ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Ç’dëshmon një dokument i gjetur zyrtar serb nga koha e luftës më Kosovë

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Nga: Feti Tunuzliu

Një dokument zyrtar i cili me gjasë ishte harruar nga zyrtarët serbë gjatë luftës në Kosovë (1999), i kishte rënë në dorë autorit të këtyre rreshtave kah fundi i vitit  2000, teksa po gjurmonte zyrtarisht një dosje vendosur në njërën nga sirtarët e arkivit  të ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë (tani: ndërtesa e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut ). Dokumenti në gjuhën serbe, ishte e shkruar me shkronja çirilike. 

Në këndin e sipërmë të majtë të këtij dokumenti zyrtar ndodhet stema shtetërore e nën te pasojnë rreshtat me këto të dhëna zyrtare të dërguesit: 

“Republika Federale e Jugosllavisë 

Komiteti për Grumbullimin e të Dhënave për Krimet e Kryera  Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare 

02 nr. 201/99-1 

Datë  21.04.1999 

Beograd, Vllajkaviqeva nr. 10 

Telefonat: 3230-369, 3241-107 

Faks 3234-133”  

Në mes të faqes, figuron titullari dhe selia kujt i dërgohet: 

“Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë të Kosovës 

Gjyqtarit hetues 

Mitrovica e Kosovës”  

Nga përmbajtja e pjesës së parë të këtij dokumenti administrativ, del se zyrtari federal sugjeron gjyqtarin hetues në Mitrovicë të mbështetet në Ligjin  mbi grumbullimin dhe dërgimin e të dhënave kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare (1993) që për  vërtetimin e veprave penale nga Kodi Penal i Republikës Federale të Jugosllavisë sipas neneve: 141 (Gjenocidi); 142 (Krimet e luftës kundër popullësisë civile, 148 (Përdorimi i palejuar i mjeteve luftarake) dhe 151 (Shaktërrimi i monumenteve kulturore dhe historike) “të kryera nga ana e NATO-s”,  ta përpiloi Dokumentacionin  e veçantë i cili do t’i reflektonte pasojat e shkaktuara gjatë bombardimeve të Jugosllavisë. Prandaj, autoriteti federal  porosit gjyqtarin hetues që Dokumentacioni gjyqësor të përmbaj pamjet, imazhet e caqeve të ndryshme civile në Jugosllavi (RFJ) “pas të gjitha raketimeve dhe bombardimeve” duke filluar që nga data 24 marsit 1999 (të cilat zgjatën deri më  10 qershor 1999). Pastaj, titullari federal këshillon gjyqtarin hetues që në Dokumentacionin gjyqësor t’i specifikoi monumentet  kulturore e historike si dhe vrasjet e plagosjet  e popullatës civile. Mëtej, ia kujton atij edhe përdorimin e mjeteve të pa lejuara luftarake nga ana e “NATO agresorit”.  

Duke dhënë instrukcione tjera, zyrtari federal në këtë dokument rekomandon gjyqtarin hetues edhe për llojet e veprimeve praktike hetimore që duhet t’i ndërmerr. Në këtë kontekst e udhëzon specifikisht që të realizoi: këqyrjen e vendit të ngjarjes, të siguroi foto dhe video dokumentacionin e vendit të ngjarjes, të dëgjoi dëshmitarët dhe t’i vlerësoi dëmet e shkaktuara materiale. Por, duke mos u kufizuar vetëm në to, zyrtari federal “lutë” gjyqtarin hetues që të ndërmerr edhe të tjera veprime,  në funksion të  argumentimit të pasojave të shkaktuara prej sulmeve ajrore të forcave aleate e ushtarake gjatë luftës në Kosovë. 

Ndërsa, në pjesën e dytë,  zyrtari federal  me këtë dokument administrativ sugjeron gjyqtarin hetues që pas realizimit të veprimeve të tilla hetimore, një ekzemplar të këtij  Dokumentacioni gjyqësor t’ia procedoi Komitetit për Grumbullimin e të Dhënave  mbi Krimet e Kryera Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare  (në vazhdim: Komiteti). Me të pranuar këtë Dokumentacion, Komiteti ka për t’i hartuar Raportet përkatëse  të cilat do të shfrytëzohen  gjatë procedurave eventuale në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, shprehet zyrtari federal. 

Mirëpo, sipas këtij dokumenti zyrtar,  Dokumentacioni gjyqësor nuk do të shfrytëzohet vetëm nga organet gjyqësore gjatë procedurave gjyqësore (penale). Përtej kësaj, i njejti ka për t’u trajtuar edhe në sfondin e publicistikës luftarake serbe nga ana e autoriteteve gjegjëse federale. Ç’është e vërteta, pikërisht mbi bazën e gjithë asaj që përmban në brendi Dokumentacioni gjyqësor, autoritetet më të larta shtetërore kanë për ta hartuar të ashtuquajturin “Libri i Bardhë mbi Krimet e Forcave të Agresorit në RFJ”.  

Megjithatë, hulumtimet tona nuk sollën deri te ndonjë informacion i plotë dhe i drejtë nëse ishte realizuar apo jo ky projekt shtetëror. Arsyet vetëm mund t’i prezymojmë. Por, gjatë këtij hulumtimi, doli se autoritetet serbe vite më parë kishin botuar dhe publikuar dy Libra të Bardhë dedikuar “UÇK-së terroriste dhe planeve gjenocidiale të saj”. 

Të theksojmë se këndi i poshtëm i djathtë i këtij dokumenti të daktilografuar administrativ konfirmon faktin se i njejti ishte përpiluar nga Kryetari i Komitetit prof. dr. Zoran Stojanoviq  por “për” te është nënshkruar tjetër kush. 

Kjo dëshmi materiale e fotokopjuar apo skenuar, e dale nga  njëri prej organeve qendrore të Jugosllavisë federale dëshmon për shumëçka.  Këtu po kufizohemi vetëm në disa momente që, mëtojmë se janë relevante: ky dokument dëshmon  për një ngjarjen legjislative – se pasi shembi  autonominë e Kosovës (1989) dhe nisi luftëra të ashpra e të përgjakshme në Bosnje e Kroaci – Jugosllavia nxjerr Ligjin për mbledhjen e të dhënave për krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtareve (1993); ky dokument dëshmon për faktin se edhe kur po hapte fronte lufte, ndërsa vet rronte në paqë, ky shtet kujtohet për t’instaluar institucione të veçanta federale me synimin që të merret enkas  me  përpunimin e materialit të grumbulluar  provues për  “krimet e kryera nga agresori NATO” , natyrisht, pa e huq bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me gjykata e prokurori serbe dhe me organe tjera shtetërore jo vetëm të Serbisë; ky dokument dëshmon për idenë e hershme të Jugosllavisë federale saj për përplasje me drejtësinë sepse qysh në fillim të bombardimeve të  NATO-s (mars 1999) ky shtet paska anticipuar mundësinë “eventuale”  të ballafaqimit me drejtësinë vendore dhe ndërkomombëtare. Së fundmi, ky dokument zyrtar administrativ dëshmon për aktin e gatishmërisë së shtetit federal jugosllav që edhe në kushte lufte nuk ka reshtur së realizuari komunikimin e rregullt juridik jo vetëm mes dy organeve shtetërore: njëri administrative, tjetri i gjyqësisë (drejtësisë) por s’ka reshtur as me koordinimin dhe komunikimin vertikal: mes një organi federal dhe tjetrit lokal –  gjithnjë duke pretenduar se një ditë ka për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se vendet e koalicionit të NATO-s kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare në Jugosllavi duke faktuar përmes dëshmive (provave) autentike të bollshme dhe të pranueshme të dala gjatë procedurave ligjore nga autoritetet kompetente të shtetit të “viktimizuar” (?) serb. 

Mirëpo, siç dihet botërisht, e vërteta është se, operacioni ushtarak 78 ditësh, përktësisht ndërhyrja humanitare, siç cilësohej në dokumentet ndërkombëtare përmes Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior qe motivuar, veç tjerash, nga spastrimi etnik i shqiptarëve pikërisht prej formacioneve nga më të ndryshme jugosllave t’udhëhequra nga Presidenti famëkeq Millosheviq, me ç’rast pati mijëra të vrarë, të zhdukur, të deportuar, të torturuar, të burgosur, të dhunuar, … shkatërrime objektesh spitalore, shkollore, industriale, …  

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu