ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Bujari nga Kosova, engjëlli shpëtimtar në tregjedinë e Mestres

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Gëzim MUÇOLLI
___
Të marten e kaluar me 3 tetor, mbrëmja kishte filluar me gjithë rendin dhe rregullin e kryerjes së një dite që ende dukej sikur jemi në verë. Në Mestre në stacionin e trenit kishte ende udhëtarë që po prisnin trenat e tyre, që po ndërroheshin vazhdimisht në dymbëdhjetë binarët e saj, duke shkuar ose duke u kthyer nga Venecia.
Matanë hekurudhës, një mur dritash të automobilave që zbresin dhe ngjiten urës që vie nga drejtimi i Padovës drejt Venecias, krijon një panoramë reflektimesh që nuk pushon pothuajse gjatë natës, aty ky ndahet rruga për qendrën Mestre dhe qendrën Marghera, dy komunat që janë pjesë integrale e qytetit Venezia të cilat ndryshe quhen edhe Venezia terraferma ose pjesa tokësore e Venecias.
Në atmosferën e gjallë afër stacionit të madh të Mestres, e cila njihet edhe si një nga nyjet më të mëdha të qarkullimit hekurudhor dhe automobilistik të Italisë, baret dhe restorantet këto ditë janë përplot klientë që mbushin ambientet para lokaleve duke iu gëzuar temperaturave të ngrohta verore të kësaj vjeshte.
Në pub-restaurantin “Madigans Venice”, në rrugën Ca Marcello numër 6, poshtë hotelit Leonardo Royal, Bujar Buçaj, njëri nga pronarët ishte duke ndërruar kanalin e televizorit në sallën e madhe kur befas si vegim i kaloi para syve një dritë e shkurtë e pazakonshme që po vinte nga ura përballë, matanë binarëve. Dy sekonda më vonë u dëgjua një zhurmë tepër e madhe dhe u pa të ngrihej lart një pluhur i madh. Ora po shënonte 19 e 38 minuta duke hyrë në kronikën veneciane si tragjedia më e madhe në historinë e saj.
– Çka po ndodh kështu, ishte pyetja e të gjithëve dhe Bujari del dhe pyet dikë aty afër lokalit që kishte parë nga jashtë se ç’kishte ndodhur në atë moment? Një i huaj, me origjinë nga Bangladeshi i thotë se kishte parë duke ra poshtë nga ura një autobus!
Bujari pa humbur kohë i drejtohet kolegut të tij, bashkëpronarit të restorantit duke i thënë: shkova të shoh se çka po ndodh, ndoshta kanë nevojë për ndihmë!
Bujar Buçaj, nga Malisheva e Kosovës kishte para veti pengesa të cilat nuk i llogariti dhe nuk u ndal. E para ishte rrethoja e lartë mbrojtëse që ndan hapësirën e lokalit nga binarët. Ai e kapërcen rrethojën dhe megjithëse e dinte mirë se aty shkruan se ndalohet kalimi mbi binarë, para tij ndodheshin binarët të cilët ai i kalon një nga një, duke arritur në anën tjetër ku ndodhej edhe një pengesë e fundit një mur i trashë e i lartë të cilën megjithë vështirësinë ai e kapërcen dhe pas disa sekondave ndodhet para një skene apokaliptike në të cilën kishin përfunduar 35 udhëtarët dhe shoferi i autobusit që sapo kishin rënë nga një lartësi 15 metërshe nga ura.
Autobusi ishte shkatërruar plotësisht dhe po dëgjoheshin thirrje në gjuhë të huaja. Bujari nuk heziton dhe me përpjekje të madhe nxjerr nga rrënoja e autobusit, dy fëmijë të përgjakur dhe thërret në telefon numrin e urgjencës duke lajmëruar autoritetet mbi gjendjen para së cilës ndodhej.
Në ato minuta që dukeshin të pafund aty afër ndodheshin shumë kuriozë që kishin nxjerrur telefonat e tyre dhe po xhironin ose po bënin selfie para asaj skene makabre pa u afruar ti ndihmonin Bujarit dhe ai plot zemërim iu drejtohet duke kërkuar të hapnin rrugë automjeteve të ndihmës së parë dhe të zjarrfikësve meqenëse autobusi kishte filluar të merrte flakë.
Ndërkohë u aktivizua edhe ajo që italianët e quajnë “makina e ndihmës dhe shpëtimit” dhe erdhën në vendin e ngjarjes mbi 40 makina të ndihmës së shpejtë mjeksore dhe makina zjarrfikëse, duke përmbushur protokollin e emergjencës si dhe u lirua një kat në spitalin e Mestres për ti pranuar të lënduarit. Bilanci ishte i rëndë: u nxorrën njëzetenjë trupat e pajetë dhe numri i të lënduarve ishte pesëmbëdhjetë. U ngrit edhe helikopteri i ndihmës së shpejtë i cili i dërgoi të lënduarit e rëndë në Qendrën e mjekimit të djegieve në spitalin e Padovës si dhe në spitalin e Trevizos.
Kjo tragjedi ishte lajm i papritur dhe u bë temë e të gjitha programeve televizive e radiove si dhe gazetave. Erdhën gazetarë nga gjithë Italia për të raportuar për rastin si dhe në kërkim të njeriut që po dukej si engjëll mbrojtës me këmishë të bardhë e që e kishin parë në videoxhirimet nga ura, duke rrezikuar jetën e vet për ti nxjerrë nga autobusi një djalë dhe vajzë që ishin vëlla e motër nga Gjermania. Pos tij ata po kërkonin edhe dy puntorë afrikanë të cilët sapo kishin përfunduar punën te kolosi industrial i anijeve “Fincantieri” dhe rastësisht u ndodhën në afërsi të vendit të ngjarjes ku ndihmuan edhe ata të nxirrnin të plagosurit nga autobusi.
Qysh nga e nesërmja Bujar Buçaj u bë qytetari më i kërkuar në gjithë provincën e Venecias, dhe numri i tij i telefonit vazhdimisht kërkohej kudo. Autoritete, gazetarë, kryetari i komunës ku banon ai, miq, etj, po e kërkojnë vazhdimisht. Duan ta dëgjojnë, të mësojnë të vërtetën siç e kishte parë me sytë e vet shpëtimtari i parë i cili arriti në vendin e tragjedisë.
E quajnë hero por Bujari i qetë, me modestinë e tij thotë se nuk ndihet hero: Unë kam bërë atë që do ta kisha bërë edhe në vendin tim, të bëj çdo gjë për të ndihmuar njerëzit kur janë në rrezik ose kur kanë nevojë për ndihmë.
E takova Bujarin te restoranti i tij, duke u ndier i privilegjuar me pritjen që më bëri sipas traditave tona. Ishte sikur të njiheshim me vite dhe i erdhi mirë që kisha shkuar ta vizitoj. E falenderova thjesht për atë që ai e kreu me sakrificë duke i dhënë emër jo vetëm atij por edhe Kosovës duke na bërë të ndihemi krenarë dhe dinjitoz.
E pyeta pse nuk e pranon që ti mund të jesh ai që italianët e quajnë hero i rastit ( “eroe per caso”) dhe ai tha se në ato momente Bujari kishte parasysh vetëm një gjë: se ishte dikush që kishte nevojë për të dhe i duhej ndihma e tij.
Janë gjëra që njeriu i ndien dhe nuk shikon asnjë pengesë ose rrezik. Niset dhe me fat!
Atë natë ai u kthye vonë në shtëpi. Nuk iu tregoi asgjë katër fëmijëve të tij. Por lajmi mori dhenë edhe në komunën Mira ku banon Bujari me gruan dhe fëmijët e konsideruan hero.
Kur u kthye të nesërmen në shtëpi fëmijët i treguan se kur kishin hyrë në shkollë, mësuesit dhe të gjithë nxënësit italianë ishin ngritur në këmbë me respekt dhe i kishin pritur me duartrokitje si fëmijët e heroit shpëtimtar që kishte sakrifikuar duke shpëtuar jetë fëmmijësh të tjerë.
Edhe z.Marco Dori, kryetari i komunës Mira i cili e kishte takuar Bujarin pesë muaj më parë, kur kishte kryer ceremoninë e marrjes së nënshtetësisë italiane, e kishte thirrur në komunë për ti dhënë një mirënjohje të veçantë dhe për ta falënderuar në emër të gjithë bashkëqytetarëve të tij.
Derisa po bisedoja me Bujarin telefoni na ndërprente bisedën. Ai pranoi një ftesë nga gazetarët e programit politiko-satirik “Le Iene” të televizionit të njohur “Italia Uno”. Poashtu edhe gazetarët e televizionit shtetëror RaiDue e thirrën të shkonte në Romë të merrte pjesë të dielen në një emision të tyre të drejtpërdrejtë me publikun.
Poashtu edhe telefonatat e miqve nuk mungonin. Njëri nga veprimtarët dhe ndër afaristët më të suksesshëm të mërgatës kosovare në Veneto, z. Bedri Suka e thirri në telefon për ta përshëndetur. Kënaqësi të veçantë i bëri edhe telefonata që pranoi nga konsulli i përgjithshëm i Republikës Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati i cili e uroi për veprën e tij humane e heroike që i bënë të ndihen të respektuar dhe krenarë të gjithë mërgimtarët tonë në Itali si dhe e lajmëroi që do ta vizitojë të dielen.
Në fund të kësaj bisede me heroin e natës së 3 tetorit 2023, që ishte i pari në ndihmë të lënduarve në fatkeqësinë me përmasa tragjike të Mestres,dhe emrin e të cilit nuk do ta harrojnë kurrë as fëmijët gjermanë: Oliveri 14 vjeçar as motra e tij Emilia katërvjeçare e as babai i tyre Walter Bastian i cili humbi gruan e tij Anne Eleen në këtë tragjedi. Bujari tha se ka shprehur dëshirën e tij që sa më parë ti takojë fëmijët gjermanë që po mjekohen në spitalin e Padovës, për ti përqafuar.
U ndamë me Bujarin, duke i uruar suksese në punën e tij të përditshme, ku ai pret me mikpritje dhe dashamirësi të gjithë klientët në Pub-Restaurantin e vet “Madigans Venice” në afërsi të stacionit të autobusëve dhe të trenit në Mestre.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu