmë asnjë situatë ngase jemi mësuar që të bëhemi rob dhe servilë të ndonjë organizate ndërkombëtare që na ndihmon me ‘ekspertë’ të huaj e vendorë të cilët, në vendin e tyre, nuk i njeh kush ndërsa këtu, për shkak të sterilitetit tonë mendor dhe servilitetit patologjik, krijojnë politika kombëtare të arsimit të cilat vetëm se e shkatërrojnë edhe më tutje sistemin tonë arsimor. Qindra projekte të këtyre njëzet vjetëve i kanë kushtuar buxhetit të vendit por kanë ‘thithur’ edhe donacione në masën prej afro 500 milionë euro. Vetëm njëra nga organizatat e angazhuara, ka ‘thithur’ projekte, për periudhën 20 vjeçare të funksionimit, në shumën prej 60 milionë eurosh dhe, derisa një organizatë vendore ka arritur të ‘menagjojë’ kaq milionë, duhet menduar se sa shumë milionë të tjerë janë ‘menagjuar’ nga organizatat tjera të huaja dhe vendore. Po ta bësh një matje në mes të dy testeve të PISA-s që kanë ndodhur në vitet 2015 dhe 2018, do ta shohësh se efekti i të gjitha ‘ndërhyrjeve’ (p.sh. janë mbajtur 2 milionë orë trajnime me mësues) në sistem ka qenë i barabartë me zero. Përkundrazi, edhe pse sistemi është ‘ndihmuar’ me gjithë ato orë trajnimesh, është shënuar një rënie e lehtë negative në arritshmërinë në PISA 2018 në krahasim me PISA 2015. Në të gjitha rastet, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet, kur shënohen një mossukses në testin PISA, sikur ka ndodhur në vendin tonë, shteti çohet në këmbë dhe organizon dhjetëra hulumtime për t’i gjetur shkaqet e një gjendjeje të tillë duke i kërkuar ato që nga faktorët njerëzorë e deri te ata strukturalë dhe sistemorë. Në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Flitet në ndonjë emision lajmesh dhe çdo gjë harrohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe, si për ironi, ftohen apo ata ‘dijetarët’ e mëhershëm dhe po të njëjtit angazhohen për ta ‘sanuar’ gjendjen për të cilën kanë kontribuuar shumë të krijohet.
Duke e parë se si funksionon i tërë sistemi ynë arsimor dhe institucionet arsimore të vendit, nuk mund t’i ikim faktit se në Kosovë, në këtë 23 vjetësh, është krijuar mafia arsimore e prirë nga një dhjetëshe njerëzish të fuqishëm të lidhur me politikën dhe me organizata të fuqishme të brendshme dhe të jashtme. Mafia arsimore nuk përfshin vetëm OJQ-të, institucionet menagjuese dhe personat dhe individët. Ajo ka dorën e zgjatur edhe brenda qeverisë, në komuna, në Universitete, institute dhe institucione shkencore dhe pedagogjike. Mijëra të diplomuar, të magjistruar dhe të doktoruar ‘derdhen’ në tregun ‘akademik’ çdo vjet. Mijëra të diplomuar, me gradën beçelor, me master dhe doktoraturë fitojnë tituj duke i blerë diplomat (rasti i fundit ishte me 12 ‘doktorët’ kosovarë që i kishin blerë doktoratat e tyre në Universitetin e Kragujevcit të Serbisë apo, vitet e kaluara, rreth 180 sish që kishin ‘doktoruar’ vetëm në një universitet privat të Tiranës) apo duke përdorur diploma, tashmë, të mbrojtura por duke ua ndërruar titujt dhe emrat a mentorëve. Qindra profesorë dhe shkencëtarë përfitojnë tituj universitarë duke përdorur të gjitha makinacionet e mundshme për falsifikimin e punës shkencore. Nëse i shikojmë ‘shkrimet shkencore’ mund të hasim në punime të njëjta të botuara me tituj të ndryshëm në revista të ndryshme, mund të hasim, për shembull, në punime nga fizika në të cilat njëri nga autorët është gjeograf ose veteriner, mund të hasim në punime nga veterinaria ose xehetaria në të cilat njëri apo disa nga autorët janë gjuhëtarë ose pedagogë dhe mund të gjejmë punime nga mjekësia në të cilat njëri apo disa autorë mund të jenë gjeografë apo pedagogë. Përveç kësaj, mafia arsimore ka ngulur rrënjë edhe në fusha të tjera. Hartimi i teksteve mësimore, monopolet e krijuara të shtëpive botuese me autorë, recensentë dhe redaktorë ka bërë që edhe në tekstet mësimore që përdorën apo janë përdorur në Kosovë të vërehet fenomeni i uzurpimit të një pjese tejet të rëndësishme të arsimit, të shkruarit, të botimit dhe të blerjes së teksteve mësimore. Edhe këtu, gjithsesi, dhjetëshja e madhe e sistemit arsimor të Kosovës i ka, domosdo, duart e përziera ngase tekstet mësimore janë një burim i madh i parave dhe i profiteve të individëve dhe kompanive edhe pse, gjithnjë, është folur për cilësinë tejet të dobët përmbajtjesore, teknike dhe arsimore të teksteve.
Po s’është vetëm kjo! Ne e dimë se shkollat tona po ‘prodhojnë’ nxënës me përformancë të dobët. E dimë se ky zingjir bartet në fakultet dhe pastaj edhe fakulteti prodhon mësues të dobët. Ministrat e dinë dhe edhe ne e dimë se këtij vargu duhet t’i këputet një hallkë në mënyrë që ai te mos ketë mundësi të riprodhohet. Ministrat e dinë, akademikët e dinë, universitetet e dinë se ky trend duhet ndalur por, duke e ditur se këputja e secilës nga hallkat e zingjirit do të thotë më pak profit për tërë një klasë njerëzish dhe institucionesh, askush nuk e ka guximin e ndërmarrjes së një hapi të tillë ‘historik’. Rasti më i çuditshëm është i një fakulteti i cili ‘prodhon’ mësues të diplomuar dhe i njëjti, të njëjtëve, iu ofron trajnime për ngritje profesionale. Ky është rast unikat në botë që një institucion që shkollon dhe aftëson mësues me gradën master, i pajisë ata me diploma dhe, menjëherë pas diplomimit, i fton të njëjtit në trajnime për ngritje profesionale. Një institucion universitar do të duhej ta kishte etiken themelore akademike në mënyrë që diploma që lëshon të ishte një garanci e aftësive dhe shkathtësive të nevojshme për studentët që kryejnë studime për mësues në po atë fakultet.
Mafia arsimore është një strukturë shumë e gjallë e përbërë prej manjatëve të pasur, strukturave politike dhe para politike, nga organizata të jashtme dhe vendore, nga pseudo ekspertë dhe pseudo intelektualë nga profesorë e akademikë që, për një grusht para më shumë, instrumentalizohen nga cilido dhe gjithkush që mund t’iu ofrojë para. Gjendja e krizës permanente e arsimit kosovarë është një hapësirë e pafundme që të njëjtit të pasurohen edhe më shumë dhe ta rrëmbejnë çdo perspektivë zhvillimore që njerëzit qëllimmirë mund ta kenë.
Në situatën kur shteti nuk bën asgjë për ngritjen dhe mbrojtjen e cilësisë arsimore, mësuesi është caku i sulmit, instrumenti politik për realizmin e qëllimeve dhe, më së shpeshti, viktima e sistemit. Ata përdorën nga oligarkët e politikës, nga oligarkët e sindikatave (p.sh. doli se sekretari i sindikatave është një nga njerëzit e pasur të Kosovës me një pasuri që përfshinë me shumë se katër banesa, vetura të shtrenjta etj. që nuk mund ët krijohet me një rrogë dhe as me dy rroga dhe që kishte para të thata në bankë të barabarta me rrogën që, një mësues i shkollës së mesme, merr për 12 vjet. Unë nuk po paragjykoj asgjë por, e tërë ajo pasuri, nuk është krijuar pa një bazë të fortë të të ardhurave e që nuk mund të arrihet me një, dy a tri rroga mesatare të Kosovës), nga oligarkët fetarë dhe, shpesh edhe nga partitë opozitare të cilat, cilado qoftë në opozitë, i përdorë sindikatat dhe mësuesit si instrument dhe armë të luftës politike.. Derisa mësuesit përdorën si instrumente dhe mjete për arritjen e qëllimeve politike dhe derisa sindikatat kokëtojnë me secilin grupim politik për një ngritje minimale pagash, në të njëjtën kohë ata e dëmtojnë tepër shumë dinjitetin njerëzor dhe profesional të mësuesit, duke e dëmtuar, thuaja pakthyeshëm, figurën dhe personalitetin e tij. .
Pas çdo stuhie në fushën e arsimit, tash pas grevave apo, vitin që vjen, pas daljes së rezultateve të reja të PISA-s, pa dyshim, garnitura qeveritare do ta ftojë ‘dhjetëshen e madhe’ të mafisë arsimore për rregullimin e ‘situatës’. Dhe derisa ata do të pasurohen pak më tepër duke mbllaçitur në fondet e varfra të këtij vendi, ne do të mbesim, edhe për shumë kohë, duke folur e shkruar për mosfunksionimin adekuat të sistemit tonë arsimor.
Dhe derisa gjërat shkojnë, domosdoshmërisht, drejt pikës së fillimit, pra pikës zero, e cila nënkupton se gjithçka duhet të fillohet nga pika zero, ministria ende bën po atë gjë që e kanë bërë kabinetet tjera ministrore duke e angazhuar ‘këtë klasë ekspertësh’ e cila është, në të shumtën e herave, autore dhe kontribuuese absolute e krejt kësaj gjendjeje.
Në kulturën tonë, fatkeqësisht, krimi fshehët dhe nuk denoncohet dhe nuk flitet për të ngase njerëzit nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ‘çesateve’ private dhe publike. Ky shkrim i imi shpresoj që do ta hapë këtë ‘çesatë’ dhe, në një situatë të ardhme, në rast nevoje, për të mirën e sistemit, ndoshta do të ishte shumë më humane që të paraqiteshin kontributet konkrete të secilit grup të interesit në prapambetjen arsimore të vendit.
Ku shkrim nuk është akuzë, është përpjekje që, për problemet, të flitet haptas dhe të flitet gjerësisht që nënkupton edhe inkuadrimin e sa më shume institucioneve dhe personaliteteve publike në diskutimin më të madh që duhet ta zhvillojë ky vend.
Arsimi, faktorët politikë (qeveritë, drejtoritë komunale, drejtoritë e shkollave, etj.), faktorët institucionalë (universitetet, institutet, kolegjet, etj.) dhe faktorët njerëzorë që e kanë katandisur në këtë gjendje, duhet të jenë tema e madhe kombëtare për të cilën duhet diskutuar urgjentisht dhe menjëherë. Të diskutojmë të gjithë njëherësh.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu