ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Çdo varg artistik ka edhe estetikën e vet

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga: Shefqet Dibrani 

Arben Çokaj, MREKULLI N’KATROR, poezi, botoi Sh. B. FIORENTIA, Shkodër 2023, faqe 220. ISBN : 978 992 838 236 8  

PARANTEZË 

Poetin Arben Çokaj, fillimisht kam komunikuar në rrjetet sociale, e pastaj e kam takuar në shtëpinë e tij në Malësi të Madhe dhe të timen në St. Gallen të Zvicrës. Janë edhe disa takime të tjera në Tiranë e Shkodër, të cilat e kompletojnë edhe më tej mozaikun e njohjes. Ai është mësues i fizikës dhe i shkencave kompjuterike. Autor nga fusha e dizajnit dhe programimit, ku ka botuar disa libra dhe doracakë shkollorë. Shquhet si njohës i zhvillimeve politike në Shqipëri dhe Kosovë si dhe në shkallë botërore. 

I kompletuar me dije e kulturë nga fusha e letërsisë dhe e filozofisë, po aq edhe nga shkencat ekzakte. Zotërues i shkëlqyer i anglishtes, gjermanishtes dhe danishtes, gjuhë nga të cilat ka përkthyer tekste e studime letrare si dhe poezi. Kundrejt këtyre prirjeve është dalluar për kritikë letrare, duke trajtuar edhe poezinë. Gjithnjë me shije artistike dhe me depërtim të thellë në brendësinë e saj. Por çuditërisht, deri më tash, unë nuk e kam ditur, se Arbeni paska shkruar poezi edhe më herët, se sa njohja jonë!… 

 

ATËHERË 

 

Kur shpirtin tim e ka pushtuar trishtimi 

Kur qënia ime ndodhet në mërzi, 

Kur s’më bie ndërmend për çaste gëzimi 

Atëherë ngushëllimin e kërkoj tek ti. 

 

Shtator 1990. 

Faqe 19. 

 

LIBRI 

Pa dyshim, libri me poezi MREKULLI N’KATROR, e kompleton mozaikun e angazhimeve edhe në fushën e kulturës dhe të letërsisë. Këto lirika janë shkruar në mes viteve 1990-2000, dhe janë përgatitur për botim vite më parë. Pastaj kur i lexon lirikat e tij, disi ndjehesh i përmbushur: “Papritur zgjohem natën,/ Errësirë kudo errësirë…/ Trupin ma pushton një dobësi/ Jam duke menduar për ty/ Bardhësi”, (poezia DOBËSI, shtator 1990, faqe 20.) Vonesa për botim, vetvetiu shndërrohet në metaforë për “Jetën e komplikuar”. Ndoshta kjo nuk është aspak metaforë, por është realitet i jetuar. Ku ta di unë?! 

Për letërsinë s’ka fare rëndësi, edhe njëra edhe tjetra, pasi jeta si nocion më i kompletuar është metaforë më vete, që shprehet kudo edhe nëpër vargjet e librit: “Sy të buhavisur nga gjumi i tejzgjatur/ Zymtësi, mërzi, delir…/ Vazhdojmë rrugën e jetës së varfër/ Me një vakum të pashtershëm në shpirt”, (poezia ECIM, faqe 25.) Gjithsesi botimi i librit është ngjarje. Ndodhia thyen heshtjen e pritjes së harruar, e cila tashmë e riaktualizon dimensionin e shprehjes “jetë e komplikuar”, në anën tjetër sjell emocione, sidomos tek ata që e njohin Arbenin, për epitetet e theksuara më lart, por jo edhe si poet! Në një poezi tjetër, ai pyet? “Jetës ç’po i marrim?/ Ç’po i lëmë?”, (faqe 30.) E them unë, se Arben Çokaj po i lë letërsisë shqipe këtë libër dhe këto poezi dhe më shumë se kaq! 

Tashmë, Arben Çokaj është poet! E gjithë poezia është tërësi tematike, që lidhet ngushtë me jetën e poetit, me menyrën e jetesës dhe të mbijetimit, qoftë në vitet e tranzicionit kaotik e qoftë më pas nëpër zhvillimet tjera sociokulturore në Shqipëri dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare në Ballkan. Arbeni gjithnjë ishte aktiv e impulsiv, ky reflektim duket edhe në poezinë e këtij libri, pagëzuar me një metaforë të çuditshme poetike, e cila nuk do të doja të ishte aq e komplikuar, aq më pak jeta e tij reale. Ku ta di?!… Por në poezinë DY JETË, mjaft saktë është shprehur: “Kam dy jetë/ Një të madhe sa universi/ Dhe një të vogël fare./ Jetoj dy herë/ Të tjerëve jetën e madhe u fal/ Ndërsa të voglën e ruaj për vete/ Të tjerëve t’u qëndroj pranë”, (faqe 29.) 

 

POEZIA 

Natyrisht, libri si strukturë është përjetim lirik me frymëmarrje të lirshme, që krahas realitetit, ai ka futur në funksion edhe imagjinatën, e cila ngjall krenari dhe dashuri. Në anën tjetër, poezia është regjistruese e emocionit real, ndërsa jeta është fiksion metaforik, që duhet si natën për ta sfiduar! 

 

NATA E GJATË 

 

Nata i pushton ndjesitë 

Dita s’po duket askund 

Kanë udhëtuar prej meje fjalët 

Vargjet kanë humbur diku. 

 

Ngjyrat seç ma errësojnë ylberin 

Pemët, gjethet i shtrijnë përdhé 

Natë vjeshte, natë e gjatë 

Pluhurin e kujtesës shkund mbi ne. 

 

22 nëntor ’96. 

Faqe 206. 

 

Krijimi poetik është vlerë artistike ndërsa optimizmi përfaqëson ndjenjën e autorit. Në një tufë poezish ndeshim një rrafsh real e fiktiv, ku dëshmohet vlera, si përpjekje dhe sfidë për të ngadhënjyer. “Unë megjithatë e kërkoj/ Atë që botës i mungon/ Në shpirtra njerëzorë thellë depërtoj/ Për pak sinqeritet”, (poezia SINQERISHT, faqe 38.) Në cikle të tjera është artikuluar realiteti i përjetuar, bashkë me kontradiktat dhe sfidat e mundshme, të së tashmes dhe të kaluarës. “Një profan dikur në rini/ Se ku kish lexuar një proverb s’e di/ “Dashuria është më tepër marrëzi/ Se urti…”/ E profani i gjorë, gjithë jetën mbeti beqar/ Për t’mos i thënë,/ “Je i marrë!”, (poezia ZGJEDHJE, faqe 37.) 

Mjaft vargje shprehin ngjarje rrëqethëse, veprime që e paskan shqetësuar poetin, i cili pa sofistikime artistike është shprehur, madje mjaft drejtpërdrejt, dhe kjo na bënë për të besuar se këto lirika pasqyrojnë edhe një veti tjetër nga temperamenti personal. “Kur e shprish shpirtin e trazuar/ Të lind më tepër mall/ Ngacmimi i dashurisë së shkuar/ Thellon edhe më shumë një plagë”, dhe këto plagë nuk shërohen me përbetime pa karar, siç shprehet vetë poeti në vargjet tjera në vijim: “Plagosja e zemrës së virgjër/ S’ka nevojë për fjalë/ Besnikëria ndaj dashurisë së lindur/ S’do përbetime pa karar”, (poezia SENTENCA, faqe 42.) 

Poezia si e tillë është një rrahinë, një pllajë, një fushë a një log, ku e tërë dhembja shpaloset pa ndrojtje, shpërfaqet shqetësimi pa frikë, kurse urrejtja dhe smira nuk janë pjesë e karakterit poetik, prandaj ka ardhur në shprehje fabula proverbiale “ka për t’u bërë më mirë?!”, si dhe optimizmi poetik, prandaj zë vend meritor shpresa si ngadhënjim i domosdoshëm. 

 

SINTEZË ESTETIKE 

E veçanta e poezisë përmblidhet në vullnetin e poetit, qëllim ky për t’iu qasur motiveve të shumta, të cilat si tërësi e kompletojnë mazaikun e përgjithshëm. Ashtu sikurse poezia që ka lidhje direkte në mes autorit dhe recepientit, të gjitha motivet kundrohen si marrëdhënie të mundshme, si pjesë e proceseve të gjithëmbarëshme, i fokusuar në sintetizimin e marrëdhënieve në mes motivit e metaforës lirike. Qoftë kjo ndjenjë edhe shqetësim real i përjetuar: “O trishtim i fundshekullit njëzetë/ Pse më tmerron kështu,/ A s’paskam edhe unë të drejtë/ Të gjej gëzimin diku?!”, (poezia EKSKLAMACION, faqe 46.) Vargjet që i cituam më parë, kanë finesë të stërholluar, e cila duket sikur të ishte analizë për vështrim e kundrim të proceseve, qofshin ato të veçanta a të ndërlikuara. 

Pa dyshim, poezia është dukuri, që regjistron ngjarjen e shtjelluar vëmendshëm nga prizmi poetik. “Koka rëndonte si peliçe e vjetër/ Kish kohë që fjalët s’ishin thënë në letër”, (poezia KUR U ZGJOVA, faqe 103.) Pra nga tërësia, shihet se poeti ka arritur t’i paraqesë vrojtimet që janë pjesë e ngjarjeve dhe si rezultat i ndijimit, përjetimi bëhet më përjetues. Vetëm një proces i tillë, çfarë është në të vërtetë, ka prodhuar këto poezi, të cilat plotësojnë edhe më tej mozaikun e angazhimeve të Arben Çokajt edhe në fushën e poezisë së sotme shqipe. 

 

FJALËT E PATHËNA 

 

Buzët më janë tharë 

Nga mungesa e puthjes 

Pështyma ngrihet si kokërr breshëri 

Në fjalën e pathënë 

Nuk hesht, nuk flas në këtë paradoks 

Të pashembullt 

Sytë lozonjarë lakmojnë 

Çmendurisht. 

 

28 shkurt ’94. 

Faqe 151. 

 

Jo vetëm kaq, poezia në fjalë dhe ca të tjera janë me vlerë estetike, që dëshmojnë për prirjen dhe afinitetin krijues që ka autori. Pikëpamje e bukur, kategorizim artistik dhe gjykim estetik, që si tërësi tematike është nivel i intelektit të vetë poetit, dhe lidhet me ndjenjën dhe ndijimin artistik, që shprehet me një finesë të hollë: “Kujt t’ia fal dashurinë?/ Ta shes, ta blej, ta flak diku?!”, (poezia KALATË E PAPREKURA, faqe 148.) Nëse poezia është art, ajo është edhe e bukur, prandaj është edhe pjellë e ndjenjave individuale, e plotësuar me shijen artistike. 

Në anën tjetër, çdo varg artistik ka edhe estetikën e vet, bukuria e krijimtarisë dhe përvetësimi estetik kanë mirë-rregulluar përmbajtjen e poezive, mënyra dhe format e krijimit estetik janë të ndërlidhura me ndjenjën dhe përjetimin emocional, si dhe të pikëpamjes së jashtme dhe të veçantisë së subjektit poetik, qoftë si tipar i saj ose thjesht si bukuri e ndërthurjes artistike. 

 

SHTRESËZIME TEMATIKE 

Poezitë janë kronologji e ngjarjeve, janë edhe dhembje poetike me shtresëzime të shumta tematike, vetëm se këto përjetime janë shprehur në mënyrë lirike andaj poezitë bëhen më të veçanta. Gjithsesi fshehin ndrydhje të përjetimeve, që i kanë ndodhur autorit, duke ndikuar edhe në konceptin e librit nga tronditjet e përjetuara, jo vetëm shpirtërore por edhe fizike. Edhe poeti, duke kaluar kohë të vështira, u bë më imun dhe më i qëndrueshëm. “Në përvjetorin tim të ditëlindjes/ Qirinjtë nuk i fika mbi tortën e mjaltë/ Nëna s’më puthi në sy me dhimbje/ Qortimet e babait munguan atë natë”, (poezia PËR DITËLINDJE, faqe 146.) 

Përmbledhja poetike, Mrekulli n’katror, është strukturim tematik dhe me varg artistik, natyrisht me ato mjete poetike, që i ka zotëruar autori në çastin kur i ka shkruar poezitë. Shihet se përpjekja nuk i paska munguar! Poezia e Arben Çokajt përfaqëson ndjenjën, jo vetëm fiziologjike por edhe atë artistike, dhe pa mëdyshje është shprehja më e bukur estetike. 

Kjo mënyrë shprehëse përjetohet edhe në poezinë KOSOVË, e cila për poetin është “plagë e vjetër mbi ndërgjegjen e vrarë”, së këndejmi: “Kosova/ Sinonim tragjik i së bukurës/ Çmendurisë fundi po i vjen/ Në këtë fundshekulli/ Egos së sëmurë po ia shoh thembrat”, parandien ai, që në vitin 1994, duke e përmbyllur poezinë me vargjet: “Jam pjesë e jotja/ Kosovë/ Dhimbje epike”, (faqe 159-160.) 

Shqetësimi poetik nuk matet vetëm me një krahinë, siç është Kosova, por shqetësimi intelektual është më universal dhe shtrihet më tej, atje ku “Ditët pikojnë predha”, në poezinë BOSNIA SHKELET ME KËMBË PROSTITUTASH, nga e cila po i shkëpusim vargjet: “Dielli diku është fshehur pas reve/ Ditët pikojnë predha/ Në vend të shiut/ Orët, minutat ankthin e rrisin/ Në pasiguri”, (faqe 136), si dhe te poezitë: BUSTI I ANDERSENIT, NË KOPENHAGË BIE SHI dhe poezia POGRADECI, kushtuar Lasgushit. 

Pra, këto poezi kanë nuancë meditative dhe përfaqësojnë edhe retorikën e vargjeve, e ndërtuar me përgjegjësi krijuese, ku dëshmohet se pasioni për poezinë është vlerë reale në njërën anë, kurse në anën tjetër, është mënyrë e artikulimit të ndjenjës së përjetuar, një lloj vrojtimi artistik, për tërë qenien njerëzore dhe për hapësirën etnike. 

Me një individualizëm konkret, autori ka materializuar pasionin për poezinë, i cili jep shenja të bollshme me kahe të profilizimit adekuat. Shi për këtë, ai ka portretizuar jetën e tij, edhe atë jetën e komplikuar, bashkë me ngjarjet e shumta, bëmat dhe dukuritë e ndryshme. “E ndreqim një punë,/ Prishim një tjetër,/ Përsëritet si furtunë/ Dhimbje e vjetër”, (poezia SHIHEMI DHE SHAJMË, faqe 172.) 

Vëllimi me poezi, pasqyron jetën dhe përpjekjet avangardiste të individit, në procesin e ndryshimit dhe të revolucionit demokratik. Edhe në poezi del në pah virtyti dhe pasioni për ndryshime substanciale, si emancipim qytetar, si revoltë, por me prirje poetike, që shfaqet si ndjenjë artistike dhe si përjetim vizual: “Sa primitive duken ndjenjat/ S’e shihni që vajzat dashurohen me qentë?!”, (poezia MIKS, faqe 132.) Pra në të njëjtën kohë artikulohet veprimi real dhe përshkruhet realiteti i përjetuar, qoftë ai i hidhur, i cili gjithsesi duhet të ngadhënjejë, sepse e mira gjithmonë duhet të ngadhënjejë mbi të keqen, ashtu sikurse e bukura dhe artistikja duhet ta sfidojnë të keqen, marrëzinë dhe të shëmtuarën. 

 

MARRËZITË 

 

E çuditshme! 

Vërtet sot po kujtoj marrëzitë 

Dikur aq natyrshëm ngjanin 

Me të zakonshmen… 

Ndryshe dukeshin më pas 

Në trurin e plakur 

 

Kujtoni fjalën e vjetër 

Por, 

Mos i harroni ato 

(Marrëzitë) 

 

Në udhën perfekte, njeriu pa to 

Do të mbetej vetëm 

Gjysma e tij. 

 

22 korrik 1993. 

Faqe 117. 

 

Ky proces metabolik është një vibrim a oscilim i amplitudave, të cilat vlerë matëse kanë ndjenjën, duke lënë prapa një melodi të prajshme dhe përjetuese. Kjo përpjekje poetike ka të bëjë drejtpërdrejt me misionin e qëllimshëm, për t’u ndryshuar, për të përparuar. Si dashuri dhe sakrifikim për Atdheun, të cilit edhe poeti i përgjërohet me tërë afshin e krijimit artistik, e përkushtimit poetik.  

Arben Çokaj, Shkodër

PËRFUNDIM 

Arben Çokaj, në librin Mrekulli n’katror, ka arritur të sendërtojë një mozaik tematik të ndjekur nga pasioni i hulumtuesit dhe krejt kjo është ndërtuar si shtytje kulturore e artistike, që duket një lloj rezistence ndaj ndryshimeve të mëdha ideologjike, pavarësisht asaj se “Si gur varri rëndon mos-vlerësimi,/ I zhvendosur në kufinj absurdë”, (poezia DASHURI ME NJË PROSTITUTË, faqe 174.) Poezitë kanë apostrofuar aktualitetin e momentit, a të çastit, kur është shkruar poezia. Disa sish duken se janë kryekreje reflektim i atij realitetit, i atyre ndryshimeve. 

Por faktori kohë ka determinuar edhe mënyrën e shprehjes, duke ndryshuar edhe timbrin e shprehjes së artikuluar. Poezitë e librit shpërfaqin përpjekjen poetike të autorit, për të ndërtuar një ligjërim sa më funksional, për ta shfaqur pëlqimin e duhur, ose për ta shprehur mospajtimin qytetar dhe intelektual për një varg dukurish e ngjarjesh, nëpër të cilat kalonte Shqipëria. “Vendi im/ Trishtimi s’më hiqet/ Le ta quajmë fisnikëri/ Respektin për veten/ Respektin për ty!”, (poezia JETOJ ME TRISHTIMIN E VENDIT TIM, e shkruar më 18 prill 1996, faqe 197-198.) 

Kriza ekzistenciale shpeshherë është diskurs në gjuhen poetike, sikurse shprehja e artit poetik shpeshherë ka ndikuar edhe në përmirësimin e artikuluar të mendimit politik, gjithsesi kjo mënyrë e shprehjes lirike është specifikë, që dallon për autenticitetin e saj. “Dhimbja është më e pandashme/ Se ndarja/ Të lidh/ Si nënën dhimbja e madhe/ Kur nxjerr në dritë një fëmijë”, (poezia DHIMBJE, faqe 180.) Dhe, pa mëdyshje poezia shprehë edhe protestë, shfaq mospajtim, por gjithnjë në thelbin e saj ka qëllimin për të motivuar proceset e reformat, të cilat në vendin e shqipeve kanë stagnuar. 

Ja si ironizon me dhimbje poeti: “E ndreqim një punë/ Prishim një tjetër/ Përsëritet si furtunë/ Dhimbje e vjetër”, (poezia SHIHEMI DHE SHAJMË, faqe 172.) Ndërsa gjatë leximit dhe rileximit të tyre vërehen gjurmët e këtyre proceseve, të cilat kanë lënë vragë kudo, duke u reflektuar edhe në gjuhën poetike të këtij libri, veçmas poezitë e shkurtra janë realizime të suksesshme, edhe pse janë krijime në fazën e fillimit dhe të bulëzimit të saj. Më vonë sikur ndjenja dhe përkushtimi ka devijuar nga synimi paraprak?! 

Arti dhe poezitë janë më të forta se luftërat dhe diktaturat, ato mund të shijohen e lexohen kurdo dhe në secilën kohë. Poezitë e këtij libri janë të mishëruara me angazhimin real e të drejtpërdrejt të poetit, dhe në këtë kohezion kaotik, kulturor e politik, bëhet më e veçantë. Pavarësisht rrethanave që i përkasin të shkuarës, kjo poezi tash do e vërë kontaktin me lexuesin e saj, gjithsesi dhe do të marrë gjykimin e tij, sepse poezitë janë rezultat i fillimit dhe ky fillim është si çdo fillim tjetër?!…  

St. Gallen, 16 gusht 2023.  

*Ky shkrim është i botuar në libër, faqe 11-18. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu