- Marrë nga libri më i ri i zotit Naun Kule “Unë dhe të tjerët”.
Nëvruz Beqir Ҫela me të shoqen, Vera Juka, kanë qenë shokë të mij të Fakultetit të Shkencave Natyrore, dega Matematikë, 1963=1967. Nëvruzi ndërroi jetë një vit më parë nga Covid-19 duke na pikëlluar të gjithëve. Dikur ai më pat treguar historinë tragjike të babait, Beqirit, pushkatuar nga pushteti komunist në vitin 1947 si “agjent amerikan”. Për këtë nuk e lanë të punonte si mësues pasi mbaroi studimet. Para disa vitesh, miku im Naun Kule, ish drejtori im, më pyeti për të. Ai po shkruante një libër ku ndër të tjera do përmendëte edhe Beqir Ҫelën, nga Karbunara e Lushnjes duke nxjerrë në pah disa anë të panjohura për të si poet dhe si autor i Himnit Mbretëror, që fitoi konkursin me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë. Unë e takova me Nëvruzin që i dha shumë informacion shtesë. Dhe ja, sot Nauni më telefonoi dhe më tha se do më sillte dy kopje të këtij libri, një për mua dhe një për vejushën Vera. E lexova me një frymë paragrafin ku flitet për Beqir Ҫelen dhe mendova ta ndaj me ju.
- 200
Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami
(Rreth Flamurit të përbashkuar..!)
- Kur e pushkatuan mësuesin poet
Pas ditënetëve të skëterrëshme disa mujore, në mugun e errët të birucës, në çastin kur e futën në sallën e gjyqit, iu zmadhuan bebet e syve. U përball me dritën e diellit dhe u mbush me frymë, si të shuante etjen dhe ankthin e rikthimit në jetë. Sikur u ngop me gjallimin përqark, mbetur larg ndjesisë së tij, sikur endej në krahët e një ëndërre, prerë egër dhe vringthi në terrin e ftohtë të mesnatës së arrestit..
Përplasi vështrimin qosh më qosh të dhomës së gjykimit, përballur me ca njerëz syshqyer e veshngritur, që e vështronin habitshëm e urrejtshëm, si të ishte egërsirë…Madje i posanxjerrë nga kafazi..!? Uli sytë dhe pa prangat ndër duar. Edhe policët anash..Sërish kundroi sallën. Sa pak njerëz? Kërkoi e hetoi me sy..?Asnjë i njohur..! Po, nëna , babai..? Kujtoi sëmundjen e babait, rruga e gjatë, hallet..Po ajo..!? Eh, ç’kërkonte..! Akoma..!?
Edhe këta: s’janë të ardhur. Janë të sjellë..!?
Doemos..Përzgjedhur enkas të dëgjonin dhe shihnin syndërsy gjykimin dhe ndëshkimin shembullor të këtij armiku të rrezikshëm..Ja, pra, ballaz, syndërsy me një armik..!?
Kishte dashur të rrëzonte pushtetin popullor..Po, po! Sapo e dëgjuan akuzën e prokurorit..
“..I pandehur, Beqir Mustafa Ҫela, 34 vjeç, i lindur në Karbunarë të nënprefekturës së Lushnjës, në vitin 1913, është armik i rrezikshëm..
I rekrutuar që në bangot e shkollës së mesme në Tiranë, nga agjenti amerikan Harri Fulx, ish drejtor i asaj shkolle..”
..Tek dëgjonte prokurorin që lexonte akuzën tërë zell e pathos, ndërmendej e pyeste veten nese çka po dëgjonte, ishin për të, apo..? Përsëriste me vete, si në jerm, fjalët e prokurorit..
“..Armiku Beqir Ҫela, ky spiun i agjenturës amerikane në Shqipëri, si mësues, përkthyes a poet me ca bejte ta sajuara kundër atdheut e popullit të tij, nuk mbante as armë dhe as gjuante plumba. Por arma e tij ishte më e rrezikshme edhe se plumbat..
..Organet e hetuesisë e kanë kapur me presh në duar armikun Beqir Ҫela në takime kokë më kokë me ishdrejtorin e tij, spiunin amerikan, Harri Fulx. i pandehuri Beqir Ҫela, i zënë me shpatulla pas murit nga drejtësia jonë popullore, është detyruar t’i pranojë këto krime..”
- Sfidant i kohës..
I cilës kohë, i asaj që iku apo i asaj që vinte? I të dyjave..!?
Beqir Ҫela nga fshati Karbunarë i Lushnjes (sot emërtimin “Beqir Ҫela” e mban një shkollë e mesme në qytetin e Durrësit) ishte nga ata djem fatlumë, të cilët në Shqipërinë gjysmëanalfabete të dekadave të para të shekullit të njëzetë, të ishte konviktor në një shkollë të mesme amerikane “Harri Fulx” në Tiranë.
Djaloshi inteligjent i Karbunares (Lushnje), student i shkëlqyer, poeti, përkthyesi dhe mësuesi pasionant, Brqir Ҫela, vërtet pati një jetë të shkurtër, (34 vjeç), por mjaft të pasur.
Që në vegjëli dallonte për zell, inteligjencë dhe zgjuarsi.
Në këtë shkollë gjetën njëri tjetrin, shkolla dhe mësuesit- nxënësin e përkushtuar, ndërsa nxënësi Beqir Ҫela, mjedisin qytetar, intelektual e progresiv siç e kërkonte bota aq e pasur e djaloshit. Këtu u formua si qytetar i kohës e si atdhetar. Njohu letërsinë antike e bashkëkohore, idetë e mendimtarëve të huaj përparimtarë, të cilët nxitën dhe pasuruan krijhimtarinë poetike dhe përkthimet nga anglishtja.
I dalluar si i tillë dhe gjithnjë aktiv, në vitin 1930 Beqiri zgjidhet Kryetar i Kryqit të Kuq të rinisë së shkollës.
Gjatë gjithë viteve të studimit të shkollës, nxënësi Beqir Ҫela ishte bashkëpunëtori më i njohur i revistës “Laboremus” (Le të Punojmë), të cilën e botonte periodikisht kjo shkollë, ndërsa në vitin 1931, u caktua editorialisti i revistës “Laboremus”.
Në vitin 1933 nxënësi Beqir Ҫela zgjidhet kryetar i Grupit të Arteve, më pas sekretar i “Kongresit të Studentëve” për shkollën.
Pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet, mësuesi i ri emërohet në shkollën e Krujës. Më 1938 transferohet si mësues në shkollat e qytetit të Durrësit, ku mori edhe vëllain, Rexhepin dhe motrën e vogël, Elizën. Këtu edhe u martua me kolegen e vet, Ervehenë, me të cilën sollën në jetë dy fëmijë: Mimikën dhe Nëvruzin.
Beqiri bashkëpunoi që në bangot e shkollës me shtypin e kohës si me gazetat “Arbëria”, “Drita”, “Shtypi”, “Demokratia” etj, në të cilat botoi edhe shumë përkthime dhe krijime poetike.
Në vitin 1937, Madhëria e tij, Zogu I, shpalli me pompozitet festimin e 25-vjetorit të Pavarësisq dhe krijimit të Shtetit Shqiptar. Shpalli dhe një konkurs për të krijuar Himnin e ri Kombëtar. Konkuruan 76 poetë e shkrimtarë, nga gjithë trojet shqiptare, të nivelit Gj. Fishta, L. Poradeci, M. Kuteli, A. Asllani etj.
Dhe, për çudinë e të gjithëve, çmimin e parë e mori poeti i ri nga Karbunara e Lushnjes, Beqir Ҫela, me poezinë “Dykrenar i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami” duke u bërë, kështu, që në moshën 25 vjeçare, autori i Himnit Kombëtar të Mbretërisë Shqiptare..! Që në vitin 1931, pra ende nxënës, poezinë “Flamuri Kombëtar’ ai ua kushton nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, që kaluan përmes Myzeqesë drejt Vlorës dhe ngritën flamurin kombëtar.
“ Dhe shiu që bie dhe balta harbon! Por shiu i lag, balta s’i ndalon..
………………………………………………………………………………………………………
..Kush ka gjak shqiptar dhe shpirt fisnik
T’i falet sot flamurit kuq e zi! Në gaz dhe helm, ta ndjeki si besnik..”
Poeti myzeqar i këndon edhe bukurisë njerëzore, vajzave shqiptare të bukura, të shkathta e të vlerta, sa, për nga bukuria, ia kalojnë edhe hënës: “Hënë e qiellit, pse u fshehe? Dil, pa dil e matu pak..!”
Vajza për poetin është burim i jetës, i dashurisë që na mban në këmbë: “Ҫil moj motra edhe nuse, hapja gjirin erës së malit!
Ҫil t’i qeshet buza çupës, t’i gëzohet zemra djalit..”
Ndërsa ishte ende nxënës në vitin 1932, Beqiri përktheu librin e Bekonit “Mbi fatin”, ku spikat talenti i tij si përkthyes, me njohje të admirueshme dhe të pazakontë për kohën dhe moshën, të shqipes letrare dhe të gjuhës angleze.
- Përmbi Shqipëriën, vetem…Perëndia!
..Ҫlirimi i Shqipërisë, Beqir Ҫelën e gjen në Durrës, si mësues, krijues, intelektual i kompletuar dhe i mirënjohur.
Me gëzimin e madh të shqiptarit atdhetar për lirinë e fituar, ditë më radhë organizoi në kinemanë e qytetit të Durrësit veprimtari artistike, duke e festuar çlirimin e atdheut.
Aktivitetet festive fillonin me një përshëndetje nga organizatori i këtyre festimeve, mësuesi Beqir Ҫela, ku theksonte detyrat e shqiptarëve për rindërtimin e atdheut të shkatërruar nga lufta.
..Por pikëpamjet e mësuesit dhe krijuesit Beqir Ҫela për rrugën e re të Shqipërisë komuniste, u përballën me diktaturën shtetërore të pasçlirimit. Takimet fatale të mësuesit Beqir Ҫela me ishdrejtorin e tij, amerikanin Harri Fulx, që shpërndante në Shqipëri ndihmat e Kryqit të Kuq Amerikan e futën djaloshin në listat e agjentëve të Sigurimit.
..Në vitin 1946 mësuesin Beqir Ҫela e arrestojnë. E torturojnë për gati një vit dhe në shtator 1947, e pushkatojnë me grupin armiqësot të deputetëve si Shefqet Beja, Sheh Karbunara etj.
..Ky ishte profili atdhetar i këtij mësuesi, poeti dhe intelektuali shqiptar, jeta e të cilit u ndërpre, kur sapo kishte marrë udhë.
Nga çka lënë të shkruar mësuesi poet, njohim pikëpamjet, talentin dhe vizionin e këtij intelektuali idealist, i flijuar për kombëtarizmën. Te poezia e tij “Himn për flamurin” me të cilën u nderua kombëtarisht që në moshën 25 vjeçare, ai shkruan:
“ Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami,
Ti na lidh përpara Zotit, besa a besë për Shqipëri!”
Por pikërisht ky përkushtim dhe idealizëm, për “Dykrenorin e Kastriotit”, e çoi jetën e djaloshit deri në përplasje fatale me regjimin e kohës. Kujtojmë se autorët e Himnit Kombëtar, bota i ngre në piedestal. Veprën dhe fytyrën e tyre ua përcjell brezave.
Kurse mësuesi dhe poeti ynë Beqir Ҫela, ky autor sfidant i Himnit të Flamurit tonë, çohet në plumb..!
Por vëreni në merakun dhe thirrjen kombëtare të autorit të Himnit tonë “..përmbi kishë edhe xhami..”
Ndonëse në moshë të re (24 vjeç) djaloshi Beqir Ҫela ishte krejt i çliruar nga prangat fetare, aq të forta dhe të pranishme për ato vite në një Shqipëri me dominancë myslimane.
Kuptohet se poeti dhe mësuesi Beqir Ҫela, i është bashkuar pjesës më progressive të brezit të vet. Ishte koha, kur Noli ynë, ky burrështetas dhe bashkëkohor i poetit tonë Ҫela, realizonte pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare (KOASH), duke shkruar:
“Populli shqiptar e formoi kombin e vet mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, jo mbi fenë, si greku e serbi mbi ortodoksinë dhe italiani mbi katolicizmin..
Për shqiptarët, mbi të gjitha vlerat qendron Shqipëria..
Përmbi Shqipërinë, vetëm..Perëndia!
Konspektoi Bardhyl Selimi, Tiranë, 4 shkurt 2022