Nail Draga , Ulqin
Sadedin Limani,Përtej heshtjes,Botoi:Fan Noli, Tiranë, 2014
Pavarësisht rrethanave shoqërore në Shqipëri në kohën e diktaturës në gamën e gjerë të artëve e në veçanti në fushën e letërsisë janë botuar vepra me peshë të cilat janë vlerësuar nga kritika e kohës. Ndonëse artët ishin nën trysnin e realizmit socialist, që si moto kishin qasjen ideologjike, ka edhe përjashtime qe autor të ndryshëm kanë krijuar individualitetin e tyre krijues, duke u veçuar me stilin e tyre dhe me mjeshtrinë gjuhësore dhe me qasjën intelektuale. Ndonëse të tillët kanë qenë të paktë, ata ishin një aset, duke mbetuar si vlerë kombëtare në piemontin e letërsisë kombëtare shqiptare. Në sajë të veprimtarisë së tij letrare në këtë kategori bën pjesë shkrimtari Skënder Drini, i cili ishte idividualitet i veçantë në letërsinë shqipe
Në lidhje mbi botimin e romanëve nga shkrimtarë të ndryshëm kemi pasur rast të lexojmë vështrime apo opinione nga kritikë letrar apo studiues të ndryshëm.Por, janë të rrallë ata botime qe trajtojnë në mënyre analitike dhe studimore veprimtarinë e një shkrimtari, duke prezantuar një pjesë të veprimtarisë nga opusi i tij krijues. Por diçka e tillë kemi rastin ta shohim në një botim i cili është i veçantë kushtuar shkrimtarit Skënder Drini(1935-2014). Kemi të bëjmë me librin Përtej heshtjes të autorit Sadedin Limani, botuar në vitin 2014, nga SHB”Fan Noli” në Tiranë.
Një botim analitik
Nisma qe të botohet një vepër e tillë kushtuar disa veprave të shkrimtarit Drini, nga S.Limani, paraqet moment të veçantë në botimet në shqip dhe dëshmi e pasionit për letërsinë. Kemi të bëjmë me një botim analitik, që është i rrallë në botimet në shqip, që veçohet për nga përmbajtja dhe qasja intelektuale për botën kulturore shqiptare. Dhe një qasje e tillë, hap dilema jo vetëm letrare, ku Limani paraqet pikëpamjet dhe vlerësimet për katër vepra të shkrimtarit Drini. Fjala është për katër romane: Shëmbja e idhujve(1975), Vraje tradhtinë(1978), Midis dy kohëve(1978) dhe Tanush Martini(1990).
Duke marrë parasysh se veprimtaria kriuese e Drinit është mjaft e gjerë, përcaktimi për këta katër romane, është zgjidhje personale e autorit, që ka të bëjë me ngjarje të veçanta në historinë e popullit shqiptar.
Në këtë botim autori fillimisht jep të dhëna për jetën dhe veprën e Skënder Dirinit, duke vazhduar me vështrimin e përgjithshëm për katër romanet, analizën dhe sfondin historik të tyre. Me pas trajton edhe çështje të tjera letrare, shoqërore e filozofike të cilat sipas autorit janë në favor të kuptimit të përceptimit letrar dhe vizionit intelektual të S.Drinit.
Duke lexuar këtë botim, del qartë se autori e ka njohur për se afërmi shkrimtarin Drini, jo vetëm si person fizik, por edhe si krijues e intelektual. Ai me origjinë ishte nga Struga, nga hapësira juglindore shqiptare pranë liqenit të Ohrit, por është rritur, formuar e jetuar në Shkodër. Si i tillë ai nuk ka qenë i kufizuar në apektin lokal por ishte person i veçantë për kohën kur ka jetuar e vepruar. Vetë jeta e tillë, duke sfiduar rrethanat familjare e ato shoqërore si intelektual qe ishte ai ka përceptuar qartë sistemin e kohës, duke jetuar në heshtje, ashtu si e ka titulluar këtë botim autori Limani.
Vetmia e jetuar
Madje unë e them pa hezitim se ai jetonte në vetmi, duke kriuar botën e tij personale e intelektuale. Si i tillë Drini për qarqet letrare e kulturore jo rrallë nuk është kuptuar, apo refuzuar sepse nuk ka qenë sipas shijes të klanëve të ndryshme letrare. Kemi të bëjmë me mos vlerësimin e vlerave përkatësisht të meritokracisë dukuri e cila ishte e pranishme në monizëm por edhe tash në pluralizëm. Ai ishte nga ata disidentë qe ka vazhduar të përjetojë disidencën e vet në të dy sistemet si në monizëm dhe në pluralizëm.
Prezantimi i ngjarjeve në këto romane nuk janë fiksime të imagjinatës se shkrimtarit, por të realitetit të ngjarjeve në veriun shqiptar. Shkrimtari me mjeshtri përshkruan realitetin e kohës, si brenda shqiptarëve por edhe të tjerëve në raportët shoqërore të kohës.
Duke analizuar katër romanet e Drinit në këtë botim Limani ofron të dhëna me interes për çështjet përkatëse. Në kët aspekt ky është i veçantë sepse ai ka ofruar referenca nga botime të ndryshme, të cilat janë me interes për lexuesin. Dhe ska si të jetë ndryshe sepse një qasje e tillë analitike pasuron të dhënat të cilat Drini i ka pasur si temë te romaneve.
Të dhënat e prezantuara nga Limani, janë plotësim i logjikshëm duke plotësuar qasjen e botës intelektuale të shkrimtarit Drini. Ndonëse në shikim të parë kemi të bëjmë për periudha të ndryshme kohore çdo gjë reflekton për ngjarjet e kohës, që janë pjesë e historisë sonë. Ishte mjeshtri e veçantë e shkrimtarit qe ngjarjet e ndodhura në veriun shqiptar i ka shtjelluar në stilin e tij si rrallë kush deri më tash, duke dëshmuar se ai ka qenë njohës i ngjarjeve historike.
Në këtë aspekt ai ishte i priviligjuar, sepse duke jetuar e punuar në Shkodër ka pasur mundësi të informohet drejtpërdrejt, çështje të cilat kanë qenë preokupuese për popullin tonë.
Përfundim
Libri “Përtej heshtjës” i S.Limanit për nga përmbajtja dhe trajtimi i lëndës së shtjelluar, paraqet një analizë të veçantë letrare në literaturën në shqip. Madje e them pa hezitim se në shumë raste analiza e tillë është eseistike, që dëshmohet edhe me refencat e prezantuara. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me shkrimtarin Drini i cili dallohej me shkallën e lartë te të shprehurit estetik, artistik e filozofik qe janë të rrallë, me vlerë të veçantë shoqërore.
Duke marrë parasysh përgatitjen profesionale të Limanit, leximi i këtij botimi zgjon kureshtjen të çdo lexues, andaj si i tillë do të ketë edhe komente të ndryshme. Por, pasi të lexohet ky libër, lexuesi i pasionuar do të bindet se kemi të bëjmë me një botim të veçantë tek ne dhe si i tillë qe paraqet risi në literaturën në shqip.
Përfundimisht, pas leximit të këtij botimi, që si trajtim ka jetën dhe veprën e Skënder Drinit, del qartë se kemi të bëjmë me një shkrimtar dhe intelektual i cili bën pjesë në plejaden e shkrimtarëve më të rëndësishëm në letërsinë shqipe.
Si e tillë veprimtaria e tij letrare do të mbetët e veçantë dhe model për gjeneratat e reja, sepse ai i ka sfiduar rrethanat e kohës me krijimtarinë e tij letrare. Ai nuk ishte konformist, por shkrimtar me individualitet krijues si rrallë kush në kohën e tij.
Pavarësisht se ai nuk u vlerësu sipas meritave letrare nga qarqet shoqërore të kohës si në monizëm dhe në pluralizëm ai ka mbetur model për kohën e tij dhe me pas. Ndërsa organizimi i kësaj tryeze kushtuar Drinit është dëshmi e konsideratës intelektuale dhe nderimit të veprës së tij letrare.
(Paraqitur në Tryezën shkencore “Skënder Drini, individualitet i spikatur në letërsinë shqipe” organizuar nga Akademia Shkencave e Shqipërisë dhe Shoqata “Formimi Inelektual dhe Shkencor”, Tiranë, 3 korrik 2023)