Blerim Metaj
___
Pranverë 1999: Për herë të parë pashë ushtarë të UÇK-së me sytë e mi
Pranvera e vitit 1999 kishte ardhur ndryshe. Nuk sillte më gëzimin e natyrës që zgjohej, por një ankth të vazhdueshëm që ndjehej kudo. Edhe si fëmijë 9-vjeçar, e kuptoja se diçka e rëndë po ndodhte. Ishte një kohë kur ditët e netët dukeshin të njëjta, të mbushura me pasiguri dhe frikë. Të rriturit përpiqeshin ta fshihnin trishtimin, por ai reflektohej në çdo gjest dhe pëshpëritje.
Ajo mbrëmje ishte veçanërisht e qetë dhe e rëndë. Të gjithë ishim mbledhur në sallon, duke ndjekur lajmet që sillnin veç kronika luftimesh, shkatërrimi dhe largimi të dëshpëruar të njerëzve. Unë bëja sikur po luaja, por në të vërtetë dëgjoja çdo fjalë, çdo rrokje të asaj dhimbjeje kolektive që përcillej nga ekrani i televizorit. Telefoni i shtëpisë ishte shkyçur. Kishte ditë që nuk kishim marrë asnjë lajm nga të afërmit jashtë Kosovës. Dukej sikur ne ishim vetëm, të izoluar, mes jetës dhe vdekjes.
Atë natë, dera e oborrit trokiti papritur. Për disa sekonda, shtëpia u mbush me një heshtje vdekjeprurëse, një pauzë që e bëri secilin nga ne të shikonte tjetrin me sy të zgurdulluar. Ishte një trokitje që ngrinte gjak në vend. Sikur një komandë e heshtur, të gjithë u çuam në këmbë. Në derë ishte daja Zymer me disa gra e fëmijë. Të larguar nga Studenica për të shpëtuar, ata erdhën tek ne duke na sjellë lajme për tmerrin që po afrohej. “Po vijnë, po afrohen gjithnjë e më shumë. Duhet të jemi gati për çdo gjë,” tha ai me një zë që nuk mund ta fshihte frikën.
Në atë atmosferë tensioni, zemrat na ndaluan kur trokitja e xhamit të sallonit pushtoi shtëpinë. Ishte një trokitje e vendosur, që na mbushi me një frikë të madhe, por edhe me një ndjesi kurioziteti. Gjyshi, me hapa të kujdesshëm, lëvizi drejt dritares. Kur ai e hapi perden, një zë i lehtë qetësie përshkoi dhomën. Jashtë qëndronin dy burra me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë. Të parit ushtarë të UÇK-së ishte si të shihje një dritë shprese në mes të errësirës më të thellë. Njëri prej tyre ishte djali i axhës së nënës time, Shefqeti, ndërsa tjetri kushëriri Halil Nura. Ato uniforma, që më parë i kisha parë vetëm në përfytyrimet e mia, tani ishin përballë meje. Dhe mbi të gjitha, ato uniforma i mbante dikush që ishte pjesë e familjes time.
Krenaria që ndjeva atë moment ishte e papërshkrueshme. Ishte hera e parë që kuptova vërtet kuptimin e fjalëve “trimëri” dhe “atdhe.” Më dukej sikur ata ishin heronj që kishin zbritur nga ndonjë legjendë për të na mbrojtur. Me sytë e një fëmije, mendoja se ishin të pamposhtur, të paprekshëm, të fuqishëm sa vetë malet që na rrethonin.
E pyeta Shefqetin, pothuajse duke u dridhur nga emocionet:
“A keni edhe më shumë ushtarë, kështu si ju?”
Ai buzëqeshi dhe tha:
“Po, të gjithë dajtë e tu janë në UÇK. Mos ki frikë, na keni neve!”
Fjalët e tij ishin si një shpatë që priste frikën në dysh. Në atë moment, nuk ndjeja asgjë përveç një dëshire të zjarrtë për t’u bërë si ata. Doja edhe unë të mbaja atë uniformë, të isha një ushtar, një mbrojtës i atdheut.
Por nata nuk përfundoi aty. Më vonë, Zoja, gruaja e axhës, bërtiti nga kati i dytë:
“Po vijnë tanket! Po futen në fshat!”
Të gjithë u ngjitëm në katin e dytë, duke i fikur të gjitha dritat. Nga dritarja pamë një pamje që më mbeti e ngulitur në mendje. Rruga kryesore ishte mbushur me tanke dhe autoblinda serbe. Zhurma e tyre ishte e padurueshme, një zhurmë që dukej sikur po çante vetë tokën nën këmbët tona. Frika ishte e prekshme. Gjyshi na urdhëroi të mos bënim asnjë lëvizje. “Fikni çdo dritë. Mos i tërhiqni ata këtu!” tha ai me një zë të fortë.
Ashtu të strukur pranë njëri-tjetrit, ndjeva një forcë që po rritej brenda meje. Po, ishim të frikësuar. Por ajo frikë po mësohej me praninë e shpresës. Tashmë e dija se ne nuk ishim vetëm. Kishim bij e bija të këtij vendi që kishin zgjedhur të luftonin për ne.
Ajo natë kaloi, por tingujt e tankeve dhe fjalët e Shefqetit nuk më lanë kurrë. Nga frika dhe ankthi, lindi diçka tjetër – një krenari që e mbaj me vete edhe sot. Në errësirën e asaj kohe, UÇK-ja ishte drita jonë. Dhe unë e di, ajo dritë vazhdon të ndriçojë për të gjithë ne që kemi përjetuar ato kohë.
(Vazhdon…)
Blerim Metaj