ARKIVI:
24 Nëntor 2024

At Zef Pllumi thirrje intelektualëve shqiptarë: Bashkoni fuqitë mendore për të mirën e përbashkët

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli   

Në 100-vjetorin e lindjes        

Nga “Armik i Popullit” në “Nderi i Kombit”

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe nëpërmjet korrespondetit Pëllumb Sulo në Shkodër njoftoi se ditën e hënë u mbajt në Lezhë edicioni i 8-të i çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për letërsinë, “At Zef Pllumi”. VOA shqip transmetoi se këtë vit konkursi në Lezhë përkoi me 100 vjetorin e lindjes së françeskanit At Zef Pllumi, autorit të librit, kryevepra e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, më e njohura ndër veprat dhe shkrimet e shumta të At Zefit. At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhë në një familje me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe Në konkurs u paraqitën veprat e 28 shkrimtarëve dhe intelektualëve në kategori të ndryshme, sipas Zërit të Amerikës.

Siç dihet, At Zef Pllumi – si edhe shumë bashkvëllezer ndër më të mirë e klerit katolikë shqiptar – ka kaluar një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh. Ai ishte dhe mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot – nepërmjet veprave dhe shkrimeve të tija lënë pas — flet dhe dëshmon për krimet e diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri kundër popullit të vet për pothuaj gjysëm shekulli. Ai gjithnjë flet me bindje e fakte, me kujtesë, largpamësi dhe këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve.

I pyetur me një rast se çfarë këshillash i jepte popullit shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur:  E porosis për tri gjëra, është përgjigjur françeskani shqiptar: “Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni…Kjo ashtë porosia e kjo ashtë përshndetja për të gjithë popullin shqiptar”, është shprehur frati shqiptar, para se të ndërronte jetë.  Është kjo një thirrje aktuale e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin!  Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte gjallë dhe një mesazh drejtuar bashk-kombasve të vet, e që ai e ka theksuar, vazhdimisht, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat, që prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989.  Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos, intelektualëve shqiptarë – që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit, të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, në muajin Maj të vitit 1993, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës së famshme të para luftës të françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”.  Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë, At Zef Pllumi, përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës.  Duke shikuar nga e ardhmja e Shqipërisë post-komuniste dhe e Kombit shqiptar — në traditën më të mirë patriotike dhe atdhetare të françeskanëve shqiptarë për dashurinë ndaj Kombit dhe kulturës shqiptare, At Zef Pllumi iu drejtua intelektualëve shqiptarë me këtë porosi për klasën intelektuale shqiptare, e cila fatkeqësisht mbetet edhe sot e kësaj dite pa u realizuar. Nuk e di nëse intelektualët nga e gjithë Shqipëria të mbledhur në Lezhë

Ditën e henë për të marrë pjesë në edicionin e 8-të të çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për letërsinë, “At Zef Pllumi”, menduan fare për porosinë e At Zef Pllumit drejtuar intelektualëve të Kombit shqiptar, më 1993, që intelektualët shqiptarë të bashkojnë jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemërat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit, sipas porosisë së At Pllumit.

“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën” filloi At Zef Pllumi fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi: “Sot po jepet rasti, përsëri mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen. “E ky diell jo vetëm do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i

bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemërat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, “Progresi i Kombit”- është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë Shqipërisë. “Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi theksoi se, “Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi. “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilëXhahillëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit – praktikisht mbërrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin, as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë – që nga tubimi në Kuvendin e Françeskanëve, në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të – “Marrin shembull konkret për atë bashkëpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3,Tiranë, 1993).

Porosia e At Zef Pllumit në 100-vjetorin e lindjes së tij që i drejtohet edhe sot  klasës intelektuale të shqiptarëve, për bashkpunim, mirëkuptim dhe tolerancë – është më aktuale se kurrë. Është një thirrje që intelektualët shqiptarë si grup – gjë që nuk ka ndodhur deri tani, për fat të keq – të bashkojnë fuqitë mendore e intelektuale, me mendje e zemër të punojnë dhe t[ veprojnë së bashku për të mirën e përbashkët, ashtuqë të jenë edhe shembull i politikës, duke lëshuar sadopak dritë në rrugën e vështirë tranzicionit politik drejtë përparimit të Kombit shqiptar. Konfliktet dhe grindjet në jetën politike, shoqërore dhe intelektuale ndër shqiptarët nuk durohen më. Ato po e çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejtë një gremine të pafund, si shtet dhe si komb. “Shamjet dhe fyemjet nuk i përmban asnji kod njerëzor: janë arma e të mundurit, e atij që nuk ia del me anë të logjikës të përqafojë fitoren: shamja e fyemja janë dhunë!”, na porosit At Zef Pllumi në 100-vjetorin e lindjes.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu