Xhevat Bislimi, Viti
Falja ala arabçe dhe alaturka në Sheshin që mban emrin e Gjergj Kastriotit dhe para Monumentit të tij s’ka të bëj fare me fe e me zot. Thirrjet në gjuhë të huaj me altoparlant nga minaret turko-arabe nuk janë fe e besim në Zot, por dhunim i publikut dhe qetësisë e lirisë së tij… Janë përpjekje për të krijuar imazh të deformuar për shqiptarët dhe dhunim i identitetit tonë shqiptar. Organizimi i “iftareve” nga krerët e institucioneve të shtetit të dytë të Shqipërisë nuk bëhet për qëllime fetare e besimi në zot por, është dhunim i laicitetit të Republikës sonë dhe politikë e matrapazllëk me fenë! Është hipokrizi e ulët e pushtetarëve axhaminj e të ndikuar nga islami politik e antishqiptar nga qeveri e vende neootomane! Të këtij karakteri janë edhe ndërprerjet e mbledhjeve të qeverisë kur thirret ezani(!), deputete me shami e deputetë me mjekra, urimet e zyrtarëve të lartë shtetëror, duke u shërbyer edhe me citate nga bibla apo kurani!! Të kësaj natyre janë edhe urimet e institucioneve vendore e qëndrore, e medieve dhe shoqatave të ndryshme për festa fetare! Tamam shtet religjioz!!
Feja dhe besimi në zot janë çështje tërësisht shpirtërore e personale dhe nuk manifestohen publikisht e primitivisht, siç po bëhet në shtetet tona: R. e Shqipërisë, R. e Kosovës dhe R. e Maqedonisë!! Manifestimi publik i fesë dhe besimit në zot nuk është më fe e besim në Zot dhe nuk është më çështje shpirtërore, por veprimtari e karakterit politik dhe ideologjik me synime të qarta për ta kapur shtetin, kurse në rastin tonë veprimtari thellësisht reaksionare dhe antishqiptare. Besimtarët falen e luten në shtëpitë e tyre ose në xhami a në kishë, po jo në rrugë e sheshe dhe asesi në shkolla e institucione shkencore, kulturore e shtetërore, siç po ndodhë te ne!!
Falja alaturka në Sheshin e Kryeheroit dhe Kryeprofetit të një kombi është fyerje për ndjenjat dhe për krenarinë shqiptare, është provokim i rrezikshëm. Si mund të tolerohet nga shteti laik që 1500 – 2000 “besimtarë”, të mobilizuar e organizuar, të dhunojnë e provokojnë ndjenjat kombëtare e patriotike të miliona shqiptarëve?!! Shqiptarofobia që po sponzorizohet, financohet dhe manifestohet kaq hapur në qendrën e kombit shqiptar dhe të krejt shqiptarëve dhe në gjithë gjeografinë shqiptare është e patolerueshme! Kjo më nuk ka si të quhet tolerancë (ndër)fetare, por dhunim i identitetit dhe imazhit të kombit shqiptar…
Bashkia e Tiranës dhe shteti ynë Amë nuk guxojnë t’i lejojnë edhe më tej këto veprimtari primitive e naive në dukje, por antishqiptare në thelb. Përdorimi i fesë dhe i zotit për qëllime politike dhe për ta goditur identitetin dhe krenarinë e qytetërimin shqiptar duhet të marrë fund në gjithë hapsirën shqiptare. Besimi dhe liria e besimit është e garantuar, por e ndarë nga shteti. Shtetet tona shqiptare janë shtete laike. Dhe, mbi të gjitha, liria e besimit nuk nënkupton lirinë dhe të drejtën për ta përdhosur dhe përbuzur gjuhën tonë shqipe, kulturën, historinë, traditën krenarinë, dhe lavdinë shqiptare. Feja që angazhohet për zhveshjen e popullit shqiptar nga identiteti dhe vlerat e tij kombëtare, nga njëra anë, dhe veshjen e tij me një identitet tjetër dhe me obskurantizëm e injorancë, nga ana tjetër, nuk është më fe e besim në Zot, por projekt politik armiqësor antishqiptar… Këtu duhet shteti dhe institucionet e tij për t’i rregulluar këto marrëdhënie dhe per t’u treguar të gjitha qarqeve dhe vendeve me synime të këtilla se nuk tolerohet nëpërkëmbja e vlerave tona kombëtare. Sheshi i Gjergj Kastriotit dhe çdo pëllëmbë e tokës shqiptare u takon shqiptarëve pa dallim për të jetuar në mënyrën e tyre dhe pë të manifestuar përkatësinë, krenarinë dhe ndjenjat e tyre kombëtare shqiptare, shqiptarsinë e trashguar për mijëra vjet nga brezi në brez…