Federata Pan-Shqiptare Vatra në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, promovojnë 4 vepra të Prof. Besim Muhadarit. Në njoftimin e përbashkët të këtyre dy organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan, ftohen dashamirësit e librit dhe publiku i gjërë që të marrin pjesë (të dielën, më 29 janar 2023 ora 11 AM) në kryeqendrën e Vatrës ku do të promovohet veprimtaria shkencore e Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, njëkohësisht edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Promovimi përfshin 4 vepra të autorit Muhadri: 1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”; 2. “Profesor Rexhep Krasniqi-“Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”; 3. “Esencat e mendimit letrar” dhe 4. Studies on Albanian Literature and Ethnology.
Për librat e Prof. Besim Muhadrit flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr. Bexhet Asani, Dr.Paulin Marku, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dr. Arjeta Ferlushkaj. Pjesë nga krijimtaria e Profesor Dr. Besim Muhadrit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend Gjocaj. Me këtë rast desha vetëm të kujtoj – shkurtimisht – dy prej protagonistëve të këtyre veprave të Prof. Muhadrit: At Shtjefën Gjeçovin dhe Dr. Rexhep Krasniqin. Pason fjala e autorit:
“Përshëndetjet e mia gjithë ju, miq e dashamirë të letrave shqipe dhe admirues të këtyre dy personaliteteve të mëdha të historisë së Kombit shqiptar. Më duket vetja sikur po bëj një sakrilegj që të flas për Rexhep Krasniqin në një tubim si ky, në shoqërinë e dy autoriteteve mbi jetën dhe veprimtarinë e Dr. Rexhep Krasniqit: kolegut dhe mikut tim, studiuesit Idriz Lamaj, i cili ka punuar për disa dekada me Dr Rexhep Krasniqin në Komitetin Shqipëria e Lirë dhe autorit Dr. Besim Muhadri, autor të librave që po promovojmë sot. Njërin prej këtyre personaliteteve kam pas nderin ta njoh. Dr Krasniqin e kam njohur, por nuk mund të pretendoj se jam ekspert i jetës dhe veprimtarisë së tij. E kam admiruar për aq sa e kam njohur, si njërin prej përfaqësuesve më të denjë të asaj gjenerate patriotësh shqiptarë anti-komunistë– gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore, të cilët punuan aq shumë për Shqipërinë, Kosovën dhe për të drejtat e të gjithë shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta. Për atë kohë që e kam njohur, në rininë time, në fillim të 1970-ave, Dr. Rexhep Krasniqi në atë kohë Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë brezit tim i jepte kurajo për të vazhduar mësimet dhe gjuhën anglisht dhe na ushqente me patriotizëm, si shumë bashkohas të tij, e për të cilin modestësisht kam shkruar edhe më parë. Frank Shkreli/ Prof. Dr. Rexhep Krasniqi: Bir shpirti i Bajram Currit | Gazeta Telegraf
Dihet – megjithëse nuk flitet për kontributet e tija, as nuk shkruhet aq sa duhet për të si: përshembull për rolin e Dr. Rexhep Krasniqit në hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos në Kosovë – si njëri prej të dërguarve të posaçëm të Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Prof. Ernest Koliqit gjatë Luftës së dytë Botërore. Por dhe përpjekjet e tija gjatë gjithë jetës, përfshirë veprimtarinë e tij në mërgim në mbështetje të bashkimit kombëtar, të lirisë dhe të demokracisë për shqiptarët nën regjimet komuniste, sllavo-aziatike. Për kontributet e tij të shumta në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur Dr Krasniqit falënderimet e veta, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975, duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë, me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jashtë Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit në shenjë nderimi dhe falënderimi, sot më 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”
Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të pasur, patriotike, kulturore dhe historike edhe me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë revistën e njohur “Shejzat” të Ernest Koliqit. Janë, sidomos, të njohura dhe të dokumentuara shkrimet e tija në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që ai drejtonte, në gazetën, “Shqiptari i lirë”. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjerë, ku merrte pjesë për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjendjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asaj kohe. Në këtë rol, Dr. Rexhep Krasniqi ishte një zëdhënës i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e demokraci, ndërsa u bënte të nohur audiencave të huaja – sidomos amerikanëve – cilësitë e zgjedhura të Kombit shqiptar, në krahasim me kombe të tjera. Si përfaqësues i lartë i komunitetit shqiptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjendej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët prej të cilit – personalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës – kërkonin këshilla e informacion të besueshëm mbi gjendjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.
At Shtjefën Gjeçovi – “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet kombi pa gjuhë”. (At Shtjefën Gjeçovi)
Ashtu siç përhapte gjuhën shqipe Rexhep Krasniqi në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe protagonisti i një libri tjetër që promovohet sot të autorit Prof. Besim Muhadrit, At Shtjefën Gjeçovi edhe ky një apostull tjetër i bashkimit kombëtar i dërguar prej Zotit ka kapërcyer gryka e male duke përhapur abetare nëpër Kosovë, në kohën e tij, siç sugjeron edhe kënga popullore: “Të kjofshim falë Kosova Nanë,/ Burra trima shumë ke dhanë!/ Ç’ashtë ky burrë musteqezi,/plot me lavd dhe krenari?/Plot me lavd e krenari,/nderoi veten e këtë Shqiptari./ Kapërcen gryka dhe male, /tuej shpërnda plot abetare./Me u lanë breznive vepra/ me i harrue kurrë sa të jetë jeta./Ky ashtë biri i këtij trolli, i thonë për emën Shtjefën Gjeçovi.
Kështu i këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili është vrarë në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më 1929. Frank SHKRELI/ At Shtjefën Gjeçovi — apostull i bashkimit kombëtar | Gazeta Telegraf. Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i cili gjithë jetën e vet punoi për “Atme dhe Fe” për nga aktiviteti i tij patriotik ai radhitet me veprimtarët më të dalluar të lirisë dhe patriotizmit të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si patriot shqiptar. Ai ishte një mishërues i pashoq i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e vet për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë, përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi përkrahja e tij as për kryengritjen e malësorëve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri tek mbështetja e tij për kryengritësit vlonjatë kundër italianëve në vitin 1920. “Secilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”, –është shprehur Faik Konica -Kujtime Mbi At Gjeçovin. At Shtjefën Gjeçovi, sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës “në vijën më të përparuar frontale të trojeve shqiptare”, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, “ndaluan të mbrapsurit e vijës (së të folurit shqip) më tehu”. Andaj, në këtë rast të promovimit të librit të autorit Dr. Besim Muhadrit: Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke njohur kontributin e tij të madh në favor të bashkimit kombëtar dhe të kulturës, gjuhës e traditës shqiptare, le të shpresojmë së bashku me Faik Konicën që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur” ndër ata pasardhës, të cilët me veprat e tyre do të realizojnë, më në fund, ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë bashkëkohësve të tij, të cilët dhanë jetën për këtë qëllim, ka shkruar Konica.
Librat e Dr. Besim Muhadrit për At Shtjefën Gjeçovin dhe për Dr. Rexhep Krasniqin janë vepra për figura të dalluara të historisë shqiptare – vepra historike në vetvete, të jetueshme përgjithmonë, me të vërtetë të dobishme për të gjithë.
Përshëndes autorin Dr. Besim Muhadrin për librat që promovohen sot në Vatrën e shqiptarëve të Amerikës, kushtuar At Shtjefën Gjeçovit dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqit: dy prej figurave të respektuara të historisë kombëtare, ndonëse shpesh të harruara me urimin që këto vepra dhe të tjera si këto në të ardhmen, të ndriçojnë këto dy figura, si monumente të pashterueshme nga koha, brezave të ardhshëm të shqiptarëve. Ashtuqë, siç është shprehur edhe Faik Konica për At Shtjefën Gjeçovin, për të cilin shpresonte që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vijë duke u-rritur”. Edhe ne sot shpresojmë këtë, jo vetëm për Gjeçovin e Rexhep Krasniqin, por edhe për të tjerë si këta burra të shqiptarisë, të cilët historiografia komuniste është përpjekur t’i zhdukte ose t’i anashkalonte. Veprat e Prof. Dr. Besim Muhadrit tregojnë se këta janë gjallë dhe me këto vepra do u ndriçojnë brezave të ardhshëm. Shumë faleminderit!