Zekeria Cana dhe Anton Çetta – Fotografuar në Bogë të Rugovës. Foto: GaniIberdemaj
Ndoc Bushgjoka, shkrimtar, Tropojë-Tiranë
Thjesht shaka, por e vërtetë.
La – La – Pipila …
Kush baftë tash za…
Njërit nga anët tona i vdiq gjyshi.
Siç është zakon për këto raste i shkuan të afërm, shokë, miq, të njohur, etj për ngushëllim.
Mes tyre i shkuan edhe një grup shokë pune nga ajo zona minoritare katolike që ka Tropoja.
Ata ishin katolikë, dmth sipas zhargonit të shumicës muslime ishin ” kaurrë”, biles ishin edhe me keq se kaurrë, ishin ” pulçakë ” ! Dmth i takonin famullisë Pulatit të dikurshëm.
Të shkretë ! Kishin udhëtuar tri deri në pesë orë rrugë për të nderuar shokun e punës.
Kishin futur në zarf ca lekë që do i linin kur tu vinte kafja, siç e kishin zakon “për krye shëndosh”.
I futën në odë ku kishte dhe të tjerë.
Askush nuk i priti.
Askush nuk i pyeti si a pse keni ardhë.
Askush nuk u qiti një cigare duhan.
Askush nuk u çoi nje kafe a një gotë pije.
Të gjithë rrinin kryeulun e pa folë një fjalë.
Tani hallin e kishin si do gjenin sebep për të lënë zarfin me lekët që kishin bërë mend t’ja linin të zotit të shpisë.
Rrinin në ankth pa ditë si të vepronin.
Mes tyre ishte dhe nje Dedë.
Nuk ma kanë tregue mbiemrin. Po ç’randsi ka.
Ai ishte Dedë Mahitari. Dmth që bante mahi.
E pra Deda, kqyri një herë mirë e mirë, në të katër anët e odës. I pa një nga një burrat që rrinin kryeulun e nuk flisnin. Masandej nxorri kutinë e duhanit, kqyri nga dritarja e foli vetëmeveti :
La- la – pipila,
Kush baftë tash za…..
Njëri prej shokëvë të tij qeshi, duke u munduar ta mbulonte të qeshurën sikur po e zinte kolla, por pastaj kolla e zuri vërtet e shokët e tjerë ja plasën gazit.
U bë vërtet një situatë tejet komike.
Vetëm ata që e dijnë lojën “La – La – Pipila”, mund ta kuptojnë.
Fëmijët pasi kishin lozur e ishin bërë telef donin qetësi. Për të shpallur një silencio totale, njëri thote:
La- La – Pipila
Kush baftë tash za,
Hangërt tri magje morra,
Tri fushë sorra,
Tri trina me stërvina,
Tre thase me glasë,
etj
Deri sa te bajë kangji kiri – ki – ka, gëk -tak shpirti.
Dhe pas kësaj, askush nuk duhej e nuk donte të fliste. Se ai do i hante ” tri fushat me sorra, tri magjet me morra, tri trina me stervina, tre thase me glasë.”
Dhe kjo qetësi do vazhdonte deri sa te këndoje kangji, (kangsi) – ose gjeli.
Provojeni dhe ju këtë lojë kur dikush ju mërzit me fjalë ndërsa ju doni të rrini rehat në qetësinë e lume.