Sadri Ramabaja, Prishtinë
___
Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një çështje e ndërlikuar dhe ka shkaktuar debate të forta. Kjo çështje është imponuar si qenësore në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka të bëjë me marrëdhëniet midis komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe qeverisë qendrore të Kosovës. Asociacioni sipas lehtësuesve të dialogut [BE-së] është paraparë të sigurojë komunave me shumicë serbe një gradë të caktuar të autonomisë dhe vetëqeverisjes. Një lloj Ahtisari plus. Natyrisht nëse qeveria e Kosovës do të dorëzohej.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë shqetësohen se ky asociacion mund të godasë funksionalitetin e Republikës, duke cënuar e shpërbë unitetin dhe qëndrueshmëria e shtetit. Ata shqetësohen me të drejtë që ky asociacion mund të shërbejë si fazë e parë e secesionit të Kosovës. Përmes Planit të Ahtisarit ishin shnëdrruar në komuan disa nga fshatrat serbe si bie fjala: Kllokoti, Ranilluku, Parteshi… duke ju shtuar vargut të minikomunave si Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi [si mini komuan të paqëndrueshme], që tani të bashkuara në Asociacion lehtësisht mund të shndërrohen në autonomi lokale sui generis dhe ta dobësojnë autoritetin e qeverisë qendrore.
…
Njëri ndër lajmet kryesore të ditës së sotme [6 nëntor] ishte se serbët e veriut të Kosovës masivisht po i pranojnë targat dhe dokumentet e shtetit të Kosovës. Fillon kështu njohja de fakto e shtetit të Kosovës fillimisht nga ajo pjesë e popullit serb që ishte ushqyer me iluzionin se janë pjesë e Serbisë edhe pas 17 shkurtit 2008, për t’i hapur rrugë pranimit të këtij realiteti edhe nga ana e Serbisë. Asociacioni duket se është pranuar me kushtin e largimit definitiv të Serbisë nga Kosova.
Për Serbinë propozimi franko-gjerman, gjegjësisht propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, tashmë është shndërruar në veprim taktik në pritje të përfundimit të luftës në Ukrainë. Në Beograd nuk hezitojnë të pohojnë ndërkohë se ata vazhdojnë të jenë të gatshëm të ulen në dialog për shumëçka, të diskutohet, të negociohet dhe të arrihen marrëveshje, përveç dy pikave: anëtarësimit të Kosoëvs në OKB dhe “ marrëveshjes që respekton integritetin e pretenduar territorial dhe sovranitetin e tyre.”
Indirekt me këtë deklaratë të kryesuesit të “Komisionit Parlamentar për Kosovë dhe Metohi”, Millovan Drecun të ripërsëritur brenda javës disa herë edhe nga presidenti serb dhe pastaj në korë nga zyrtarë të lartë të shtetit, sikur tumiret agresioni i 24 shtatorit dhe pretendimet e hapura për territor.
Paralajmrimi kaq arrogant për cënimin e integritetit territorial nënkupton edhe cënimin e Lirisë.
Çështja e integritetit territorial dhe liria janë dy koncepte të veçanta në politikën ndërkombëtare, dhe marrëdhëniet midis tyre janë të ndërlikuara. Ndërsa integriteti territorial është një parim i njohur ndërkombëtarisht që ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve të një shteti, liria është një vlerë themelore që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e individëve.
Cenimi i integritetit territorial mund të shihet si një shkelje e rendit të paqes ndërkombëtare dhe një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Ky është një parim i njohur në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe i të drejtave ndërkombëtare, rrjedhimisht përgjegjësi e madhe e shteteve për të mbrojtur kufijtë e tyre dhe integritetin territorial. Cënimi i integritetit territorial nga një vend i huaj megjithatë nënkupton automatikisht edhe cënim i lirisë si e drejtë univerzale e popujve.
Dialogu i stërzgjatur që i ishte imponuar Kosovës i ka kushtuar energji të mëdha dhe ka prodhuar një lloj mungese të theksuar të kohezionit politik të brendshëm. Ndikimi i asociacionit në funksionalizimin a defunksionalizimin e Republikës, sidoqoftë do të varet nga detajet specifike të marrëveshjes së arritur dhe vet zbatimi i saj në praktikë.
[Fragment]