Nga: Lekë Mrijaj, Klinë
Biografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në 557-vjetorin e kalimit në amshim, sipas librit “HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR” i ÁT PAULIN MARGJOKAJ, O.F.M.
Në faqet e librit “Historia e Popullit Shqiptar”, i Át Paulin Margjokaj (libër i cili ka pa dritën në vitin 2023 dhe është sponsorizuar nga studiuesi i mirënjohur, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku), sjell një përshkrim të gjallë dhe madhështor të jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në kapitullin përkatës në gegnishte (f. 180-191), autori ndriçon dimensionet e shumanshme të kësaj figure të jashtëzakonshme: kombëtare, kulturore dhe universale. Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, mbetet simboli më i ndritur i rezistencës shqiptare dhe një monument i gjallë i shpirtit liridashës të kombit tonë. Me urtësinë strategjike dhe guximin e tij të pashoq, Skënderbeu jo vetëm që bashkoi principatat shqiptare, por u bë një digë e pakalueshme për fuqinë osmane. Ai mbrojti jo vetëm tokat shqiptare, por edhe vetë qytetërimin evropian nga pushtimi dhe rreziku i asgjësimit. Qëndresa heroike e Skënderbeut mishëroi shpirtin e shqiptarëve, të cilët ndër shekuj kanë dëshmuar gatishmërinë për t’u sakrifikuar për idealet më të larta. Vepra e tij nuk është thjesht një ngjarje historike; ajo është një frymëzim i përhershëm për të ruajtur dhe forcuar lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Në 557-vjetorin e amshimit të tij, trashëgimia e Skënderbeut na kujton rëndësinë e unitetit kombëtar dhe mesazhin e pavdekshëm se guximi, besimi dhe përkushtimi janë çelësi për mbrojtjen e vlerave më të larta të kombit shqiptar. Ai mbetet jo vetëm udhëheqësi ynë më madhështor, por edhe një simbol universal i qëndresës dhe krenarisë njerëzore.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është dhe do të mbetet përgjithmonë frymëzues e fanar ndriçues për çdo shqiptar që beson te liria, drejtësia dhe fuqia e bashkimit. Lavdi veprës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Biografia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut sipas librit “HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR” i ÁT PAULIN MARGJOKAJ, O.F.M.
Gjergji âsht lindë në Krujë, porse datën e saktë të lindjes së tij âsht e pamundun me e përcaktue, ajo luhatet ndërmjet vjetve 1403 dhe 1414. Gjithashtu âsht e panjoftun, se kur kje i detyruem Gjergji me e braktisë vendlindjen e me e vazhdue kështu jetën e vet në Turqi. Shumë auktorë pretendojnë se duhet të jetë kenë n’atë kohë 7 vjeç. E sigurtë âsht qi ai atje u edukue si muhamedan. Gjergji ishte i pajisun në nji masë shumë të naltë kjoftë me cilësi intelektuale, kjoftë me cilësi fizike dhe shumë shpejt u bâ i preferuem i oborrit turk. I ngarkuem prej sulltanit ai bani shumë luftna kundër anmiqve të Perandorisë Turke. Ngaqi Gjergji në ushtrinë turke bani vepra heroike kaq të mëdhaja, prej turqve atij iu dha emni Iskender në kujtim të Aleksandrit të Madh, dhe titulli dinjitar Bey (ose Beg). Prej këtyne dy emnave Iskender (shqip Skander ose Skender) dhe Beg u krijue te shqiptarët emni Skenderbeg, me anë të të cilit ai u fut në histori.
Skënderbeu hyn në skenën e historisë evropiane nëpërmjet Betejës së Nishit (me 3 nëntor 1443). Papë Eugeni IV, tashmâ me 1 janar të atij viti, me anë të nji enciklike kishte shpallë kryqëzatën kundër turqve dhe u kishte bâ thirrje shteteve evropiane dhe klerit i kishe vû detyrë qi me pague nji të dhjetën për té. Thirrjes së Papës iu përgjigjen Hungaria, Polonia dhe Serbia. Zbatimi i kryqëzatës iu ngarkue hungarezëve, drejtimin e të cilës e mori përsipër mbreti hungarez Ladislaus. Krishtenimi në atë kohë kishte gjetë tek personi i Huniadit nji udhëheqës të randësishëm. Me 12.000kalorës ai sulmoi Bullgarinë dhe pushtoi qytetin e Nishit, i cili u bâ masandej baza e operacioneve të tij. Fillimisht Murati II dërgoi kundër fuqisë ushtarake të të krishtenve vetëm 20.000 luftëtarë nën drejtimin e Kara Beut (Pashës së Rumelisë) dhe të Skënderbeut, për t’u shfaqë masandej edhe vetë në krye të nji ushtrie edhe mâ të madh.
Dy ushtritë po qendronin në dy anët e nji lumi dytësor të Danubit, i cili quhej Morava, kur Huniadi në të zbardhun të ditës së 3 nanduerit 1443 kapërceu lumin dhe me vrull të madh u vërsul mbí radhët turke, të cilat të zâna në befasi prej kalorsisë hungarezetransilvaneze ia besuen pshtimin ikjes me të shpejtë. Historiani italian Alessandro Serra në nji artikull të Osservatore Romano (data e këtij publikimi më mungon) përfaqëson pikëpamjen, qi Skënderbeu ka pasë edhe mâ përpara lidhje të fshehta me Huniadin.
Historiografi i parë i Skënderbeut prifti Marin Barleti prej Shkodret, përsa i përket kësaj pike, vëren krejt shkurt: “Në heshtje të zemrës së tij, ai po lypte rasen qi me e braktisë Muratin dhe me u kthye në vendlindje”. Planin e arratisjes së tij Skënderbeu me siguri e kishte mendue mirë mâ përpara dhe e kishte vû në dijeni edhe Huniadin për ketë gja, sepse përndryshe nuk mund të skjarohet, se si Skënderbeu me e realizue planin e tij të arratisjes në atë rrëmujë beteje, pa u trazue prej trupave të Huniadit.
Skënderbeu mblodhi 300 prej njerëzve mâ të besueshëm, vendas të tij, të cilët shërbenin në ushtrinë osmane dhe i bindi ata, me shkue bashkë me té n’atdhé. N’arrati e sipër Skënderbeu hasi në sekretarin e sulltanit, të cilin e detyroi me i përpilue shkresën e rreme, nëpërmjet të cilës Skënderbeu emnohej komandant i Krujës.
Meqëllim qi kjo punë t’mos shkonte tepër shpejt në veshët e sulltanit, Skënderbeu e vrau sekretarin dhe u nis menjiherë mâ pas me 300 arbën në drejtim të Krujës, ku ai nëpërmjet fermanit të fallsifikuem u la me hy menjiherë. Kur Skënderbeu ishte në qytetin at’nor, la me hy aty edhe arbën të tjerë prej zonave përreth, të cilët ishin bashkue me të gjatë rrugës dhe qi qendruen hëpërhë të fshehun nëpër pyjet përreth. Masandej ai u vërsul mbí trupat turke mbrenda kështjellës dhe i vrau. Mëngjesin e ditës tjetër ai i bâni thirrje popullsisë për lirí dhe deklaroi haptas kthimin e tij në besimin e krishtenë. Qysh prej asaj dite Skënderbeu u bâ luftuesi i pathyeshëm kundër ushtrive turqe.
Skënderbeu filloi menjiherë me organizimin e mprojtjes së vendit, sepse ai e dinte, qi zoti i tij i deriatëhershëm, Murati II, nuk do t’ia falte kurrë ket ikje prej tij dhe do t’hakmerrej. Kjo âsht arsyeja, pse Skënderbeu nuk mundej me iu përgjigjë dishirit të Papës në vjetin 1444, me iu bashkue Lidhjes së Krishtenë, e cila kishte nisë me u përgatitë. Dhe në fakt sulltani, përpara se me shkue kundër Lidhjes së Krishtenë, e pau mâ të arsyeshme me eliminue fortesën arbënore, të cilën Skënderbeu kishte nisë ndërkaq me e krijue. Ky kishte thirrë të gjithë princat arbnorë për nji Kuvend në Lezhë. Aty erdhën princat e mâposhtëm: Gjergj Arianiti, zot i Kaninës, Andrea Topia, zot i krahinës ndërmjet Krujës dhe Durrësit, Teodor Muzaka, princ i Beratit me princa të tjerë të Myzeqesë, Pál Balsha, Princ i Arbnit, Pál dhe Nikollë Dukagjini, princa të Pultit të Sipërm, krahina e t’cilëve shtrihej prej Drinit deri në Serbi, Lekë Zaharia (Zakaria), Princ i Dêjës, Pjetës Spani, Princ i Pultit të Poshtëm, Lekë Dushmani, Princ i Zadrimës, Stefan Cërnojeviqi, Princ i Zetës dhe princa e zotën të tjerë të shumtë gegë e toskë. Skënderbeu ia doli me i bashkue arbnit në luftë kundër turqve.
Edhe sikur Skënderbeu t’mos bante mâ asgjâ tjetër në jetën e vet, kjo do t’mjaftonte për me vertetue artin e tij si burrë shteti. Ai pikërisht ia doli edhe pse për nji kohë të shkurtë, qi arbnit t’i bindeshin për zbatimin e nji plani për bashkim. Poeti mâ i madh shqiptar mâ vonë do t’vërente nji herë që, “âsht mâ e lehtë me mbushë nji thes me pleshta, sesa me i bâ shqiptarët s’bashkut për nji ide”. Ky kuvênd vendosi për luftën e përbashkët kundër turqve dhe e zgjodhi Skënderbeun si prijësin epror të ushtrisë arbnore. Murati dërgoi në Arbëni nji ushtri prej 25.000 ushtarësh nën drejtimin e Ali Pashës. Me 29 qershor 1444 kjo ushtri u mund në Torvioll dhe kjo ishte fitorja e parë e Skënderbeut në truellin arbnor. Mbas kësaj fitoreje Papa i dërgoi Skënderbeut letra dhe porosi për me e bindë atë me u bashkue me Huniadin dhe me Vladislavin e Hungarisë në luftë kundër turqve. Edhe Vladislavi i ishte drejtue Skënderbeut për ndihmë. Në të njajtën kohë Papa synonte me fitue edhe forca të tjera për luftën kundër gjysëhanës. Por Venediku, Gjenova dhe princi i Karamanisë (në Azinë e Vogël) nuk iu bindën thirrjes së Papës.
Prej disfatës së Torviollit Murati kishte nxanë mësim. Ai kishte arsye me iu frigue nji përballjeje të dyfishtë HuniadiSkënderbeu. Për ketë shkak ai iu lut Vladislavit për nji armëpushim, të cilin Vladislavi e pranoi dhe nënshkroi me 12 korrik 1444 në Szeghedin, megjithë kundërshtinë e Kardinalit Cezarini. Por kjo perjudhë kohore e çmueshme nuk u shfrytëzue prej fuqive të krishtena me qëllim qi me bâ përgaditjet e nevojshme për luftën e ardhshme, përkundrazi, siç kishte ndodhë edhe herë të tjera, ata u përfshinë nëpër grindje qi nuk çoshin askund me njanitjetrin, derisa edhe vetë Vladislavi, i shtymë prej Cezarinit, e prishi armëpushimin. Kjo pati për pasojë disfatën e tmerrshme të t’krishtenëve në Varna, me 10 tetor 1444, dhe me vdekjen e Mbretit Vladislav dhe të Kardinalit Cezarini përpjekjet e Papës patën nji fund të pashpresë.
Megjithatë, nji vjet mâ vonë (me 10 nanduer 1445) Skënderbeu i theu turqit në Mokër (Mocrea) për herë të dytë dhe Papa dërgoi shumë të deleguem në Arbëni me urimet e tij dhe me premtimet për ndihmë të sigurtë nga ana e Kishës Katolike dhe për krijimin e nji lidhjeje të re të princave të krishtenë. Qysh prej atëherë marrëdhaniet ndërmjet Skënderbeut dhe Papatit kjenë normale dhe pa ndërpremje dhe u banë gjithnji e mâ të përzemërta, sa mâ tepër qi rritej fama e Skënderbeut nëpërmjet fitoreve të tij të shumta. Me të dërguemit e Papës në fillim të janarit 1446 mbërritën në Arbëni edhe ambasadorët e Alfonsit të Napolit dhe kur zbarkuen në Durrës gjendeshin aty edhe Kryeipeshkvijtë e Tivarit dhe të Durrësit me prelatë të tjerë. Dy grupet e të dërguemve arritën në Krujë të shoqnuem prej nji eskorte kalorësish dhe u pritën solemnisht prej Skënderbeut dhe kur morën rrugën e kthimit, u përcollën të mbushun me dhurata. Vizita e këtyne të deleguemve dhe miqësia e këtyne zotnive u vlerësue prej arbënve si nji fitore e arritje e madhe. Por menjiherë mâ vonë, në shkurt të po t’atij viti Papa Eugeni IV vdes.
Papë Nikolla V e vazhdoi mâ tej politikën e pararendësit të tij. Me 27 shtator 1447 nji ushtri turke nën Mustafa Pashën u përpoq sërish për me marrë Krujën. Por ajo u thye dhe Pasha e pshtoi jetën e vet vetëm tue marrë arratinë. Mbas kësaj fitoreje Papa e shpalli Skënderbeun “Luftëtar pararojë i Krishtenimit” dhe tek fuqitë e krishtena e propozoi atë për prijës të ardhshëm të Ligës së Re antiturke. Skënderbeu ishte i vetëdijshëm qi ai edhe nëse i thyente t’gjitha sulmet e sulltanit nëpër kështjellat e tij shkambore, prapëseprapë me kalimin e kohës, nuk kishte me kenë në gjendje me rezistue pa ndihmën ushtarake nga ana e fuqive të krishtena.
Kur Skënderbeu në mars të vjetit 1449 mori vesh qi Murati ishte nisë vetë prej Adrianopoje në krye të nji ushtrie të madhe – siç pretendohet, 120.000 trupa – ai iu drejtue prap për ndihmë forcave të krishtena. Porse përveç ndihmave në pare nga ana e Papës dhe ndihmave në ushqime nga ana e Venedikut, nuk luejti vendit asnji shtet tjetër. Në Arbëni Skënderbeu kësaj here nuk i kishte punët mirë. Kështjella e madhe e Sfetigradit në Jugra në dorën e turqve dhe të njajtin fat pati edhe qyteti i Beratit në fillim të vjetit 1450. Përveç kësaj, Arianiti qi krahas Skënderbeut ishte mâ trimi ndër dinastët arbnorë, u tërhjek prej luftës dhe u vû nën mprojtjen e Venedikut, i cili në atë politikën e tij dritëshkurtën po i yshtte vazhdimisht dinastët arbnorë kundër Skënderbeut. 1 Mâ sipër na përmendëm qi venedikasit me 14 maj 1448 për vrasjen e Skënderbeut kishin vû në dispozicion nji provizion prej 10 dukatësh qi do i paguhej vrasësit gjatë gjithë jetës. 1 Për Venedikun në plan të parë qendronin gjithmonë interesat tregtare me Orientin. Miqësia e Skënderbeut me Alfonsin e Napolit nuk i përshtatej politikës së Venedikut, i cili nuk donte me e pa Adriatikun në dorën e nji fuqie tjetër detare. Po për këtë shkak, Venediku shihte me të njajtin mosbesim edhe rritjen e pushtetit të Skënderbeut, si rrjedhojë lindën prá intriga nga ana e Venedikut në mesin e princave arbnor kundër Skënderbeut.
Gjatë kësaj situate të pafavorshme, tue kalue nëpër Luginën e Drinit u shfaqen para mureve të Krujës Murati II dhe biri i tij Mehmeti. Skënderbeu u bani sërish thirrje fuqive të krishtena. Raguza dhuron pare, Papa vetë pa pare, âsht i detyruem me dhanë indulgjencë për ata persona, të cilët do i ndihmonin me pare ose personalisht Skënderbeut, “këtij luftëtari të patrembun për nderin dhe për forcimin e fesë” (“intrepidus pugil pro honore et augmento fidei”). Por Kruja u pshtue edhe nji herë prej trimnisë së arbënve. U hap lajmi qi Huniadi po bante gati nji ushtri të madhe kundër turqve. Mbas 5 muejsh sulltani e ndërpreu rrethimin dhe u kthye në Adrianopojë (shtator 1450).
Në tetor 1450, në nji vend të lodhun prej luftës së fundit, Skënderbeu e shef vedin të detyruem, me ia ofrue sundimin mbí Krujën venedikasve. Porse Republika nuk don me u prishë për hatër të Skënderbeut me Muratin, “mikun e saj tepër të veçantë” (“singularissimmus amicus”) dhe nuk don me i pa interesat e saj tregtare në Orient të vume në rrezik, si rrjedhojë nuk e pranon ofertën e Skënderbeut. Mbas këtij refuzimi nga ana e Venedikut, Skënderbeu provon të njajtën gjâ edhe tek Alfonsi i Napolit. Ai kjei lodhun edhe prej grindjeve të mbrendshme dhe prej veprimeve tradhtare të njerzve të tij, të cilët siç e thamë, nxiteshin prej Venedikut. Në nji marrveshtje të nënshkrueme me 26 mars 1451 në Gaeta të dërguemit e Skënderbeut në emnin e zotit të tyne i ofronin Mbretit të Napolit Krujën dhe posedime dhe blemje të tjera, qi ai mund t’i bante në të ardhmen.
Si kushte, Skënderbeu vendosi vetëm nji, qi Alfosni t’i dërgonte atij njerëz dhe mjete në Arbëni, me qëllim qi ai ta vazhdonte me sukses luftën kundër turqve. Kjo marrveshtje ndërmjet dy miqsh, nuk don të thotë, siç vëren Kotulo, qi Skënderbeu hiqte dorë prej zotnimit të mbretënisë së tij të vogël. Ai vetëm donte me e drejtue politikën e shtetit të tij, simbas politikës së mprojtësit të tij dhe me veprue në mënyrë të njisueme kundër turqve. Siç nuk mund të pritej ndryshe, kjo marrveshtje nuk u pa me sy të mirë prej venedikasve. Në maj të vjetit 1451 vijnë në Arbëni kontingjentet e para të trupave prej Mbretnisë së Napolit.
Nji ushtri turke nën komandën e Dalip Pashës marshon në 1452 për në Arbëni. Ndërkaq qi Skënderbeu po bante përgaditje, për me e godit këtë ushtri në Mordicë (Mordizza) dhe në Luginën e Meçadit, nji kryengritje nga ana e princave Dukagjini, vasalë të Venedikut kërcënon me shkatërrue gjithshka. Papa detyrohet me ndërhy tek Dukagjinët dhe ia arrin me paqtue me Skënderbeun këta princa të trazuem.
Në prill 1453 Mehmeti II dërgon në Arbëni nji ushtri nën komandën e Ibrahim Beut. Sulltani nuk don me guxue për me ba nji sulm mbí Konstantinopojën, para se me sigurue shpinën e tij përballë arbnorëve dhe napolitanëve. Skënderbeu tashmâ e kishte marrë vesh prej agjenturës, se prej Adrianopojës ishte nisë nji ushtri e madhe, por vetëm pak mâ vonë ai e mori vesh, qi kjo ushtri ishte drejtue kah Konstandinopoja. Tue kujte qi kjo ushtri ishte caktue për Arbëninë, vendosi me i dalë përpara, para se ajo të vendosej në formacion luftimi. Në afërsi të Shkupit Skënderbeu hasi në ushtrinë e Ibrahim Beut, e cila u shkatërrue krejtësisht prej arbënve dhe gjatë kësaj beteje gjeti vdekjen edhe vetë Ibrahim Beu, ashtu si Dalibi mâ përpara. Lajmi për ket fitore të Skënderbeut e mbushi t’gjithë Evropën edhe nji herë me gëzim. Heroi arbnor ngrihet aq shumë në qiell, saqë “virtytit dhe ndërshmënisë së tij nuk mundesh me i shtue asgjâ mâ” (nihil ad eius virtutem et probitatem addi potest) – kështu shkruen Senati Raguzan. Por krishtenimi u gëzue për nji kohë të shkurtë prej kësaj fitoreje, sepse mâ pas, me 29 maj 1453 Konstandinopoja ra në duert e turkut. Tmerrin e përhapun prej këtij lajmi të trishtë e mbuluen shumë shpejt grindjet e vjetra shpirtvogla të fuqive të krishtena.
Papë Nikolla u drejtoi popujve të krishtenë prap nji bulë, por më kot. Për ta Konstandinopoja ishte ende tepër larg. Mehmetit II fitimtar nuk mund t’i delshin përballë të vetëm Huniadi dhe Skënderbeu, do t’ishte kenë i nevojshëmbashkëpunimi i të gjitha forcave të krishtena. Por njena prej tyne, Republika e Venedikut u dakordsue prap edhe me pushtuesin e fuqishëm të Konstandinopojës. Vetëm interesat e saj tregtare t’ishin të sigurueme, për gjanat e tjera Venediku nuk interesohej fort. Tregtari shef ktu si zakonisht vetëm përfitimin e tij direkt dhe biznesin e mirë. Ajo qi vjen tash, janë vetëm hapat e fundit drejt nji fundi të idhët edhe për Skënderbeun dhe për Arbëninë, edhe pse fitohen edhe disa beteja të tjera. Në vjetin 1455 vdes Papa Nikolla V, i cili kishte bâ kaq shumë për Skënderbeun. Mbas fitores së fundit të arritun në Beograd me 14 qershor 1456 vdes Huniadi, heroi mâ i randësishëm i Krishtenimit në atë kohë, krahas Skënderbeut. Më 23 tetor po t’atij vjeti vdes edhe Johannes Kapistrano, i cili kishte kontribue mâ së shumti për fitoren e Beogradit. Dy vjet mâ vonë u nda nga jeta edhe Alfonsi i Aragonës, miku mâ i mirë i Skënderbeut. Pasardhësi i tij Ferdinandi ose Ferrante âsht tepër i dobët dhe i nevojitet mbështetja e Skënderbeut kundër pretendentave anzhuin për fronin.
Vjeti 1459 e pruni Skënderbeun në vështirsi shumë të mëdhaja diplomatike. Ai kishte thye tri ushtri turke njena mbas tjetrës, kishte lidhë marrëdhanie të ngushta me mbretin hungarez, i cili kishte dërgue tek ai nji ambasador. Por sulltani dinak i kishte ofrue Skënderbeut paqë. A duhej me e pranue ai këtë paqë apo jo? Papë Piu âsht kundër nji paqe me turqit, gjithmonë me armë të ngrituna kundër sulltanit, nëse nuk don me përfundue i mposhtun prej tij! Papa merr përsipër qetësimin e grindjeve ndërmjet Venedikut dhe Skënderbeut. Venediku dishron prej Skënderbeut dorëzimin e kështjellës së Satit, të cilën ai ua kishte marrë mâ parë turqve. Skëndërbeu, për të cilin anmiqësia e Venedikut në atë moment mund t’ishte shumë e damshme, u tërhjek. Ofertën e paqës nga ana e Sulltanit Skënderbeu e refuzon. Por meqë ai nuk shpreson për ndonji ndihmë nga Prendimi, i lutet sulltanit me bâ nji armëpushim.
Gjatë kësaj kohe (tetor 1460) Skënderbeu mujti me i dërgue mikut të tij, mbretit Ferrante nji trupë ndihmëse. Në vjetin 1461 ai kaloi vetë Adriatikun dhe me anë të ndihmës së tij froni i Ferrantes u sigurue. Nga ana tjetër sulltani mujti me çue deri në fund pushtimin e Serbisë dhe të Bosnjës (1459).
Në vjetin 1462 Skënderbeu u kthye prej Italisë dhe qendroi në Raguzë, e menjiherë mâ pas ai mbërriti në Arbëni. Nji ushtri e madhe ishte vû në marshim kundër Arbënisë. Në t’vërtetë ishin dy ushtri, të cilat Skënderbeu i mujti, para se ato t’bashkoheshin me njena-tjetrën. Menjiherë mâ pas ai theu edhe nji ushtri të tretë. Tashmâ ishte vetëm Skënderbeu, i cili guxonte me i dalë përballë marshimit fitimtar të Mehmetit II. Por atij nuk po i ndihmonte kush. Venedikut, i cili ishte i vetmi qi mund t’i jepte ndihmë, prap nuk mund t’i zehej besë. Për ket arsye me 27 prill 1463 Skënderbeu i ofroi sulltanit paqë, të cilën sulltani ia pranoi me kënaqsi. Kjo shkaktoi nji pakënaqsi te forcat e krishtena, të cila 189 megjithatë kishin pak dishirë me ndihmue, kur u kërkohej dishka e tillë. Nga paqja ndërmjet Skënderbeut dhe Sulltanit e tregonte vedin veçanërisht të prekun Venediku, i cili bani gjithshka qi me e prishë ketë paqe, dhe ia doli. Midis Skënderbeut dhe Republikës u bâ nji marrveshtje e fshehtë dhe u morën masa për anmiqësina qi do t’filloshin menjiherë mâ pas.
Edhe Papë Piu II, e këshilloi Skënderbeun me fillue luftën kundër sulltanit. Qysh se ishte ngjitë në Fronin Papnor (1458-1464) ky humanist, kishte përqendrue t’gjithë kujdesin e tij në mprojtjen e kulturës prendimore ndaj rrezikut turk. Në verën e vjetit 1459 ky
Papë i kishte thirrë princat e krishtenë në nji kongres në Mantova. Me anë të nji fjalimi të shkëlqyeshëm ai kishte parashtrue nevojën e nji lufte të përbashkët të prendimit të krishtenë kundër të pafeve.
Mbas kapërcimit të shumë vështirësive së pari kje marrë vêndimi për nji luftë kundër turqve, por pohimet në lidhje me té nuk u pasuen me vepra. Për me i shkundë princat e krishtenë nga plogështia dhe mospërfillja e tyne dhe me qëllim qi me sjellë entuziazëm për ketë punë të madhe, Papa vêndosi me u vû vetë në krye të ushtrisë së kryqëzatës. Skënderbeu, i cili ishte zgjedhë prej Papës si Kryeprijës i ushtrisë së aleancës, po priste me padurim mbërritjen e ushtrisë së kryqëzatës, në krye të së cilës duhej të mbërrinte edhe Papa vetë në brigjet e Arbënisë. Tashmâ Piu ishte nisë për në Ankonë, ku kje mbledhë edhe flota e kryqëzatës, por aty (me 14 gusht 1464) Papa vdiq. Me vdekjen e Papës ndërmarrja e kryqëzatës dështoi para se me nisë, sepse Piu II ishte kenë pikërisht shpirti i saj dhe forca e saj shtytëse qi nuk lodhej kurrë.
Edhe përgjatë tre viteve të mapasme Skënderbeu korri fitore të tjera kundër turqve, por ai e ndjente vedin shumë të dobësuem, dhe as qi nuk e mendonte se mund t’i jepte fund çashtjes me turqit pa ndihmë të jashtme. Si rrjedhojë ai vendosi me bâ nji udhëtim në Romë, ku gjeti nji pritje të shkëlqyeshme, por përveç shumave të pareve nuk mori asnji mbështetje tjetër. Kësaj here mâ tepër ndihma Skënderbeu mori prej Venedikut, i cili duhet të jetë kenë i hqetësuem për posedimet e veta në Arbëni, në kufi me trojet e Skënderbeut. Porse turqit kjenë në gjendje me hjedhë kundër
Arbënisë trupa të reja e të freskëta në xjerra prej rezervuarit të perandorisë së tyne gjigande. Skënderbeu kje nisë për në Lezhë (posedim venedikas), për me u këshillue me aleatët e tij në lidhje me nji plan të ri fushate ushtarake, dhe aty ai vdiq me 17 janar 1468 (?). Megjithatë vjeti i vdekjes i Skënderbeut nuk mund të përcaktohet me saktësi. Simbas shumë hisorianëve ai pat vdekë në vjetin 1467. Gjon Muzaka thotë qi Skënderbeu vdiq në vjetin 1466 në moshën 63 vjeçare.
Njizetë e katër vjet me radhë Skënderbeu kje në gjendje me u mprojt ndaj sulmeve shumë të fuqishme, të cilat i drejtuen mbí Arbëninë dy prej sulltanëve mâ energjikë qi pat xjerrë ndonjiherë raca turke. I pari prej tyne Murati II (i vdekun në vjetin 1451) kishte bâ nënshtrimin e provincave të jashtme të Perandorisë Bizantine dhe në tetor të vjetit 1448 në zemër të Ballkanit pat thye në mënyrë asgjâsuese ushtritë e krishtena nën drejtimin e Huniadit, në Betejën e Dytë të Kosovës. Dita e 29 majit 1453 pat çue në vorr Bizantin krenar, dy vjet mbasi Mehmeti II kishte marrë sundimin. Mbas kësaj dite vendimtare të historisë botnore Mehmeti II qi me të drejtë quhet “Pushtuesi” sundoi për 28 vjet mbí fronin luksoz të Konstandinopojës, i cili prej atij çasti u quejt Istambul (Stamboll) dhe qi u bâ kryeqyteti i Perandorisë Turke qi shtrihej mbí nji sipërfaqe të madhe të botës. Auktori italian Francesco Tajani shkruen: “Po t’mos kishte lindë Skënderbeu, unë kisha martue Gjinin e Adriatikut me
Republikën e Venedikut, kisha vû mbí krye të Papës çallmën dhe kisha ngrehë gjysëhanën mbí kupolën e Shën Pjetrit”². Nâ nuk e dimë se kur e me çfarë rasti i ka shprehë Mehmeti II këto fjalë. Sidokjoftë mund të pretendojmë qi nji sulltani të tillë të fuqishëm si Mehmeti II duhet t’i ketë shkue menda me bâ ndonji sulm të madh kundër Prendimit. Për ketë qëllim Arbënia do t’i kishte shërbye atij si nji trampolin, siç e kanë përdorë atë aq shpesh kjoftë Lindja, kjoftë Prendimi në sulmet e tyne të anasjellta. Por 15 vite luftrash të randa e me humbje të mëdha kundër “këshjellës Arbnore” të Skënderbeut qi mbeti i pathyeshëm deri në vdekje e paralizuen realizimin e këtij plani të pamuejtun, të cilin Mehmeti II duket se e la m’anash në vjetët e mavonshëm të sundimit të tij, si të parealizueshëm.
Në ketë kuptim duhet të shihet e duhet të vlerësohet nalt lufta e guximshme për lirí e Skënderbeut. Mbajtja dhe ruejtja e kreut të asaj ure qi quhet Arbëni për nji kohë aq të gjatë në nji pikë kthese aq të rrezikshme të historisë evropiane ka pasë nji randësi aq shumë të madhe për njerëzimin e atëhershëm, saqi na sot nuk jena në gjendje me e përceptue. Dhe kur Papët i jepshin Skënderbeut tituj të tillë si “Defensor fidei” (Mprojtës i Fesë) dhe “Athleta Christi” (Luftëtar i Krishtit), ato sigurisht qi nuk ishin të menduem vetëm si tituj nderi, por dilshin prej shqetësimit të Papëve të atëhershëm për situatën shumë serioze, në t’cilën gjendej në fakt Prendimi i krishtenë.